E enjte, 25.04.2024, 11:23 PM (GMT+1)

Faleminderit

Prenk Jakova kompozitor dhe dirigjent i madh

E hene, 22.09.2008, 09:30 PM


Nga Dr. Sul Gragjevi

Me rastin e 40-vjetorit të performancës së Simfonisë 8-të në Si/B minore të kompozitorit Franz Schubert”, Prenk Jakovës, talenti, aftësia dhe autoriteti i tij i dhanë atij të drejtën që të jetë kompozitori suprem mbi të gjithë të tjerët, një gjeni i muzikës dhe artit shqiptar për të gjitha kohët. Ai ishte me të vërtetë një talent i rrallë. Njihte shumë mirë muzikën simfonike, atë operistike, instrumentale dhe atë të dhomës. Ishte me një përvojë të pasur jo vetëm si muzikant pianist, klarinetist por edhe si dirigjent i orkestrës simfonike të Filarmonisë Shkodër, të cilën e drejtoi disa dekada. Ai njihte shumë mirë të katër grupet e instrumenteve të orkestrës. Në saj të kësaj arriti të ridimensionojë orkestrën simfonike, gjë të cilën e ëndërronte prej kohësh. Për të mbështetur plotësisht realizimin e provave dhe performancës në operat “Mrika” e “Skënderbeu”, si dhe të gjithë repertorin e tij të muzikës simfonike të kompozitorëve të huaj si Mozarti, Beethoveni, Grieg, Schuberti e Verdi.
Prenk Jakova e dinte mirë që interpretimi në muzikë është i lidhur me krijimin e një balance në mes teknikës dhe anës muzikore dhe se këto të dyja së bashku nuk duhen ndarë kurrë nga njëra-tjetra. Një gjë të tillë ai e pati parasysh jo vetëm kur kalonte në piano të gjitha pjesët e të dy operave para vënies në skenë, por edhe gjatë provave dhe në shfaqje. Ariet e bukura të operave me ton lirik dhe dramatik, këngët, prelude, etyde dhe shumë kompozime të tjera orkestrale ishin një thesar i tij dhe i artit shqiptar. Ai kuptonte gjithçka, ai ndjente gjithçka sepse gjithçka i takonte atij, çdo gjë ishte e tija. Ishte i pari kompozitor që i dha popullit dhe vendit të tij dy operat e një niveli të lartë artistik. Kompozitori Prenk Jakova ishte një talent muzikor i rrallë. Superioriteti orkestral me një intelekt të thellë dhe në brendësi të krijimeve kryesore të tij ana psikologjike, janë të manifestuara në muzikë-dramën e tij, nga ana tjetër ato dallohen edhe për melodi të bukura me veprimet skenike të përsosura. Në këtë mënyrë ai u bë një gjeni muzike, krijues i një gjinie të re, -i operas. Në qoftë se opera “Mrika” ishte opera e parë shqiptare, opera “Skënderbeu” ishte super-opera e performuar me shumë sukses nga trupa e TOB Tiranë.
Jo vetëm studimet në Konservatorin e njohur të Romës, “Santa Cecilia”, për piano, klarinetë dhe kompozim, por edhe talenti, vullneti e këmbëngulja e bënë Prenkën të jetë një kompozitor suprem mbi gjithë të tjerët. Gjithmonë ai thoshte se inspirimi a frymëzimi nuk vjen nga lart, se muzika nuk mund të mësohet mekanikisht dhe pastaj të shpresohet tek performanca. Inspirimi dhe intuita vijnë lehtë, në qoftë se baza e punës është bërë para të gjithave. Komunikimi më i mirë me dëgjuesin e muzikës dhe audiencën, është kur të komunikosh me veten dhe me muzikën gjatë performancës. Çdo performancë duhet të ruajë cilësinë e saj natyrore, gjë të cilën kompozitori i madh e dinte mirë. Ai duke qenë një mjeshtër i orkestracionit, gjithmonë e konsideronte të domosdoshme marrjen në konsideratë të timbrit ose ton kolorit të instrumenteve si dhe aftësitë profesionale e teknike të instrumentistëve, që të ishin në gjendje të luanin jo vetëm shpejt por edhe sipas koloritetit të kërkuar. Ton kolori është një veçori e rëndësishme në duart e një orkestratori. Kompozitori Christoph Gluck ( Gluk) 1714-1784, për ton kolorin thoshte që instrumentet muzikore duhet të përdoren jo sipas shkathtësisë së
Instrumentistëve, por sipas veçorive dramatike të tonit të tyre. Pra, kompozitori është një artist, i cili e sheh dhe e dëgjon në imagjinatën e vet koloritetin që ka zgjedhur meloditë dhe ritmin. Prandaj, muzika orkestrale është muzikë vetëm për orkestër dhe jo për një instrument. Kombinimet midis instrumenteve janë të ndryshme dhe kjo varet nga orkestratori, pra ai kompozitor që bën orkestracionin. Në qoftë se duam të dimë për dirigjentët se çfarë raporti kanë me orkestrën, mund të konstatojmë se disa dirigjentë kanë ndikim të plotë mbi orkestrën simfonike, po ashtu edhe mbi veprimet skenike në rastin e operas. Ndikimi i lëvizjeve të batonit të dirigjentit duhet të jetë sinjal për të gjithë orkestrën dhe të jetë racional. Një dirigjent i mirë duhet të sjellë çdo detaj në një koncert, opera apo simfoni. Ai duhet të dijë përfundimin, rezultatin e dirigjimit dhe të ketë kontroll të plotë mbi orkestrën. Kjo arrihet kur ai njeh shumë mirë pjesët e repertorit që do të dirigjojë dhe kur t’i ketë kaluar disa herë në piano. Nga ana tjetër, një dirigjent nuk ka si të
dirigjojë simfonitë e Beethovenit kur ai nuk njeh sonatat, kuartetet, koncertet e tija, apo Simfoninë e 8-të, të pakryerën të Schubertit, kur nuk njeh krijimet e tija. Dirigjimi është një profesion ashtu sikur është interpretimi për një instrumentist a bariton. Prenk Jakova, si dirigjent, jo vetëm kish një kontroll absolut mbi orkestrën dhe instrumentet në çdo grup, por edhe mbi audicionin. Vetëm për “Mrikën”, ai bashkë me drejtorin artistik, kompozitorin e pianistin Tonin Harapi, kaluan në audicion 126 vetë, koristë, solistë dhe valltarë. Ata e bënë këtë me shumë aftësi për një kohë shumë të shkurtër, duke zgjedhur në mënyrë selektive sopranot, mezzot, tenorët, baritonët, baset dhe valltarët. Sigurisht që audicioni është një detyrë e një këshilli të lartë të audicionit, i praktikuar dekada më parë në “La Scala” dhe “Metropolitan Opera”, dhe kurrë detyrë e një individi apo e personave jo të profilit dhe jo kompetentë. Vetëm një kompozitor e dirigjent në të njëjtën kohë, bile me përvojë të pasur, mund të vendosë për rezultatin e një audicioni, sepse ai njeh mirë rolet e këngëtarëve, nivelin artistik të operas, veçoritë muzikore e individuale të personazheve dhe të këngëtarëve. Drejtori artistik, menaxheri apo drejtori i muzikës duhet të jenë të profilit në radhë të parë, që i përgjigjet jo domosdoshmëria e politikës sociale, por ajo artistike dhe vetëm artistike. Muzika është një nga subjektet mbi të cilin, secili e ndjen të drejtën e vet për të shprehur një mendim dhe opinion. Prenk Jakova përdori gjithë përvojën e tij në dobi të artit muzikor, drejtoi çdo gjë vetë dhe ishte i vetmi kompozitor e dirigjent. Shembuj të tillë nuk ka shumë në muzikë. Wilhelm Furtwangler ka qenë kompozitor dhe dirigjent gjerman, me çmim të të cilit para disa ditësh në Festivalin e Beethovenit në Bon, u dekorua dirigjenti i njohur Kurt Massur. Prenk Jakova ishte shumë i njohur dhe krijoi një simpati të veçante tek audienca duke u bërë figura qendrore në Filarmoninë e Shkodrës. Ai drejtoi për shumë kohë orkestrën që e themeloi dhe që e rriti në dimension. Ridimensionimi i orkestrës simfonike i dha atij mundësi që të zgjerojë repertorin muzikor. Edhe pse atë kohë ishte e vështirë një gjë e tillë për mungesë fondesh, ai e bëri sepse ishte i plotfuqishëm në punën e tij. Ai kish një veçori të cilën mendoj, duhet ta ketë çdo drejtor muzike apo drejtor i përgjithshëm, që nuk lejonte asnjë ndërhyrje në punët e tija për muzikën, për statutin, kompetencat, ishte plotësisht i pavarur nga ndikimi i dikasterit. Një autoritet i tillë me të cilin drejtoi të gjitha problemet e muzikës, koncertet, bandën e qytetit që ishte çdo vit e para në vend, festivalet e këngës çdo qershor, operat konkurse të ndryshme disa herë në vit e shumë të tjera, larguan çdo ndikim dikasterial. I tillë duhet të jetë sot një drejtues i përgjithshëm në TOB-in e Tiranës apo në një filarmoni, që të drejtojë me autoritetin e tij, të postit që ka, duke mos lejuar asnjë ndërhyrje të dikasterit në statut dhe kompetencat, ndryshe punët kurrë nuk do shkojnë mirë. Simfonia e 8-të “E pakryer” e Schubertit në Si/B minore u bë pjesa më favorit jo vetëm për kompozitorin e dirigjentin tonë të madh, por edhe për gjithë ne orkestrantët e tij. Kam qenë gjithmonë afër dhe them me bindje të plotë se kapaciteti i tij si pianist, orkestrator e dirigjent ishte me të vërtetë i madh, gjithë ditën punonte në piano deri sa vinte koha për provat e orkestrës në mbrëmje. Kish një mënyrë speciale për të disiplinuar me sukses të katër grup-instrumentet në një unitet të plotë. Veçanërisht gjatë interpretimit të Simfonisë së 8-të “Të pakryer” të Schubertit në Si/B minore. Prenk Jakova që e njihte shumë mirë këtë vepër, kërkonte një impenjim të veçante të klarinetës, obose, flautit, kornos dhe cellove për një ekspresivitet të theksuar e plot koloritet ashtu siç e kishte shkruar vet Schuberti, për të nxjerrë me plot elegancë anën melodike Schubertiane. Në kohën e parë, harqet futen në temë, ndërsa në solo shaqen klarineta, korno dhe përsëri klarineta drejt melodisë së bukur që shoqëron gjithë simfoninë. Po ashtu cellot me violat në solo shoqërohen në dialog nga klarineta. Mbas dialogut cello-violinat përsëritet tema. Në kohën e dytë, përmendim shkurt melodinë solo të klarinetës të shoqëruar nga orkestra, pastaj vazhdon në solo oboe, më tej flauti dhe përsëri oboe deri në fortissimo. Simfonia e 8-të është quajtur si e vetmja simfoni romantike. Kjo simfoni dallohet nga ana muzikore për një koloritet të veçantë, ekspresivitet dhe plot melodi të bukura. E gjithë Simfonia e 8-të në Si/B përshkruhet nga ton kolori orkestral dhe është një vepër me të dy kohët puro romantike, që konsiderohet si një element i ri në krijimtarinë e Schubertit. Ishte kjo vepër në repertorin e orkestrës simfonike për tri herë në javë dhe performanca e parë u dha në shtator të vitit 1968. Prenk Jakova kishte një afinitet të veçantë për muzikën klasike. Përveç Schubertit, ai pëlqente Mozartin, Wagnerin, Beethovenin, Çajkovskin dhe Verdin. Ne repertorin e tij ai drejtoi gjithashtu overturat e bukura të operave të Mozartit “Martesa e Figaros” dhe “Don Giovanni”, po ashtu pjesë orkestrale nga Grig dhe Verdi. Kjo punë e mirë tërhoqi audiencën shkodrane, e cila nga koha në kohë bëhet audienca standard e koncerteve të orkestrës simfonike të Filarmonisë. Kompozitori e dirigjenti Prenk Jakova ishte njeriu që zgjidhi gjithçka në artin e Tij. Krijoi një stil personal muzike, të cilin e pasuroi me fondin folklorik, duke e bërë muzikën e tij plot koloritet dhe të asimilueshme.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora