E merkure, 24.04.2024, 11:06 AM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: Nyjet e pyllit të ditëve

E diele, 13.01.2019, 12:16 PM


NYJET E PYLLIT TË DITËVE

QAZIM D. SHEHU

Druri i arrës së vjetër

Nyjëzon vështrimin tënd

Hija që shkrihet me hijen tjetër

Me vështrimin tënd rend…

Dhe kjo re, daulle vjeshte

Me shkopinj vetëtimash,

Vështrimin tënd hedh në letër

Si bojë e pashkatërrueshme kine.

Pylli i ditëve u ngatërrua

Në xhungël drurësh pa kalim,

Dhe nyja u ngjërua

Në etjen që dot s`e ngin.

Gërshetohen e çlidhen nyjet

E vështrimeve  të bukura,

Dhe duke të kujtuar ty

Nyje në fyt më bëhet buka…

GABIMTAR

Sa hedh një hap në dritë ,tjeri

Në terr bie,

Një dritë është një vit,

Dy vjet një hije…

Dhe sa nisem për udhë

Udhën e gabuar marr,

Flurudhë e vështrimit

Në shenjën  e gabuar ndal…

Asgjë s`është e drejtë

E drejta fshihet nëpër zemra

Siç fshihet gruaja tek shemra…

Dhe një ëndërr që ëndrrës  tjetër

I fryn në dell,

Për ta çorientuar

Në kapërcell.

ATË QË KE ARRITUR

Atë që ke arritur, s`mund ta ruash,

Si Xhon Stainbeg s`e ruajti margaritarin,

Me ty një tufë zilarësh kanë punë,

Edhe pse punë s`u prish  gërnjarëve…

Ta hedhësh në det të asgjësë

Qejfin për t`ua bërë,

Apo t`u hedhësh vështrimeve

Një grusht me rërë…

Rërën për flori ta marrin,

Ndaj bëhen më të etur,

Po s`mund t`ua falësh margaritarin,

Ndërgjegjen, pa e tretur..

Dhe je në hall pa hall

Vetëm prej zilizë cmirajoze,

As Xhon Stainbergu si përball

As të mëdhejtë e kësaj bote…

Prej tyre i shtrënguar

Duke u bërë si ata,

Margaritar i hutuar

Vetë në asgjë ra…

LOTOI I STUHISË

Shami e shtrydhur e reve

Nga duart e stuhisë

U ndeh në gardhin e netëve

Me një rënkim midis…

Rënkimin e a e ndjeve,

Kur një pikë uji pe

Që shkau midis gjetheve,

Loti i stuhisë qe…

BUKURIA

E egër

Pelë e azdisur në thekër,

Sirenë e butë, brishtësi,

Rri.

Ja bukuria,një tundim

I  zemrës në të,

Me krahë e kap si mallkim,

E në sy hijen më lë…

ZOGJTË

Rrebeshi vodhi hapat e qeta

Dhe mbolli nxitimin,

Vrapova diku  për në një strehë

Dhe dy zogj pas meje vinin…

U ndala.Shiu litaronte

Era frynte,pemët sikur shembeshin,

Dhembja  në zemër më pikonte

Zogjtë mos trembeshin…

PARA RAFTIT TË  LIBRAVE

Mendimi  lufton me minjtë e harresës

Në skutat e kohës,

Dhe ruan librat kapakzhveshur

Në rafte si katet e botës…

Para tyre rri,ata para meje,

Në një duel të heshtur përvetësimi,

Radhë, radhë,të lumtur janë ca

Lodhur nga përdorimi,

Ndërsa të tjerë as janë prekur

Nga zhvirgjërim i vështrimit,

Fringo të rinj,po të mekur,

Si vajza të bukura,larg vëmendjes

Së dashurisë së thekur…

Disa  janë bërë copë

E rrinë poshtë jastëkut,

Si drurë që morën shumë diell

E ndizen me një fije shkrepse,

Të tjerë të pahapur kurrë

Dhe kur do hapen s`e di,

Ato s`ndezin asgjë

Veç rafteve u rëndojnë përmbi

PREJ FUSHAVE QË PËRZUNË

Kur agimet u ngrysën

Dhe muzgjet u zbardhën,

Në thyerje mesnatesh

Hingëllinë alarmet..

O zot pse kaq male?

Me  shallet e reve në gushë,

Mos mbërdhijnë nga erërat

Që njëri tjetrit ia shfryjnë  me gulsh.

Me një jastëk reje

Duke e vënë nën krye  për gjumë,

Viganët janë të dobët

Prej fushave që përzunë..



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora