E enjte, 25.04.2024, 01:48 PM (GMT+1)

Kulturë

Milazim Kadriu: Bajram Bashota - Plis e Flamur

E merkure, 02.01.2019, 10:10 AM


PËRMES VARGJEVE KUJTOHET E KALUARA E POPULLIT TONË QË NGA PELLAZGËT-ILIRËT-DARDANËT...

Bajram Bashota “Plis e Flamur”, SHB “Lena” - Prishtinë, 2018

Nga Milazim F. KADRIU

Pellazgë e Ilirë, Dardanë e Shqiptarë

Jetuam n' trojet tona kurrë si barbarë

Bëmë lufta të përgjakshme me ruajt atdheun

Po patëm shumë prijës në krye me Skënderbeun

Këta burra e prijës të këtij populli e atdheu

Luftuan heroikisht si trim Skënderbeu

Me këto vargje hapet përmbledhja poetike “Plis e Flamur” e autorit Bajram Bashota. Edhe ky libër sikur e tërë krijimtaria  e tij e deritashme e botuar, përmban në vete një botë të pasur me një përvojë të mirë në qasjen ndaj fenomeneve  të jetës, kombëtare e shoqërore si edhe të atyre të përgjithshme.

Bajram Bashota  qysh herët është marr me krijimtari letrare  dhe për lexuesit e viteve të 60-70 është emër i njohur ngase krijimtarinë  e tij lexuesi ka mund ta has  në revistat dhe gazetat që botoheshin  atë kohë  tek ne. Ndërsa me botimin e librave ka dal më vonë  e që libri “Plis e Flamur” është përmbledhja e tretë me poezi por që nga ai priten edhe botime tjera ngase në dorëshkrim ka edhe shumë krijime  që presin të botohen por ai krijon vazhdimisht edhe tani e sidomos poezi.

Ashtu si është në jetë Bajram Bashota, është edhe në krijimtari, pra ai gjithmonë ecë lirshëm dhe vertikalisht me besimin e fortë tek njerëzit, tek idealja. Ai gjithnjë është i çiltër, pa komplekse, pa paragjykime për njerëzit, pa bërë kurrfarë dallimi mes tyre, gjithnjë është përkrahës i së mirës , njerëzores, ndershmërisë, besës e tolerancë.

Në përmbledhjen poetike “Plis e Flamur”, Bashota ka skalitur poezi të frymëzuara për Bacë Adem Demaçin, Fazli Greiçevcin, Anton Çettën, Shqipërinë, Kosovën, Ilirinë, Besën, 28 Nëntorin, …

Poeti përmes vargjeve të tij kujton të kaluarën e popullit tonë që nga pellazgët-ilirët-dardanët, luftërat e zhvilluara për çlirim të vendit. Po ashtu ai përkujton prindërit, fëmijërinë, pleqërinë, thur vargje  për shtëpinë, vendlindjen, fshatin, qytetin, për llapjanët, …

Autori në këto poezi shpalos virtytet e brendisë shpirtërore me urti, këngë, lot, mall, … si pikënisje  eksplicite e orientimit frymëzues nga ndjenjat meditative krijuese.

Ashtu sikur edhe në përmbledhjet e botuara më herët, poeti vazhdon të shpreh botën e tij krijuese, duke e pasuruar në brendi me tema e imazhe nga aktualiteti, me kujtime nga e kaluara dhe aspirata për të ardhmen.

Përmes vargjeve të tij në këtë libër Bashota na dëshmon se e donë vendin, i donë njerëzit, e donë jetën,… Vargjet e tij  na vinë me shumë ngjyra, ngjyra të natyrës  dhe të shpirtit të tij poetik. Ai ka dashuri për vendin e tij dhe këtë e shpreh shumë herë në vargjet e këtij libri.

Besianë qytet i diellit
Rrokaqiejt tu e puthin qiellin
Këtë qiell të kaltër të Dardanisë
Vatër e besës e shqiptarisë

Përmes këtyre vargjeve Bashota ruan dashurinë dhe respektin për vendin e tij, për familjen dhe për njerëzit në përgjithësi.

Dashurinë për atdheun e ruan në thellësinë e shpirtit të tij si njërin  nga vlerat më të çmuara përgjithmonë.

Plis e Flamur
Nuk u ndanë kurrë
Janë mbjellë në gjak
Janë mbjellë në gurë

……………………

Me këtë plis të bardhë
E flamur kombëtarë
Me ta ju njohu bota mbarë
Si arbëresh e si shqiptarë.
Ky Plis e ky Flamur
Nuk u ndanë kurrë.

Autori në këtë përmbledhje sjell disa poezi me motive nga jeta, ku shkruan për ndjenjat, botën intime, emocionale që ka lidhmëni me jetën dhe për jetën.

Fëmijëri, e imja dashuri
Më e ëmbla e jetës-harmoni
Ti që më mbushe jetën
Plot dashuri

Ose :

O pleqëri e thellë pleqëri

Mjeri ai që mbërrin tek ti
Ti ke veç një shpërblim
Mjaltin e bën pelin

Bashota poezinë e ndjenë brenda tij dhe jeton me të në çdo moment edhe në gëzime, hidhërime, shqetësime dhe këto që ndjen brenda i qet  në dritë që edhe të tjerët të ndjejnë poezinë e tij.

Ai është i dashuruar përjetësisht me fjalën e bukur poetike. Ai tashmë është njëzuar me të dhe nuk shqitet dot nga ajo, sepse e ka zbuluar mënyrën më të pëlqyeshme për komunikimin me veten dhe lexuesin.

Ja si shprehet ndër tjera në vargjet e tij kushtuar poetëve dhe poezisë :

Poetët dhe shkrimtarët
I dua dhe i çmoj
Po në rend të parë
Poetët atdhetarë!

Apo në vargjet e poezisë tjetër :

Poetët janë të zgjuar
Ditë edhe natë
Janë rojë e atdheut
Janë pallë e Skënderbeut
Që vringëllojnë mbi atdhe
Janë shkreptimë
Janë rrufe.

Autori përmes vargjeve të tij  shpreh revoltën për këtë gjendje të mjerueshme që po mbretëron në vendin tonë ku ka skamje dhe mjerim dhe shumë pak përpjekje për të ecë përpara e nganjëherë fitohet përshtypja se është harruar amaneti i të rënëve për liri. Ai godet fenomene dhe dukuri, që vijnë nga njerëz të caktuar dhe ai apelon që të mos dëgjohen ata por populli :

Popullin dëgjoni gjithmonë, o njerëz
mos dëgjoni premtimet ndër pushtetarë!
Dëgjoni vetëm zërin e popullit
I vetmi zë që s’është tradhtarë

  disa vargje  të tij poeti prek pjesë të  realitetit të dhimbshëm që po mbretërojnë në vendin tonë dhe për këtë ai shpreh revoltën e tij por jep edhe këshilla se si duhet të sillemi ne si popull e të mos pësojmë më atë që  kemi pësuar nga okupatori shekullor.

Besoni vëllait, mos i besoni shkaut

Armikut të përbetuar që tragjedi na solli

Si mos t’i besojmë vëllait po t’i besojmë shkaut

Atij që na bëri varr dhe hovin ende s’ e ndal

Edhe përkundër kësaj gjendje që mbretëron tani ai është optimist se do të vijnë ditë më të mira,do të fryjnë erërat e drejtësisë dhe demokracisë dhe tradhtarët do të dalin në shesh e do të marrin çmimin e merituar.

Do të fryjnë erërat e drejtësisë, të lirisë e të demokracisë

Katilë gjakpirës e tradhtarë do të dalin sheshit në livadh

Para popullit do të dalin lakuriq të përbuzur e kokë varë

Se s’ishin bij të popullit do të jenë të përbuzur gjithmonë tradhtarë.

Vargjet e Bashotës nga poezia në poezi janë të skalitura me një stil të nivelit të kënaqshëm me figuracione poetike, larushi rimash dhe metra të ndryshëm që kanë një vlerë të mirë artistike.

Andaj mund të  përfundojmë se autori Bashota në vargjet e këtij vëllimi  na sjell portretizimin e tij   në përmasa reale të ndjenjave, emocioneve dhe vëlimeve të brendshme, dhe kështu ai ia prezanton opinionit artistik e lexues pasionin e vet krijues!

Besianë, Dhjetor 2018



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora