E shtune, 20.04.2024, 12:32 AM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Flatrat e fillimvitit

E shtune, 05.01.2019, 12:49 PM


Flatrat e fillimvitit

Nga Blerim Rrecaj

Ditët e fillimvitit janë ditë të përgjumura, dremitëse. 1 janari është i tillë, ku pothuajse çdo gjë fle e kotet dhe kjo gjendje vazhdon edhe në disa orë pasditeje. Vetëm ose me dikë përdore mund të dalim jashtë mureve strehëzash, për të zënë vend te ndonjë hapësirë, ku mund të ecim qetazi a lehtazi, ku mund t'ia marrim një valleje vrapi e kur të lodhemi të ulemi në ulëset që qëndrojnë me këmbë në tokë e presin vizitorët. Mund të ulemi dhe në tokë, mbi këtë bar paksa të ftohtë e të lagësht, nëse duam, nëse na merr mendja e na thotë zemra. E kjo pasdite vazhdon të jetë e vranët, e hirtë, pak e hidhur, pak e embël. Qielli nga i hirtë bëhet i përzier, bile kthjelltësia tashmë ka zgjeruar kufijtë e vet dhe duket se po vazhdon lufta për territore. Qetësinë e trazojnë vetëm lëvizjet e veturave andej këndej dhe e ca kalimtarëve të rrallë të radhës, e lart n'drejtime t'ndryshme po ashtu enden fluturaket e heshtura e gjurmë vijash të bardha. Kjo mbase për të shtyrë të krahasosh qytezën e shumëpopulluar me fshatrat e braktisura e të pa(k)banuara.E zërat tanë duket që lënë njëfarë jehone pas. Ndërkohë sorrat grupe-grupe e kohë pas kohe vazhdojnë fluturimin në drejtim të kryeqytetit sikur të ishin copra të hedhura qymyri e duke lënë pas tufat me krra-krrau. Papritmas në qiell shfaqet një grup prej shtatë pëllumbash, njëri prej tyre krejt i bardhë, që duket që u prijnë e nga bashkëshoqëruesit herë herë krijon një distancë, e të tjerët krahë bardhë por trupmurrmë. Oh, çfarë shkëlqimi që u jap ky top dielli që rrezon pa harruar që herë-herë të vazhdoj të luaj edhe me retë. Ndërkohë me një zmadhuse xhami i afrohemi një trëndafili të kuqëlimtë, të mbledhur kruspull e të vetëm, që vazhdon të qëndrojë te gëmusha e zhveshur e kokëqethur nga petalet. Eh, trëndafil, o trëndafil, a ke ftohtë, a je mërdhirë... E sytë vërtiten sa te trëndafili sa të pëllumbat, që vazhdojnë të vërtiten në qarkun e tyre rrethor për shtatë palë qejfe derisa tufa-tufa sorrat vazhdojnë të rrugëtojnë. Dikur mbesin gjashtë, e më dikur kur edhe largohemi nga këtu pas më shumë se një ore, i lëmë pesë pëllumba që vazhdojnë vallen e fluturimit shëndritës e realmagjik. Vazhdojmë të hedhim hapat tanë nën tingujt e kësaj qetësie kumbuese. Ndonjë kalimtar e ndonjë veturë që niset të kyqet për në rrugën kryesore ta jap idenë se është duke iu bashkuar një karvani të dëbuarish a të ikurish e që përshëndetet nga një tufë trumcakësh që më pas fshihen brenda atij vargu bredhushash trupgjatë dekorativë. Pak më tej dy a tre shpendë krahmëdhenj që duket se mund të jenë skifterë fluturojnë përsëri pasi kanë rënë për pak kohë me kthetra në tokë, duke lënë qentë duke ecur e bredhur fushave e arave të gjata a të gjera, të shkurtëra a të ngushta, të zëna a të uzurpuara, të punuara a të lëna batall. Dhe bile muzgu të cilin e trazojnë dhe e shkundin të shtëna sporadike të bombolave dhe e ndonjë fishekzjarri të hedhur. E nata na hedh ndejave, vizitave, te ndonjë lokal me a pa muzikë, e edhe aty ku bashkëjetojnë panatyrshëm vlera me tallavanë. Dikur zyrtarisht hyjmë në datën e re. E pas gjumit kur më mund të përshëndetemi vetëm me "mirëdita", mund t'ia mësyejmë të bëjmë një vizitë në njëren nga banjat rehabilituese...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora