Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Protestat e studentëve i kthyen buzëqeshjen Shqipërisë

| E shtune, 22.12.2018, 09:57 AM |


Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë- Prizren solidarizohet plotësisht me protestat e studentëve ne mbarë vendin

Ashtu sikurse protestat e studentëve të Dhjetorit 1990, të cilat e çanë koracën e ndryshkur të sundimit diktatorial i cili kishte zgjatur prej më shumë se sa 45 vitësh, edhe protesta studentore e këtyre ditëve duhet mbështetur dhe të mos reshtin për të çarë dhe shporrur nga faqja e dheut shqiptar, malin me hajdutë e armiq të popullit shqiptar të cilët e kanë frenuar prej më shumë se sa 28 vitesh çdo proces zhvillimi e integrimi të këtij vendi.

Ndonëse prindërve tuaj dhe tanëve, këta politikanë të kalbur të këtij vendi iu kanë marrë nderën, erzin dhe pasurinë dhe po luajnë teatër duke u tallur prej 28 vitësh, ju duhet që të mos ipeni e dorëzoheni pa i venë ata me shpatulla për muri që të japin llogarin një me një për bëmat e tyre te thelluara antikombëtare.

Ashtu sikurse edhe derrat qe kanë te njëjtin turi, ashtu janë edhe politikanët aktualë të këtij vendi të cilët me bëmat e tyre 28 vjeçare e kanë venitur shpresën e ketyrë njerëzve, e kanë venitur perspektivën e këtij vendi, por mos reshtni që shpresa të jeni Ju.

Studentë heroikë, veçse kërkesave tuaja të drejta, duhet ta dini dhe kërkoni se është tjetërsuar pjesa më e madhe e pasurive të paluajtshme në favor të oligarkisë së këtij vendi, po shfrytëzohen egërsisht dhe pa kriter pasuritë e nëntokës dhe mbitokës, çdo vit e më shumë është kanabizuar vendi ynë, të gjitha këto e shumë të tjera duke sjell robërim e vartësi, por asnjë impakt pozitiv, veçse rëndimi i çmimeve, taksave e tatimeve, deri sa të vijë momenti qe të paguajmë edhe për ajrin që marrim e dritën që shohim.

Politika Çubrolloviçjane e politikanëve të këtij vendi, jo vetëm se ka bërë të rrënohet e gjithë ekonomia shqiptare e ndërtuar me mund e sakrifica me gjakun e djersën e këtij populli për 45 vite të regjimit monist, por edhe tani për këto 28 vite të sundimit të hajnave, nuk kanë lejuar të rimëkëmbet ajo, por përmes monopoleve, politikave proteksioniste, shumçka vjen nga jashtë duke rrënuar çdo fillesë pozitive të shtresës së mesme dhe te ulët të këtij vendi.

Të jeni syçel sepse edhe ju ashtu sikurse shumë mjekë, infermjerë, e kuadro të tjerë të profileve vitale për rëndësinë shoqërore të këtij vendi të cilët janë përgatitur dhe përgatiten me një kosto të mundimshme familjare dhe shoqërore, me politika të stërholluara apo edhe nga pa vëmendja i kanë dëbuar rrugëve të botës, edhe ju atë rrugë do t’ua mundësojnë, por vendi ynë ka nevojë për Ju.

Ju po tregoni veten se do të jeni e ardhmja e këtij vendi, për të pastruar administratën nga administratorët e paaftë, të korruptuar neopotikë, militantë te përunjur apo ata që kanë blerë vendet e punës, por jo vetëm sipas asaj që flitet, por edhe skandaleve të herë pas hershme, së shumti edhe nga “pela për homshor”, e tranguj për të vegjetuar në kopshtin e politikanëve të demoduar të këtij vendi.

Protesta juaj studentë, po ngjall shpresën e venitur tek shqiptarët, të cilët edhe tani ashtu sikurse edhe në `90 e kanë marrë arratinë nga ky vend, por kjo duhet ruajtur që të mos bëhet pis nga politikanët e këtij vendi të cilëve nuk iu shkon përshtat epiteti “plehra” sepse janë aq të pistë sa i ndotin edhe vetë plehërat.

Duhen nxjerr mesime se jo vetëm në sa e sa raste që kanë kompromentuar lëvizjet e drejta të qytetarëve, por si rast i freskët ndodhi që ata, politikanët e bënë pis edhe protestën e drejtë të popullit të Qarkut të Kukësit, për taksën e rëndë që kanë vënë për të lëvizur në Rrugën e Kombit.

Studentë, udhëhiquni nga heroizmi dhe idealet e studentëve të Dhjetorit 1990, por sikurse është parë qartë idealet e atij Dhjetori u kompromentuan rëndë nga klasa politike shqipetare, dhe nga ajo që ka ndodhur duhen nxjerrë mësimet e patjetërsueshme.

Shoqata jonë solidarizohet plotësisht me protestat e studentëve që po vijojnë në mbarë vendin.

Shoqata Mbarëkombetare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren

Tiranë më 09.12.2018