E merkure, 17.07.2019, 08:28 PM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: U mbyll 'Viti i Gjergj Kastriotit' - në heshtje

E hene, 07.01.2019, 10:02 PM


U MBYLL “VITI I GJERGJ KASTRIOTIT SKENDERBEUT” – NË HESHTJE

Nga Frank Shkreli

Javën e fundit të vitit të kaloi, vitit 2018 – viti pra që Tirana dhe Prishtina zyrtare ia kishin kushtuar Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotit - Skenderbeut – një mik imi më dhuroi një libër botuar në anglisht kohët e fundit këtu në Shtetet e Bashkuara, pikërisht në kujtim të 550-vjetorit të vdekjes së Skenderbeut, duke më kujtuar se u mbyll viti i Gjergj Kastriotit-Skenderbeut – në heshtje.

Lexuesit do t’i kujtohet se në fillim të vitit që kaloi, qeveritë shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë kishin shpallur me një trumbetim të zhurmshëm -- disa do të thonin me një patriotizëm fals dhe hipokrizi -- vitin mbarëkombëtar të Heroit tonë Gjergj Kastrioti --Skënderbeu.  Madje, ky ishte vendimi i parë i qeverisë së Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama Rama, i njoftuar me mburrje dhe krenari, ndërkohë që kreu i qeverisë shqiptare kishte njoftuar me atë rast edhe ngritjen e një komisioni për organizimin dhe promovimin e aktiviteteve gjatë vitit.  U tha në atë kohë, se përveç 550-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, në vazhdim të 2018 spikasnin edhe përvjetorë të tjerë me rëndësi themelore për Kombin Shqiptar, siç ishte 140-vjetori i themelimit të Lidhjes Kombëtare të Prizrenit, 110-vjetori i Kongresit të Manastirit dhe përcaktimi i alfabetit të gjuhës shqipe.  Kryeministri Rama në njoftimin nga Vlora qe shprehur se, “Heroi ynë kombëtar vazhdon të shfaqet si një simbol kombëtar i luftës për liri dhe se prej 550-vitesh ka frymëzuar mbarë vendin tonë”, u shpreh Kryeministri Rama.  Kreu i qeverisë shqiptare ritheksoi me atë rast edhe rëndësinë e “bashkëveprimit me shqiptarët e diasporës”.

Fatkeqsisht, organizimet dhe promovimet, ose më mirë të themi mungesa e tyre gjatë vitit të shpallur si, “Viti i Gjergj Kastriotit-Skenderbe” dhe e përvjetorëve të tjerë me rëndësi historike për shqiptarët, kanë lënë shumë për t’u dëshëruar dhe nuk ishin aq frymëzuese për sa ishte deklaruar në njoftimet nga Prishtina dhe nga Tirana zyrtare, me rastin e shpalljes së vitit që kaloi, si Viti i Skenderbeut.

Në fillim të vitit 2018, pritëshmëritë ishin aq të mëdha për organizime të dënja dhe frymëzuese – përfshirë, “bashkëveprimin me diapsorën”, siç kishte premtuar me një rast Kryeministri Rama -- për të shënuar këta përvjetorë historikë të Kombit Shqiptar, aq sa janë të mëdha tani edhe zhgënjimet me mbylljen krejtsisht në heshtje të, “Vitit të Gjergj Kastriotit”.  Ne mendonim se, në krahasim me festimet e 500-vjetorit të Skenderbeut, 50-vjet më parë në Romë dhe në Vatikan – kujtimi i 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, do të ishte në kuptimin e vërtetë, mbarkombëtar dhe gjithë përfshirës, pasi nëqoftse ekziston ndonjë figurë nga historia e Kombit që i bashkon të gjithë shqiptarët pa dallim – atëherë ai duhej të ishte Gjergj Kastrioti Skenderbeu. Kjo nuk ndodhi fatkeqsisht, por të pakën, kemi një logo që na e kujton këtë përvjetor!

Me mburrje dhe krenari, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive asaj të Shqipërisë dhe të Kosovës, në Korçë nëntorin e vitit 2017, Kryeministri i Shqipërisë ka thënë se, “Duke bërë të mundur që me bashkëpunimin e ngushtë të dy shteteve, Shqipërisë dhe Kosovës, t’ia dalin së bashku që duke respektuar historinë e lavdishme që Skënderbeu shkroi me shpatën e një krenarie të madhe të vazhdojmë rrugën pa kthim të proceseve demokratizuese, të reformave transformuese në një rrugëtim europian të dëshiruar qysh kur u vendos Pavarësia”, kishte deklaruar Z. Rama.

Mendonim se në një atmosferë vërtetë demokratike dhe transformuese në politikë dhe në pikëpamje – 30-vjet pas shembjes së komunizmit dhe pavarësisë së Kosovës -- kushtet ishin pjekur më në fund për një festim me të vërtetë mbarëkombëtar dhe gjithëpërfshirës, anë e mbanë trojeve shqiptare, përfshirë edhe “bashkveprimin me diapsorën”, për të shënuar Vitin e Heroit Kombëtar.  Shpresonim se Tirana, si kryeqytet i Kombit do të organizonte të pakën, diçka të ngjashme me organizimin që Profesor Ernest Koliqi me bashkpuntorët kishte organizuar në vitin 1968 në Romë, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, ku morën pjesë shqiptarë nga mbarë bota, përfshirë diasporën dhe trojet shqiptare, me përjashtim të pjesëmarrjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës, për arsye që dihen.  Pritëm dhe shpresonim për një ndryshim në sjellje dhe në mentalitet, por edhe durimi duke pritur e shpresuar po na soset, siç është shprehur dikur i madhi, Faik Konica, sepse “Tek prisnim të piqeshin kushtet, na u kalbën dëshirat”, fatkeqsisht.

Por le t’i këthehemi librit të posa botuar në Shtetet e Bashkuara, të Porfesorit amerikan Dr. A. K. Brackob, i Universitetit Illinois, specialist i historisë së mesjetës të Evropës Jug-Lindore.  Cili komb nuk do të ndjehej krenar me Gjergj Kastriotin -Skenderbe -- me një karakterizim të tillë të një heroi të tij siç e cilëson Dr. Brackob: “Heroi Kombëtar i Popullit Shqiptar – dhe Mbrojtësi i Madh i Qytetërimit Evropian”.  “Ndërkohë që u shënua 550-vjetori i vdekjes së Udhëheqsit të Madh Shqiptar”, shkruan Profesori amerikan Brackob, “Skenderbeu mbetet më shumë se kurrë si shembëll edhe për kohën moderne.  Si njëri prej heronjve të vërtetë të Mesjetës, historia e tij mbetet pak e njohur, jashtë Shqipërisë.  Gjergj Kastrioti mbrojti Evropën për një çerek shekulli dhe me të drejtë mund të thuhet se ai ndihmoi në shpëtimin e qytetërimit perëndimor”, nga otomanët. A nuk do të ishte viti 2018, një rast i mirë për të deklaruar këtë të vërtetë që pohon akademiku amerikan në librin e tij të ri për Skenderbeun, para brezit të sotëm të botës perëndimore dhe jo vetëm?

Ndonëse sfidat me të cilat është përballur bota historikisht, kanë ndryshuar gjatë shekujve, përfshirë përplasjet midis qytetërimeve, Profesori amerikan i jep merita të mëdha Kombit Shqiptar që lindi Gjergj Kastriotin -Skenderbe -- për kontributin e tij në këtë mes, duke shkruar se, “Si përfundim, ja vlen të theksohet kontributi që ka dhënë ky vend i vogël, i udhëhequr nga Skenderbeu, në luftën për mbrojtjen dhe ruajtjen e qytetërimit dhe të kulturës perëndimore.  Aq më i rëndësishëm është shembulli dhe kontributi i dhënë nga populli shqiptar në harmonizimin e këtyre dy qytetërimeve” lindje dhe perëndim, shkruan autori i librit “Scanderbeg”, Profesori Brackob i Universitetit Illinois në Shtetet e Bashkuara.  “Ndërkohë që shënojmë 550-vjetorin e vdekjes së (Gjergj Kastriotit -Skenderbe) ky libër ka për qëllim të tërheq vëmendjen ndaj gjeniut dhe arritjeve të mrekullueshme të Skenderbeut, suksese këto që ndihmuan në përcaktimin historik të identitetit kombëtar të popullit shqiptar.  Njëkohësisht, qëllimi i këtij libri është edhe për të thekësuar kontributin e rëndësishëm që ky Komb i vogël, por krenar, i ka dhënë qytetërimit evropian”, ka shkruar në librin e tij, Prof. Dr. A. K. Brackob i Universitetit Illinois në Çikago të Shteteve të Bashkuara.

Sa kënaqësi është ta mbyllim “Vitin e Gjergj Kastrotit -Skenderbe”, me një vlerësim të tillë të Heroit Kombëtar të Shqiptarëve për anglisht folësit, jo nga një politikan, akademik ose historian shqiptar, por nga një i huaj, nga një profesor e historian amerikan, i cili si edhe shumë të huaj të tjerë gjatë historisë, kanë shkruar për vlerat dhe kontributet historike që Gjergj Kastrioti ka dhënë, jo vetëm për Kombin e vet shqiptar, por edhe për mbarë botën e qytetëruar.  Por, fatkeqsisht, tani e shohim se shqiptarët nuk ishin aq të impresionuar sa është akademiku amerikan, me arritjet e Heroit të tyre – megjithse viti 2018 u shpall nga Tirana dhe nga Prishtina si viti i Skendërbeut, me fjalë të mëdha bombastike plot zhurmë dhe u mbyll në heshtje, sikur të mos ishte.

Viti kushtuar Heroit Kombëtar qe një zhgënjim, sepse “Viti i Gjergj Kastriotit -Skenderbe”, ishte një rast i mirë, si të ishte porositur nga vet Perëndia në këtë moment të historisë shqiptare – 30-vjetë pas shembjes së komunizmit dhe 10-vjetë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, jo vetëm për t’i deklaruar botës meritat e Heroit të Shqiptarëve – por ishte edhe një rast për një përtëritje të mbrendëshme themelore të vlerave shpirtërore, kulturore dhe historike të Kombit shqiptar, në një kohë kur ato vlera po harrohen.  Në meër të Gjergj Kastriotit-Skenderbe kishte nevojë për një besëlidhje të re të një bashkimi e vëllazërimi kombëtar të ri midis shqiptarëve, të llojit të Lidhjes Shqiptare të Lezhës dhe të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për të harmonizuar mendimet dhe qëllimet e përbashkëta për një ritheksim të ri të identitetit arbëror, për një jetë më të mirë për shqiptarët në trojet e veta, në përputhje me rrethanat historike të kohërave moderne dhe me vlerat e përbashkëta arbëroro-ilire -- me vlerat e Gjergj Kastriotit - Skenderbe.  Në këtë ndërmarrje, Tirana dhe Prishtina zyrtare nuk mund të pretendojnë se ia dolën. Përkundrazi, dështuan keqas.

Shqipëria dhe Kosova gjatë vitit 2018, ashtu të shpallur nga vet ato si të dedikuar Gjergj Kastriotit -Skenderbeut, dështuan me rastin e këtij përvjetori t’i paraqisnin jo vetëm vet-vetes, por edhe Evropës dhe botës,  Heroin Kombëtar të Shqiptarëve – Skenderbeun, ashtu siç është ai dhe çfarë përfaqëson ai për shqiptarët dhe për botën,.  Jo vetëm si përcaktuesin e identitetit të Kombit Shqiptar, por ato dështuan t’i tregojnë botës edhe rolin e rëndësishëm që ai ka luajtur, jo vetëm në historinë shqiptare dhe të botës së atëherëshme -- si përfaqsuesi numër i këtij kombi të vogël, por krenar shqiptar – duke  mos shënuar kështu edhe kontributet e rëndësishme që ka dhënë Gjergj  Kastrioti - Skenderbeu dhe populli shqiptar gjatë shekujve, në historinë e qytetërimit evropian.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Frank Shkreli: Një urim, një falenderim dhe një dëshirë për Vitin e Ri Frank Shkreli: Mesazhi për Vitin e Ri - të mbrohet fjala e lirë dhe demokracia! Frank Shkreli: Martin Luther Kingu për protestat paqësore Frank Shkreli: Nënë Tereza personifikon aspektet më të mira të njerëzimit Frank Shkreli: Lahuta nuk këndon më për Shqipëri dhe për shqiptarë! Frank Shkreli: Angazhimi amerikan ndaj sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Jug-Lindore Frank Shkreli: Edhe unë jam me Studentët! Frank Shkreli: Ludmila Alexeeva - një zë i fuqishëm në mbrojtje të drejtave të njeriut, ka ndërruar jetë Frank Shkreli: Presidenti Bush si Nënë Tereza - në shërbim të tjerëve Frank Shkreli: Amerika dhe bota mbajnë zi për humbjen e një Presidenti Frank Shkreli: Dr. Rozolin Petrota - shtylla kryesore e shqiptarizmit arbëresh Frank Shkreli: Do ta laj gojën me sapun! Frank Shkreli: Dhuna kundër femrave - një problem i madh botëror Frank Shkreli: Marrëveshje midis autoritetit të Dosjeve me Zërin e Amerikës dhe Vatrën Frank Shkreli: Shqiptarët të bashkuar përsëri në Vatikan rreth Gjergj Kastriotit Frank Shkreli: Thjeshtë, njerëzore! Frank Shkreli: Shqiptarët dhe Qendra Wilson Frank Shkreli: Riatdhesimi i eshtrave të Mid-hat Frashërit - një përcjellje dinjitoze nga Nju Jorku Frank Shkreli: Shtëpia e Bardhë shënon për të dytin vit Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Komunizmit Frank Shkreli: Kujtojmë Jeronim De Radën

Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT