E enjte, 28.03.2024, 09:55 PM (GMT)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Mes ëndrrave e zgjëndrrave

E hene, 07.01.2019, 08:26 PM


Mes ëndrrave e zgjëndrrave

Nga Blerim Rrecaj

Një shok yni na pat paralajmëruar se do të ishte për pushime n'atdhe që nga e shtuna e fundit e 2018-ës, e ku do qëndronte këtu e këtej nja dhjetë ditë. E të shtunën e parë të 2019-ës na ftoi të bëheshim bashkë, në një ndejë. E lamë të takoheshim fillimisht në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, pikëtakimin e lidhjes së kryeqendrës me qendrat e tjera. Mbërrij këtu në orën 10:15 minuta dhe pres e vërtitem duke parë e vështruar njerëzit, autobusët, që presin, vijnë e nisen. Fluskon borë. Tremb një tufë trumcakësh të cilët duket se janë duke u ushqyer me trosha në rriskën e këtij trotuari pranë këtij muri të gjallë që tashmë duket se ka marrë një të gjelbërt më të errët. E në njërin nga drurët të kësaj hapësire stacioni një çafkë kokëzezë e trup hirtë si në të kremtë rri e rri në majën e asaj dege, si në mes tokës e mes qiellit duke parë sa lart sa poshtë. Më pas ikën, fluturon. Pas nja dhjetë minutave zbritja nga autobusi që vije na bën bashkë dhe pasi përshëndetemi e flasim, risia që na bije në sy është largimi i pikave të pagesës për hyrje në stacion. Kjo qenka mirë, themi derisa vazhdojmë largimin për më në brendi të kryeqytetit. Nëpër ca oborre të ndërtesave n'Dardani tufa pëllumbash na hapin udhë duke përplasur krahët e tyre që ne i marrim si duartrokitje dhe më pas ata ulen në sofrën e tokës për të vazhduar mëngjesin e shtruar me thërrmija buke. Nga këtu ecim, rrugëve, presim semaforëve, kalojmë vijave të bardha, tashmë sikur hyjmë në këtë valle të madhe të jetës në lëvizje me një mori çastesh, dromcash, cikërrimash, detajesh. Koha kalon shpejt e zëmë vend te kjo kafene e përballë saj kemi objektin dikur të ish Pallatit të Shtypit "Rilindja" aty ku edhe ne vijuam si "faikkonicistë". Në oborrin e objektit me drunj e pisha shohim dhe shtatoren e Ismail Qemalit dhe shtizën që mban flamurin kombëtar, për të ardh në mend kënga "Sa e sa vite" e "Ilirëve". Me ndihmën e telefonave pa tela thërrasim të tjerët dhe ndërkohë presim një nxjerrje nga çanta e ca fletave të bardha me poezi të bashkatdhetarit të mërguar modern përbëjnë një cikël poezishë që flasin për para nisjen, nisjen, fluturimin, punën, qëndrimin, rikthimet e edhe kthimin e ri n'atdhe, në harkun kohor prej gjashtë muajsh. Pak lexim, ndonjë pyetje, ndonjë përgjigje e shpjegim, vazhdojmë komunikimin të dehur me poezitë. E nga dy bëhemi tre, katër, pesë, shtatë, nëntë, njëherë duke ndërruar edhe vend. Flasim për atë çka po ndodh e çka po ngjet, çka po bëhet e çka po na pret, urojmë për më pak helm e më pak lotë si këtu e këtej e kudo në botë. Dhe ndahemi e shpërndahemi nëpër jetën që vazhdon, mes ëndrrash e zhgjëndrrash, me përpjekje, shpresa, ndeja, kokteje e një buqete dhuratash...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora