E marte, 19.03.2024, 11:20 AM (GMT)

Mendime » Fetahu

Adil Fetahu: 'Duhet ta pranojmë se Shqipëria e madhe do formohet'

E marte, 08.01.2019, 08:01 PM


“DUHET TA PRANOJMË SE SHQIPËRIA E MADHE DO FORMOHET”

Nga Adil FETAHU

Kështu deklaroi njëri nga propaganduesit më të njohur, malazezi i konvertuar në serb, Millovan Drecun, kryetar i Këshillit për Kosovë e Metohi, në Kuvendin e Serbisë, lajmëron B=92

Drecun ka vlerësua se  krijimi i Shqipërisë së Madhe është proces i pandalshëm. Kjo do “arrihet në këtë apo atë formë”, dhe  do bëhet për t’i krijuar Serbisë baraspeshë, që sipas madhësisë së territorit, resurseve dhe demografisë, mund t’i kundërvihet.

“Ky është vlerësim real gjeopolitik dhe kjo është në interes të vendeve të Perëndimit. Është e qartë, se ata nuk e kundërshtojnë formimin e Shqipërisë së Madhe”, ka thënë Drecun, në një intervistë për Televizionin “Pink”, duke shtuar se “nuk duhet të jemi aq të verbët sa të mos  e shohim se në shekullin 21 do ta kemi Shqipërinë e Madhe. Këtë fakt duhet ta pranojmë, në mënyrë që të mos rrëshqasim në terren të sjelljes politike joracionale”, ka thenë Drecun.

Sipas fjalëve të tij, “Gjithçka që  bëhet, po bëhet për të grabitë territorin tonë, ndërsa formimi i Shqipërisë së Madhe “është proces jocivilizues, çrregullues dhe destabilizues. Si ngjarje qenësore të vitit të kaluar, Drecun e ka vlerësuar Letrën e kryetarit amerikan Donald Tramp, që, sipas tij, “krijon hapësirë për bisedimet për Kosovën e Metohinë”, që pritet të zhvillohen sivjet.

Sipas Drecunit, Prishtina do të detyrohet ta heqë taksën në mallërat serbe, ngase kjo do ishte sfidë e madhe për Shqiptarët që ta blokojnë nismën e Trampit dhe qëndrimin e Rusisë se problemi i Kosovës duhet të zgjidhet.

“Është e qartë se Serbia nuk do të lejojë që për Kosovën të merret vendim i njëanshëm”, ka thënë Drecun, kur ka folur për vizitën e kryetarit të Rusisë, Vlladimir Putin (më 17 janar, v.j.), dhe ka shtuar se këtë vit fjalën kryesore rreth çështjes së Kosovës do ta kenë fuqitë e mëdha: Vashingtoni, Moska dhe Pekini.

Duhet të jemi të vetëdijshëm se me çfarë kapacitetesh disponon Rusia kur është fjala për zgjidhjen e problemit të Kosovës. “Rusia na duhet për të na forcuar te Amerika, sepse Rusia na mbështetë neve, ndërsa amerikanët e dijnë se asnjë zgjidhje nuk mund të bëhet pa pajtimin e saj, ka thënë Drecun.

Sipas trasmetimeve të mediave serbe:  “B=92”, “Vesti”, “Analitika”, “Naslovi.net”, “Politika”, “Kurir”, etj, ky vlerësim dhe kjo deklaratë e Drecunit e paska shokuar opinionin në Serbi.

Po çka thotë patriarku serb për Kosmetin?

Si gjithnjë, patriarku i Kishës Orthodokse Serbe, Irinej, në natën e buzmit të Krishtlindjes orthodokse, në një intervistë dhënë gazetës “Kurir”, ka thënë: “Në Kosovë e Metohi po ndodh ajo që mendja e shëndoshë nuk mund ta pranojë; zgjërimi i Shqipërisë në dëm të Serbisë, të Serbëve dhe të Shtetit serb, e që kurrë nuk mund të pranohet. Mjerisht, për shkak të dofarë intersash, Shqipëria është bërë e perkëdhelura e shumë shteteve, edhe të Amerikës edhe të një pjese të madhe të Evropës. Është me rëndësi të dihet, përse po ndodhë kjo kështu, cilat janë shkaqet dhe cilat janë interesat e tyre? Gjithësesi kanë ndonjë interes, ose në një mënyrë Shqiptarët i kanë ble, dhe e dijmë se si bëhet kjo sot, prandaj në këtë mënyrë e kanë fituar besimin e tyre, mbrojtjen e tyre dhe ndihmën e tyre. Mjerisht,  tërë këtë e sheh Europa, shumë çuditën dhe iu dhimbset rasti, por askush nuk ndërmerr asgjë për të penguar zgjërimin e një shteti të vogël, i cili po don të zgjërohet duke marrë territoret tona më të shenjta, e cila kurrë nuk ka qenë koloni veçse ka qenë toka amë serbe,  në të cilën janë zhvilluar ngjarje të mëdha të historisë së popullit serb. Gjithçka  që është pozitive dhe e vlefshme për popullit serb, e ka zanafillen në Kosovë e Metohi, atje është zhvilluar: shteti, ligjëshmëria, arsimi, kultura, atje janë objektet tona të shenjta  më të mëdha.  Dhe po duan të na i rrëmbejnë… Ne këtë nuk mund ta pranojmë kurrë dhe jemi të detyruar që me të gjitha forcat tona, në rend të parë në mënyrë njerëzore dhe me metoda njerëzore, ta mbrojmë vendin tonë të shenjtë, ato objekte të shenjta, të cilat po duan të na i marrin dhe t’i shpallin dofar “objektesh të shenjta të Kosovës”, e ato nuk janë të Kosovës,  por ato janë të shenjta serbe, të shenjta të kishës sonë dhe të popullit tonë. Ata po kërkojnë që t’ua falim, që këtë ta bëjë Serbia dhe populli serb. Këtë ne kurrë dhe nën kurrëfar kushtesh nuk guxojmë ta bëjmë. Kemi detyrë t’i mbrojmë në mënyrë humane e njerëzore, duke respektur secilin, por para së gjithash duke respektuar vetveten, historinë tonë dhe kulturën tonë. Kjo dëshirë, për zgjërimin e Shqipërisë në dëm të Serbisë, të Serbëve dhe të Shtetit serb, kurrë nuk mund të pranohet”,- përfundon porosinë e tij luftënxitëse, i pari i Kishës Ortodokse Serbe, në festën e Krishtlindjes, kur sipas “Shkrimit të shejtë”, do duhej të jepte porosi paqe midis njerëzve e popujve, e jo porosi luftënxitëse, sikur t’ishte ministër i mbrojtjes!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora