Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bashkim Saliasi: Viron Kona - Kur vjen Sokoli

| E diele, 06.01.2019, 11:37 AM |


“KUR VJEN SOKOLI”

LIBËR I RI I SHKRIMTARIT VIRON KONA, KUSHTUAR POETIT DHE PËRKTHYESIT SHQIPTARO-SUEDEZ SOKOL DEMAKU

Nga Bashkim SALIASI

Data shënon  01.01.2019. Sot duke u ngrohur pas zjarrit më erdhi në mendje gjithë veprimtaria që u zhvillua më 26.12.2018, në një lokal të zgjedhur pranë sheshit “Avni Rustemi”, ku u zhvillua veprimtaria përuruese e librit “Kur vjen Sokoli”, të shkruar nga Viron Kona. Shkrimtari ynë, ia ka kushtuar këtë libër poetit, përkthyesit dhe atdhetari Sokol Demaku nga Drenica e Kosovës, sot me punë dhe banim në Suedi.

MES MIQSH

E kisha takuar Sokolin një ditë pasi kishte mbërritur nga Suedia. Ishte si përherë bashkë me mikun e tij të pandarë Vironin. Pas takimit shumë të përzemërt, u nisëm bashkërisht për te Shtëpia Botuese “Dituria”, ku Sokoli kishte një takim me botuesin  njohur Petrit Ymeri për një libër të përkthyer nga suedishtja në shqip. E ndërsa ai hyri në zyrat e Shtëpisë Botuese, unë bashkë me Vironin u futëm në një kafe aty pranë. Sapo hymë  në lokal, dy miq të rastësishëm të Vironit u ngritën në këmbë dhe pasi u përshëndetëm na ftuan të ulemi e të pimë kafen bashkë me ta.

-Janë dy miq të mi nga Vlora, - më prezantoi Vironi buzagaz.

Biseda midis nesh ishte shumë e ngrohtë. Vironi dhe të dy bashkëbiseduesit ruanin kujtime të shumta me njëri-tjetrin dhe në rrëfimet e tyre kishte sinqeritet dhe emocion. Të dy miqtë e rinj kishin punuar mësues në Vlorë, njëri me mbiemrin Kofina, babai i të cilit Safet Kofina kishte qenë drejtor shkolle i njohur në Vlorë e për të cilin Vironi kishte kujtime. E përmendi me nderim emrin e ish drejtorit të tij dhe tha se shkolla “1 Maj” e Skelës, e ndërtuar buzë detit, pranë plazhit të vjetër në Vlorë, radhitej ndër shkollat më të mira të qytetit, dhe, një meritë të veçantë për këtë vlerësim që i bëhej shkollës, kishte drejtori i saj i njohur në të gjithë qytetin e Vlorës. Madje, Vironi, siç tha, ndihej krenar pasi, veç kujtimeve,  ruante prej vitesh edhe një fotografi të viteve 80-të ku ai kishte pasur nderin t`i vendoste në gjoks ish drejtorit të tij një dekoratë të çmuar, ku Safet Kofina vlerësohej dhe dekorohej si mësues dhe drejtues arsimi. -Jam i gëzuar që më në fund gjeta njeriun e duhur për t`ja dhënë ata fotografi, - tha Vironi, dhe bashkë me birin e ish drejtorit të tij, këmbyen adresat. Duke qenë edhe unë mësues          (biologjie), dëgjova me interes vlerësimet për Safet Kofinën dhe tregimin e të birit të tij se: Safeti kishte mbaruar teknikumin e Harri Fulcit në degën mësuesi dhe, krahas shkollës për mësues, në këtë shkollë zhvilloheshin edhe kurse si për shembull për bletërritës, fermer, kopshtar, rrobaqepës, këpucar etj, jashtë procesit mësimor.  Në vitet e tij të punës, kur  Safet Kofina, punoi drejtor konvikti, ai me iniciativën e tij hapi dhe një fermë për rritjen e shpendëve, të cilat i ushqente me mbetjet e kuzhinës së konviktit. Për raste festash, atëherë, në çdo tavolinë, nxënësit kishin edhe nga një pulë të pjekur, dhuratë nga ferma e tyre. Sa bukur, -thashë me vete,-si dikur para viteve ’90 edhe ne mësuesit e biologjisë, që zhvillonim orët “mësim pune”, i mësonim nxënësit tanë si të përdornin veglat e punës, si të mbillnin dhe t`u shërbenin perimeve dhe pemëve frutore etj., por mbas viteve ’90 këto programe u quajtën të tepërta dhe sot, fëmijët që dinë në maj të gishtave internetin, nuk dinë se si mbillet një lule…Miqtë e Vironit treguan se të dy ishin pensionist dhe banonin në Vlorë, por vinin shpesh në Tiranë pasi ndihmonin nga pak fëmijët e tyre për tu kujdesur për nipërit dhe mbesat. Bashkëbiseduesi tjetër, ishte shkrimtari i njohur Shefqet Tigani, autor i shumë librave me tregime, novela dhe romane e për të cilin Vironi shfaqi respekt të veçantë. Por Shefqet Tigani ishte i njohur edhe për mua, pasi, ndërsa jam duke shkruar një libër ku protagonist është Viron Kona, mbaja mend edhe një episod nga ai libër, që bënte fjalë për të dy miqtë që kisha në tavolinë: Vironin dhe Shefqetin. Shefqeti i kishte dhënë atëherë Vironit fshehurazi librin “Zorba” të Niko Kazanzaqit. Ishte viti 1982. Vironi, që atëherë kryente një detyrë të lartë partiake dhe shtetërore dhe që mbulonte artin, kulturën dhe arsimin në qytetin dhe rrethin e  Vlorës, e kishte marrë librin të mbështjellë me gazetë dhe pasi  e kishte lexuar, pas disa ditëve ia kishte kthyer po në atë mënyrë Shefqetit.”  “Zorba” atëherë ishte botuar në Kosovë, por jo në Shqipëri. Ishte nga ata libra që leximi i tij konsiderohej herezi, ndonëse aso kohe, nga Kazanzaqi ishin botuar librat “Kapedani Mihali” dhe “Ja vdekje ja liri!”. Ky fakt u bë shkas për këmbim mendimesh mes nesh e ku vlerësohej miqësia e vërtetë dhe  e sinqertë mes miqve, kurse, mbaj mend që Vironi tha: “Kush kërkon gjen, thotë proverbi. Ai që atëherë donte letërsi të mirë, me përpjekje e gjente, ndonëse edhe atëherë, shumë nga kryeveprat e letërsisë botërore ishin të përkthyera nga përkthyes të talentuar dhe kësisoj ishin të njohura nga lexuesit”.

SOKOL DEMAKU, PËRKTHYES I MIRËPRITUR NË SHQIPËRI

Për të mos u shkëputur më tema dhe ideja kryesore e këtij artikulli, pasi u ndamë përzemërsisht me të dy miqtë e Vironit, pritëm Sokolin, i cili nuk vonoi të vinte. Ishte i gëzuar pasi libri i përkthyer prej tij ishte botuar dhe në bashkëbisedë me botuesin e “Diturisë” Sokoli kishte rënë dakord për vazhdimësinë e përkthimeve të tjera. I kujtova Sokolit se kisha folur në telefon me Shyqyri Demakun, mikun tonë të përbashkët, edhe ai mësues, me punë dhe banim në Suedi. -Donim të vinim të dy, tha Sokoli, por bileta e udhëtimit me avion ishte shumë e shtrenjtë, ndërkohë që Shyqyriu kishte qenë jo dhe aq mirë me shëndet. Biseda jonë rridhte shumë natyrshëm dhe bukur, ashtu siç ndodh mes miqve të vërtetë. Sigurisht tema ishte letërsia, botimet dhe përkthimet, por dhe veprimtaritë e shumta që kryente Sokoli me kolegët e tij atje në Boras të Suedisë, veprimtari ato të inkuadruara në programin e Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni”, ku Sokoli shumë vite më parë, kishte qenë nismëtari kryesor i krijimit të asaj qendre...

Mua m`u deshtë largohesha dhe u kërkova lejë të dy miqve të mi. U ndava, por përkohësisht, sepse ne do të takoheshim më datën 26 dhjetor 2018 për përurimin e librit  “Kur Vjen Sokoli”....

VLERËSIMI I NJË PËRURIMI

Më është bërë zakon që nga jeta studentore që në takime shokësh, të shkoj pak më herët se orari i vendosur. Sapo shkova, takova Sokolin, ndërkohë që Vironi ia mbërriti i ngarkuar me libra. Së bashku pimë ngadalë nga një kafe, duke bashkëbiseduar me dhembje e duke e ngushëlluar Sokolin, të cilit para disa javëve, i ishte ndarë nga jeta njëra nga vajzat e tij. Sokoli dukej i vrarë shpirtërisht, megjithëqë e mbante veten, gjente forca dhe, me atë dialektin e Drenicës, përsëriti disa herë: “S’kemi çka me ba Bashkim, duhet me u bë të fortë, jeta vazhdon…”

U ngritëm nga kafja dhe, unë me Vironin, u morëm me organizimin e  sallës ku do të zhvillohej veprimtaria si dhe me sistemimin  librave në tavolina. Po ashtu rregulluam mjedisin dhe e kompletuam edhe me disa qerasje dhe pije freskuese që do shërbenin për koktejin pas përurimit të librit. Të ftuarit mbërritën të gjithë brenda kohës. Sokoli dhe Vironi u përshëndeten përzemërsisht me ta duke iu uruar mirëseardhjen. Ishin të ftuar që  e nderonin veprimtarinë. Kishte mes tyre profesorë, studiues, shkrimtarë, gazetarë, mësues. Kishin ardhur edhe nga Durrësi, nga Shkodra, nga Kosova, veçanërisht nga Mitrovica. Midis të ftuarve edhe shkrimtari i njohur shqiptaro-suedez Hamit Gurguri.

LIBRAT ARTISTIKË, URA MIQËSIE DHE BASHKËPUNIMI KULTUROR

I pari e mori fjalën Viron Kona, autori i librit “Kur vjen Sokoli” dhe, pas tij folën: akademiku  Gjovalin Shkurtaj, studiuesi Sejdo Harkaj, redaktori i librit Kadri Tarelli, profesor Zyhdi Dervishi, Mjeshtri i Madh Gëzim Tushi, studiuesit, gazetarët dhe shkrimtarët: Nuri Dragoi, Andon Andoni, Pandeli Koci, Teuta Dhima, Merita Thartori (Kuçi), Gladiola Urbus, Avdul Bucpapaj, Jaho Margjekaj, Delo Isufi, Bujar Poçari, Petrit Xhaja, Hamit Gurguri dhe vet protagonisti i librit Sokol Demaku. U fol për librin e shkruar nga Vironi dhe, ashtu siç dhe ai vlerësonte në fjalën e tij hyrëse, diskutimet dhe mendimet u përqendruan te figura dhe personaliteti i Sokol Demakut, protagonisti i librit. Thuajse të gjithë treguan edhe momente nga njohja me Sokolin, vlerat e tij si poet, përkthyes dhe atdhetar, për punën e  tij të palodhur për mbrojtjen dhe përhapjen e gjuhës shqipe në mërgatë, përhapjen e librave nga Suedia në Shqipëri dhe anasjelltas, vizitat e shkrimtarëve shqiptarë dhe suedezë në Shqipëri.

Me interés u ndoq fjala e protagonistit të librit, i cili tregoi se prej 18 vitesh punon dhe jeton në Suedi, ku ka kryer lloje - lloje punësh për mbijetesë dhe tani i vendosur me punë e banim në qytetin e Boras, konkretisht në shkollën suedeze Fjardingskolan”, ku ai  jep lëndën e matematikës. Në qytetin e Borasit, së bashku me shqiptarë të tjerë atdhetarë dhe krijues dhe me mbështetjen e shtetit suedez, ai boton revistën e njohur në mërgatë me emrin “Dituria”, si dhe drejton radion dhe televizion me këtë emër.

Ata që folën në përurimin e librit treguan se jo kushdo mund të krijoj ura miqësie midis diasporës dhe Shqipërisë dhe Kosovës, por duhen Viron dhe Sokola që t`i ngrenë, zhvillojnë dhe t`i mbajnë gjallë, që zjarri i tyre të mos shuhet asnjëherë.

Krahas librit, Viron Kona i bëri edhe një dhuratë simbolike mikut të tij Sokolit: një portret të Sokolit, të vendosur në një kornizë të bukur dhe me një mbishkrim miqësor. Më pas, të ftuarit morën pjesë në koktej, duke zhvilluar edhe aty biseda interesante rreth fushës së letërsisë dhe artit...Fotografitë e herëpashershme nga secili pjesëmarrës me aparatin e tij, e bënë edhe me të gëzueshme atë veprimtari përuruese krejt të sinqertë, shumë të bukur dhe  mbresëlënëse për të gjithë...

I uroj Viron Konës vepra të tjera me plotë vlera, ashtu sikundër bën nga hera. I uroj Sokol Demakut veprimtari të tjera të suksesshme dhe gëzime të shumta në këtë vit të Ri 2019!

Urime dhe përgëzime të dy miqve të mi: Viron Kona dhe Sokol Demaku!

Disa foto nga veprimtaria përuruese e librit “Kur vjen Sokoli” shkruar nga Viron Kona