E premte, 29.03.2024, 08:21 AM (GMT)

Kulturë

Nina Mula: Kur e mora në telefon motrës i ra të fikët

E marte, 23.09.2008, 06:12 PM


Nina Mula: Formova telefonin e  motrës. Del vetë ajo. U drodha.  Jam  Nina  i thashë dhe jam në Moskë.

Kur e mora në telefon motrës  i ra  të fikët

Kam një shishe vodka me firmën e Kallashnikovit

Pengu  im  është që kam dalë në  pension  45 vjeçe

Nga Albert Zholi
 
Çdo jetë artisteje është e veçantë. Jeta e tyre, ka të pritura dhe të papritura, të menduara dhe të pamenduara, të reja dhe të vjetra, suksese dhe ankthe, këmbëngulje dhe stepje, por gjitmonë personalitete të tilla si Nina Mula kanë ditur të dalin mbi vetveten dhe të japin zgjidhet e duhura në jetë. Një nga të veçantat e Ninës është se ajo, për hir të dashurisë, la vendin e saj të dashur Rusinë e madhe dhe erdhi për të jetuar në një vend të vogël. Vend, që me kalimin e kohës ju bë atdheu i parë. Këtu ndërtoi familje, këtu mori famë, këtu korri sukseset duke lënë në atdhe njerëzit më të afërm. Një sakrificë që pakkush mund ta bëjë. Në këtë intervistë ekskluzive për gazetën, ajo ka sjellë gjithë detajet e panjohura të fëmijërisë së saj, pikësynimet që i kishte vënë vetes për të ecur në jetë dhe për të ndërtuar atë që ka sot, një familje të shëndetshme, një nga familjet më të njohura dhe më të respektuara në të gjithë Shqipërinë. Gjithmonë e qeshur, e dashur, ajo rrezaton mirësi dhe paqe. Vitet nuk e kanë rënduar, përkundrazi e kënë bërë më kërkuese, më punëtore, më aktive, më të freskët. Origjina e saj është nga qyteti ku ka lindur një nga shpikësit më të debatuar në glob, Kallnashnikovit, mbiemrin e të cilit e mban arma më e shumë diskutuar dhe me përhapje gjeografike të paparë, automatiku model 56 “Kallnashnikov”. Vitet e fëmijërisë së saj lidhen me luftën më të ashpër, më mizore, atë të Luftës së Dytë Botërore ku Rusia mbajti peshën kryesore, në shporrjen e bishës naziste.  Ditën që e lashë për të bërë intervistë për “Telegraf”, e gjeta me këtë gazetë në dorë duke lexuar intervistën që i kisha bërë gazetares së mirënjohur Tefta Radi. Pa u ulur mirë ajo e filloi vetë intervistën....

Duke lexuar intervistën e gazetares Tefta Radi në gazetën “Telegraf (së pari dua të them kam shumë respekt për këtë gazetare, për profesionalizmin e saj) më shkoi mendja tek një spiker me famë në Rusi i Radio Moskës, Levitan. Unë  këtë  e mbaj mend  në kohën kur  kam qenë në Rusi 11-12, vjeçe. Ai në kohën e luftës thoshte “Gavarit mosskja”, me tonin e tij të çuditshëm, magjik, që të impononte se patjetër duhet ta dëgjoje, sepse diçka të rëndësishme do të thotë. Në një moment të tillë e kam fiksuar zërin, tonin, rëndësinë që i jepte lajmit që do transmetonte. Një ditë e mbaj mend që nga altoparlanti erdhi zëri i tij që tha se, mbas  pak do të flasë ministri i Jashtëm i BRSS, në atë kohë Mollotov. Kjo ka ndodhur në vitin  1941. Ne ishim në park duke  luajtur dhe unë vrapova në shtëpi. Në atë kohë kam qenë në qytetin tim të lindjes Jushevsk. I thashë babait se do të flasë
 Mollotov diçka të  rëndësishme. Ai foli për shpalljen e luftës së Gjermanisë kundër  Bashkimit  Sovjetik. E mbaj mend edhe sot  zërin  e spikerit që u bë pjesë e çdo shtëpie në Rusi. Të gjithë e përmendnim çdo ditë Levitanin, sepse   ka pasur  një  zë imponues, një tingull, një ndjenjë sikur interpretonte. Kam dëgjur se edhe Hitleri e kishte synimin për ta zhdukur, e dënoi në mungesë Levitanin. Ai ishte zëri i Rusisë së asaj kohe.

Qyteti  i  juaj  i  lindjes  në  ç’pjesë të Rusisë bie?

Qyteti  im  është në  mes Evropës  dhe  Azisë. Në Malet Urale. Në jug të Uraleve është qyteti  Juzhevsk. Ky është një qytet industrial me uzina të fuqishme, metalurgji. Aty  afër  nesh është edhe vendlindja e Çajkovskit, 30 km larg  qytetit. Vendi është  jashtëzakonisht i bukur, i rrethuar me  pyje  të pafundme. Vetë industria e kërkonte këtë gjelbërim. Qyteti  edhe sot kur shkoj është shumë i dendur me gjelbërim. Qyteti është mbas Kazanjës. Kazanja  është një qytet  i  madh. Dhe 200 km  nga Kazanja është  qyteti im  Jushevsk.

Sa  fëmijë  ishit?

Ne ishim tetë fëmijë, 2 vëllezër dhe 6 motra. Në kohën e Luftës nga mungesa e ushqimit, ilaçeve, vdiqën tre fëmijë. Dy binjakë  motër  dhe vëlla kanë jetuar  nga një  vjeç dhe një motër  tjetër vdiq në moshën tre vjeçe. Dhe  mbetëm pesë, 2 vëllezër  dhe tre  motra.

Po  babai  çfarë pune bënte?

Babai  punonte në uzinë. Në  uzinë ka qenë  shef i  repartit në  metalurgjik, që prodhonte kryesisht çelik. Pastaj aty filluan të prodhoheshin  armë. Unë jam nga qyteti i Kallashnikovit. Aty jetonin  kallashnikët. Unë historinë e tij nuk e di mirë sepse kam ikur 19 vjeçe nga ai  qytet. Por mi kanë treguar miqtë dhe kam lexuar më pas.

Pra nuk e keni njohur në atë kohë  Kallashnikovin e famshëm?

Jo. As  nuk e dija që ekzistonte, sepse në atë kohë shkencëtarët ishin emra që përbënin  sekret, pasi projektonin armë. Ai është një burrë fisnik dhe shumë  i  mbajtur. Më  kujtohet  kur kemi qenë të ftuar në ’97-ën, ku kemi ikur  në  Rusi, në momentin kur bëhej dekorimi i  njerëzve më  të rëndësishëm të  qytetit. Mes  tyre   kanë qenë edhe Kallashnikovi i ftuar. Na kanë  ftuar edhe neve (mua dhe Avniun), nëpërmjet  një personaliteti që është doktor i njohur kirurg në qytet. Pra, në atë mbrëmje e njoha nga afër Kallashnikun. Bile kam edhe një shishe vodka me firmën e tij.

Dita e rënies së fashizmit

Gjithmonë më kujtohej babai. Çdo darkë ku mblidheshim së bashku atëherë radioja ishte me valë të kufizuara, të qytetit. Por jo si sot që dëgjon çfarë të duash. Atëherë dëgjonim në darkë lajmet e orës 20:00 të mbrëmjes. Më kujtohet kur rinim si të ngrirë kur dëgjonim zërin e Levitanit. Kështu të  gjithë  grumbull  ku dihej se së shpejti do të vinte fitorja. E mbaj mend se sa dëgjoi lajmin baba u ngrit dhe doli jashtë tepër i qeshur. Dëgjova zhurmën e gozhdës së portës së oborrit ku baba vuri flamurin e ri, flamurin e fitores. Na përqafoi të gjithëve. Na puthi. Sa të gëuar u ndjemë në ato momente. Më  datën 9 maj  u ngrit flamuri, ku i  gjithë  populli  doli në shesh në mënyrë spontane. Njerëzit të dobët kërcenin, këndonin, sepse kishin 5 vjet vuajtje të mëdha, materiale dhe shpirtërore. Atë natë nuk e harroj kurrë  edhe zhurmën e  gozhdës  e mbaj mend.

Si ka qenë jeta juaj në kohën e luftës?

Babai  im  ka  punuar 24 orë në  kohën e luftës. Kemi provuar skamjen, frikën. Dritaret i  mbanim  të  mbuluara me çarçaf të zinj se në rast  kur vinin avionat të mos diktoheshim. Atmosfera e luftës ishte kudo. Meqenëse qyteti  ishte larg, vinin të plagosurit, njerëz të paaftë për luftën, ku shumë u strehuan në shtëpinë tonë. Unë në atë kohë isha  fëmijë  dhe këndoja në  shtëpi.

Kush ishte kënga më e preferuar atëherë?

Në  kohën e luftës dolën këngë të shkëlqyera.
Nata  është  e errët,
vetëm era  fëshkëllen 
në  telat e korentit,
nuk  më  frikëson  vdekja,
shpesh e kemi takuar nëpër  beteja.
Këtë  këngë  e këndonte  shpesh  nëna ime  me  kitarë. Gjithmonë e kujtoj me pika loti. Nëna  ime vdiq  shumë  e re, 42 vjeçe. Ajo vdiq  nga mungesa e një peniciline. Në fillim më vdiq nëna dhe mbas dy vjetëve më vdiq edhe babai. Ato nuk  vdiqën në luftë. Nëna  më vdiq  në vitin 1946, ndërsa babai  më vdiq në  vitin 1948.

Pra mbetët jetimë....?

Ne kishim një motër të martuar në një qytet tjetër, një motër e martuar  të  qytetit  tonë. Pra ne mbetëm 3 fëmijë kur na vdiqën prindërit. Vëllai im që ishte tre vjet më i madh  se  unë  dhe i  vogli  pesë  vjet më i vogël. Ishte një jetë e tmerrshme.

Si  ndjeheshit pa  prindër  në atë kohë?

Pa prindër, në moment të duket se është një katastrofë. Prindi është dashuria, mbështetje, e  ardhmja për fëmijët. Por kur je përpara  një fakti, që  të zgjohej një krenari për prindin tënd, duhet me qenë shembull, duhet të gjesh forca. Në respekt të tyre ne kemi punuar dhe studiuar shumë. Asnjë nuk ka mbetur  pa shkollë  të lartë. Kemi jetuar me shumë  sakrifica.

Jetime, si morët rrugën e bukur të këngës?

Në  vitin ‘50,  drejtori i shkollës ku unë mësoja (nuk  më kujtohet emri i atj  drejtori), pasi më dëgjoi duke kënduar më këshilloi të mos e merrja diplomën, por të shkoja të studioja në konservator në Moskë sepse kisha zë të bukur. U  nisa në Moskë me mësuesen time, e cila më preu dhe biletën. Fitova në saj të vlerësimit të një këngëtari të madh që e pëlqeu zërin tim. Në Moskë në shkollë njoha dhe Avniun. Aty u dashuruam. Avniu kishte bërë emër në shkollë. Bile në gjithë Rusinë. Ishte i ftuar në koncertet më të famshme të atyre viteve në Moskë. I dhamë fjalën njeri -tjetrit se do të jemi gjithë jetën bashkë.

Ardhja në Shqipëri...

Po. E mbaj mend si sot. Ishte shtator i vitit 1957, erdhëm me vapor. Zbritëm në Durrës. Një port ende i çrregullt. Na pritën ngrohtë shokët e Avniut. Fillimisht erdhëm në Tiranë dhe qëndruam tek  motra  e Avniut. Mbas 2-3 ditësh shkuam në Shkodër, ku im shoq kishte gjithë familjen. Na priti  nëna, motra  dhe vëllai i Avniut. Më kanë pritur shumë bukur. Unë  atëherë nuk dija shqip, por buzëqeshja e tyre ishte gjuha më e bukur dhe mikpritja më e ëmbël. Gjeta atë ngrohtësi që më kishte munguar nga vdekja e prindërve. Largësia në këto momente sikur u largua nga qënia ime.

Cila është opera më e bukur që ke vënë në skenë që të ngjall dhe sot emocione të mëdha?

“Jonida”. E papërsëritshme. E paarritshme. Vënia në skenë e “Jolandës” ka qenë dita më e bukur për mua. Sepse është një opera me  përmbajtje shumë të bukur, muzikë të mrekullueshme. Jolanda ishte një vajzë e verbër, e cila nuk e dinte që ishte e tillë, sepse i ati, mbret, ruan me fanatizëm që e bija të mos e mësojë të vërtetën se është e vërbër. I gjithë  stafi i shtëpisë  (me të gjithë shërbëtoret)  dhe farefisi nuk kanë të  drejtë t’i thonë asaj se ajo është e verbër. Ajo duhet të mendojë se kështu  është  e gjithë bota. Aty është e gjithë  esenca e kësaj opere kaq të bukur. Në momentin që një djalë, një kreshnik ka ardhur pa leje dhe krejt pa e ditur i thotë asaj të vërtetën, vajza shtanget! Zakonisht ata që vinin pa leje në pallat dënoheshin  me vdekje, sepse   cenohej sekreti për Jolandën. E kërcënuan dhe kreshnikun, por Jolanda nuk e lejoi ekzekutimin e tij. Ka një muzikë të mrekullueshme në atë çast dhe ndërsa Jolanda prek fytyrën e kreshnikut, shprehet se ajo do të shohë nëpërmjet syve të tij. Atëherë doktori deklaron se Jolanda mund ta përballojë operacionin dhe të shohë. Ka qenë një vepër e mrekullueshme që më ka emocionuar shumë dhe kam qarë me gjithë shpirt.

Sistemi monist ka ndërpreë shumë ëndrra...

Po. Ka ndodhur dhe me mua. Më ndërpenë ëndrrën të këndoja këngë me repertor të huaj. Reformat  politike  hoqën  gjithçka dhe më në fund edhe operën  “Traviata”. Unë e kisha  kënduar  një herë  “Traviatën” në ‘65-ën dhe ishte një rivënie në skenë me regjizorin e talentuar Mihallaq Laurasi dhe piktorin Ali  Oseku. Vepra u  realizua  me një sukses të jashtëzakonshëm me një publik të etur dhe shumë të vëmendshëm. Ishte një sukses i madh ku njerëzit herë qanin, herë gëzoheshin pambarimisht. Por mbas katër shfaqjesh ky gëzim u kthye në lotë. Opera u  kritikua për  pikëpamje moderniste. E hoqën nga repertori. Më është dukur sikur më shqyen  zemrën nga trupi. Arti nuk ka kufij, prandaj është i bukur, prandaj depërton, pushton botën.

Kush ndikoi tek Inva  që të  marrë rrugën e artit?

Mendoj se ishte vetë talenti i saj i lindur. Më kujtohet që kemi  kënduar  “Rigoleton” bashkë me Avniun në ‘64 –ën, në Teatrin  e vjetër. Inva  ka  qenë vetëm 2 vjeçe. Ne po dilnim në kopësht në momentin e pushimit dhe shikoj Invën në këmbë, të shoqëruar nga disa solistë që e ngacmonin duke i thënë se ajo nuk dinte të këndonte si mami. “Unë di”, u përgjigj ajo me vendosmëri dhe nisi të këndonte meloditë e “Rigoletos”. Më pas, Inva merrte gjithnjë diçka në shtëpi e vinte si mikrofon dhe imitonte këngëtaren e njohur Milva. Ëndërronte të bëhej  këngëtare e muzikës së lehtë. Me kalimin e kohës, duke u pjekur  mbaroi shkollën  dhe sot  është këngëtare e operas, ajo që njohim të gjithë.

Kur  jeni  kthyer  në Rusi pas  përmbysjes së sistemit komunist?

Ne kemi  shkuar  që vitin  e parë  pas  hapjes  së kufijve  në  ‘90-ën, kur  kanë  ikur  vaporat  e parë. Ato ditë ishim në Durrës. Avniu na tha sikur  të shkojmë në Rusi. Me çfarë të  shkojmë i  thashë? Kur u kthyem  në  Tiranë ai  u  interesua për viza. Shkoi në Hungari  për të siguruar  vizat  për të shkuar në Rusi. Më kujtohet   për  të  prerë  biletat kemi shitur makinën qepëse. Kishin kaluar 32 vjet që nuk isha takuar me njerëzit.  Në Hungari mori në telefon ambasadën shqiptare dhe sekretari i ambasadës na doli garant. Na  shkruajti një letër  dhe e paraqitëm. Na dhanë vizat. Tani ishte e tmerrëshme  se kush do të na priste. Për të shkuar duheshin 32 orë udhëtim. Rastësisht takuam një shokun tonë të shkollës, hungarez. Ai na dha një adresë të një shqiptari që punonte në Radio Moska. Sepse s’kishte kush të na priste. Kur zbritëm në Moskë në aeroport me një emocion dëgjoj altopolantin  ku shqiptojnë emrin e Avniut. Avni Mula nga Budapesti ju pret….Ai  që punonte në radio dërgoi dhëndrrin për të na pritur, sepse vetë kishte punë.  Unë iu  hodha në qafë  pa e njohur fare sepse kishte emrin Juri, si vëllai im i vogël. Na  priti, na çoi në shtëpi. Për  fat, atje ka  pasur  telefon. Formova telefonin e motrës. Del vetë ajo. U drodha.  Jam  Nina  i thashë dhe jam në Moskë. Asaj  i ra  të fikët.

Ju keni marrë pjesë në shumë aktivitete të Institutit Kombëtar të Fëmijëve Jetimë, arsyeja?

Duke qenë jetime kam dhënë një ndihmë modeste, për të shtuar pak në ato kontakte gëzimin e këtyre fëmijëve që nuk kanë ndjerë dorën e ngrohtë të prindërve të tyre. Bashkëpunimi me z. Ilir Çumani ka qenë serioz. Aktivitete të tilla me jetimët duhet të jenë të shpeshta dhe të larmishme. Ato kanë shumë nevojë për to.

Me  çfarë merret Nina  aktualisht?

Nina merret me mësim privat. Kam dy nxënës   të vitit  të dytë. Me ta kam një kontratë 2- vjeçare  pastaj them ta lë këtë profesion.

A është marrë ndonjëherë me politikë Nina  Mula?

Asnjëherë, dëgjoj  vetëm lajmet, se çfarë ndodh.

A e shikoni që muzika shqiptare është  deformuar?

Shikoj me keqadhje. Më ka marrë malli për melodi. Duket si një muzikë që është futur në prizë dhe vazhdon ecën dhe nuk të shijon. Por kur këndojnë këngëtarët potentë ndryshon puna. Kënga shqiptare del e plotë. Me gjithë fuqinë, bukurinë, magjinë e saj.  



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora