E enjte, 25.04.2024, 09:17 AM (GMT+1)

Kulturë

Fejzë Demiri: Kujtimet

E diele, 30.12.2018, 09:39 AM


Fejzë DEMIRI

(Shkrime eseistike)

Kujtimet

Sado që kalojnë vite jete, ka disa momente kujtimesh që për ne janë të pashlyeshme dhe dinë të na shfaqen në çaste dhe situata të caktuara. Janë ato momente që ne i kemi kaluar me njerëz që në zemrat dhe mendjet tona, edhe sot e kësaj dite, zënë një vend të rëndësishëm. Çdo njeri ka këso kujtimesh. Janë kujtime që shpesh njeriun e thellojnë në një botë të pakufishme të mendimit. Ne, njerëzve, gjatë gjithë jetës tonë na shfaqen këso lloj kujtimesh, të cilat shpesh dinë të na mallëngjejnë, dëfrejnë e herë-herë na krijojnë nostalgji, emocion dhe lot malli. Ndoshta njeriut i bëjnë mirë shfaqja e momenteve dhe kujtimeve, që për të, kanë zgjuar interes dhe kërshëri të veçantë, ngase e kthejnë në vitet më të lumtura të jetës, kur botën e kuptojnë ndryshe, nga ç’është bërë më vonë. Si fëmijë, i njomë që ke qenë, ditët më të mira i ke kaluar duke lozur me shokët dhe shoqet e shkollës. Të ka interesuar loja, gëzimi dhe hareja, ngase nuk i ke pasur në kokë problemet që i ka familja, rrethi, dhe fare nuk ke menduar për problemet që më pas di t’i sjellë jeta. Ke lindur i padjallëzuar, dhe si fëmijë nuk i ke kuptuar gjërat me të shtruar, qysh nga fillimi. Sa keq që njeriu nuk mund ta kthejë kohën pas, përveç me gjurmën e kujtimeve. Po të kishte qenë e mundur, shumë gjëra do të kishin nevojë për përmirësime, dhe shumë gjëra do t’i ndryshonim apo edhe t’i nxjerrim nga ekzistenca si të paqena. Kjo gjë është e pamundur, sepse jeta nuk na e ka dhënë këtë mundësi. Ne kalojmë vite jete, ka vite e kujtime që ndoshta edhe mund t’i harrojë koha, mirëpo mund të ketë çaste për të cilat ia vlen jeta. E pra, atëherë kujtimet e veçanta janë ato që pavarësisht moshës që kemi, kujtohen të freskëta në mbamendjen e vetëdijes sonë. Ato lënë gjurmë dhe mbresa të paharrueshme, të cilat edhe pse me bagazhin e madh të viteve janë epitaf i pashlyeshëm për çdo njeri.

Zjarr zemre

Je e vetmja ajo qyshse të kam parë... bota dhe jeta për mua kanë pas tjetër ngjyrë. Ti je vetë jeta dhe frymëzimi për mua. Më beso, një çast kur ti nuk je e pranishme, jam tejet i zbrazët dhe i thyer shpirtërisht. Njohja me ty, jetës sime ia ka shtuar buzëqeshjen, lumturinë dhe vullnetin për jetë. Çdo njeri ka lindur për t’i dhuruar dashuri dikujt. Ama, unë ty të dua më shumë se dashuria. Të pëlqej më shumë se pëlqimi. Puthja është veçse një apostrof ndaj ndjenjave që unë kam për ty. Të ndjej bre, në çdo çast. Janë ndjenja çmendurie, që fjala se përshkruan dhe mendja nuk di si ta shpjegojë. Eleganca, mençuria, butësia në trup, të folur dhe shpirt të bëjnë të veçantë. Ti më je më e veçantë se veçantia, mendimbukura, që pa ty ndjej mall, nostalgjie e zjarr zemre. Ta kam “zili” buzëqeshjen, ama buzëqeshja jote dyfishon buzëqeshjen time. Lumturia jote mua më motivon. Ti je ajo femra e zjarrëpëlqimit që i jep koloritin jetës sime dhe kur të shoh ia ndryshon. Më beso edhe  në ëndërr ndjehem i lumtur kur ty të shoh, kur ti nuk je afër unë bardhë e zi shoh. Shpirti ka nevojë për dashurinë e zemrës, shpirti është i zbrazët pa ty. Shpirti është i etur sikur njeriu kur ka nevojë të pijë ujë. A mund të jetojë një peshk pa ujë? A mund të jetojë njeriu pa oksigjen? Oksigjeni i jetës sime je dhe mbetesh vetëm ti. Dashuria ndaj teje është sikurse zjarri edhe kur shuhet ai zjarr, hiri mbetet. Ose sikur ajo era e nxehtë, kohëshkurtër, që shkrin ortiqe të mëdha dëbore. Bota sillet rreth universit e s’ka se si ndryshe, edhe ndjenjat e mia të dashurisë sillen rreth teje.

Fisnikëri apo dobësi...

Secili njeri që dhuron dashuri, njësoj pret edhe të marrë atë  nga dikush. Është sikurse dikujt që i gjen para hua, që pret kohën që t’ia marrësh. Mirëpo në ditët e sotme sa e ëmbël aq edhe e hidhur qenka dashuria. Ka njerëz që japin pa rezervë dashuri, ama njësoj nuk e marrin atë dashuri, madje as nga ata që vërtet i dashurojmë. Dashuria, thuhet se, është një ndjenjë fisnike, atëherë e përse për dikë të dashurosh qenka dobësi?! Të dashurosh dikë aq zjarrtë, e nxehtësisht do të thotë ta harrosh veten, do të thotë të jetosh dynjerëzisht. Do të thotë të jesh i lumtur nga lumturia e tjetrit, do të thotë të buzëqeshësh, veçse tjetri buzëqesh. Do të thotë të ndjesh në çdo çast e frymëmarrje atë që e dashuron, do të thotë të thellohesh i tëri tek personi që e ndjen. Është ndjesi thuajse çmendurie, që fjala nuk gjen shpjegim dhe mendja s’di ta shpjegojë. Kur s’e ke pranë atë që e do zemra dhe shpirti ndihen tërësisht të zbrazët, shpirti ka nevojë për dashurinë e zemrës. Pa të është i etur sikurse njeriu që kërkon “ të pijë ujë”! Kur njeriu e ka pranë atë që e dashuron bota dhe jeta për të kanë tjetër kuptim. Të jetosh me dikë që të bën të lumtur, do të thotë të dyfishosh lumturi, t’ia shfaqësh lumturinë tënde atij dhe anasjelltas. “Bota është e madhe, ama është e vogël për ata që dashurojnë”! Kur dashuron të duket sikur ta kesh botën në duart e tua. Ani pse, një ditë do të vdesësh, ti mbetesh i pavdekshëm kur dhuron dashuri... Një lule nuk mund të rritet kur nuk e ujit, i bien gjethet dhe vyshket, ashtu është edhe njeriu i thatë dhe i zbrazët kur nuk ka dashuri. Pa dashuri je sikurse ushqimi që edhe pas ngrënies nuk ndien shije... Mbaj mend, ëmbëlsia më e madhe në jetë është dashuria. Ajo i jep frymëzim jetës, ngjyrë, peshë e rëndësi. Dashuria ia shton vullnetin jetës, pa të, beso, jeta është e zbrazët.

Letërnjoftimi i fëmijërisë

Kur erdhëm, në këtë botë, menduam se të gjitha të mirat do të na i sjellë jeta. Menduam se të gjitha gjërat do t’i kemi të gatshme, madje ndoshta edhe pa mund fare. Si fëmijë, të njomë e të padjallëzuar që ishim, mendonim se asnjëherë nuk do të kemi probleme dhe nuk do të shihnim të këqija. Me kohë dhe moshë filluam ta shikonim botën nga një kënd tjetër. Me kohë dhe moshë të pjekurisë njeriu kuptuaka gjërat ndryshe dhe më shtruar. Në këtë moshë, kuptuam se çdo gjë sado e vogël të ishte, dashka punë, mund e sakrificë. Duke u kaluar vite të tëra, përvoje dhe rrugëtimi të gjatë, kuptuam se mosha më e mirë e jetës është fëmijëria. Në fëmijëri janë çastet që zënë vendin më të rëndësishëm në mendjen dhe kujtimet tona. Sado që njeriu ka kujtime dhe përjetime me bagazhin e madh të viteve, kujtimet fëmijërore janë ato që na shfaqen përherë në kujtesë. Ato për individin zgjojnë emocion, kërshëri, nostalgji e cila herë-herë mund të të na sjellë deri në lot malli.

Të dashurosh dikë është diçka e zjarrtë, është ndjesi thuajse çmendurie që shpesh të bën të harrosh edhe vetveten. Të jetosh dynjerëzisht do të thotë të jesh i lumtur nga lumturia e tjetrit, do të thotë të buzëqeshësh nga buzëqeshja e tjetrit, do të thotë ta ndjesh në çdo çast e frymëmarrje atë që e dashuron. Në këtë rast është femra. Femra është pesha e familjes. Një familje që nuk ka së paku një femër brenda , është shtëpi e shkretë, e mbyllët dhe me ferra. Femra përbën gjysmën e shoqërisë, e cila e edukon gjysmën tjetër. Padyshim ajo që meriton respektin e tretmanin më të mirë. Çdo person në këtë jetë ka nevojë për dikë që i qëndron pranë, ka nevojë për një person që i dhuron dashuri. Të jetosh me dikë, që të bën të lumtur, do të thotë t’ia shfaqësh lumturinë tënde dhe anasjelltas. Femra, që e imagjinoj apo që dëshiroj ta kem duhet të jetë modeste, e thjeshtë dhe vetëmohuese. Edhe pse e thjeshtë me karakterin e saj, ekstravagancën ajo e ka në të folur, mendje e shpirt. Ajo di të jetë e durueshme dhe e sjellshme, aspak paragjykuese për të tjerët. Mendimbukura nuk ka nevojë edhe aq për zbukurime a makiazhe të tepruara. Ajo është e bukur, e ëmbël, sepse fjalët dhe buzëqeshja e saj ëmbëlsojnë dhe  janë fanar drite, si llambë ndriçuese që dritëson edhe zymtësinë më të errët. Paksa e llastuar, ajo është tërheqëse sepse shpirtmirësia, shpirtdritësia e buzëqeshja e saj vezullojnë yjet në qiell, që i gjithë universi t’ia ketë lakmi. Ajo nuk është egoiste, e qortueshme, e hapur në bisedë, si empatike e afërt dhe ngazëllyese. Ajo asnjëherë nuk bie pre e grindjeve, thashethemeve, ofendimeve të kota, nuk tallet me askë, edhe kur të tjerët ndoshta mundohen t’i mveshin gjëra të pavërteta dhe ta kritikojnë. Ajo është tejet e matur në veprimet e sjelljet e saj. Ajo ka qëllime dhe ide të mençura, e rëndësishme. Tek ajo është që ambienti familjar të ketë frymën e ngrohtësisë, harmonisë, lumturisë e dashurisë. Assesi të lavdërohet tek të tjerët, ajo është vetëkritikuese, mendimbukura e zjarrpëlqimit është simpatike. Atë e bën të duket bukur pamja e jashtme. Ama eleganca e saj mbetet në shpirt. Ajo nuk i nënvlerëson a përbuz femrat e tjera, kur ato e kanë si shembull, apo edhe ëndërrojnë të jenë si ajo. Në çdo rast tregon mirësjellje e vetëmohim ndaj të tjerëve, ajo ëndërron gjëra të bukura dhe të rehatshme, madje edhe kursen para për t’i blerë ato, ani pse unë nuk do të kurseja asgjë ndaj saj, sepse është po ajo që i jep ngjyrë jetës sime, ia shton vullnetin. Dhe, pa të shumë gjëra nuk do të kishin as shije. Atë e karakterizon edhe higjiena e kujdesi. Ajo dëshiron të jetojë në një ambient të pastër, merakoset dhe tregon dhembshuri për gjëra të vogla. Shpesh shfaq xhelozi pozitive, bën që dashuria të jetë më e madhe dhe pa rezervë. Mendjemprehtësia e saj bën që t’ia dijë rëndësinë gjërave me vlerë dhe atyre që gjendet afër apo larg nesh.

Mësimdhënie apo mësimnxënie efektive

Të qenit mësues efektiv do të thotë shumë. Me vetë faktin që dinamika e jetës çdo ditë e tutje, po na bën vetjak, dembel dhe të papërkushtuar sa duhet në punën apo profesionin që ne e bëjmë. Niveli i arsimit dekadave të fundit po bie dukshëm. Shkaqet e kësaj rënie janë të ndryshme, mirëpo njëra ndër to është trendi i zhvillimit të hovshëm të teknologjisë e teknikave në përgjithësi, që po na “servon” gjërat e gatshme, saqë neve nuk na duhet mund i madh, për të mos thënë fare për t’i arritur. Duke parë këtë mosinteresim, mosvullnet, mospërkushtim të nxënësve edhe një pjesë e mësimdhënësve sot nuk e ka parë të udhës të zgjojnë kurajo edhe aq tek nxënësit. Teknikat dhe mënyrat e shtjellimit të lëndës qenë shumë sipërfaqësore, jotërheqëse, joatraktive, jokuptimplota, madje herë-herë krijohet atmosferë zymtësie, monotonie e demotivuese për nxënësit. Mirëpo nëse mësuesi është i përkushtuar dhe efektiv është i kuptueshëm, i qartë, kritik dhe mbi të gjitha vetëkritik. Ai është porta që në rast suksesi është e hapur, e në të kundërtën mbyllet. Çdo shembull i mirë i tij, çdo teknikë e avancuar dhe tërheqëse lartëson dhe favorizon suksesin e nxënësve. Çdo mangësi apo mospërkushtim sa duhet i mësimdhënësit ndikon negativisht, është dëm dhe cenon suksesin e nxënësve. Mësuesi efektiv është krijues. Ai çdo herë dhuron diçka të re. Ai është komunikues, depërtues, gjallërues dhe me plot hare në komunikim. Ai nuk punon vetëm me një person, për të nuk ka edhe aq rëndësi numri. E qenësishme, sipas tij, është cilësia dhe detyrimisht të shpërblehet dija. Mësuesi efektiv asnjëherë nuk di ta bëjë, orën të lodhshme dhe të mërzitshme, ai zhvillon mendimin kritik të nxënësve, parashtron pyetje në grupe, individuale dhe në mënyrë “mjeshtërore” di ta organizojë orën mësimore. Thjeshtësia e modestia që zotëron mësuesi efektiv e bën të mundur që edhe nxënësit të ndihen më të lirshëm në shprehjen e opinioneve, ideve, qëndrimeve të tyre pavarësisht edhe nëse të pavërteta qofshin. Mësuesi efektiv duhet ta zhvillojë orën mësimore që nxënësit ta shohin si relaks, kënaqësi mirëpo në të njëjtën kohë edhe të “ushqehen” me dije e njohuri në një sërë temash, dukurish, ngjarjesh e konceptesh. Mësuesi efektiv shkëmben ide, mendime të ndërsjella. Mirëpo, nganjëherë, idetë në mes nxënësit e mësimdhënësit dinë të jenë ndryshe. Dhe, kjo bën që te nxënësit të rritet produktiviteti në mësimdhënie e mësimnxënie. Nxënësit janë më kureshtarë dhe më të formësuar në paraqitjen e ideve të tyre. Mësuesi efektiv nuk është “robot” i asaj që shpjegohet mekanikisht e sipërfaqësisht. Ai mendon dhe shprehet logjikshëm e plot kuptimësi, gjë që bën që edhe nxënësit ta thonë atë që e mendojnë dhe të mendojnë atë që e thonë.

Dhembje kohe

Në jetë shumë gjëra na ikin nga duart. Ca të tjera në pavetëdije na kapërcejnë kalimthi, duke mos i analizuar sa e si duhet. Mirëpo, ka edhe aso gjëra që  lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesë. Janë kujtime që na zgjojnë kërshëri e entuziazëm të furishëm. Kujtime këto që na lëngojnë shpirtërisht, e na shpien deri në lot malli e nostalgjie. Anipse, herë pas here, na përmallojnë lotueshëm, mendja dhe zemra kanë nevojë të merret me ato kujtime. Ato disi ia shtojnë vullnetin jetës, të bëjnë të fortë, unik dhe tejet të përmallshëm për të gjithë hapat që i ke ndërruar. Ah, sikur të kthehej njeriu edhe një herë në moshën rinore, të shtegtonte përsëri në ato kohë. Sa të mbushin me jetë e frymëzim, sa të japin guxim e shpresë, sa të ngjallin energji e forcë besimi në vetvete. Të duket sikur të gjitha gjërat janë duke ecur në favor tënd. Do të kapërceja dete, male, yje e qiej që të kthehesha edhe një herë kur ia kisha filluar në vegjëli. Çdo ditë lotoj lotueshëm. Më kaplon një ndjenjë euforie a plagomë shpirti për ato kohë. Sa keq që njeriu nuk gjen mjet as formë që të kthejë kohën pas, përpos nëpërmjet kujtimeve a përjetimeve. Sa keq që jeta nuk na ka dhuruar mundësinë e dytë t’i ndryshonim ca gjëra apo edhe t’i nxjerrim nga ekzistenca si të paqena. Sa keq që mosha rinore dhe kujtimet e fëmijërisë ikën aq turravrap, sikurse një gjethe e një peme kur bie në tokë. Sa më dhemb kur përmes një fotoje a kujtimi kthehem në retrospektivë, dhe kujtoj kohën kur me nxitim haja bukën me marmelatë dhe merrnim topin të loznim me shokë. Assesi nuk mund të harroj kur lija fare bukën e nxehtë bashkë me një copë djathë bilur e një spec turshi të bërë gati për mua. Sa çiltërisht buzëqeshnim, sa bërtitje ngazëllyese bënim... Në fytyrat tona shihej një shpirt i pastër e pa djallëzi... A thua a do të vijë një ditë kur ne anipse të rritur, të shfaqim atë sinqeritet, vetëmohim a çiltërsi të pastër të fëmijërisë?!

Kur koha largon njerëzit e dashur

Sa e hidhur të duket jeta kur s’i ke pranë ata që i do. Gjithmonë mosprania e tyre në jetë, na bën të mendohemi se sa të rëndësishëm kanë qenë ata për ne. Zbraztësia a boshllëku që ata lënë në jetën tonë është si një hallkë zinxhirore, e cila pasi këputet nuk riparohet më. Disi na rrok një mërzi a sfilitje shpirti, kur në vetëdije na kujtohen personat që fizikisht nuk janë me ne. Nga brendia na tundon një gjakim i thellë shpirtëror që së paku t’i shohim edhe një herë, sepse ikën pa na thënë lamtumirë! Sa keq që njeriu nuk ia di edhe aq rëndësinë personave që dikur së bashku me ne ishin në jetë. Sa keq, që jeta pa na pyetur na largon personat e dashur, në kohë të vagullta e të liga, kur ndoshta më së paku e prisnim. Të futesh thellë në botën e mendimit, e të analizosh çdo ditë hapat e tu. Do të shohësh që ne, si njerëz, nuk jemi qenie statike por momentale. Çdo krijesë njerëzore në botë mund të jetë buzë vdekjes dhe njëkohësisht çdo krijesë njerëzore, një ditë, herët a vonë, do ta bëjë përfundimisht gjumin e vdekjes. Ama, ajo që kërkohet nga ne është që të mos ia lëmë gjërat rastësisë a kohës, sepse në jetë nuk ka mundësi të dytë. Koha nuk është afat bankar me mundësi kthimi. Shpesh mjafton edhe një çast i vetëm që  t’i japë rëndësi një kujtimi të gjatë e të paharruar. Ta çmojmë e ta shfrytëzojmë maksimalisht kohën. Koha kalon aq shpejt kur afër kemi njerëz të sinqertë e të dashur. Sa e trishtë na duket jeta, kur ata që i kishim nuk rrugëtojnë më me ne. Do ta kemi mallin t’i kërkojmë, ama nuk do t’i gjejmë më?! Përmallshëm të kaplon një dëshirë e fortë të kthehesh në një vend që s’e ke harruar më parë, ta takosh një person që është larguar nga kjo jetë... e të rijetosh me të si dikur...

Një det kujtimesh

Ti e kupton, e dashur, se dremitjet e shpirtit nuk më lënkan të qetë në këtë hon dhimbjesh? Ti e kupton, e dashur, se zjarrëngrohtësia e dashurisë, depërtuaka gjer në palcë?  Dashuria “vret” qenien e dashur, aty ku dhemb më së tepërmi. Dashuria i ka rrënjët e thella në kujtesë, sikurse një lis qindravjeçar dhe vështirë se do të shkulen. Mos e merr dashurinë si diçka të ikur, ajo çdo ditë po rritet, se i ka thelluar rrënjët. Ti po luan me të, ama, do ta kuptosh se gjërat e rëndësishme kuptohen më vonë. Mos u “zgërdhi” në dashuri e dashur! Mos të lutem...mos...është diçka që më prek më së tepërmi. Unë tashmë e kam ndërtuar një “mur” të fortë dashurie... Të lus, të mos e shkatërrosh! Është ndërtuar me përpëlitje trupi a shpirti deri këtu... Ekrani i vetëdijes është stërmbushur me valë, që dita-ditës po shndërrohen në det kujtimesh. Mos e dashur... koha mund të të fshehë gjëra, ama unë jo ty, qenien tënde. Një ditë, edhe mund të largohem nga ti, ama, asnjë moment të pështyj në dashurinë tënde... Është dhe do të mbetet si diçka e shenjtë për mua.

Heshtje e pazbuluar

Shpesh jeta të sfidon në qindra a mijëra mënyra. Përpëlitesh se ajo, të lodhë, të mundon... Të stërmundon... Madje, nganjëherë të duket gjithçka pa kuptim, ç’sheh, ç’ndjen. Të duket edhe vetja e tepërt. Në ato raste thua me vete ,, Askush nuk do të më kuptoj mua...” dhe të tjerëve nuk u gjen mjet t’ua shpjegosh ç’ndjen ti? Fjala është një vrull i brendshëm që ne e nxjerrim jashtë e të largojmë atë që na mundon... Ama, ka raste kur edhe fjala humb peshën e vet, bëhet heshtje e pazbuluar. E kur heshtja nuk arrin të zbulohet nga të tjerët, ajo rritet, tundon thellë qenien, dhe duket sikurse ndonjë ushqim që nuk e ripërtypim si duhet e na zihet në fyt. Sa gjakim shpirtëror është për qenien kur fjalët kanë humbur ekuilibrin e drejtpeshimit, kur heshtja na është bërë misteri ynë i pazbuluar nga të tjerët.

Porosia e babait

Kur kthehem pas, në hapat e padukshëm të kujtimeve, më kujtohet dita e parë kur erdhe në këtë botë. Si fëmijë i njomë që ishe, dalëngadalë duke u rritur fillove t’i bësh hapat e parë të jetës. Vogëlushi im, qaje me dënesë për gjërat që s’i dije, që s’i njihje... Kur një fëmijë i lagjes kishte një lodër a diçka të bukur, bërtitje me lemeri që unë të ta blija. Edhe pse të varfër, e pa gjëra elementare, nuk donim asnjëherë që ty të mërzisnim. Kërkoje gjëra të shtrenjta të t’i blija. Më duhej të ecja orë të tëra duke psonisur në treg lodra e gjëra të tjera që ti i kërkoje me ngulm. Vogëlushi im, kam shkelur nëpër kohë të vështira me plot vuajtje e mjerim. Jam përpirë ndaj një mijë e një të këqijave, madje, edhe pa darkë duke fjetur, që ty t’i plotësoja të gjitha. Vogëlushi im i përjetshëm, paska dashuri në jetë që kapërcejnë fusha, male, kodra, lumenj. Këso dashurie që prekin qiellin, yjet, planetet, universin. E tillë është edhe dashuria ndaj teje vogëlush. Në botë nuk mund të ketë dashuri më të pastër e të çiltër, sikurse dashuria e prindit për të birin. Birim im i shtrenjtë, pavarësisht se tani je rritur dhe je i vëmendshëm për të gjitha në jetë, për mua, je po ai vogëlushi që ardhja jote në jetë solli pranverë e gjallëri në shtëpinë tonë. Biri im, kam përjetuar gjëra nga më të ndryshmet, shpesh me fatin kam zënë në thua. Kemi jetuar në kohëra të vështira, ku për një fjalë dënoheshe me vdekje. Shpesh jam shtrydhur në mendime që situatave të jetës t’u dal mbanë, ku kam punuar me orë të tëra t’u rris ty dhe familjen. Jeta e stërmunduar më ka katandisur shumë, mirëpo më ka mësuar që nga jeta të mos largohem i koritur. Biri im i përjetshëm, tani unë jam plakur dhe e ardhmja të takon ty dhe pasardhësve tu. Jeta nuk është vetëm diell e kaltërsi, shpesh hasim ditë me vranësira shi, borë, breshër e mjegullnajë. Kështu janë edhe njerëzit jo të gjithë të duan me qëllime të pastra, prapa dashuriçkave të tyre fshihen inati, smira e xhelozia. Por, asnjëherë gjykimet dhe opinionet e të tjerëve nuk duhen të bëhen realiteti yt. Jetën tënde askush më mirë se ti nuk mund ta jetojë! Ti ji vetvetja! Ke besim në hapat e tu, mos të gjunjëzojë çdo gjë që ta pretë rrugën. Biri im i shtrenjtë, të dish ta shfrytëzosh kohën dhe ta menaxhosh atë është primati më i çmuar në jetë. Asnjëherë mos ia lerë gjërat kohës apo rastësisë. Suksesin nuk e sjell dembelizmi, rehatllëku dhe rastësia, por atë e sjell puna e palodhshme, vullneti dhe përpjekjet e vazhdueshme. Askush nuk është bërë i arrirë brenda nate, dhe askush nuk e ka gjetur suksesin në raftet e dyqaneve. Biri im, ta duash dhe ta çmosh tjetrin, në rrugën e suksesit, edhe vetë je i ndihmuar. Ndihmoji të tjerët, ji shembull për të mirë, se secila dorë ka nevojë për tjetrën. Duhet të dish se jo të gjitha buzëqeshjet janë të sinqerta, por ka nga ato që fshihen një sërë helmesh e demaskimesh prapa shpine. Me gjërat duhet sprovuar: “Një kripë me masë i jep shije gjellës, kur rritet në sasi të bën të helmuar”. Biri im, do ta shikosh veten çdo ditë në pasqyrë e asnjëra nuk do të ngjajë me tënden! Askujt mos i beso më tepër se syve tu ç’sheh e ç’ndjen! Mos harro, sot realiteti shtrembërohet në mijëra mënyra. Gjithmonë pas diçkaje fshehet diçka edhe më e thellë që ti nuk e sheh?! Hiqu thashethemeve e përgojimeve pashë nderin! Ato janë për njerëzit e ligj e pa qëllim. Do të dërgojnë në mosarritje e buzë greminës. Do të ketë njerëz që do të ledhatojnë, e, pas shpine do të pështyjnë gjak e vrer për ty. Por, kjo nuk duhet të të shqetësojë se ata do të mbesin ashtu të dështuar. Biri im, e di se do të përballesh me problemet dhe peripecitë që i sjell jeta, ama asnjëherë le të mos pengojë e kaluara dhe problemet që kanë ndodhur, le të mbyllen një herë e përgjithmonë me një dry të fortë harrese! Asnjëherë mos u bëj kopje apo imitim i diçkaje, ngase secili duhet ndjekur unin e tij. Mos u ngop së punuari! Mos u kënaq me atë që e ke! Gjithmonë ka vend për më shumë.

Biri im, JETOJE JETËN ME NDER!

Vogëlushi im

Vogëlushi im, ti engjëll i dëlirë, ke ardhur në jetë i pastër pa demaskime dhe asnjëherë i qullosur. Me kohën dhe ravijëzimin e viteve gjërat ishin ndryshe, jo ashtu qysh ti i mendoje. Vogëlushi im, je krijuar nga dashuria, ke dhuruar tek të tjerët dashuri. Dhe, njëmend ke menduar që vetëm dashuria krijon gjërat e mira. Po, vogëlushi im, ashtu edhe është, ama, mos harro një gjë: “Jeta më së shumti i përbaltos të mirët. Kjo botë baltake dhe e pashpirt do të mundohet të të hedhë nga binarët e tu të mirësisë. E di, që nuk je mësuar e as nuk e ke menduar se kështu do të jetë, edhe atëherë  kur mundohesh dikujt as mizën nga trupi të mos ia heqësh. Do të ofendojnë në mijëra mënyra: dashakeqësit, urrejtjegërryesit e smirëzinjtë. Vogëlushi im, padyshim e di, që kjo për ty është si të të rrokullisej një bjeshkë e tërë. Por, ti prapë je ndryshe në qenien tënde të padjallëzuar të mundon një gjakim i thellë shpirtëror, zihesh ndër vete e skuqesh nga turpi. Fytyra jote e sinqertë vogëlush, flet më shumë se fjalët që i thua ti. Në sytë tu jetëdhënës shohë një plagomë të thellë e të fshehtë. E di, që me fjalë nuk shprehesh edhe aq se gjërat që nuk thuhen i kupton më së miri heshtja. Vogëlushi im, i ke parë gjërat që nuk përkojnë me njëra-tjetrën, i ke parë sa disbalance sa urrejtje, sa inate kemi në shoqëri?! Qysh e nënçmojmë tjetrin, sa përgojime e thashetheme me konotacione negative bëjmë. E kemi halë në sy njeriun që sadopak arrin dhe bëhet i suksesshëm. Vogëlushi im, i përkorë, në jetë secili vimë për diçka, e, secili nga ne duhet ta ketë nga një qëllim. Kur them qëllim, jo qëllime të atyre njerëzve meskinë e synimeve të tyre mediokre, por vizion i qartë për të arrirë në piedestalin më të lartë të suksesit e arritshmërisë. Mos bjer pre e përgojimeve a vibracioneve të ulëta të njerëzve qëllimkëqij, mizantropë e të shushatur. Ka të atillë që gëlojnë si gjethet të të devijojnë ty nga trajektorja e suksesit dhe mundohen me çdo kusht ta zvetënojnë qëllimin tënd. Por, natyra jote, vogëlush, thotë krejt diçka tjetër. Pasioni dhe vullneti yt për të arritur më të mirën, ka mbirë thellë në qenien tënde  dhe si vullkan shpërthen çdo ligësi dhe tejkalon çdo barrierë që mund të pengojë udhëtimin tënd të shenjtë. Vogëlushi im, i shtrenjtë, në jetë je krijuar për të arritur. Duaji me pasion e shpirt gjërat me vlerë! Puno çdo ditë dhe ndihmoju edhe të tjerëve në rrugën e suksesit të tyre! Luftoji padrejtësitë që bëhen! Mos hiq dorë asnjëherë nga ajo që për ty ka vlerë dhe zgjon kërshëri! Të kam thënë: Në jetë vimë për diçka e secili duhet ta kemi nga një qëllim, ngase vetëm qëllimi i bën njerëzit të dallueshëm dhe të veçantë. Pa të, më beso...edhe bota do të kishte humbur kuptimin.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora