E enjte, 25.04.2024, 04:09 PM (GMT+1)

Mendime

Paulin Paplekaj: Qytetarët dhe 'shpellarët'

E shtune, 22.12.2018, 09:59 AM


QYQETARËT DHE “SHPELLARËT”

NGA PAULIN PAPLEKAJ

Ishte viti 2004. Qeveria shqiptare aso kohe, si nje bishë e varrueme, lëngonte në grahmat e fundit te ekzistencës saj. Arroganca dhe papërgjeshmëria e Kryeministrit Nano, kishin trashë zollumin në nivel neveritës. Te gjithë përbuznin me sakëlldi Kryeministrin dhe partinë e tij të dekompozueme që kutërbonte erë korrupsion e vjedhje. Përveç opozites ballore te Berishes dhe Partisë Demokratike, që kishte arritur të ringjallte shpresën ndër shqiptarë, filloi të gjallonte edhe e ashtuquajtura shoqëri civile. E në këtë lami lëvizjesh,një grup djemësh dhe vajzash të reja, pavarësisht se të pakët në numër, kishin krijuar Lëvizjen “Mjaft”, nëpërmjet së cilës arrinin të krijonin një lloj simpatie në popull, ndoshta jo e dhe aq me fantazinë e protestës, por se gjenin pasqyrim në të gjitha mediat elektronike dhe të shkruara.

Drejtori i Lëvizjes “Mjaft” Erion Veliaj, mistrecllikut të artikulimit të tij, përpiqej ti mishëronte një lloj karizme, që per hir të së vërtetës kishte filluar të ngjiste në publik. Nuk dukej aq afër me z. Berisha dhe opozitën, edhe pse tek të gjithë ekzistonte një lëpé dyshimi, prej faktit se protestën e tyre e mbështesnin demokratë radikalë që shiheshin edhe në protestën e opozitës. Kush i dërgonte aty militantët e PD?! Më vonë z.Berisha ka pranuar se e ka mbështetur protestën e rioshit Veliaj!!! Pak kush që kupton nga politika (aq ma tepër në politikën shqiptare) e besonte vërtetë se Erion Veliaj dhe “Mjafti” i tij, ishin lëvizje qytetare e shoqërisë civile (koha e provoi pikërisht të këtë shpërfaqje të rrejshme), por nga ana tjetër nuk e gjenin dot fillin e lamshit, se në cilin “truç plehu” të përdamë prej dekompozimit të Partisë Socialiste, ushqeheshin rrënjët e kësaj lëvizje. Koha e tregoi edhe këtë. Lëvizja “Mjaft” kulmoi mbas ngjarjes tragjike të 9 janarit 2004, të mbytjes në det të së disa të rinjëve nga Shkodra, gjatë eksodit të tyre të pashpresë drejt Perendimit. Kryeministri i aso kohe, Fatos Nano, u tregua aq i papërgjeshëm sa nuk denjoi as të braktiste pushimet e luksit, që më së paku të vinte për ngushëllim në familjet e viktimave,aq ma tepër kur mbi të dhe qeverinë e tij rëndonte akuza e mosveprimit për shpëtimin e tyre, madje edhe më e rëndë se kaq: Shkaktimin e qëllimshëm të kësaj tragjedie!! Lëvizja “Mjaft”, për më shumë se një ditë, vazhdonte te protestonte para godinës së Kryeministrisë duke ndezur qirinj në përkujtim të viktimave. Nga ana tjetër, protesta e opozitës arriti kulmin në 20 shkurt të po këtij viti (2004), ku u pa qarte se kishte filluar numrimi s’prapthi për qeverinë dekadente të Fatos Nanos. Fill mbas asaj proteste, ndërkohë që pinim kafe me një mikun tim G.P në një lokal diku afër Librit Universitar, në tavolinën ngjitur erdhi rioshi Erion Veliaj. Aty po e prisnin Fatbardh Kadilli dhe (në mos gaboj) Neritan Sejamini. Ishim aq afër sa dashje padashje do dëgjonim edhe bisedat e tyre, pasi lokali ishte shumë i qetë. Ndër të tjera, Fatbardh Kadilli dukej se kishte mision ti mbushte mendjen rioshit Veliaj që tashmë te pozicionohej politikisht, aq me tepër kur kauzat e tij po i elaboronte edhe opozita e cila sipas tij(z.Kadilli) kishte shanse të vinte në pushtet, ndaj dhe duhej investuar tek kjo forcë politike, për te përfituar frytet e pushtetit. -Ti Erion, ke arritur në një stad të tillë afirmimi ne publik, sa të duhet patjeter të pozicionohesh politikisht – u shpreh z. Kadilli, duke shtuar që duhet gjetur mundësia te ofrohej me Berishën. Përgjigjia e Erion Veliajt nuk u dëgjua qartë, por nga kakofonia e bisedës shoqëruar me të qeshura dhe epitete “shpellarë”, “malokë” “çeçenë” etj, kuptuam që Erion Veliaj nuk ishte për një pozicionim në krah të Partisë Demokratike. Aty për aty, ne fillojmë e ngrejmë zërin duke komunikuar në dialekt, pse jo, e pranoj që donim ti provokonim, apo më së paku ti detyronim të hiqnin dorë nga ai lloj komunikimi, që etiketonte me epitete fyese një kategori shoqërore së cilës i përkisnim edhe ne. Me sa duket, e kuptuan se nuk mund të vazhdonin më atë bisedë, por jo vetëm kaq, por fakti që u ngritën nga tavolina duke lënë kafet në gjysëm dhe ikën duke pëshpëritur ndër dhëmbë që “...ku nuk gjenden sot këta” (… ndoshta thanë shpellarë a ku ta di), kallzonte më së miri se ndêja e tyre u prish.

Jo vetëm atë ditë, por edhe para pak ditësh kur Erion Veliaj iu m’veshi epitetin “Shpellarë” qytetarëve të bashkisë ku ai është kryetar, dhe që sot protestojnë tek Unaza e Re, kundër shpronësimit të padrejtë dhe selektiv, në bisedë me mikun tim G.P, po diskutonim rreth faktit se, si është e mundur që këta të rinj të ardhur nga shoqëria civile përqafuan veset më të këqija të politikës ekstremiste duke u shprehur me po të njëjtat epitete, që më parë Fatos Nano dhe Edi Rama, pasues dhe transmetues të ideve të Klikës, janë shprehur kryesisht për Gegët e Veriut. Mjerisht, këto ide kanë zënë fill qysh me krijimin e KLIKËS nga Eshref Frashëri, për tu sanksionuar në Kongresin e Lushnjes, ku fatkeqësisht pat’ hedhë farë edhe komunizmi, dhe për tu zbatuar pikë për pikë nga pushteti diktatorial i Enver Hoxhës. E në këtë kuptim, për shkak të shtratit “kulturor”, të ndërtuar nga e majta në Shqipni, pak kush është çuditur nga politika e Partisë Socialiste, që gjithmonë është përpjekur të krijojnë idenë në popull se: Veriu i Shqipërisë, nuk din të bëjë shtet, sepse janë njerëz të egër, shpellarë, kokëpalarë,të trashë etj (..“Ne dimë të bëjmë shtet! ” - thoshte dhe thotë Edi Rama). Por habija qëndron në faktin, që sa herë politika ka marrë elementë nga shoqëria civile, ka përzgjedhur pikërisht ata individë (apo që kanë arritur të depërtojnë në politikë, fjala është më tepër në të djathtën në këtë rastin e dytë), që mendojnë njësoj si KLIKA dhe pasuesit e sajë. Lëvizja “Mjaft” dhe ish drejtuesi i sajë, janë shembulli më i qënësishëm i këtij fakti, në të majtën e Shqipnisë, por fatkeqësisht nëpërmjet KOP-it (Komiteti i Orientimit të Politikave), arritën të depërtojnë po i njëjti soj individësh edhe në Partinë Demokratike, duke e “sëmurë” rëndë këtë subjekt, ku zor se mund ti bëjë derman as “kimioterapia” kësajë së keqje.

Ky soj individësh i modelit Rama-Veliaj etj, që s’lënë rast pa vajtuar, me epitete mallkuese ndaj “tragjedisë” që i ndodhi shoqërisë pas dyndjes së “shpellarëve”, rreth kryeqytetit, janë QYQETARËT e këtij vendi. Qyqetarët e këtij vendi, as nuk rreken të mendojnë, për arsyet që i shtynë popullsinë e zonave rurale (që në fakt nuk janë vetëm “shpellarët” veriorë, siç ata i etiketojnë, por edhe nga zonat e varfëra të Jugut të Shqipnisë), të migrojnë drejt zonave urbane, pasi në mendësinë e tyre, prevalon vetëm ideja e Klikës dhe e udhëheqësit shpirtëror të tyre Enver Hoxha që: fshatarët duhet të rrinë në fshat; që në Kryeqytet dhe qytetet e mëdha urbane, vihet vetëm me autorizim; që “shpellarët” duhet të jenë skllevërit moderrn të ndërtimit të infrastrukturës dhe ekonomisë; që ata meritojnë vetëm të hanë dhe të shumohen si krah pune në shërbim të “Elitës” së Klikës; dhe që në fund të fundit këto të drejta janë të mjaftueshme dhe s’mundet kurrsesi të kenë të tjera të drejta civile pasi janë njerëz të trashë. E këtë mendësi, qyqetarët e kamuflojnë nën “shqetësimin” që ata medemek kanë, rreth faktit se “shpellarët”, u dyndën në rrethinat e Tiranës (por jo vetëm) si barbarët në dyert e Romës, dhe këta vandalë, me shpalljen “Tokë e Xanun”, zaptuan pronat e pronarëve të ligjshëm. Nëse i pyet qyqetarët, se kush ishin pronarët e ligjshëm të tokave në momentin që filluan ndërtimet informale mbi këto ptona, nuk kanë përgjigje, sepse përgjigjja e vërtetë nuk ndihmon në demagogjinë dhe propagandën bajate e të pështirë që bëhet rreth kësaj situate de fakto të ndodhur. Qyqetarëve, nuk u intereson të thonë se toka ishte në pronësi të shtetit, sepse dalin zbuluar vendimet e baballarëve të tyre për të shpronësuar në vitin 1946 me ligjin e Reformës Agrare, të gjithë pronarët e ligjshëm që kishte vendi, duke u marrë atyre shtëpi e katandi për të vendosur aty më të devotshmit ndër komunistë e sigurimsa; duke i shpallur ata “Kulakë” dhe duke degdisur në burgje, dhe në internime. Edhe ata ish-pronarë që i shpëtuan kësaj raprezalje, i përdori si krah pune për të ndërtuar infrastrukturën e shtetit socialist,për të ndërtuar pallatet e zengjinjëve të rinjë komunistë (të Klikës sigurisht!!) dhe që me një ligj të vitit 1992, i privatizuan me çmimin e turpshëm, sa të një lope. A ishin pra “toka të xanuna” edhe këto?! Sigurisht që po!!! Madje “Toka të xanuna” me gjak dhe deportime të dhunshme!! Qyqetërëve nuk u intereson të kujtojnë as shpronësimin e dytë në kurriz të pritshmërive të subjekteve të shpronësuara në vitin 1946, pikërisht në atë që ndodhi në demokraci me ligjin nr.7501/1991 “Për tokën”. Qyqetarëve nuk u intereson të analizojnë as faktin, se pse në ligjin nr. 7698/1993 “Për Njohjen Kthimin dhe Kompensimin e Pronës Ish- Pronarëve”, u parashikua kufini maksimal i kthimit të pronës në 10 000 (dhjetë mijë) metra katrore, dhe jo të kthehej e gjithë prona e lirë e pretenduar nga subjektet e shpronësuara gjatë regjimit totalitar. E pra, mbas miratimit të këtij ligji të 1993-shit, popullsia që jetonte në zonat rurale filloi migrimin drejt kryeqytetit dhe qendrave urbane, me shpresën se do blinin nga një copë tokë nga pronarët e ligjshëm. Domosdo, kur shteti keqfunksionon, çfarë faji mund tu vihet qytetarëve të tij, që me shpresën e ndërtimit të një jete më të mirë, mund të kenë rá pré edhe e matrapazëve, që kishin zënë këto toka, “në emër të filozofisë së më të fortit”, duke ndërtuar aty koliba për të dhënë idenë se ishin pronarët e vërtetë, në mënyrë që tua shisnin ato më pas pjesë-pjesë, me cmime të majme këtyre të ardhurve. Vërtetësia e këtij argumenti, është kaq e vërejtshme, sa mjafton të kujtojmë “teatrin” e qyqetarit Erjon Veliaj, me njërin prej këtyre “shpellarëve”, që prishi kolibën e tij, dhe propaganduar aq shumë në mediat e “kazanit”. Dështimin e shtetit për mungesën e vizionit në drejtim të zgjidhjes së çështjes së pronësisë për subjektet e shpronësuara, si dhe në drejtim të kontrollit të lëvizjes së lirë të të ardhurve që u vendosën në rrethina të qendrave urbane, qyqetarët përpiqen t’ia faturojnë periudhës kur shteti drejtohej nga Partia Demokratike. E vërteta është krejt tjetër. Deri në vitin 1996, migrimi informal ishte në shifra të ulëta, e përqënduar në disa zona “ishullore” siç ishte Bathorja etj. Qeveria e aso kohe (‘92- ‘96) u përpoq ti ndalonte, në vend që të disiplinonte lëvizjen e tyre, pikë së pari duke pajisur subjektet e shpronësuara me tituj pronësie, në mënyrë që palët private ti rregullonin ndërmjet shoqi-shoqit, marrëdhëniet e pronësisë, dhe së dyti të hartonte planet e zhvillimit urban që kurrë nuk u bënë nga asnjë qeveri. E megjithatë, deri në vitin 1996 investimet në këto ndërtime informale (koliba pa kushtet minimale të jetesës), ishin krejt minimale. Mbas vitit të mbrapshtë 1997 dhe revolucionit gjakatar të së majtës për marrjen e pushtetit (deri në vitin 2006, kur u miratua ligji i ALUIZNI-t) shteti shkoi drejt rrënimit të autoritetit të tij. Pikërisht në këtë periudhë fillon dhe batërdia e ndërtimeve të paligjshme. Nga familjet e të ardhurve, filloi edhe emigrimi në masë drejt vendeve të perëndimit, të cilët dërgonin mjete financiare (remitacat) si për mbajtjen me bukë të familjarëve të tyre, ashtu edhe për investimin në banesat të tyre. Pjesa tjetër e këtyre e kësaj popullsie vitale, e mbetur në Shqipni, duke punuar me me djersën ne ballit, me rroga qesharake, në kompanitë e fasonerisë si dhe në kompanitë e ndërtimit të pallateve, (ku qyqetari Edi Rama aso kohe Kryetar i Bashkisë së Tiranës ushqente lulëzimin e kësaj fushe të ekonomisë), arritën të integrohen me dinjitet në shoqëri, qoftë përsa i takon ekonomisë së ndërtuar, ashtu dhe investimit në shkollimin e fëmijëve të tyre. Sot,Tirana është kryeqyteti më i shëmtuar i kontinentit, dhe kjo, jo gjithëaq për shkak të ndërtimeve informale, por për shkak të pallateve të ndërtuara pa asnjë plan urban zhvillimi estetik, por vetëm në emër të babëzisë së fitimit 20 %, vlerë kjo e kaluar në llogaritë e qyqetarëve drejtues, si ryshfet për lejet e ndërtimit. Por kjo, sipas qyqetarëve nuk meriton analizë sepse këta kanë të “drejtë” të masakrojnë urbanistikën e qytetit, por nga ana tjetër “shpellarët”, nuk kanë të drejtë të kenë një strehë për fëmijët e tyre.

“Le të kthehen nga kanë ardhur në shpella “- thonë qyqetarët, sepse në injorancën e tyre, gjallnon mendimi se: po nuk fole të njëjtin dialekt si ata; po nuk pate lindur në pallat parafabrikatesh të ndërtuara me vullnetarët e Enverit; natyrshëm duhet të jesh shpellar e kurrsesi qytetar. Por, pak kush mëndjeshëndoshë, mund të ketë më të voglin iluzion se qyqetarët e këtij soji, që mjerisht sot na drejtojnë, kanë vullnetin e mirë e dashninë shpirtnore, ase brenda qënjes së tyne sython sadopak ndonjë ndjenjë mëshire njerëzore, që ti bëj ata të mendojnë për zgjidhjen e drejtë të hallit të atyne familjeve, bijtë e të cilave dje luftuan që në të jemi shtet, e sot nëpërmjet punës së tyne në perëndim dhe brenda vendit, kontribojnë që ky shtet bjerrun prej hajnash, të mos shuhet në mjerim.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora