Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Reshat Kripa: Këngë të harruara

| E shtune, 22.12.2018, 09:59 AM |


Reshat Kripa

Këngë të harruara

I shkrova me  zjarr,

Në vitet skëterrë,

Tani plot me mall,

Në dritë po i nxjerr.

Bisedë  me  zemrën

Çfarë ke  zemër që rënkon? Pse  s’më thua çfarë ke?

Porse zemra  drithëron dhe përgjigje nuk më kthen,

Çfarë po  fsheh ti brenda vetes?  Ç’është ajo uturimë?

Thellësi  e zemrës time, nxjerr një zë si një kushtrim.

Deri kur do të  duroj, këtu  ndrydhur brenda teje,

E dëgjon ti shkrepëtimën që ushton fort rrotull meje?

Dua jetën,  bukurinë, dua edhe trimërinë,

Dua shumë begatinë, por më shumë dua  lirinë.

Kështu foli zemra ime e unë shumë u turbullova,

Siç isha i çoroditur, zemrës time prapë i fola:

Nuk më sheh që jam i  mitur, n’atë flakë për t’u  futur

Jam në moshë  t’ ëndërroj, për  një jetë më të bukur.

Ti do që  të ëndërrosh? Por më të bukur  a  ka?

Se të fluturosh i  lirë edhe të  pushtosh gjithçka.

Porsi një  zgalem të zhytesh, në mes dallgve uturimë,

Edhe  fjala jote  zjarrtë, të buças  si një kushtrim.

Krejt papritur këto fjalë, mendjen time e  kthjelluan,

Seç u ndez një zjarr përbrenda, shpirti seç u turbullua.

Një shpërthim si një vullkan, një gjëmim si një tërmet

U ndez flakë  zemra ime: Zgjohu koha më  nuk pret!

Ah,  më zgjoi nga letargjia, atje ku unë  kisha rënë,

Porsi një zog fluturova, lart  diellin për të zënë.

Pëshpërita  dy-tri fjalë, ushtoj zëri si bori:

“Për liri, për  Shqipëri, për  flamurin kuq e zi!“

Vlorë, shkurt  1951

Kushtuar ty

Fale zemrën që s’guxoi të të thotë dy tri fjalë,

Është premtimi zemrës sime, e kam dhënë e do ta mbajë,

Ia dëgjon zërin  bilbilit, bukur këndon në pranverë,

Ia ndien  erën trëndafiles, që lulëzon plot me  erë.

Kështu foli zemra  ime, nuk e di a më beson?

Po besove Perëndinë, dëgjo zemrën që premton,

Të dua, seç foli zemra, e mahnitur para teje,

Vetëm ti je imja ëndrra, që s’do  shuhet kurrë prej meje!

Vlorë, maj   1951.