E shtune, 20.04.2024, 03:24 AM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Urim i ri për vitin që po hyjmë

E premte, 28.12.2018, 01:26 PM


Urim i ri për vitin që po hyjmë

Nga Blerim Rrecaj

Viti që po përfundon sikur po na tundon për t’u hedhur e kredhur nëpër të, për të shfletuar ditërrëfenjësin e tij, e mundësisht këto ditë t’i shohim drej në sy! Dhe kështu ditë pas dite po i afrohemi përmbylljes së 2018-ës, për të filluar me numërimin e ri. Por tash jemi këtu ku jemi dhe po vazhdojmë të flasim , për këtë që ja nisëm diç të themi. Nga fillim janari, a thua na gjindet kund ndonjë fletë ditari, a të shfletojmë nga ditari i kujtesës së mendjes. Dhe na vije para sysh libri “Gjuetari i balonave” të Khaled Hosseinit që në këtë fillimvit e patëm përfunduar së lexuari. Me pak fjalë roman i veçantë që themi se do t’i rikthehemi. Dhe kopertinat e tij janë të mbushura me thënie për të, kështu që po i marrim dy nga to pasi kështu na vije më lehtë. “I shkëlqyer, fabula tronditëse e të cilit e bën këtë libër të paharrueshëm jo vetëm si një kronikë politike, por edhe si një rrëfenjë të thellë personale…Ndodh rallë që një libër t’i përshtatet kaq shumë kohës dhe njëkohësisht të ketë cilësi kaq të lartë letrare” me nënshkrimin e “Publisher Weekly”. Ndërsa thënia tjetër është ajo e shkrimtares Isabel Alende: “ Eshtë kaq i fuqishëm, saqë gjithçka tjetër që lexova për një kohë të gjatë, m’u duk shumë limonadë”. E i kthehemi limonadës duke thënë se janari si janari do të duhet të kishte dhe ndonjë ditë acari. Dhe pastaj ditë pas dite, javë pas jave, muaj pas muaji e stinë pas stine ne kemi parë, dëgjuar e përjetuar atë që thotë T.S. Elot në poezinë “Kori nga <Vrasësi në Katedrale>” se ka pasur shtypje,skamje, luks, padrejtësira, thatësi, të reshura, festa, skandale, tortura, shantazhe, lindje, sëmundje, vdekje, martesa, dhe marrim dhe këto vargje duke kujtuar e krahasuar me jetën tonë: “ Zoti na la mendtë në kokë, na la ca shpresë/Por tash terror i ri/ ka zënë vend tek ne, e askush s’mund ta shpallë, askush s’mund ta shmangë…”. E jetë, o jeta jonë! Dhe pas dimrit vjen pranvera. Fillimisht me borë. Pastaj harlisjen e saj e kemi parë edhe në në një livadh plot me bar ku kokat kanë ngre një lulekuqe e një luledele pranë njëra tjetrës me insekte rreth duke iu vërtitur mbi supe. Pos jetës që rrjedh diku tjetër mund t’i kemi kullotur sytë te ca lule fushe në maj a qershor, ndërkohë që makineritë në mesin e tyre përzierset e betonit kanë parakaluar me mbishkrimet “Extra beton”. Dhe radha i vije stinës së ngrohtë, stinës kur na vijnë të afërmit e të dashurit tanë mërgimtarë. Entela Tabaku Sorman në poezinë “Fëmijët e emigrantëve” na flet për dashurinë e madhe të gjyshes për fëmijët që sapo mësohen me ca gjëra të atdheut të tyre, iu vije koha për me ikë, por gjatë kësaj kohe përjetojnë dashurinë e madhe të nënëlokes që do t’u del krahë fëmijëve edhe atëherë kur nana mund të bëhet nervike.”Fëmijët e emigrantëve të mirët e mij” me këto fjalë përfundon dhe kjo poezi. E ne na bije në mend derisa kalojmë me një maicë të veshur me mbishkrimin “Australia”, një letër në hyrje të një ndërtese e nënshkruar nga Këshilli i banorëve të lagjes me këtë përmbajtje: “Mirësevini në Atdheun tuaj! Kalofshi ditë të mira me familjarët, miqtë dhe rrethin tuaj në vendlindje. Ju falënderojmë për vizitën tuaj dhe momentet që n’a falni! Nga zemra u urojmë pushim të mbarë në Kosovë! U pafshim edhe shumë vera të tjera!” Dhe pastaj ikja e tyre radhë radhë ca me vetura e ca aeroportit duke iu drejtuar. Vera sjellë dhe pushimet duke iu drejtuar ndonjë bjeshke, deti a liqeni për t’i ikur lodhjes e rutinës, për të mbledhur ndonjë energji të re, për t’u përballur me jetën këtu e atje. Dhe kështu dalëngadalë rihapen dyer shkollash e fakultetesh, rivijnë frutat e vjeshtës. Rihapet Portali Zemra Shqiptare. net, e që nga mestetori filloj diç shkruaj e në këtë adresë e dërgoj, e shkrim pas shkrimi, publikim pas publikimi, hapet oreksi kështu për të vazhduar sa bëhen një tufë skicash që zënë vend në hapësirën e zemrës. Dhe kështu dalngadalë mbërrijmë në pragun e derës së një viti që na shkoi me rreshta, vargje e shkrepje. Kujtojmë dhe novelën “Viti i mbrapshtë” të Kadaresë dhe për këtë vit mund të themi se ishte jo pak i përçudshëm. Kujtojmë dhe poezinë e po këtij autori “E shkruar me 31 dhjetor”, e i bashkohemi jo vetëm këtij urimi por të gjithë atyre që urojnë e ndriçojnë rrugën me shembuj drite. Ka kohë që kam filluar me leximin e romanit të Tolstoit “Ana Karenina”, deri tash kam mbërrij diku deri kah gjysma e tij, e nëse jemi mirë, shëndosh e rehat gjysma tjetër po na mbetet për vitin tjetër. Tashmë ka përfunduar dhe gjysmëvjetori i parë i shkollarëve dhe nxënësit dalim me libreza nëpër duar duke folur për suksesin e kësaj pjese. Në një ballkon duken rroba që thahen në diell, në një tjetër janë vënë një grumbull balonash shumëngjyrëshe. Fëmijët flasin e shkëmbejnë kartolinat e urimeve për njëri-tjetrin. Ca të tjerë lozin shah dhe duket që janë në hapat e tyre të parë të kësaj loje. Ca të tjerë fëmijë e të rinj hedhin bombola që para se të shpërthejnë dhe të kërcasim me 'bum bume' ku më të forta e ku më të buta nxjerrin tym të bardhë përtoke. S'mungojnë dhe qortimet e vërejtjet e më të rriturve, më të vjetërve. Sidoqoftë mbërrijmë deri te çasti kur mendojmë që është e udhës të bëjmë dhe ndonjë urim për vitin pasardhës që e hedhim në letër me lapsin kimik që sapo morëm dhuratë fundviti nga ndokush pa rroba babadimri. Qoftë vit i ndaljes së luftërave, pastë sa më pak trazira e rrëmujëra, pastë pak gabime t’mëdha e mëkate, më pak mërira, inate, turbullira. Pastë më shumë përafrime, paqe e gëzime! Mirardhsh! Mirë na gjetsh! Mirë vafsh! O Dymijë e Nëntëmbëdhjetsh!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora