E enjte, 28.03.2024, 07:08 PM (GMT)

Kulturë

Tahir Bezhani: Simetria organike në poezinë e Lulzim Logu

E shtune, 05.01.2019, 10:55 AM


TAHIR BEZHANI

Vështrim libri:

SIMETRIA ORGANIKE NE POEZINE E LUZIM LOGUT

Lulzim Logu:”Akoma Hiri im”,poezi 2018, botoi “Blini” Gjakovë.

“Nuk e di sesi puthin buzët e tua

Kam frikë,

Kurrë s’e kam kuptuar

Gjakun pas dashurisë....”

Poeti i mirënjohur  tropojan,z. Lulzim Logu,në fundvitin që sapo e lamë pas,doli  para lexuesve me librin më të ri poetik ”Akoma hiri im”,libër i përkthyer në tri gjuhë ,greqisht, italisht dhe anglisht. Emri i këtij krijuesi ,tani më është i njohur në gjithë hapësirat e trojeve tona, sepse  është autor i katërmbëdhjetë  librave të botuar deri me tani. Një personalitet i angazhuar me mish e shpirt në jetën kulturore në Tropojë e jo vetëm.

Egoja poetike në krijimtarinë e Lulzim Logut.

Poezia e poetit Lulëzim  Logu    tërësi , është  një  përplasje  e ndjesive shpirtërore,nga i cili burim vjen vargu i  nxehtë,i lëmuar, me gjetjet figurative poetike, me stilin e tij krijues logian ,me vlera  të theksuara, të përkrahura   edhe  nga masa e lexuesve kudo në trojet tona. Kohezioni krijues i poetit Logu,përfshin një hapësirë kohore të largët e të afërt,që nga vitet e 90-ta, atëbotë kur Shqipëria, por edhe vendlindja e poetit, ishte përfshirë nga rrëmuja të padëshiruara politike, brenda kohës së konsolidimit të ecjes vetjake,tranzicionit...

Të dy këto hapësira kohore,të kaluarën e të tashmen,poeti i ka përjetuar e interpretuar artistikisht, me atë brilandësinë poetike, duke i shndërruar në një simetri gërshetimesh artistike, për të” jetuar”si kohë e ngjarje ne kujtesë ,si të pa përsëritshme...

Në librin më të ri,”Akoma hiri im”poeti Lulzim Logu, me penën e mprehtë prej krijuesi te spikatur,trajton tema të së kaluarës  plot vuajtje e sakrifica,duke e ndier në shpirt peshën e dhimbjes. Nuk ka poet që mund të qëndrojë anash ngjarjeve të prekshme, kur ato lidhen me popullin që i përket. Egoja poetike kurrë nuk është e qetë para ngjarjeve tragjike. Pena e poetit Logu,me mjeshtëri  të rrallë skalit ato ngjarje të dhimbshme të viteve 90-ta. Po të mos ishin të cekura datat kur poeti i ka shkruar poezitë ,vështirë që do të hetohej ajo kohë e brishtë ngjarjesh, për faktin se poeti, heshtazi, pa“piskamë” i ka shkrirë në vargje ngjarjet tragjike, të cilat i ka ndjerë rëndë në shpirtin e vet,si poet. Këto raste i rrëfen në fillim të këtij libri, duke  hedhur gjithë  peshën e dhimbjes për rininë e atyre viteve. Në poezinë “Frikë”,shkruan:

”Nuk e di/sesi puthin buzët tua

Kam frikë

Kurrë s’e kam kuptuar

Gjakun,pas dashurisë”...

Pra, një kohë shterpë pa dashuri , nga droja se ajo mund të “lahej” me gjak, në ato kohë të mjegullta, ku frika ka rrugëtuar poreve të jetës,te secili qytetar.Vetëm poeti e ka strehuar dhimbjen në  shpirt e zemër, për ta shndërruar në varg prekës....

Personifikuese e rasteve është  poezia “Ditët e mia”,ku poeti me zemër të plasët, identifikohet me dhimbjen e gjithëmbarshme njerëzore. Poezia ”Të gjithë po ikin...”bart konsekuencat e kohës besnikërisht,duke trajtuar gjithë atë rrëmujë ikjesh nga vendi,me tërë dhimbjen  tok me vuajtjen.Pak rreshta të kësaj poezie, flasin më së miri, për egon njerëzore të poetit, ku mjeshtëria krijuese  qëndis  më së bukuri ndjeshmërinë e poetit, me vargjet:

”Ditët e mia krenare, sa s’thuhet,

Rreziten në diellin, që akoma s’ka lindur,

Duke  besuar se bëhen më të mira,

Me gjaklindje veshur”...

Ose te poezia” Letrat që digjen”:

”Digjeshin ngadalë

Duke kërcitur

Sikur brinjët e mia

Kur therin dimrit...

Ashtu ngadalë

Pa flakë të dukshme

Digjeshin vet

Dhe digjnin”...

Me vigjilencë të lartë poetike, dora e tij mjeshtërore, na paraqet butë, lëmueshëm, pa lot e kukamë, një situatë tejet prekëse e dramatike. Kam përshtypjen se poeti Logu në këso rastesh ka zgjedhur vetëm një kahe përcaktuese; që mos t’i “dramatizojë” të gjitha shtresat, vet të përpijë vuajtjen si helm për të gjithë, deri në shpirt. Mendoj se do pajtoheni se kjo mënyrë e poetizimit të ngjarjeve  të tilla, paraqet pikën e lartët të evolimit poetik progresiv,  në poezinë e Lulzim Logut.

Në librin më të ri të z.Logu,”Akoma hiri im”, poezi me tematikë të tillë ka mjaft,por poeti i ka “shkrirë”dy kohët në  kujtesën personale, për t’i lidhur në gërshetat e një risie-kohe më të lumtura...

Bukuritë e natyrës alpine, dashuria,pjesë e shpirtit krijues

Poeti Lulzim Logu, njihet si një poet apasionat i bukurive natyrore. Shpirti i tij është i ngjizur me majat e pishat e gjata, me gurgullimën e lumenjve të bjeshkëve, me ushtimën melankolike të Valbonës, me thepat e lartë e atraktive, me mjedrën, çain e boronicën, jeta baritore në një anë, ku përherë gjen inspirim për haikun e bukur dhe poezinë në përgjithësi. Me kënaqësi të zemrës i këndon Jezercës, ku kalon net të tëra verës, duke thithur  ajrin e pastër,në shoqëri me hapsirën qiellore e gacat e yjeve . Sa i pangopshëm është për natyrën e bukur! Mrekullueshëm këndon për këto vende, poeti Lulëzim Logu:

”Nga Jezerca thërras

Poshtë pesimistë

Poshtë ata, për të cilët

Një lekë nuk vlen jeta”. ..

Edhe në poezinë “Imazh”,poeti ndihet shumë më i fortë e i sigurt në jetën me gurë, drunj etj. prandaj frymëzohet si:

“Më i fortë jam sigurisht

Më i afërt me gjallesat dhe natyrën

Mbi enigma lulesh, gurësh dhe drurësh

Kundër bareve  gjumëndjellëse dhe vetmisë...”

Dashuria në poezinë e Lulzim Logut, në tërësi, por edhe në librin në fjalë, padyshim se zë vendin meritor për motivet që trajton dhe harmoninë e vargut. Por,përkundër “dinakërisë” së përzgjedhur stilistike brenda rreshtave, nuk mund të anashkalohet  pasioni i kujtesës djaloshare. Poezitë me motive erotike, lodrojnë në hapësirën kohore përmes emocioneve të përflakura, ku kujtimet bluajnë për të shëruar plagët e jetës; ose për të mbajtur të ndezur  fenerin e moshës rinore përmes kujtimeve. ..

Te ky zhanër poetik, z.Logu këndon aq bukur, me aq elegancë, sa mund ta krahasosh me bletën e cila tërë ditën thith polen, nektar e asnjë fletë të luleve nuk e dëmton. Këto mendime mund t’i argumentojmë me disa thënje poetike të poetit, të cilat janë tejet të pëlqyera:

”Ajo zbriti shkallët për në krua,

Era befas ia zbuloi gjunjët,

Dielli e mikloi dhe ajo u drodh,

Si prej dorës  huaj...”

(“Qumështore”)

”Boronica” është poezia që dridh kujtesën, përmes imagjinatës apo përjetimit dhe si e tillë rrjedh nga thellësi shpirti në këtë formë:

”Më bie ndermënd  për sytë

Për sytë e tu të shtrenjtë

S’gjeja kurrë krahasim më të mirë

Ishin dy borinica

Në mungesën tende të gjatë

Pi lëngun e ftoftë

Pi lëngun e zi

Pi sy…

Një shkrirje e bukur e intelektit poetik në vargjet erotike. Ndoshta edhe Poradeci do ia kishte lakmi!....

Një përkushtim i veçantë poetik, me disa krijime,  në librin “Akoma hiri im” nga poeti Lulzim Logu, iu dedikohen prindërve, posaçërisht babait të ndjerë, një personalitet i njohur në Tropojë e jo vetëm, në krijimin dhe formimin e arsimit në kohë të vështira. Meqë intelekti dhe formimi i përsonalitetit të poetit Logu, fillon nga familja, nga prindërit, me  arsimim të lartë, po këtë lami e ka trashëguar edhe tek fëmijët e tij. Në këtë prizëm, me nivel të lartë kulturo-arsimor, padyshim se autori me ndjenjen e një krijuesi të spikatur, i kushtohet babait të tij të ndjerë me disa strofa poezie, ku e ka burimin e pashtershëm të dijes e formimit. Mjafton të  lexojmë një poezi me ndjenjen e dashurisë dhe porosive te paharruara prindore,e cila është ngjyer në karakterin e pastër të edukatës familjare, si udhërrëfim jete. Poezia ”Jeta ime”:

“Jam i qetë për sot dhe nesër

Pa e dorëzuar veten dhe dinjitetin

Në humbje a fitore qoftë

Kurajo ime,shpresa ime

Jeta ime, ti qofsh!”

Marrë në tërësi, libri poetik “Akoma hiri im” është  një botim  me vlera të pakontestueshme,ku tematika dhe cilësitë e poezive,e bëjnë lexuesin të interesuar, edhe për shumë vlera tjera që ngërthen poezia logiane. Ato i ngjajnë një simfonie të mirëkomponuar artistikisht,duke ia dhënë vargut krejtësisht frymën e tij shpirtërore,si poet i një treve ku buron poezia e mirëfilltë,kthjellt, si  Valobona.

Edhe për lexuesin e huaj, për shkak te nivelit serioz të përkthimit, afruar nga tre përkthyesit kompetentë dhe me përvojë, poezite e këtij libri do të përbëjnë surprise dhe do të jenë padyshim një guidë e bukur kulturore dhe shpirtërore, që do ti shoqërojë këndshëm çasteve të tyre në viset shqiptare apo kudo tjetër.

Gjakovë, 3.01.2019



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora