E premte, 29.03.2024, 06:41 AM (GMT)

Kulturë

Gjin Gjonaj: Poezia e autorit Beqir Nuredini

E enjte, 10.01.2019, 06:57 PM


POEZIA E AUTORIT BEQIR NUREDINI

Shkruan Gjin Gjonaj

Vëllimi poetik “Ka ndryshuar çdo gjë“ është libri i parë i autorit Beqir Nuredini, vargjet e të cilit janë tinguj përjetimesh të shprehura besnikërisht.

Veçori e përgjithshme e poezive të poetit Nuredini është konotacioni i aktualitetit, që e përshkon pothuajse shumicën e poezive të vëllimit në fjalë.

Autorin do ta prek madje deri në pikëllim fati i njeriut në jetë. Këtë fakt e vërejmë më së qarti te poezitë e motivit social, si në poezitë “Jetimët e Ballkanit”, “Bonjakët”, “Ti që luan lojëra fati” etj., ku nuk shprehet vetëm dhembja për jetën e vështirë të njeriut, por vërehet edhe qëndrimi i poetit ndaj këtyre situatave.

Poezitë me motiv të dashurisë, që poeti ia kushton femrës, na krijojnë atmosferë plot vuajtje, por edhe lotë e jetë me brenga. Në këto vargje autori Beqir Nuredini kujton çastet e dashurisë, të shprehura bukur dhe artistikisht. Të tilla janë poezitë “U njohëm porsi në ëndërr”,“Ikën kujtimet”, “Eja dhe një herë në ëndërr” etj.

Natyra emocionale e poetit Nuredini vërehet qartë prej temave dhe motiveve të trajtuara në përmbledhjen “Ka ndryshuar çdo gjë“, prej mendimeve nostalgjike dhe nga përjetimet e kujtimet për të kaluarën. Pra, disa nga poezitë e Beqir Nuredinit përshkohen me tinguj nostalgjikë për të kaluarën, që lindin tek ai nga nevoja për të rrëfyer edhe përjetimet me karakter personal. Të tilla janë poezitë “Mjeti që zëvendësonte një makinë” (veku), “Sirenë e postierit....” etj.

Një numër i madh krijimesh poetike të kësaj përmbledhjeje janë edhe vargjet përkushtuese për figura të shquara kombëtare, prej të cilave përmendim “Për ty, dëshmor (përkushtim për Agim Matoshin), “Besa-besë” (përkushtim për Besim Fetahun e Besim M. Zymberin), “Anton Çetta” (përkushtim për profesorin prijatar të aksionit për Pajtim të Gjaqeve), “Sali Mani” (përkushtim për Artistin e Merituar-rapsod), “Isa Boletini” (bashkëluftëtar i Ismail Qemalit), “Idriz Seferi” (udhëheqës i kryengritjeve të Kosovës), “Ahmet Kaqiku” e “Hetem Hasaj” (dëshmorë të luftës së UÇK-së) etj.

Poezia e Beqir Nuredinit parasegjithash është atdhetare, ngase motivi atdhetar përshkohet në shumë vargje të kësaj përmbledhjeje, ku do t’i përmendim poezitë “Si ta bëjmë vendin me diell”, “Plisi”, “Stublla jonë legjendare”, “Kryeqendra e lavdisë” (Prizreni), “Gëzuar Dita e Flamurit”, “Koha po ikën”, “Tmerri i harruar”, “Festo pavarësinë, Kosovë”, “Gjaku i ruajtur ndër breza” e ndonjë tjetër.

Në këto poezi poeti Nuredini na tregon se jeta e re në liri është lindje e shtrenjtë dhe e vështirë, ku lufta dhe pasojat e saj shfaqen si një kujtim i hidhur dhe i ftohtë nga e kaluara. Të tilla janë poezitë “Na dogjën çka gjetën”. “Tmerri i harruar” ku përshkruhen hollësisht të bëmat dhe mizoritë e forcave serbe ndaj popullatës së pafajshme shqiptare të Kosovës gjatë viteve 1998-99 etj.

Në poezitë me motive nga vendlindja shfaqet malli dhe dashuria ndaj prindërve (nënës dhe babait), ndaj vendlindjes, për ditët e shkollës, jeta fëmijërore, punët bujqësore në fshat, etj. etj.

Në poezitë e Nuredinit vërehet narracioni si trajtë e përgjithshme e paraqitjes së ngjarjeve, ku shfaqet tendenca e poetit për të ngjallur tek brezi i ri besim dhe dashuri ndaj vendlindjes. Poezi me motive të tilla janë “Shtëpia ime”, “Dita e parë e shkollës”, “Shkolla ime”, “Një ditë në fshatin tim”, “Dikur në mes të fshatit”, “Në stanet e Sharrit”, “Në tokën e gjyshit”, “Vendi im” etj.

Edhe plagët e kurbetit do t’i “trazojë” pena e poetit Beqir Nuredini. Poezitë me këtë motiv janë “Buzagaz vijnë, sypërlotur përshëndeten” dhe “Do të vij në dimër”, në thurjen e të cilave autori është orvatur të përdorë shprehje të reja autentike.

Përveç këtyre veçorive që u përmendën, poetin Nuredini e preokupojnë edhe tema apo çështje të tjera nga jeta jonë aktuale, siç janë papunësia, mashtrimet, bixhozi etj. etj.

Konstatojmë se në poezinë e Beqir Nuredinit vërehen trajta konvencionale të vargut, si paraqitja deklarative, narrative dhe përshkruese e realitetit, por në këto poezi hasim edhe vargje me preokupime eruptive, emocionale, pastaj entuziazmin dhe dashurinë ndaj atdheut dhe ndaj njerëzve të vet. Si e tillë, poezia e Nuredinit ka sjellur tinguj aktualë, autentikë krejt të freskët në poezinë tonë të sotme.

Stili i Nuredinit është i veçantë, gjuha dhe fjalori janë të pastra, kurse vargjet janë metrash dhe rimash të ndryshme të pasura me figuracion poetik, që poezive ua shtojnë vlerën edhe më shumë.

Dhe fare në fund, besojmë dhe shpresojmë se veç vëllimit poetik “Ka ndryshuar çdo gjë“, poeti Beqir Nuredini në të ardhmen do të na dhurojë edhe krijime të tjera letrare po kaq të bukura nga pena e tij.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora