E marte, 19.03.2024, 02:36 AM (GMT)

Mendime

Ndue Dedaj: Abati i ri i Mirditës

E marte, 08.01.2019, 07:27 PM


ABATI I RI I MIRDITËS

(profil i paautorizuar)

NGA NDUE DEDAJ

Ai është një abat, edhe pse në Orosh nuk ka më abaci, pasi sot është ipeshkvia e Rrëshenit ajo që udhëheq kishën katolike në këtë rajon. Shqiptarët e njohin prej pranisë së tij ekselente në media. Edhe kush nuk e kishte njohur deri në shtatorin e vitit 2014, e njohu pikërisht atëherë, me rastin e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, ku Dom Gjergj Meta ishte në rolin e koordinatorit të mediave, me seli në Pallatin e Kongreseve. Ruhet nga ajo kohë një fotografi e veçantë, ku ai, një prift katolik, shtatlartë, shihet duke vrapuar në zemër të Tiranës. Me siguri, nuk do të kenë punuar telefonat atë çast dhe atij i duhej patjetër të komunikonte me një grup të ardhurish rishtaz, në kuadër të vizitës së shënuar, ndaj falë prakticitetit që e karakterizon, ia ka dhënë vrapit për te godina e Presidencës. Siç thuhet në zhargonin mediatik, është një foto që ka bërë xhiron e botës, pasi sheshi “Nënë Tereza” atë ditë ishte nën fokusin e kamerave të agjensive televizive më të mëdha të rruzullit.

I ardhur në jetë, në Rrushkull të Durrësit, më 30 prill 1976, në një familje arsimtarësh, shuguruar meshtar në vitin 2001, Dom Gjergji sikur ishte lindur për të “vrapuar” nëpër famullitë e kryedioqezës së Tiranë - Durrësit, për disa vite famullitar i Kamzës, ku do t’i jepte një fytyrë të re asaj. Profili i tij tashmë ishte përvijuar. Ai i ishte dorëzuar periferisë si meshtar dhe publicist. Prej shkrimeve të zgjedhura publicistike të tij në rrethinat e kryeqytetit do të ngjizej libri “Ditar periferie”, mbrujtur me një shkrimtari të shpirtërores, proza që preknin varfërinë dhe personazhet e saj të zbritur nga malet e Veriut. Si për të na thënë: mos u dehni nga vezullimi i Tiranës, pasi fare pranë shkëlqimit lëbyrës të saj, në zonën e ish - Bllokut e të tjerë, vetëm dy-tre kilometra më tej, është ulur përrafshi varfëria e jo pak familjeve, si një gojë e hapur, por jo si një dorë e shtrirë.

Dom Gjergji më 2013 do të caktohej famullitar i Durrësit, ku do të kthente në identitet një nga kishat historike të Shqipërisë, atë të Shën Luçisë, që lidhej fort me emrin e Dom Nikollë Kaçorrit, njëri nga krerët e Pavarësisë dhe të shtetit shqiptar të 1912-s. Ishte kthyer në identitet dhe “shtëpia e ipeshkvit”, ku ka qenë ngritur flamuri kombëtar dhe bashkë më të krejt lagjia e vjetër përreth. Rasti e solli ta vizitonim këtë kishë bashkë më “restauratorin” e saj, tashmë ipeshkëv.

Imzot Gjergj Meta, deri aty kah mesi i vitit 2017, kur shugurohet ipeshkëv i dioqezës së Rrëshenit, që përfshin dhe Matin e Mirditën, ishte thuajse i përnatshmi i paneleve dhe studiove qëndrore televizive, kurse tash ai është i përditshmi i famullive të maleve. Prapë duke vrapuar, por jo si atë ditë festive ceremoniale në Tiranë. Rrugët e tij tashmë janë të paasfaltuara, për në Orosh, Kaçinar, Malaj, Selitë, Lurë, Lis etj. Shkruan sërish artikuj në “Panorama” dhe statuse në faqen e dioqezës së Rrëshenit për problematika të mprehta sociale. Zbulon dhembshurisht njeriun që nuk e shohin sytë e të tjerëve, siç kanë bërë gjithnjë shkrimtarët e mëdhenj dhe misionarët e zëshëm. Zhan Valzhani është i gjallë jo vetëm në Parisin e shekullit XIX, por dhe sot, dy shekuj më pas. Ipeshkvi i ri karizmatik sheh se banorët po pakësohen dita-ditës dhe nxiton me fjalën e tij ta ndalë këtë zhbimje. I njeh me emër njerëzit e famullive të largëta. Sa herë e takon, të thotë se këtë javë iku kjo familje nga Lufaj e ajo familje nga Simoni... Përpiqet të ngre opinion në bashki e në qeveri, që situata të ndryshojë. Në vetëvete duket se ka bërë një betim, mos me i lëshue këto male, derisa të jenë asfaltuar gjithë rrugët e fshatrave të Mirditës e më tej.

Mirdita, nga Abat Prend Doçi te Imzot Gjergj Meta

Janë njëqind vite, nga njëri prelat te tjetri, por në vështrim të infrastrukturës është përsëri e njëjta Mirditë, që pret rizgjim urban, kulturor e social. Ka disa përkime mes të dyve. Abat Prend Doçi shuhet në vitin 1917. Imzot Gjergj Meta shugurohet ipeshkëv për këtë dioqezë në vitin 2017. Abat Doçi është 42 vjeç kur merr Abacinë e Mirditës në Orosh, në vitin 1888, imzot Meta është 41 vjeç kur vjen ipeshkëv i Dioqezës së Rrëshenit. Të dy vinin në Mirditë titullarë kishe pas shkollimit në Romë dhe përvojave famullitare. Ajo që i bashkonte ishte bota e letrave, ku të dy kishin bërë emër publik. Prend Doçi, poet që i kishte kushtuar vargje Dora D’Istrias dhe u kishte dhënë “kushtrim shqiptarëve” për çlirim nga pushteti otoman, në rrethana historike dramatike i kishte rënë kryq e tërthor botës, nga Amerika në Azi, por veprën e tij e kishte krijuar në Shkodër, mishëruar në shoqërinë letrare e gjuhësore “Bashkimi”, kurse atë shpirtërore në Abacinë e Mirditës në Orosh. Gjergj Meta specializohet në të Drejtën Kanonike në Universitetin Papnor Gregorian në Romë, kthehet në atdhe, ku drejton famulli të ndryshme në metropol dhe në fshatra, shërben në katedralen e Shën Palit të Tiranës, që udhëhiqej nga Imzot Rrok Mirdita, shkruan libra dhe artikuj, jep mësim në Institutin Filozofiko - Teologjik në Shkodër etj.

Të dy vijnë me misionin për ta shndërruar Mirditën vetëqeverisëse në një nga qendrat shpirtërore dhe të gravitetit shqiptar, siç ajo kishte qenë motmoteve. Abat Doçi, edhe pse misionar në Orosh, vazhdon ta ketë tempullin kulturor në Shkodër, në shoqërinë “Bashkimi”, që hartonte libra shqip për shkollat e reja që po hapeshin nën drejtimin e tij, përfshi dhe atë të Oroshit në vitin 1899. Në këtë mënyrë, Abati rronte mes Oroshit dhe Shkodrës. Imzot Gjergj Meta, sado i ngulur në Mirditë, është gjithsesi mes Rrëshenit e Tiranës. Ai don ta “lëshojë” Tiranën për Mirditën, për të qenë gjithë kohën mes njerëzve të dioqezës së tij, në të mirë e në të keq, por kjo ngjan e pamundur, pasi, veç të tjerash, është sekretar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë. Nuk është e rastit që tani gazetarë të njohur televizivë shtegtojnë drejt Mirditës për ta takuar, si Beti Njuma e “Ora News”, që, me rastin e Krishlindjeve, e intervistoi monsinjor Metën në katedralen e Rrëshenit. Ndoshta Dom Gjergj Meta ishte “përcaktuar” për Mirditën qysh ditën që, i saposhuguruar prift, 25-vjeçar, me dhuratat e tij të shugurimit, do të ngrinte çatinë e shtëpisë së një mirditasi, ngaqë kishte dhënë fjalën në meshë se do ta ndihmonte atë nevojëtar, me anë të bamirësve, por që nuk qe afruar për ndihmë asnjë.

Abati, siç kanë filluar ta therrasin, shkon vazhdimisht në fshatrat e Mirditës, ku, në mungesë të meshtarëve, jep deri në 9 meshë në fundjavë. Ka jetuar mes malësorëve dhe më parë, mirditorëve, pukjanëve, dibranëve etj., në famullinë e Kamzës etj., kurse tani prek dhe themelet e kullave të tyre të shembura e trojet e lëna shkret, thellë tij jo pak i tronditur, nga braktisja masive e banorëve. Nuk mund ta pranojë shkollën e mbetur pa nxënës, si pyllin pa bilbila. Ndaj, pas një meshe në Selitë, më 21 korrik 2018, ipeshkëvi Gjergj Meta do të bënte pyetjen ekzistenciale “A do të ketë më Mirditë...?”, duke shkruar rreth kësaj qasje të trishtë: “Mirdita nuk është vetëm një nocion gjeografik. Është diçka më shumë dhe më e thellë. Mirdita është një realitet shpirtëror, nje areal antropologjik sui generis, unik në historinë e Shqipërisë. Këtu u ruajtën të paprekura nëpër shekuj e shtrëngata tre përbërës që e bëjnë unike këtë zonë: identiteti shqiptar, ai religjioz katolik dhe juridik. Këtu u ngjiz kombi shqiptar. Mirdita është histori e gojëdhënë njëkohësisht, qartësi dhe kontradiksion në të njëjtën kohë, mal dhe qiell në të njëjtin vend. Mirdita është shpirt dhe ky shpirt endet maleve e luginave, nëpër rrafshnalta e kulla te braktisuna. Të braktisësh një vend nuk është vetëm braktisja e një shtëpie, por e historisë, e brezave, është një çrrënjosje. Të braktisësh Mirditën do të thotë të hedhësh në erë qindra vjet histori, një nga historitë më të bukura të trevave shqiptare. Por për nevojat imediate nuk mendohet dëmi afatgjatë që shkaktohet. Prandaj nganjëherë pyes veten: edhe sa do të ketë Mirditë me mirditorë në të?” Përpiqet me të gjitha mënyrat t’i shëlbojë Mirditës, pasi më parë e ka kuptuar atë. Ashtu siç ka vënë dorë në katedralen e Durrësit, ka nxitur oroshasit që të nxjerrin themelet e abacisë së vjetër, për t’i kthyer asaj monumentalitetin e dikurshëm. Por dhe më tej shkon “shembulli” i tij vetjak. Kur të gjithë ikin drejt mepropolit për të jetuar në luks, ai do të vërë një krevat dhe në qelën e Kaçinarit, ku nuk ka banuar prift tash sa vite, që të qëndrojë herë pas here atje, mes atyre pak njerëzve që kanë mbetur. Ai vjen nga metropoli të banojë në kreshtat e verilindjes, si abatët e djeshëm sakrifikues të maleve, teksa drejtues lokalë, zyrtarë e nëpunës të shumtë ikin vit pas viti për t’u bërë banorë të Tiranës. Nuk është rastësi që abati i sotëm po shkruan një libër për abatin e fundit të Mirditës, të lumin Frano Gjini, ipeshkëvin martir. Në fillim ishte një periferi më e afërt, e rrethinave të Tiranës, tash ajo e maleve të Mirditës, Matit e Dibrës. Ai është gjithnjë atje, me buzëqeshjen që nuk i hiqet nga fytyra, si shpresë e ringjalljes së kësaj treve. Duket si një njeri që ka ardhur në këto male të vendosë rregull mbi kaosin e shpërbërjes së një pasurie autentike shqiptare, kryekrejet duke i shpallur luftë varfërisë.

Mirdita administrative vërtet sot mund të jetë rrudhur në 25 mijë banorë, por ajo është toka dhjetëfishit të tyre. Të gjithë e kanë një copë udhë, arë, krua, kishë, kullë, mulli në vendlindje, edhe nëse dikush prej tyre rron në Tiranë, Nju Jork a Milano. Secili lypet të iluminohet para pyetjes dilematike të abatit të ri: “A do të ketë më Mirditë…?” Nëse mirditasit do të kenë vullnetin me qenë të përbashkuar, gjithçka është e mundur, dhe se politikat qeverisëse që ndiqen sot nuk janë shërbyese të komuniteteve vendore, të cilat, më e pakta, nuk kanë asnjë tagër mbi pasuritë e tyre natyrore, si ujëra, minerale, pyje etj. Bashkitë, sot për sot, janë bijëza të qeverisë “mëmë”, për më tepër, ca të nënës e ca të njerkës.

Abati i ri i Mirditës, me kumtet e tij kishtare e mediatike, na thotë: mos e rrudhni Shqipërinë brenda unazës së Tiranës, por ejani këtu, mes njerëzve të maleve: elita, politikanë, ministra, deputetë, drejtorë agjensish qendrore, media, organizata të zhvillimit rural, shërbejuni atyre, si të gjithë qytetarëve të tjerë të republikës. Mos i drejtoni sytë nga bjeshkët vetëm për t’iu grabitur atyre nëntokën e mbitokën, mineralet dhe lumenjtë për hidrocentrale...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Gjekë Gjonaj: Themelimi i Komunes se Mevetesishme te Tuzit, suksesi i vetem i shqiptareve ne Malin e Zi ne vitin 2018 Brahim Avdyli: Gjurmët e gjakut Florim Zeqa: Fundi i iluzioneve, fillimi i një shprese të re! Fahri Xharra: Ja pse Oliver j. Schmitti duhet të largohet nga Akademia e Kosovës Dedë Preqi: Pelegrinët serbë në Gjakovë (kinse) si shërbëtorë fetarë Fritz Radovani: Dita e Ujit të Bekuem Nue Oroshi: Shqiptarët e Amerikës e filluan të parët aksionin për përkrahje financiare për monumentin e Gjergj Kastriotit Skënder Jashari: Deradikalizimi i terroristëve islamik të Serbisë, në Kosovë! Florim Zeqa: Politikanët e tërbuar pas pushtetit e rrezikuan të ardhmen e shtetit! Skënder Kapiti: Njëzet vjet Radio Kosova e Lirë Nue Oroshi: Kumti i dheut, përpjekjet e arbdheut dhe mos heshtja pranë sfidave kombëtare Kadri Tarelli: Nga Suedia vjen Sokoli, Tirana miqtë i mblodhi Skënder Kapiti: Në Shqipëri, komunistët janë sundimtarët edhe në demokraci Dedë Preqi: Edhe ky vit rrëshqiti nga bishti! Zenel Çeliku: Rama, 'dorzohu se je i rrethuar' Nue Oroshi: Aktiviteti i frytshëm shkencor, atdhetar dhe botues i Shoqatës "Trojet e Arbrit“ për vitin 2018 Fran Gjoka: Vetëm me një administratë publike të reformuar, garantojmë shtet të saktë ligjor Florim Zeqa: Konvertimi i (pa)pritur i Thaçit, nga patrioti në tradhtar! Fritz Radovani: Viti i Kastriotit 2018, kujtojmë... Ilmi Veliu: Mustafa Nano është anadollak dhe Gjergj Kastrioti është arvanit

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora