E enjte, 14.11.2019, 08:08 PM (GMT)

Aktualitet

Ibrahim Hajdarmataj: 75-vjetori i Konferencës së Bujanit

E marte, 08.01.2019, 06:22 PM


AKADEMI PËRKUJTIMORE ME RASTIN E 75-VJETORIT TË KONFERENCËS SË BUJANIT…

- Me rastin e 75-vjetorit të Konferencës së Bujanit, organizata e Veteranëve të LANÇ-it të Kosovës, në bashkëpunim me organizatën e Veteranëve të LANÇ-it të Tropojës, organizuan Akademi Përkujtimore, në vitin jubilar të 550-vjetorit të kalimit në amshim, të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

- Aktiviteti filloi me vendosjen e kurorës me lule tek varri i Sali Man Mulosmani në Bujan, nga Z.Afrim Deva, sekretari i organizatës së Veteranëve të LANÇ-it të Gjakovës me kolegun e tij të Tropojës, Z.Zeqir Hasanapapaj.

- Ndërsa tek Kulla e Sali Man Mulosmanit u vendos kurorë me lule nga Kryetari i Veteranëve të LANÇ-it të Gjakovës, Z.Skender Hoxha me kolegun e tij te Tropojës, Z.Rexhep Shpati.

- Në varrezat e Dëshmorëve të LANÇ-it të Tropojës, u vendosën kurora me lule nga Kryetari i organizatës së Veteranëve të  LANÇ-it të Kosovës, Z.Zija Mulhaxhaj dhe Kryetari i komunës së Rahovecit, Z.Smajl Latifi.

- Në qytetin e Bajram Currit u vendosën kurora me lule tek lapidari i luftëtarit Asim Vokshi, nga anëtari i kryesisë së LANÇ-it të Kosovës, Z.Shefqet Vokshi dhe intelektuali tropojan Sherif Mulosmani.

- Po në qendër të qytetit, u vendosën kurora me lule tek monumenti i Bajram Currit, nga kryetari i organizatës së Veteranëve të LANÇ-it të Kosovës, Z.Zija Mulhaxhaj dhe kryetari i organizatës së Veteranëve të LANÇ-it të Tropojës, Z. Rexhep Shpati.

Pjesëmarrësit e shumtë bënë fotografi të rastit.

- Pastaj pjesëmarrësit ndoqën me vemendje Akademinë Përkujtimore me rastin e 75-vjetorit të mbajtjes së Konferencës së Bujanit, në Pallatin e Kulturës “ Dardania “ në qytetin e Bajram Currit.

Foto:  Fjala e Prefektit te Qarkut te Kukesit, Z.Zenel Kuçana

FJALA E PREFEKTIT TË QARKUT TË KUKËSIT

Z.ZENEL KUÇANA

-  “ Konferenca e Bujanit mbetet një nga ngjarjet më të mëdha të historisë së kombit shqiptar.

Këtu u perçua zëri i Kosovës, e drejta për t’iu bashkuar tokës mëmë e kurrsesi si pjesë e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene më vonë ish-Jugosllavia.

Bujani si krejt Malësia e Gjakovës tashmë ishte histori, vazhdim i traditës shekullore të burrave të Kuvendit dhe trimave të paepur.

Largpamësia e burrave të Malësise së Gjakovës e rrafshit të Dukagjinit dhe krejt Kosovës, qëndron në hartimin e Rezolutës së kësaj Konference që i’u dërgua Aleatëve Anglo-Amerikanë si dhe fuqive të tjera të kohës që kishte emërues të përbashkët :

Rezoluta e Konferencës së Bujanit mbetet gur themeli dhe në të njëjtën kohë, mbetet ëndërr e cdo shqiptari.

Kjo rezolutë u bë referencë shkencore për të gjithë ata miq të mëdhenj britanik, amerikanë etj. që mbrojtën cështjen e Kosovës në simpoziumet më të larta botërore, në Oxford apo në Harvard, apo në qendra të tjera të botës.

Duhet theksuar se Konferenca e Bujanit dhe Rezoluta e saj, u shfuqizua në Gusht të vitit 1945 në Konferencën e Prizrenit, ku të pranishmit, kësaj radhe shumë komunistë serbë e malazezë, me shumicë, votuan një rezolutë tjetër, e cila parashihte që Kosova të mbetej nën Serbi, ashtu sikur kishte qenë nën Jugosllavinë e Versajës.

Por pikërisht kur Kosova ishte nën flakët e luftës së fundit, Konferenca e Bujanit dhe rezoluta e saj, ishin nje argument më shumë, politik dhe juridik për ndërhyrjen e Aleancës Euro-Atlantike ndaj trupave gjakatare të Milloshevicit në Kosovë.

Vitet kalojnë e shumë gjëra ndryshojnë në historinë e popujve, shumë konferenca kombëtare e ndërkombëtare janë realizuar, por asnjë ngjarje sado e madhe që mund te jetë, nuk mund të retushojë apo deformojë magjinë e kësaj konference, historike në llojin e saj, pasi ishte thjesht pasqyrimi i një ëndrre që jeton edhe sot tek çdo shqiptar.

Koha, shqiptarët, po ashtu edhe miqt e tyre, po punojnë që rezoluta e Konferencës së Bujanit të bëhet realitet, bashkimin për shqiptarët ndoshta, në Bashkimin Evropian.

Misioni i Konferencës së Bujanit, vazhdon “.

Në fund Prefekti i Qarkut të Kukësit, Z.Zenel Kuçana, solli përshëndetjen e ngrohtë e vëllazërore të Qeverisë Shqiptare dhe personalisht të Kryetarit të Qeverisë, Z.Edi Rama, drejtuar Malësisë së Gjakovës, për Konferencën  e Bujanit.

Me duartrokitje të vazhdueshme u percoll fjala e Kryetarit të organizatës së Veteranëve të LANÇ-it të Kosovës, Z.Zija Mulhaxhaj, i cili bëri lidhjen vëllazërore të Kosovës me Shqiperinë Amë, si dhe mikpritjen, bujarinë, fisnikerinë që treguan vëllezërit tanë në Shqipëri për ne kosovarët gjate luftës…

Ndërsa Prof.Dr.Akademik Jusuf Bajraktari, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave të Kosovës referoi :

“KONFERENCA E BUJANIT – MËSIM PËR HISTORINË “

Me rastin e 75-vjetorit të Konferencës së Bujanit.

Akademiku ndër të tjera tha :

“Në 75-vjetorin e kësaj ngjarjeje madhore, duhet pohuar se me gjithë mohimet, ndëshkimet dhe paradigmat politike, që janë bërë në të kaluarën, Konferenca e Bujanit, ka mbijetuar. Sa më shumë kanë kaluar vitet, ajo ka arritur të konfirmohet si një vlerë e përgjithshme që lindi në kohën e duhur, u mbajt në vendin e duhur, u miratua me pajtimin e të gjithëve nga përfaqesues të duhur, me prezencën e misionit anglez si misionarë të Bllokut Antifashist - fitimtarë të Luftës së Dytë Botërore. Pikërisht për këto vlera dhe forcën e saj mobilizuese, jo vetëm në Kosovë, Konferenca e Bujanit meriton afirmimin dhe respektin e institucioneve të shqiptarëve kudo që janë.

Mbështetur në burimet e kohës, mund të konstatohet se me 31 Dhjetor 1943 dhe 1 e 2 Janar1944, në Kullën e patriotit Sali Mani në Bujan të Krasniqes, në Malësinë e Gjakovës zhvilloi punimet me sukses të plotë, Konferenca Themeluese e Këshillit Nacionalçlirimtar për Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit. Aty në prezencën e 49 delegatëve përfaqësues të viseve të Kosovës, prej të cilëve 43 ishin shqiptarë dhe 6 prej tyre serb e malazez, u zhvilluan diskutime e debate të vlefshme dhe u miratuan dokumente të rëndësishme për punën e mëtejshme në terren. Në mbështetje të dokumentit me emrat e nënshkruesve ose firmëtarëve të Konferencës, shihet se ishin personalitete me përgjegjësi ushtarake si dhe me autoritet në mjediset prej nga vinin, si Fadil Hoxha – komandant i aradheve partizane, Mehmet Hoxha – prefekt, Zekirja Rexha – profesor i filozofisë, Hajdar Dushi – drejtor banke, Xhevdet Doda – drejtor shkolle, Rifat Berisha – prefekt dhe oficer,  Bije dhe Xhafer Vokshi – të familjes së njohur patriotike Vokshi nga Gjakova, ndërsa nga Malësia e Gjakovës, Shkodra dhe Tirana vinin  Tefik Çanga, Din Bajraktari, Mehmet e Jah Mulosmani, Veli e Maxhun Nimani ( Doçi ), Beqir Ndou, Shaban Haxhia, Avdyl Kerim Ibrahimi, vëllai i kryetarit të KMKK-së – Hoxhë Kadri Prishtina, e të tjerë, shumica e tyre me Akademi Ushtarake ose studentë të dalluar të asaj kohe. Po ashtu nga Plava e Gucia, merrnin pjesë Zymer Halili, Mehmet Dermani, Sadik Bekteshi e Bejto Shamani. Në anën tjetër, merrte pjesë edhe Pavle Joviqeviqi, sekretar politik i PKJ-së për Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit. Të gjithë këta delegatë, përfaqësonin zona të rëndësishme për shtrirjen e Lëvizjes Antifashiste.

Padyshim se dokumenti më i rëndesishëm është Rezoluta, e cila bën fjalë për të drejtën e patjetërsueshme për vetvendosje. Aty pa ekuivoke thuhej :

“ Kosova e Rrafshi i Dukagjinit asht nje krahinë e banueme me shumicë nga populli shqiptar, i cili si gjithmonë ashtu edhe sot dëshiron me u bashkue me Shqipnin…”  Kjo ishte pjesa, që me të drejte e mori primatin e vëmendjes së opinionit të gjerë.

Në Konferencë u shtruan për zgjidhje dy çëeshtje fondamentale :

e para, formimi i Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës, i cili do identifikohej me individualitetin  e subjektivitetit politik-shtetëror të Kosovës dhe

e dyta, do të ishte zgjidhja e çështjes kombëtare për të ardhmen e shqiptarëve, gjë që paraqitet si risi për kohën në flakën e luftës”.

Në këtë Akademi Përkujtimore përshëndeti edhe nënkryetari i bashkisë Tropojë, Z.Astrit Margjeka, veprimtari, Z.Zenel Vidrica, intelektuali tropojan Z.Lirim Mulosmani, sekretari i organizatës së Veteranëve të LANÇ-it të Tropojës, Z.Zeqir Hasanpapaj dhe kryetari i organizatës se Veteranëve të LANÇ-it të Tropojës, Z.Rexhep Shpati, i cili  lexoi përshëndetjen e kryetarit të organizatës së Veteranëve të LANÇ-it të Shqipërisë, Z.Rrustem Peçi me rastin e 75-vjetorit të Konferencës së Bujanit.

Në fund të kësaj Akademie Përkujtimore, anëtaret e pallatit të Kulturës “ Dardania” të qytetit Bajram Curri, dhanë një koncert të pasur artistik, me këngë e valle karakteristike të Malësisë së Gjakovës.

Jehona e Konferencës së Bujanit edhe pas 75 vjetëve, është në zemër e në mendje të shqiptarëve.

Ibrahim Hajdarmataj, Kryetari i OJF-së “Mësuesi”

Tel: 0692469145

E-mail : ibrahimhajdarmataj@yahoo.com



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT