Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kadri Tarelli: Durrësi mirëpriti 'Tingujt e Adriatikut'

| E premte, 21.12.2018, 08:19 PM |


DURRËSI MIRËPRITI FESTIVALIN “TINGUJT E ADRIATIKUT”

Nga Kadri Tarelli

Ngjarje festive për publikun Durrsak, në këtë fillim dimri, 2018. Qendra Kulturore e Fëmijëve Durrës, më datë 05, Dhjetor, në Pallatin e Kulturës "A. Moisiu", Durrës, organizoi natën finale të Festivalit të Këngës për Fëmijë: “Tingujt e Adriatikut”, edicioni 33. Veprimtaria u zhvillua në praninë e qindra nxënësve, prindërve dhe të ftuarëve të shumtë, që tej mbushën sallën si asnjë herë tjetër. Ishte një organizim i përsosur, i mirëmenduar deri në hollësi, duhet thënë i përkryer, sepse u harmonizuan bukur këngët me shoqërimin e korrit, të përgatitur cilësisht, nga dirigjenti Ermal Jaho. Në çdo këngë, ndjehej puna cilësore e mjeshtres së kantos Olta Juba, e cila prej kohësh pregatiti zërat e rinj, që u përfaqësuan aq bukur në këtë festival. Ajo që ra në sy dhe u durartrokit nxehtësisht, ishte se e gjithë veprimtaria u shndërrua në një spektakël të vërtetë festiv, për ta pasur zili dhe model të rriturit, pasi veç korrit, çdo këngë u shoqërua edhe nga balerinët e vegjël, të përgatitur nga mjeshtri koreograf, i mirënjohuri Arjan Plaku.

Në këtë festival u përzgjodhën 18 këngë, të cilat garuan këtë natë, të kënduara kryesisht nga fëmijët e QKF, veç tyre, pjesëmarrës kishim këngëtarët e vegjël nga Struga, Prishina dhe nga Bullgaria. Një vlerë tjetër e shtuar, enkas për këtë festë të muzikës (do ta quaja ballkanike), është pjesëmarrja për të dytin vit, e kompozitorëve të huaj, siç është italiani Galliano Borsati (Kitarist), me këngën “Flas me Hënën”, të poetes Irma Kurti.

Në fund të festivalit, juria me kryetar z. Emir Dizdari dhe anëtare: Ervina Garo (gazetare në TV.), Arjona Sulejmani, (mësuese, Soprano), vlerësoi si më poshtë:

Çmimi parë:

Kënga: "Ty Mbi rërë të vizatoj". Teksti Agim. Bajrami, kompozuar nga Ylli Ramzoti. Kënduar nga Violeta Beshiri.

Çmimi dytë:

1- “Sa Bukur". Kompozuar nga Alfred Kaçinari, kënduar nga Klarisa Kastrati

2- “Sa të mirë jemi”.  Kompozuar nga Agim  Rreza. Kënduar nga Frensis Karuli, Klei Luarasi, Amarild Percakaj.

Çmimi Tretetë:

1. “Më puthi Flutura”. Ylli Kalaja, kënduar nga Serxhio Danieli e Eralda Prushi.

2-  “Dhjeta”. Ermal  Laho. Kënduar nga Adea Xhaferri.

3-  “Lulja Ime”. Enis Mullaj. kënduar nga Speranca Bregasi

Juria Vlerësoi gjithashtu këngët:

- Vokali më i mirë. - Emmi Rushiti, me këngën “Kënga ime Shqipërisë”. e Aleksandër Vezulit

- Performanca më e mirë: - Ines Hima, me këngën “Libri miku im”, të Endi Dibrës

- Teksti më i mirë: Irma Kurti, me këngën “Flas me Hënën”, kënduar nga Megi Bardho

- Orkestrimi më i mirë: “Radioja”, muzika Edmond Veizi, kënduar nga Abia Luma

Olta Juba dhe këngëtarja e vogël Emmi Emi Rushiti

Drejtori i QKF, z. Avni Çuni, në fjalën e tij përshëndeti artistët e vegjël dhe pjesëmarrësit në këtë veprimtari të çmuar, që i dha jetë dhe gjallëri Durrësit, qytetit tonë të lashtë, në këtë fillim dimri, në prag të festave të fund vitit. Ai vlersoi përkujdesin e prindërve, por edhe pasionin e artistëve të vegjël, njëkohësisht punën e mirë të stafit të QKF, të drejtuar nga z. Çlirim Kume, (përgjegjës i sektorit të artit), që bashkarisht u morën me përgatitjen cilësore të kësaj veprimtarie madhore. Ai vlerësoi festivalin, si kurorëzim i një pune gjithëvjetore të krijuesve artistë, kompozitorë dhe poetë, njëkohësisht punën, kujdesin dhe përpjekjet që bëhen në QKF, ku zbulohen, përzgjidhen dhe përgatiten talentet e rinj. Ai i uroi të gjithë fëmijëve, suksese, durim, guxim dhe vullnet, për të vazhduar rrugën e bukur të artit. Përshëndetje të veçantë dhe falënderim edhe për pjesëmarrësit nga Bullgaria, Struga dhe Prishtina, që nderuan dhe zbukuruan skenën e këtij festivali magjik.

Urime edhe nga ne të pranishmit, që e ndoqëm me shumë dëshirë këtë festë të muzikës për fëmijë, duke shpresuar për krijime të bukura në të ardhmen, njëkohësisht edhe për interpretime me nivel të lartë artistik, pasi Durrësi dhe durrsakët e adhurojnë dhe e çmojnë artin e bukur dhe i duan artistët, që dalin nga gjiri i tij.

Durrës më: 07. Dhjetor, 2018.