E diele, 24.03.2019, 07:46 PM (GMT)

Kulturë

Nikollë Loka: Milazim Kadriu - Ata që për liri u flijuan

E shtune, 05.01.2019, 11:03 AM


POEZI E KRENARISË, DHIMBJES, REFLEKSIONEVE DHE EMOCIONEVE TË THELLA

Rreth vëllimit poetik “Ata që për liri u flijuan” të poetit Milazim Kadriu.

Nga Nikollë LOKA

Në vijim të një tradite të përvijuar ndër vite, për shkak të përpjekjeve të vazhdueshme të shqiptarëve për liri, si dhe të gjendjes së sotme të Kosovës, ku koha e luftës ruan ende gjurmë të freskëta, poezitë me temë nga qëndresa dhe heroizmi shqiptar mbizotërojnë mbi temat e tjera te shumica e poetëve kosovarë. Vëllimi poetik “Ata që për liri u flijuan” përmban poezi kushtimore dhe  refleksive, meditative. Në poezitë e autorit nuk mund të bëhet diferencim i prerë ndërmjet llojeve të lirikës. Substanca përsiatëse, refleksive është e pranishme dhe tek poezitë atdhetare dhe tek ato historike, intime, të vendlindjes, etj, ku vargu ngarkohet me reflekse kategorish nga ekzistenca dhe metafizika.

Gjetja e dominanteve që e mbizotërojnë  në tërësi veprën artistike të një autori, zbulon parimet e përgjithshme të ndërtimit të poezive, poetikën e ndërtuar përmes stilit të tij. Stilet janë mënyra, gjetje unike të shprehjes. Pikërisht stili, mënyra, gjuha, lidhen me qëllimin dhe misionin e çdo krijimi poetik. Këtu qëllimi është zbulimi i “së brendshmes”  së poezisë përmes fjalës. Loja me fjalën sjell ndryshimin, përveçimin e njërit autor prej tjetrit.

Milazim Kadriu njihet si poet i detajeve jetësore dhe përgjithësimeve poetike, si poet që flet për jetën, gëzimin, dhimbjen, të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Është në natyrën e poetëve të kërkojnë ato tema që u japin më shumë emocione. Në poezinë e Milazimit shprehen ndjesi të trefishta: atdhedashuria, reflektimi dhe meditimi. Poeti e vendos veten para tokës (Atdheut), njerëzve (realitetit shoqëror) dhe vetes (unit të vet poetik).

Peshë të madhe në këët vëllim zë lirika atdhetare me karakter kushtimi, të cilën e shpreh edhe poezia që mban titullin e librit: Ata na i hapën shtigjet/ nëpër të cilat na vijnë rrezet e diellit./ Ata na sollën pranverën e lulëzuar/ bilbila të lirë tash kanë për të kënduar./ Ata nuk kursyen asgjë nga vetja/ që për ne të jetë e ëmbël jeta./ Ata që për liri u flijuan/ nuk vdiqën, pavdekësinë fituan.

Lidhjet shpirtërore me çdo gjë që lidhet me lirinë ndihet pothuaj në çdo poezi. Kjo lidhje e pandashme  dhe frymëzimi që i jep koha e luftës poetit, transmeton shpresë për një të ardhme të re. Heronjtë e luftës dhe luftëtarët e betejave vijnë për të mos u harruar, për t’u referuar si shembuj, për të motivuar lëvizjet që poeti kërkon me anë ligjërimit të tij liriko-epik. Në këtë zgjedhje të poetit ata shërbejnë për t’u kujtuar shqiptarëve lavdinë e qëndresës dhe idealizmin e saj që vjen diku në dritë e diku në hije, diku si përjetim individual e diku si përjetim kolektiv, ndërkohë që në një realitet kompleks kosovar të pasluftës, idealet janë drita që herë ndizen e herë shuhen, ndërkohë që shoqëria ec përpara duke tejkaluar shumë pengesa.

Në poezinë “Dëshmorëve”: Koha juaj/ ka veç lindje/kurrë nuk perëndon.// Gjeneratat që vijnë/ nuk ju harrojnë/ Në përvjetorë gjithë ju kujtojnë.//Jetoni në zemrat e popullit/ Se ratë në lulet e rinisë/ E Kosova sot i këndon lirisë.//

Poeti ka nderim të thellë për ata që u flijuan për lirinë. Për poetin ata janë modele në shoqëri, janë ata që Atdheu i kishte lindur për ta mbrojtur, për të qenë zgjuar, për të sakrifikuar dhe për të vdekur, për të na kujtuar ne të tjerëve, të gjallëve, se e sotmja qëndron mbi themele gjaku, shprehur bukur në poezinë “Dikush duhet të vdiste”: Dikush duhej të vdiste/ Ai i cili gjithherë ka qenë zgjuar, Çdo herë ndenji zgjuar/ Për ti zgjuar të fjeturit.//

Mjeti kryesor që gjeneron idetë, mendimet dhe emocionet është gjuha. Siç shërben peneli për piktorin si lëndë e parë, apo druri për zdrukthëtarin, ashtu edhe për poetin gjuha është lënda e parë dhe mjeti me të cilin, ai paraqet botëkuptimin artistik dhe estetik. Fjala nuk vdes, ajo e zhbën kohën dhe simbolikisht lëviz, duke komunikuar me të shkuarën që e sjell në kohë reale: Udhëtova me shpresë/ udhëkryqeve të botës/ etja që kisha/askund s’u shua/ U ktheva nga u nisa...//

Reflektimi sjell një zgjerim të vetëdijes, në mënyrë që kur poeti të thotë “unë” të kuptohet si “ne”, ndërkohë që është vetëm njëri prej pjestarëve të grupit shoqëror ku bën pjesë, dhënë me rast në poezinë “Caqet tona”: Ku u takuam/ u degëzuam/ aty edhe u ndamë/ e u përmalluam// E tash si ti quajmë/caqe të takimit/të bashkimit/të ndarjes/apo caqe të pikëllimit//.

Poeti depërton në thellësitë e shpirtit të poetit, për ta nxjerrë poezinë e meditimit të tij, sepse poezia lirike, megjithëse është më e menjëhershme se çdo poezi tjetër, është gjithashtu, më shumë se çdo tjetër, një poezi e zhytur në mendime.

Poetët në mënyrë modeste kanë aftësinë për të hedhur në kohë, për të vëzhguar hollësi, për të eksploruar shtigje të tjera të gjuhës, e cila nuk është ajo e së përditshmes, që i qasen botës në mënyrë tjetër. Poezia është e nevojshme në çdo kohë dhe sidomos në kohëra të vështira. Për sa kohë që koha jonë është një kohë e shqetësimit, të gjitha kohët individuale janë kohë ankthi, që shfaqet edhe në poezinë e brezit të sotëm në Kosovë. Milazim Kadriu është njëri prej tyre. Ja si e shpreh ai shqetësimin e tij qytetar dhe njerëzor në mënyrë poetike: U nisa një ditë/ në një udhëtim të gjatë/ shkova larg/ shumë larg/ por hija nuk mu nda//...

Poezia e Milazim Kadriut mban emocione të thella, të cilave poeti përpiqet tu gjejë kuptimin, por pa i vendosur përballë arsyes, emocione të ngarkuara me mendime që flasin. Vëllimi poetik “Ata që për liri u flijuan” shpreh reflektimet e një poeti të formuar, pas një përmbysjeje, një pasqyrim i realitetit të brishtë të pasluftës, të mbushur me mall, dhimbje dhe dilema të shumta.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT