E enjte, 25.04.2024, 02:47 AM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Bilal Xhaferri - Ra Berati

E premte, 28.12.2018, 01:37 PM


Vështrim mbi romanin  “Ra Berati” të  Bilal Xhaferrit

Sprovë

Nga Prof.dr. Resmi Osmani

Bilal Xhaferri, “Nderi I Kombit”, (1935-1986), po të jetonte do te ishte tetëdhjet e tre vjeç.Në vitet e pakta kur krijoi, ai na ka lënë trashëgiminë  letrare, që përbëhet nga një trinitet: romani “Krastakraus”, vëllimin me poezi “Lirishta e kuqe “ dhe vëllimin me tregime”Njerëz të rinj tokë e lashtë”. E tërë krijimtaria e tij, tashti së voni, është përmbledhur në një botim me pesë vëllime, nën kujdesin e Prof dr. Bashkim Kuçukut.

Megjithatë, ky shkrimtar i shquar, vazhdon të mbetet për lexuesin e sotëm,  pak i njohur dhe pak i lexuar.

Objekt të kësaj sprove,do të bëjmë romanin,që në fillim e quajti “Krastakraus”(Kreshta e Krujës) dhe më pas titullin e ndrroi në “Ra Berati”

Bilali e shkroi shpejt e me ngut romanin, për konkursin e vitit jubilar të 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut.Pjesa e pare e romanit, perfundoi në muajt e parë të vitit 1968. E paraqiti në shtëpinë botuese. Redaktori e pëlqeu dhe e vlerësoi si një krijim shumë të arrirë. I dhanë dhe një paradhënie. Romani u miratua për botim. Por pas diskutimit të tij ne Lidhjen e Shkrimtarëve për romanim “Dasma” të Kadaresë, botimi u ndalua. Për të nis kalvari i persekutimit:  u internua dhe ju hoq e drejta e botimit. Sigurimi i shtetit e përndiqte. Që t’i shpëtonte burgut, në shtator të vitit 1969 u arratis.

Bashkë me autorin edhe romani pati kalvarin e tij.

Bilali, veç kopjes së dorëzuar në shtëpinë botuese, kishte dhe dy të tjera. Njërën ja dorëzoi për ta ruajtur të kushërirës, gazetares Ballkiz Halilit.Tjetrën e mbajti vetë dhe e mori me vete kur u arratis per në Amerikë.

Romani mbeti i panjohur.  Për tu botuar , priti 25 vjet, vitin 1993. Këtë vit, zotëruesja e së vetmes kopje, Ballkiz Halili, plotësoi amanetin e Bilalit, që nuk jetonte më . Tok me shkrimtarin Shefki Hysa, bënë redaktimin dhe e hodhën në qarkullim. Romani u bë pronë e lexuesve. Në vitin 1995 u botua edhe ne Kosovë me emërin “Ra Berati”.

E lexova fill pas botimit dhe u mrekullova. I jam rikthyer shpesh dhe çdo herë gjej në të vlera të reja. Me studimin dhe evidentimin e vlerave të këtij romani, janë marrë disa studjues si A.Kallulli, Sh.Hysa, S. Hamiti, B. Kuçuku, V.Muça    etj, që secili në këndvështrimin e vet ka hulumtuar e vënë në dukje veçoritë dhe mesazhet që ky roman i përcjell lexuesit, bukurinë artistike dhe stilin e veçantë. Por shqyrtimi i një vepre letrare, asnjëherë nuk është shterrues.  Impresionet dhe kënaqësinë artistike që më ka dhënë ky roman, ashtu si i gjykoj,  vendosa ti ndaj me lexuesit.

Subjekti i romanit, është historik dhe është marrë nga epoka zulmëmadhe e Skëndërbeut. Është një roman shumëplanesh, që  pasqyron me realizëm kohën së cilës i përkushtohet, në mbarë hapsirën arbërore, por kryesisht luftën për jetë a vdekje kundër barbarisë turke. Kohës së luftës së shqiptarëve, sa tragjike dhe dramatike, por ndryshe nga autorë të tjerë, ai ka zgjedhur të shkruajë një fragment të trishtuar të asaj epopeje. Njerën nga humbjet më të mëdha e të përgjakshme. Betejën fatkeqe, nën muret e kalasë së beratit dhe zallishtet e lumit Osum, ku lanë jetën dhjetë mijë luftëtarë shqiptarë dhe dy mijë artilierë napolitanë.Pas kësaj humbjeje vijnë braktisjet e princave bashkëluftëtarë dhe tradhëtitë.Moisi Golemi u hodh me turqit dhe u hapi rrugë tradhëtive që do të vinin më pas.Lek Dukagjini, në ruajtje të interesave të principatës së vet u tërhoq nga lufta. Venediku intrigonte dhe bënte lojë të dyfishtë.Papa dërgonte bekime apostolike. Burimet ekonomike dhe njerzore po shterrnin. Fati dhe liria e vendit ishin në rrezik Skena ku luhet drama e braktisjes vendoset,  në Lezhë, aty ku u lidh  më parë besëlidhja.Duhej zgjedhur midis jetës dhe vdekjes, lirisë dhe skllavërisë, shpresës dhe guximit apo disfatizmit, barbarisë që vinte nga shkretëtirat e Azisë apo, përparimit dhe qytetrimit europian. Pas takimit në lezhë dhe braktisjes nga lek Dukagjini, I mbetur pa ndihma, vjen vendimi si një klithmë e shpirtit: Do shembemi e do të mbulohemi nën muret e kështjellave tona, por nuk do të bëhemi kurrë”Skllevër të lumtur” nën pushtimin e armikut. Kryetrimi zgjodhi qëndresën dhe luftën. U humb kalaja e Beratit por jo kalaja e besimit! Besim, besim! Ai nuk u braktis nga populli i tij që i shkoi pas. Bashkë me besimin fitoret u kthyen përsëri.

Vetvetiu lidd pyetja: Përse autori zgjedh pikërisht këtë periudhë të zymtë, humbjeje e dëshpërimi të Skënderbeut dhe jo një periudhë tjetër heroike e me fitore të bujshme që nuk mungojnë në luftërat e tij? Besoj se kjo zgjedhje është refleks i bindjes dhe jetës së autorit. Sado e çuditshme të ngjajë, i tërë romani është një metaforë e luftës së të mirës me të keqen, e jetës me vdekjen. Midis këtyre dy mokrave shtypëse, duhej gjetur edhe pak hapësirë për gëzim dhe dashuri, për të zbutur dhimbjen dhe helmin e jetës. Për lumturi as duhej ëndërruar.Për vëtë shkrimtarin e vlen të përmëndim se jeta ishte një katastrofë. Mallkimi i luftës së klasave dhe përndjekjet nuk i ndaheshin.Të njëjtin fat kishin edhe të motrat dhe të afërmit e dashur që u burgosën apo u internuan. Rinia e tij, nuk ishte pranvera e jetës, por një vjeshtë e trishtuar që do të kthehej në dimër të acartë. A nuk ishte jeta nën sistemin totalitar një “Skllavëri e lumtur”?. I ndodhur në këtë gjendje dëshpëruese e thuajse të braktisur, atij i lindi pyetja:Të dorëzohej, të bënte një jetë të rëndomtë, të vegjetonte si një frymor, apo të luftonte për jetën dhe artin e tij? Për t’i dhënë përgjigje kësaj dileme, ai pa prapa dhe i kërkoi heronjtë në të tjera kohë dhe përgjigja ishte një: Qëndresë dhe vetëm qëndresë! Këtë duhet t’ua kumtonte të përndjekurve dhe të dëshpëruarve të tjerë. Arma  e tij e luftës ishte arti I fjalës. Fitorja me siguri një ditë do të vinte. Ai besonte në këtë. Parë në një rrafsh më të gjerë, lexuesi i kultivuar të cilit i drejtohej, do të dinte të lexonte midis rreshtave atë që nënkuptohej.

Personazhet. Janë thuajse të pakët, gati gjysma e tyre nab ëhen të njohur që në faqet e para. Janë njerëz të thjeshtë, ushtarë, oficerë, malësorë por edhe klerikë, vajza të popullit, por edhe gjeneralë, princër , princesha e fisnikë. Këta personazhe, me individualitetet e tyre, i mjaftojnë autorit që të paraqesë shoqërinë shqiptare të asaj kohe, me shtresimet shoqërore, psikologjike e morale. Personazhet autori i ka paraqitur dhe tipizuar në funksion të zhvillimit të ngjarjeve dhe ideve që ka dashur të materializojë. Ata janë të gdhendur si me daltë, me veçori e individualitet të spikatur, që me ligjërimet dhe veprimet e tyre, të bëjnë të mendosh dhe ti kujtosh gjatë. Pa u ndalur te secili personazh me veçotitë e tij vetiake, të dhënë mjeshtërisht , le të ndalemi te Skënderbeu, që në roman është e ndryshme nga ajo sesi ishte bërë zakon të shkruhej për të, si një prijës I idealizuar dhe I kthyer në mit.

Skënderbeu edhe pse fizikisht shfaqet ne kreun e tretë, me emrin, bëmat dhe lavdinë e tij, është i pranishëm si një jehonë, nga kreu deri në fund të romanit, si shpirt i luftës dhe qëndresës shqiptarte. Është e rëndësishme të theksohet dhe të vihet në dukje se autori nuk e idealizon as e mitizon heroin e vet, ai nuk është hero, mbinjeri, por një njeri gati i zakonshëm, i lodhur dhe i dëshpëruar nga prapësitë e fatit, brakltisja e bashkëluftëtarëve dhe tradhtitë, intrigat dhe dredhitë, por që ka marrë përsipër një vepër të madhe: Luftën e arbërorëve kundër perandorisë më të madhe të kohës, jo vetëm për të mbrojtur popullin dhe vendin e vet, por edhe qytetërimin perëndimor. Lexuesit gati I dhimbset dhe ndjen keqardhje per të. Duke e ditur se lexuesi ka formuar një stereotip për portretin nga paraqitjet e shumta të Skënderbeut ne artet figurative, autori e shmang përshkrimin e portretit fizik dhe pamjes, por me disa detaje, paraqet nëpërmjet së veçantës atë që është tërësore, ose që lexuesi nuk e di. Kur pyetet një ushtar nga vasha e tij sesi është Skënderbeu ai përgjigjet”Si një luftë”.Kaq. Një fjalë e vetme, por një simbol i fuqishëm që nxit fantazinë dhe përfytyrimin për një prijës luftëtar. Në Lezhë ai duket sikur bëhet njësh me shkëmbin ku është mbështetur. Aludimi dhe paralelizmi këtu është fare i qartë. Zëri I tij ishte një zë basi, i gjerë,si një kambanë bronzi. Paraqitet i thjeshtë e si njeri në nevojë, që përjeton me dhimbje dramën e popullit të tij, duke fajësuar edhe veten për vuajtjet që i kishte sjellë. Ai në Lezhë, pa qibër e krenari, e pranon se ka shkuar të kërkojë ndihmë. Ai ndjehet disi në faj, dhe e sheh veten si “Të mundur e dëshpëruar”. Megjithatë, bota e tij shpirtërore është e pasur. Ai e di se populli beson shumë te ai, prandaj edhe ai duhet të besojë shumë te ata. Ai vërtet është prijës, por luftën e bëjnë malësorët dhe fshatarët, ajo ka karakter popullor dhe se ajo luftë bëhet për lirinë e atyre malësorëve dhe fshatarëve.

Kjo mënyrë e parsqitjes së figurës së Skënderbeut, është bërë qëllimisht, kundër kultit të individit, glorifikimit  të prijësit,”Njëshit”, për të rrëfyer lexuesit se nuk janë cilësitë e rralla e të jashtëzakonshme vetjake burimi I heroizmit, por karakteri dhe qëllimi I luftës, besimi në drejtësinë e kauzës, përfaqësimi I interesave të popullit, sigurimi I lirisë së tij dhe vendosmëria për ti realizuar ato. Këtu ishte çelësi I fitoreve kundër një armiku barbar e shumë më të madh në numër e në fuqi.

Me shumë art, dashuri e përkushtim janë trajtuar edhe personazhet e tjerë, ata që vijnë nga radhët e popullit, qofshin oficerë apo ushtarë të thjeshtë. Virtytet e tyre janë nderi, burrëria, besnikëria, bindja, ndjenja e detyrës deri në vetsakrifikim e flijim. Megjithse të përfshirë në luftë ku gjaku derdhet lumë dhe trupi u mbulohet me plagë, ku jetën një fill e ndan nga vdekja, atyre nuk u thahet shpirti, por mbeten njerëz me botë të pasur, me shpirt të ndjeshëm , që dashurojnë dhe urrejnë dhe që shkojnë drejt rrezikut përballë armikut ”Me dhanë jetën si me le”në mbrojtje të lirisë dhe të atdheut. Me këtë autori don ti thotë lexuesit se ishin këta trima dhe bij të popullit, gjëja më e mirë e tij, palca e ushtrisë, që në kohë të hershme apo të vonshme, sa herë që atdheu ka dhënë kushtrimin, kanë derdhur gjakun për të çimentuar  themelet e Shqipërisë. Ky ishte çmimi I lirisë!

Personazhet femërore trajtohen me shumë fisnikëri, delikatesë dhe dashuri. Ajkuna është e bukur si e dalë nga përrallat e zanave.Bora,simotra e dashur e Stresit, është rrezatuese, e dashur, e ndjeshme, fisnike, Ela përfaqëson vajzat e vegjëlisë, të popullit. Nxjerrja në reliev e hijeshisë dhe bukurisë femrore, është pjesë e asaj dashurie dhe përkushtimi  që Bilali kishte për motrat e tij fatkeqe , jeta e të cilave qe e mbushur me halle e derte.

Lufta dhe betejat. Lufta është strumbullari i romanit. Si një gjeratore e përbindshme, për njëzet e pesë vjet, ajo gëlltiti jetë njerëzore dhe gjithë burimet ekonomike të vendit. Ç’do brez bëri betejën e tij dhe i pagoi luftës haraçin e gjakut. Luftën autori e sheh si një të keqe të domosdoshme. Edhe Kastrioti në një çast dobësie(kishte dhe ai të tilla) pyet veten “Pse e ngriti ai në këmbë këtë popull, në një gjakderdhje të tillë të tmerrshme? Përgjigja duhej kërkuar te mbrojtja e lirisë, nderit, trojeve, gjësë e pasurisë nga hordhitë e turqve që vinin valë-valë nga thellësia e Azisë, me flamurin e gjysmëhënës,të shtyrë nga lakmia per pushtim hapësirash dhe pasurisë së kombeve të tjerë, për t’i vënë nën thundër popujt, për t’i vënë nën vargonj burrat e gratë që t’i shisnin në tregjet e skllevërve. Prandaj duhej luftuar. Shqiptarët, njerëz të lirë e krenarë,  gjetën te Skënderbeu  prijësin e luftërave të tyre.

Xhaferri, ka zgjedhur dy beteja të kësaj lufte: disfatën e Beratit dhe luftën e Oranikut. Të parën për të rrëfyer se humbja e një beteje, nuk është humbje e luftës dhe se me humbjen e një beteje, me rënien e nje kialaje, nuk duhet humbur kalaja e besimit! Për të është i papranueshëm disfatizmi. Lufta e Oranikut, mbyll pjesën e parë të romanit. Xhaferri me mjeshtëri të habitshme dhe forcë të madhe krijuese arrin që në faqet e fundit të romanit të na japë atmosferën, gjëndjen shpirtërore të luftëtarëve para betejës, psikologjinë, ankthin e pritjes, padurimin për tu ndeshur. Beteja e oranikut jepet si një ndeshje për jetë a vdekje. Oraniku ishte pragu i atdheut. Autori na thotë:”Beteja e Oranikut duhej fituar, po të mundeshin këtu, nuk kishin ku të shkonin më. Këtu ishte pragu i shtëpive të tyre, këtu ishte pragu i zemrave të motrave të tyre, të grave dhe nënave. Këtë e dinin të gjithë, se po të mos e dinin, ishte e kotë të qëndronin e të luftonin për të fituar” Beteja dallohet nga disa karakteristika që rrëfejnë mjeshtërinë autoriale dhe pikpamjet e tij në rolin e prijësit dhe masës në luftë, parësore del masa e luftëtarëve. Beteja dhe fushëbeteja janë epike, duket sikur zhvillohet në një dekor të vendosur midis tokës dhe qiellit, ku lufton gjysmëhëna me shqiponjën dykrerëshe. Ku përzjehen njerëz, kuaj, vringëllima armësh, ku janë të pranishme shtrëngata, mugëtira, rrëketë e shiut, pishtarët e vetëtimave, furtuna, breshëri me shkëlqim verbues, ylberi si një hark triumfi e lavdie. Në këtë sfond gati surreal ushtarët kacafyten për jetë a vdekje, pellgjet mbushen me ujë e gjak. Kuajt kapërcejnë mbi trupat e të vdekurve. Mund të them, se pershkrimi I kësaj beteje është një model I paarritshëm, i denjë për tu krahasuar vetëm me ato të “Luftës dhe Paqes “ të Tolstoit.

Si në gjithë romanin, edhe në këtë betejë, autori i shmanget mitizimit të figurës së Skënderbeut. Ai i printe ushtrisë në këtë luftë, por nuk duket në episode luftarake me bëmat dhe trimërinë e tij. Ai është symbol i asaj lufte dhe shpirti i ushtrisë. Këtë autori e rrëfen me dy pamje kalimtare por shumë domethënëse: në kampin e fushimit të Oranikut, shatorrja e madhe dhe e kuqe e Kastriotit, ndrinte si një diell. Nën harkun e ylberit, në mes të fushës së luftës, duket një përkrenare me brirë dhie që ngrihej pranë flamurit me shqiponjën dykrenore.

Tradhëtia. Kjo fjalë me peshë të rëndë emocionale dhe përcaktimore, pluskon në dallgët e romanit në caste sprovash, dëshpërimesh dhe humbjesh.Në Berat, në Krujë, në Lezhë dhe Oranik. Ajo fytyrëzohet me Moisi Golemin, më pas me Hamza Kastriotin, Lek Dukagjinin. Duke u zhytur në thellësi të historisë së etnosit, Xhaferri mençurisht ka arritur të kapë disa përhershmëri që shfaqen në mënyra të ndryshme dhe në vijimësinë e kohëve, pavarësisht nga ndryshimi i tyyre,ato kanë të njejtin cilësim: tradhëti. Etnosi Iliro-arbëror-Shqiptaqr, në udhëkryqet e historisë së tij të lashtë apo moderne, shumë herë është gjendur i tradhëtuar. Këto tradhëti u kanë kushtuar atyre  lumenj gjuaku dhe humbje të territoreve.Në luftën Iliro-Romake, mbretëreshën Teuta e tradhëtoi gjenerali i saj Dhimitër Fari, në kryengritjen dardane kundër romakëve tradhëtoi njëri nga Batot. Edhe pas Skënderbeut, tradhëtitë kanë vijuar: Ali Pashën e Janinës e tradhëtoi Omer Pasha Vrioni, me armën e tradhëtisë luajti edhe Esat Pashë Toptani. Tradhëtarë e kuislingë pati edhe gjatë pushtimit faqshist. Tradhëtarë dhe “armiq” zbulonte regjimi komunist që nga paranoja e frikës shihte kudo tradhëtarë, në një kohë që këtij  populli i kishte bërë tradhëtinë më të madhe, që në vend të demokracisë së premtuar, e vuri nën sundimin e diktaturës.

Autori, pikpamjen e vet për tradhëtinë na e jep me fjalët e kapiten Stres Pirolit.”Tradhtia-mendonte Strezi- kështu i ka ndodhur gjithmonë popullit tonë, që nga kohët më të largëta e deri sot. Sa herë që gjoksi i tij mbushet me shtrëngatën e lirisë, pas shpine përdridhet gjarpri i reumatizmës së tradhtisë, që i paralizon shtyllën e kurrizit. Tradhtia! Ah sikur ta shtypja me dhëmbët e mi kokën e këtij gjarpri!” Xhaferri bën thirrje: njerëz, jini syçelët!

Dashuria. Dashuritë në jetën e Xhaferrit ishin të pafat.Në moshën e rinisë, autori pati disa vajza. I deshi me shpirt dhe i bëri heroina të poezive dhe tregimeve të tij, por ajo tingëllon me trishtim e shprehet me dhimbje që hap plagë në shpirt e jo si lumturi. Dashuria që  është e pranishme në gjithë faqet e romanit, e kanë emrin Ajkuna dhe Eli. Ajkuna bijë e një familje princore, e bukur si zanat e përrallave, e mençur, e ndjeshme, e dhimbsur, dashurohet me kapiten Stresin, djalë nga populli. Eli vajzë nga populli dashurohet me ushtarin,luftëtarin e thjeshtë. Mund të themi me bindje, se faqet ku përshkruhet dashuria e dy të rinjve Stres-Ajkuna, janë nga më të bukurat e letërsisë shqipe. Të frymëzuara, plot ndjenjë, dridhje e tërheqje shpirtërore pasionante, me atë molisje të ëmbël por të përmbajtur e të qetë, pa hove e dalldisje. Janë si një fllad që fryn në roman për të shpërndarë mjegullën e zymtësisë dhe për të shkrirë akullin e dhimbjes së shkaktuar nga humbja e njerëzve të dashur në luftë. Janë ca çaste lumturie në detin e së keqes që kish pllakosur vendin.

Stili dhe mjeshtëria artistike.Edhe pse e shkroi me ngut, në këtë roman, Bilal Xhaferri paraqitet si një stilist befasues, njohës dhe përdorues mjeshtëror I shqipes së bukur, si një yll i ndritur në yllësinë e shkrimtarëve bashkëkohorë. Fjala e bukur, e zgjedhur, e bën fjalinë tingëlluese. Është si kërkuesi i arit , që shplan e shosh rërën për të gjetur kokrrizat e arit, qëmton nga shqipja fjalën e duhur.Fjalitë janë si ca vargje rruazash,ku janë varguar margaritarë me shkëlqim rrëzëllitës, që shprehin një mendim, një gjendje të caktuar, apo një përshkrim të natyrës apo njerëzve. Çdo faqe ka bukuri, cilësia dhe teknika e të shkruarit ruan njëtrajtësinë, nuk ka askund prozë mediokre. Dhe gjithçka duket e natyrshme, e pa sforcuar, duket se bukuria dhe ndjeshmëria artistike, i burojnë së brendshmi, janë të vetvetishme. Kjo mundëson që lexuesi ta përfytyrojë atë që lexon dhe përfytyrimi i tij rikrijon tablotë e paraqitura me aq art. Figurat, metaforat, krahasimet s’kanë të sosur, janë njëra më e bukur se tjetra. Natyra, peisazhi, mjedisi, janë të pranishme në gjithë romanin, me bukurinë, harmoninë por edhe ashpërsinë e tyre. Ato nuk janë sfond, por duket si të jenë  pjesmarrëse dhe përcjellëse të ngjarjeve. Ai ka një prirje të habitshme për të aplikuar një lloj animizmi që i bën sendet jofrymore si të gjalla, në to është e pranishme lëvizja si një element dinamik: fusha ecën, kështjella afrohet e përkundet, pylli lëkundet si i dehur, shkëmbenjtë hedhin valle mbi humnera….Imazhet shpesh janë me përmasa kozmike e fantazmagorike, në ‘to përfshihen yjet, hëna, toka dhe qielli. Në këtë hapsirë gjithmonë në lëvizje, shfaqet njeriu në kërkim të fatit të vet.

I tërë romani është shkruar si një prozë poetike, i mungon vetëm elementi ritmik për të qenë i tillë.

Për nga struktura dhe kompozicioni, është  ndërtuar thjesht si një roman modern. Fjalitë përgjithësisht janë të shkurtra dhe paragrafët me kalim harmonik te njeri-tjetri për të përcjellë mendimin nëpërmjet veprimit. Sabri Hamiti, me të drejtë e quan romanin: “Vepër që mund të cilësohet menjëherë si klasikë moderne e shqipes.”

Në mbyllje të kësaju sprove për romanin Krastakraus(Ra Berati), dua të ve në dukje se ai është kryevepra e tij. Bilal xhaferri ishte dhe mbetet një talent i rrallë dhe se vepra e tij i takon fondit të artë të letërsisë shqipe.

Nga leximi  i këtij romani kanë të gjithë se ç’të mësojnë, që nga nxënësit e deri te letrarët dhe shkrimtarët fillestarë apo të afirmuar. Edhe pse kanë kaluar afro  pesëdhjetë vjet nga koha që u shkrua, ai si gjithë veprat e mëdhaja vjen plot mesazhe domethënëse, bukuri e hijeshi, si një burim i freskët ku lexuesi do të mundë të shuaj etjen e vet.

Tiranë, shkurt 2016-dhjetor 2018



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora