E diele, 21.07.2019, 08:35 AM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Si u formua Lidhja Demokratike e kosovës?

E hene, 24.12.2018, 02:12 PM


Si u formua Lidhja Demokratike e kosovës?

Nga Gani Mehmetaj

Formimit të LDK-së i parapriu një debat i brendshëm, kryesisht nëpër kafene. Debatet u mbajtën në ëmbëltoren “Elida”, të kryeqytetit, nga gazetarët e shkrimtarët e gazetës “Rilindja”. Para se të zgjidhej kryetari i LDK-së, njeriu më energjik e sistematik i debateve, i përgatitjes së dokumentacionit, i përgatitjeve të tjera për formimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ishte shkrimtari dhe redaktori i “Rilindjes”, Jusuf Buxhovi. Të tjerët e kanë dhënë kontributin e vet, kryesisht me ndonjë vërejtje, preferencë apo me mbështetje morale, por të kenë bërë punë konkrete, asnjëri nuk mund të lavdërohej para mbledhjes konstituive. Që në javët e para pati vërejtje pse grumbullimi i dokumentacionit e formulimet e statusit mbaheshin disi fshehtë, megjithëse asnjëri nuk merrte vesh në formulimet e statutit, në procedurat administrative e juridike

Në ditën e themelimit lista u zgjerua me emra të rinj, të cilët të entuziazmuar vunë nënshkrimet. Nuk u bëra kurrë anëtar i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, prandaj anëtarësimi në partinë shqiptare më dukej interesante edhe për faktin sepse e konsideroja parti kombëtare. Shumica prej nesh ishim të sigurt që pas aktit të konstituimit, apo mbase para tij, policia serbe do ta shpërndante grupin nismëtar e grupin nënshkrues, ose mund të na arrestonin, sepse rrethanat e tjera e paralajmëronin një gjë të këtillë. Këshilltarët e zyrtarëve të lartë që na dërgonin ndonjë mesazh, më shumë kërcënim e krijuan atmosferën e frikës e të pritshmërisë në tension, megjithëse edhe pa kërcënimet e tyre e dinim fare mirë se ç’mund të na priste.

Formimi i LDK-së u bë më 23 dhjetor të vitit 1989 në objektin e “Kosovafilmit”, i cili iu dha në qeverisje Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, derisa Azem Shkreli ishte drejtor i “Kosovafilmit”, meqë ata dolën në objektin e ri.

Ka shumë spekulime për propozimet për kryetar të LDK-së, ka edhe të vërteta në disa libra për këtë fazë të rëndësishme të konsolidimit të demokracisë e pavarësimit të Kosovës. Nuk më kujtohet saktësisht kush ishte për Rugovën e kush për Qosjen, nuk e di as pse u dha emri i Qosjes, kur gjatë gjithë kohës nuk u lakua fare emri i tij, të gjithë e patëm parasysh Rugovën që nga fillimet e para.

Buxhovi tha se Qosja nuk e pranoi kandidaturën, ashtu sikurse prapë një grup më vonë e propozoi për kryeministër të Kosovës, kurse ai e shmangu, duke e propozuar Mahmut Bakallin në vend të tij. Megjithatë, më bëhej se propozimi i kundërkandidatit të Ibrahim Rugovës qe lojë e “pluralizmit politik”, sepse askush nuk e mendoi seriozisht R. Qosjen kryetar të LDK-së. Por një gjë dihet fare mirë: askush më shumë sesa Ibrahim Rugova nuk u shqua për guxim intelektual, me deklarata e intervista për gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Kosovë, për krimet që po i bënte shteti jugosllav. Ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, intervistat e tij në mediat perëndimore përfliteshin pastaj nëpër kuluare, bënë jehonë të madhe në Jugosllavi, kurse shtypin e Beogradit e nxitën të shkumëzonte kundër tij. Fjala i dëgjohej e lexohej edhe në opinionin europerëndimor. Student i Parisit, me rrënjë të thella në traditën shqiptare, “Çeta e Profetënve” të Pjetër Bogdanit, një rilindësi shqiptar e evropian qe interesimi i tij fondamental. Ai ndiqte modelin e Vaclav Havelit, disidentit të njohur çek, po ashtu shkrimtar. Për disa muaj e pushtoi botën demokratike me guximin, mençurinë e maturinë që nuk e pati asnjë intelektual tjetër.

Më kujtohet situata e nderë, derisa shëtisnim në mbrëmje me një grup gazetarësh të rubrikës së kulturës, erdhi Ibrahim Rugova dhe na u bashkua. Vazhduam tutje të ecnin në korzo, u ulëm në kafen para teatrit, ndërsa ai na tregoi se posa ia dha një intervistë televizionit francez, jashtë Prishtinës. Që t’i shmangej përcjelljes së shërbimit sekret serb, ekipi i rryer francez e futën në kombin e tyre duke e dërguar nëpër rrugica, për t’i ikur ndjekjes. Dhe prapë e sollën afër sheshit kryesor për siguri. Na tregoi se që të mos përsëritej (disa javë më parë foli për të njëjtin televizion), ua propozoi për freskim Rexhep Qosjen, por ata i treguan se Qosja nuk pranoi të fliste.

Ishte e kuptueshme, secili ruhej në atë kohë kritike.

Shumica prej nesh prisnim që do ta arrestonin Rugovën, sepse ata kishin arrestuar njerëz edhe më me pak “mëkate”, mirëpo guximi i tij për të shpërthyer bllokadën informative në televizionet perëndimore, duke dalë në kreun e emisioneve televizive me emër, iu bë engjëll mbrojtës. Ambasadori amerikan u bë engjëlli tjetër mbrojtës edhe më i fuqishëm. Kështu, derisa ne shkonim disa dhjetëra hapa prapa, ambasadori amerikan e Rugova ecnin para nëpër gjysmën e kryeqytetit. Ecja publike e njeriut të shtetit më të fuqishëm të botës me Rugovën kishte një domethënie për policinë e shërbimin sekret serb. Sigurisht edhe njerëz të shërbimit të fshehtë jugosllav i shkonin pas, ose anash, ndërsa ne nuk i vërenim.

Prandaj, nuk mendoj se propozimi i Ibrahim Rugovës, kryetar i LDK-së, ishte rastësi. Asnjë situatë a ngjarje e asaj kohe nuk ishte rastësi, gjërat diku koordinoheshin, kurse ne kush më shumë e kush më pak ishim figurantë të situatave e të veprimeve.

Fati ynë u gjendëm në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Shkonim rrjedhave të lumit të rrëmbyeshëm që na shpinte në detin e qetë, ku synonim. Por të gjithë ishim të vetëdijshëm se mund të ngelnim diku thepave të shkëmbinjve nëntokësorë apo të mbyteshim.

Formimi i LDK-së u bë jo pse fryu erë demokratike, sikurse në shtetet tjera socialiste të Lindjes, përkundrazi sa më shumë lëshonin pe në Bashkimin Sovjetik, Poloni, Hungari e Çekosllovaki, aq më shumë i shtrëngonin darët në Jugosllavi. Formimi i LDK-së u bë sepse na u dhanë disa sinjale nga jashtë, elita intelektuale reagoi në kohën e duhur, popullata na mbështeti pa rezerva, ishim të gatshëm të sakrifikonim etj.

Në Kosovën e gjendjes së jashtëzakonshme kërkohej rrugë tjetër për të shpëtuar nga shtjella e vrimës së zezë. Paralelisht me vënien e masave të dhunshme në shumicën e institucioneve, u shkarkuan pjesa e madhe e zyrtarëve të lartë të Kosovës jo pse nuk punuan me zell për neutralizimin e rezistencës, por sepse në Komitetin Qendror të Serbisë e në shërbimin sekret jugosllav ishin të pakënaqur me punën e tyre, ata e shuan me gjak e me tanke autonominë, nuk u duhej më demagogjia e parullave të vëllazërim-bashkimit.

Në këto rrethana të gjendjes së jashtëzakonshme, akti i konstituimit të partisë së parë shqiptare në ish-Jugosllavi, u bë në ambientet e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, ku më shumë sesa entuziazëm të frenuar, mbretëronte atmosferë tensioni, me tym duhani, me pak karrige e shumë njerëz, gjysma e të cilëve rrinin në këmbë e në korridore. Sipas rregullave u tha se duhej lista prej 100 vetash, kështu që pos emrit tim, u nënshkrova për babanë, lejen e të cilit e mora, pastaj e nënshkruam edhe djalin e xhaxhait, ndërsa dy vëllezërit më të vjetër erdhën të nënshkruheshin personalisht. Disa emra të njohur publikë e pëlqyen rahatinë e shtëpisë në vend se t’u ekspozoheshin rreziqeve, megjithëse disa prej tyre i thirra personalisht. Më inkurajoi ardhja e shumë njerëzve.

Nga libri "Ëndrra e madhe".



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT