E premte, 22.03.2019, 10:43 PM (GMT)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Plagë vendore

E marte, 08.01.2019, 08:01 PM


Plagë vendore

Nga Blerim Rrecaj

Pas një gjumi të bollshëm nisesh në drejtimin e paracaktuar dhe më pas hapat marrim drejtime kuturu në shoqërinë e shtresës së hollë të borës dhe të një dielli shëndritës por me dhëmbë që t'kafshon ftohtë. Rrugës ndalemi për t'u përshëndetur e folur për dy-tre minuta me dy të njohur n'dy vende të ndryshme. Dhe ecjet andej këndej duke ia kthyer njëri-tjetrit shpinën, mbase pa të keq. Sidoqoftë tufa harabelash skajeve t'rrugicave cimcimojnë mes vete, dhe në këtë stinë vërehet uniteti i tyre, e në stinët më të ngrohta ata janë, më të vetmuar, më mospërfillës, më lirikë... Më tej një qen ngjyrë të kaftë të çelur merret me atë asht që kushedi se ku e ka gjetur. Sapo lëshon paksa ashtin për t'iu sulur përsëri iu dallohen dhëmbët e mprehtë e të mëdhenj sidomos ata anësorët. Lëmë këtë qen në hallin e vet dhe këmbët vërtiten në oborrin e një kafeneje druri ngjyrë kafe pak më e mbyllët se e qenit, e cila ka kohë që është mbyllur edhe pse në derën hyrëse ka ngelur letra e vënë që njofton për orarin e punës. Në një skaj oborri, verandës së saj, hasim në këtë harabel pa jetë, të ngrirë, të shtrirë përmbys në shtresën e borës dhe me pak pëlhurë bardhësie mbuluar supet e tij. E dijmë që s'ka shenja jete por na duket e na pëlqen të themi se është në gjumë e do zgjohet shpejt për të fluturuar nëpër qiell duke e lënë atë në parvazin e jashtëm të njërës prej dritareve. Më pas do ndodhemi brenda stacionit hekurudhor ku mbizotëron heshtia e cila përkëdhelet herë-herë nga ca kalimtarë që kalojnë këndej a andej binarëve dhe e dy qenve, atij me asht në gojë që e pamë më parë dhe e këtij qeni të zi që së shpejti na humbet sysh. Treni jo vetëm që vonohet siç kënduan dikur e këndojnë tash në youtube Armendi me Aidën por duket se sot treni se ka ndërmend të kalojë këndej, ndërkohë që fillimisht dëgjojmë e më pas shohim fluturimin dhe ikjen me vrap të këtij helikopteri lart mbi çatitë hijerënda t'stacionit. Ndonëse ftohtë vazhdojmë me ecejake pistave mjaft të gjera e të betonizuara, saqë herë-herë na shkon mendja që t'ia nisim ndonjë vrapi për t'u ngrohur pak. E pas pak lëmë stacionin me shinat e shtrira për të marrë rrugën e kthimit nëpër stacione kohe, duke kujtuar gjëra që dikur ishin kështu e tash janë kështu, për gjëra që dikur ishin e më nuk janë, njashtu si dëshmitë, fotot a faktet e vende a qyteteve nëpër webfaqe a të ashtuquajturat "arkivat digjitale". Duke kaluar dhe pranë një këpucëtari që çuditërisht po mbijeton a nga një kiosk i vjetër në të cilin shohim ca libra të një autori, njëri libër i tij titullohet "Lokomotiva Kuq e Zi" dhe këtë lokomotivë e kemi përballë, një shkrepje me ajfon na rezulton e pasuksesshme pasi lokomotiva duket por jo edhe kopertina e librit pasi që në xhamat e kioskut pasqyrohen elemente të ambientit që na rrethojnë: dy vetura, një bredh, një dru degëshumë i zhveshur, dhe vetë lokomotiva që duket se sheh veten në pasqyrën e kioskut. Më pas rrugëve të qytezës shohim dhe ndonjë shtëpi gërmadhë, e ndonjë shtëpi që sapo kanë filluar ta zhveshin e cila tashmë është e pa çati dhe me dritare xhamzhveshur. Si kalimtarë nxjerrim avuj të bardhë koke e frymëmarrjeje, automjetet nxjerrin avuj të bardhë e të zinj duke e përplasur për asfalt e duke u përhapur në hapësirë. Vazhdojmë me variante avujsh. E avuj duken dhe në ca oxhaqe shtëpishë e avuj edhe nga termocentralet, avuj dalin dhe nga aparatet ku vlohet uji a qumështi për çaj a për kafe...Dhe në një kafiteri avujt e tymit erërëndë e as pak të këndshëm të duhanit shtrihen sikur mjegull, por mjegulla të paktën nuk ka erë, ndonëse dhe ky konstatim s'do përfundoj pa kundërshtim... Sidoqoftë pak a shumë këto gjëra sot u vërejtën nëpër qytezë, të cilën tash e mbuloi nata. Qytezë moj qytezë me lehtësi të padurueshme si të shndrruam kështu në qymez! Dhe a bën dhe një pyetje shtesë(po hajt mbasi tu ka tekë): çfarë po mundemi të bëjmë për të mos e degraguar edhe më tej?!...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT