E marte, 23.04.2024, 07:24 AM (GMT+1)

Kulturë

Val Kilmer, një tjetër aktor politikan?

E shtune, 20.09.2008, 08:56 PM


Disa aktorë të mëdhenj hollivudianë, në një çast të caktuar kanë vendosur të heqin dorë nga profesioni, për t‘iu kthyer politikës. Rastet më të spikatura janë Ronald Regani, President i Amerikës dhe Arnold Shvarceneger, guvernator i Kalifornisë. Por duket se është "Batmani" ai që po përgatitet të hedhë hapin e madh. Rrugëtimi politik i Ronald Reganit qe aq i gjatë, sa mbërriti deri te Shtëpia e Bardhë; Klint Istud i shkoi deri në fund një mandati në postin e kryetarit të Bashkisë së qytetit Karmel të Kalifornisë; ndërkohë që një tjetër aktor, Arnold Shvarceneger, është ende guvernator i këtij shteti. Mund të jetë Val Kilmer emri i madh i radhës që do bëjë pjesë në botën shumëngjyrëshe të aktorëve të konvertuar në politikanë. Aktori që nuk përton të japë herë pas here deklarata politike shkaktoi një dallgë të vërtetë në politikën e fjetur të Nju Meksikos, vendlindjes së tij të lindjes, në çastin kur përmes disa zërave u bë e ditur se mund të merrte në konsideratë përfshirjen në garën zgjedhore për postin e guvernatorit të këtij shteti në vitin 2010, kur i mbaron mandati guvernatorit aktual. Spekulimet për ambiciet politike të aktorit u shtuan edhe më tej nga Bill Riçardson, guvernatori aktual i Nju Meksikos, i cili u tha gazetarëve javën që shkoi se Val Kilmerin në postin e guvernatorit e shihte si "zgjedhje mjaft të mirë". "Më pëlqen kjo ide", tha gjatë një konference shtypi. "Val Kilmer është Nju Meksikan deri në palcë. Ka qenë Batman. E dini që ka pasur aktorë të suksesshëm që i kanë hyrë politikës. Nuk kam folur me të lidhur me këtë temë, nuk e di sa seriozisht e ka, por në rast se do pranonte të hynte na garë, ka shanse të mira, kështu që është diçka që edhe mund të bëhet". Që nga dita kur u lëshuan këto komente, zëdhënësi i Kilmerit, Deivid Anger, nuk ka pranuar t‘u japë përgjigje pyetjeve të përsëritura lidhur me mundësinë e kandidimit. Kjo heshtje veç i shtoi edhe më tej hamendësimet lidhur me planet e aktorit të Santa Fe, kryeqytet i këtij shteti. Gjatë javës së shkuar gazetat rrëmuan edhe në disa komente që aktori 48- vjeçar bëri në janar të këtij viti, gjatë një interviste të dhënë n ë L o s Anxhelos, kur tregoi se ndihej i ledhatuar nga ideja e përfshirjes në politikë. "Dikur disa lobistë më thanë se mund të isha guvernator shumë i mirë", tha Kilmer gjatë asaj interviste. "Regani ishte as më shumë e as më pak, por aktor, dhe shikoni ku mbërriti. Është edhe Arnoldi...". Mediat e Nju Meksikos vërejnë se Riçardsoni, një demokrat me shumë peshë në radhët e partisë, i cili deri së fundmi mendohej si një ndër kandidaturat më të mira për postin e zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është mik i afërt i Val Kilmerit, dhe nënvizojnë që zor t‘i ketë thënë ato fjalë pa i dëgjuar të thëna nga goja e aktorit. Artisti 48-vjeçar, i cili përveç rolit të Batmanit është bërë shumë i njohur falë filmave "Top Gun", "The Doors" dhe "Romancë e vërtetë", i ka kartat në rregull për t‘iu futur seriozisht politikës. Jeton në këtë shtet që nga fillimi i viteve tetëdhjetë, zotëron aktualisht një fermë gjigande, pranë zonës Roui, 30 kilometra larg nga Santa Fe, ku kohën e lirë e kalon me rritjen e një tufe bizonësh. E megjithatë asgjë nuk mund të thuhet me siguri të plotë. Aktualisht nuk është as anëtar dhe as votues i regjistruar në favor të ndonjë prej partive politike dhe të dhënat zyrtare tregojnë se nuk ka votuar kurrë nëpër zgjedhje, megjithëse është regjistruar si zgjedhës në vitin 1992. Roli i deritanishëm politik i Kilmerit është kufizuar deri te përfshirja në Qendrën Për Mbrojtjen e Natyrës së Nju Meksikos. Megjithëse mësohet së fundmi se ka anuluar një shfaqje në Konventën e Demokratëve në Denver, as kjo nuk duhet marrë si përfshirje në ndonjë prej partive: do të fliste përkrah kandidatit të pavarur presidencial, Ralf Nader. Ekspertët besojnë se simpatitë e forta majtas që ka treguar herë pas here aktori tregojnë që edhe në rast se vendos t‘i hyjë garës zgjedhore, do ta bëjë në cilësinë e kandidatit të pavarur. Ndërkaq, raportohet se asnjë kandidat i pavarur nuk ka arritur deri më sot të fitojë postin e guvernatorit të Nju Meksikos. Mësohet se një detaj nga e shkuara mund t‘ia vështirësonte përpjekjet gjatë fushatës zgjedhore. Në një artikulli të vitit 2003 të revistës "Rolling Stone" ka thënë se "jeton në një kryeqytet vetëvrasës të jugperëndimit" dhe se "80 për qind e banorëve në kontenë e tij (San Migel) janë alkoolistë". Ndonëse Kilmer këmbënguli se fjalët e tij qenë përdorur nga revista "jashtë kontekstit", u detyra më pas të kërkonte publikisht falje gjatë një darke zyrtare në rezidencën e guvernatorit në Santa Fe. Çdo lëvizje që mund të ndërmarrë Kilmeri tani e tutje do binte ndesh me establishmentin aktual politik. Dajen Denish, zëvendësja e guvernatorit Riçardson, po ngulmon fort për ta pasuar në çastin e përfundimit të mandatit, në vitin 2010. Javën e shkuar reagoi me një lloj nënvleftësimi ndaj zërave që thoshin se tani Riçardsoni do mbështeste kandidaturën e Kilmerit. "Dëgjohen shumë spekulime për atë që do ndodhë në vitin 2010. Por ajo që po bëj unë dhe ajo që duhet të bëjnë të gjithë, është të punojmë në vitin 2008", u tha Denish gazetarëve. "Nuk kam ndër mend të spekuloj për atë që mund të mendojë guvernatori". Në rast se i ka hedhur vërtet sytë drejt postit të guvernatorit, shpejt Kilmer do jetë i detyruar të nisë grumbullimin e fondeve financiare për fushatën, diçka që mund të rezultojë e vështirë. Duke qenë se Arnold Shvarcenegeri, një tjetër figurë politike e ardhur nga Hollivudi, është guvernator në shtetin fqinj, mund të zgjedhin të financojnë pikërisht atë. Dhe zor se Kilmer mund të vendosë të nxjerrë para nga xhepi për të financuar fushatën, sidomos në rast se nuk do mbledhë financime nga të tjerë. Pavarësisht fitimeve të majme nga filmat e dikurshëm, tani ylli i karrierës së tij ka rënë. Roli më i rëndësishëm që ka luajtur së fundmi është dublimi i zërit të Kitit, makinës së serialit "Pilotët Kalorës".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora