Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Entela Binjaku: Kjo dhimbje që la pas babai...

| E premte, 28.12.2018, 04:59 PM |


Kjo dhimbje që la pas babai...

Nga Entela Binjaku

“U rrita nga një baba i munduar, pasi nëna e kishte lënë jetim që 3 javësh....Babai jetoi me ne deri këtë 31 gusht 2018, ditë kur u nda nga jeta.

Kështu do të kishin qenë disa rreshta nga ditari im nëse edhe unë duke imituar tim atë do të kisha shkruar ndonjëherë për veten....

Këtë vit humba babain, në 1 shtator e pashë për herë të fundit dhe prej asaj dite jam në luftë të përditshme të përballoj një dhimbje kaq të madhe dhe të panjohur,  me shpresën se do të mësohem një ditë edhe me mungesën.

Kur punonim bashkë, ai lexonte dhe unë i shkruaja në kompjuter, ma thoshte sa herë: “ka bërë emër babai, nuk ju lë kështu”. Ai kishte nje vullnet që nuk e kam parë askund, vendosi të lërë  duhanin 20 vite më parë dhe nuk ju rikthye më,  pastaj vendosi të lërë alkoolin dhe as atë nuk e provoi më, më pas nisi një regjim të fortë ushqimor që e mbajti 7 vjet, punoi pa ndalim në makinë shkrimi,  aq sa ende pa zbardhur ai kishte nisur të shkruante.  Jetoi me një pasion që nuk e përmendi kurrë moshën, as nuk e dëgjova njeherë të thoshte jam i vjetër, apo jam i sëmurë. Kurrë. Ditën që vdiq...Nuk më besohej që ai ishte pa jetë, kur nuk e shihja disa minuta më dukej sikur po më ikte nga sytë. Nuk jam shumë e zonja në të qarë sic zakoni e do, por unë vetëm ashtu dija, nuk besoj se ka një mënyrë tjetër pervec asaj që ndjen.

Në këto muaj të parë pas vdekjes bashkë me dhimbjen  kalova në disa faza. Në fillim ishte si të kisha një plagë në trup, dhe çdo ditë që kalonte më dukej sikur po shërohej, më pas dhimbja   më merrte frymën, më shtrëngonte, nga kjo shpëtoja vetëm kur shkoja në varreza. Varrezat që ishin ai vendi i frikshëm, tani më janë bërë vendi i parë që mendoj kur shkoj ne Fier. Edhe varrin e babait e dalloj që larg. Edhe tani më duket e shoh.

Me kalimin e ditëve dhimbja lehtësohej, por lotët nuk i kam mbajtur  para askujt. Kam qarë thuajse para të gjithëve kur e mendoja, kur takoja dikë që më pyeste si kisha qenë. Kam qenë duke bërë grimin para ndonjë emisioni dhe kam qarë, ose kur beheshim gati për ndonjë intervistë, edhe aty kam qarë, e pastaj i jepja forca vetes dhe vazhdoja punën, por edhe tani që po e shkruaj këtë, njëlloj.

E vetmja gjë që më ndihmoi këtë periudhë ishte dokumentari për të. Vetëm kur e mbarova e kuptova se puna për këtë dokumentar ma kishte berë këtë periudhë më të lehtë.

Skenarin nuk e ndryshova thuajse fare nga versioni i parë, besoj se e  kam pasur në mendje vetëm ashtu. Ditën që puna ime mbaroi, ishte një trishtim i ndryshëm, por prapë i ngjante dhimbjes. Tani mezi po pres ta ndaj me të tjerë. Do doja që njerëzit të ishin kuriozë të të njihnin më shumë.

Vdekja është një gjë shumë e madhe, nuk përballohet dot vetëm. Në fillim nuk di si të sillesh as me të, as me veten e as me të tjerë. Pastaj vendos të dalësh prej saj. Unë të paktën këtë bëra, këtë po bëj edhe tani.

Unë isha shumë e lidhur me të, ditët e fundit para se të shkonte në koma ai më kërkonte vetëm mua. Njeherë po flija te krevati ku flinte ai në ballkon, ai mezi erdhi nga dhoma deri aty, tani që e mendoj, ja ndjej edhe hapat,  dhe kur më pa duke fjetur, i tha motrës “lerë te flejë”. Si nuk harroi të ishte prind edhe në atë gjendje?

Nuk i kisha menduar asnjëherë këto që po shkruaj, por në gjithë këto muaj më duket sikur nuk jam shprehur.

Varrezat janë bërë mendimi i parë kur shkoj në Fier.

Kam ende dy imazhe që nuk më hiqen nga mendja: vendi ku ishte vendosur njoftimi dhe hyrja nga ku doli për herë të fundit...nga ato besoj se nuk do shpëtoj dot shumë kohë, edhe pse jam munduar edhe për këtë.

Dokumentari mendoj se ka dalë mirë, do doja ta kisha bërë më parë. Të paktën ta dija që do e kisha gëzuar dhe në fund kur ta shihnim bashkë të vinte drejt meje duke qeshur...”Për mua e kishe bërë këtë?

Si nuk e mendova më parë!!! Po kujt ja merrte mendja që do shkruaja edhe kështu....i dashur baba?!