E shtune, 19.10.2019, 04:32 PM (GMT+1)

Editorial

Xhelal Zejneli: Kosova dhe formimi i ushtrisë së saj

E hene, 17.12.2018, 10:50 PM


KOSOVA DHE FORMIMI I USHTRISË SË SAJ

Nga Xhelal Zejneli

Formimi i ushtrisë s Kosovës u mbështet dhe u përshëndet:

nga qytetarët e Kosovës;

nga shqiptarët e Kosovës lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë);

nga Shqipëria;

nga shqiptarët në Maqedoni;

nga shqiptarët në Mal të Zi;

nga çamët.

nga diaspora shqiptare në Evropë dhe në ShBA.

Formimi i ushtrisë së Kosovës u mbështet nga i gjithë spektri politik i Kosovës, por edhe nga minoritetet e Kosovës.

Formimi i ushtrisë së Kosovës ishte në përputhje të plotë me parimet ndërkombëtare, për arsye se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me seli në Hagë, më 22 korrik 2010 konstatoi se “shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare”. Ky institucion përfaqëson gjykatën e nivelit më të lartë të Kombeve të Bashkuara.

Votuan përfaqësues apo gjyqtarë të 14 vendeve. Prej tyre, 10 gjyqtarë votuan pro pavarësisë së Kosovës, ndërkaq 4 sish – kundër. Pro pavarësisë së Kosovës ishin përfaqësuesi: i ShBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Japonisë, Brazilit, Zelandës së Re, Meksikës, Jordanisë dhe Somalisë. Kundër ishin përfaqësuesi: i Rusisë, Sllovakisë, Marokut dhe Sierra Leones.

Çdo shtet sovran dhe i pavarur e ka ushtrinë e vet. Duke qenë se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, është normale dhe e justifikueshme ta ketë edhe ushtrinë e vet.

Ushtria e Kosovës u krijua në territorin e Republikës së Kosovës dhe jo jashtë territorit të saj. Me fjalë të tjera, Kosova e formoi ushtrinë e vet, jo në Serbi, por në vendin e vet. Rrjedhimisht, reagimet e Serbisë lidhur me formimin e ushtrisë së Kosovës, janë të pabaza, madje dhe absurde. Reagimet e Beogradit lidhur me formimin e ushtrisë së Kosovës paraqesin përzierje në punët e brendshme të një shteti tjetër, gjë që është në kundërshti frapante me normat ndërkombëtare. Duke u përzier në punët e brendshme të shtetit tjetër, Serbia dëshmon se jeton jashtë realitetit.

Kosova kurrë nuk është përzier në çështjen e formimit të ushtrisë serbe në Serbi. In ultima linea, Kosova kishte forca sigurie. Sot e tutje, këto forca transformohen në ushtri.

Formimi i ushtrisë së Kosovës justifikohet:

me argumentin historik, për arsye se kjo ushtri u themelua në territorin e Republikës së Kosovës, të banuar nga popullata shqiptare që përbën shumicë absolute në atë territor dhe në të cilin jeton me shekuj dhe mileniume si popull autokton;

me argumentin politik, për arsye se Kosova është shtet sovran, i pavarur dhe demokratik, i njohur nga mbi 100 vende të botës; duke qenë shtet demokratik, në të – respektohen të gjitha të drejtat e grupeve etnike, sipas standardeve më të larta të BE-së, si në asnjë vend tjetër të Unionit;

me argumentin juridik, për arsye se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me seli në Hagë, që përfaqëson gjykatën e nivelit më të lartë të Kombeve të Bashkuara, më 22 korrik 2010 konstatoi se “shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare”; nga kjo rezulton se formimi i ushtrisë së Kosovës është akt legjitim; formimi i ushtrisë së Kosovës është edhe akt legal, për arsye se procedura e krijimit të ushtrisë u zbatua në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në përputhje me aktet juridike të shtetit, brenda një procedure demokratike;

me argumentin e bashkëkohësisë, për arsye se ky akt e manifeston vullnetin e qytetarëve të Kosovës, të shqiptarëve të cilët përbëjnë mbi 90% të popullsisë së përgjithshme të saj, si dhe vullnetin e grupeve të tjera etnike;

me argumentin hipotetik, për arsye se Kosova, midis paqes dhe konfliktit, është përcaktuar për paqe; midis politikës së stabilitetit dhe destabilizimit, është përcaktuar për ruajtjen e stabilitetit në rajon; midis politikës paqeruajtëse dhe asaj luftënxitëse, është përcaktuar për politikën paqeruajtëse; midis politikës konstruktive dhe asaj destruktive, është përcaktuar për politikë konstruktive.

Ushtria e Kosovës, duke qenë shumetnike, do të mbrojë sigurinë e të gjithë qytetarëve të shtetit. Duke qenë ushtri bashkëkohore, do të jetë nder për çdo qytetar të Kosovës që të shërbejë në të.

Kosova me ushtrinë e vet do të bashkëpunojë ngushtësisht me Aleancën Veri-Atlantike. Ushtria e Kosovës do të jetë në krye të detyrës dhe do t’i plotësojë të gjitha kërkesat e NATO-s në planin ndërkombëtar, për mbrojtjen e paqes dhe të sigurisë globale.

*   *   *

Serbia ndërkaq, vazhdon të ndjekë politikë destruktive dhe destabilizuese. Politika e sotme serbe përputhet pikë për pike me politikën e Millosheviqit dhe të Sheshelit – që të dy kriminelë lufte. Partia Serbe e Progresit e kryetarit të Serbisë – Vuçiqit, nuk është veçse Partia Radikale e Sheshelit. Me fjalë të tjera, është po ajo parti. Vetëm emri është ndërruar. Partia Socialiste e Daçiqit, është po ajo e zjarrvënësit të Ballkanit – Millosheviqit

Politika e sotme serbe bazohet në ideologjinë kombëtare serbomadhe të mesit të shekullit XIX. Politika e sotme serbe synon të zbatojë Naçertanien e Garashaninit, të vitit 1844. Në thelbin e këtij projekti kombëtar serbomadh qëndron hegjemonizmi dhe ekspansionizmi serbomadh. Ideologjia garashaniniste ka qenë dhe mbetet anakronike, retrograde dhe antihistorike.

Politika e sotme serbe, duke u mbështetur në një ideologji hegjemoniste, ekspansioniste, retrograde, anakronike dhe antihistorike, s’ka sesi të mos jetë politikë luftënxitëse, destruktive, destabilizuese.

*   *   *

Për ta parandaluar animin e Serbisë nga Rusia, BE-ja e përkëdhel Serbinë. E përkëdhel, madje në dëm të shqiptarëve. Nuk mund të ketë Serbi demokratike, paqeruajtëse dhe stabilizuese, derisa Beogradi, një herë e përgjithmonë, të mos heqë dorë nga ideologjia garashaniniste. Kjo është conditio sine qua non i demokratizimit të Serbisë. Në historinë politike të kohës më te re, Serbia asnjë ditë të vetëm nuk ka qenë shtet demokratik. Sundimi dhe shfrytëzimi i tjetrit është ngulitur në qenien serbe.

Serbia është mësuar të jetë e përkëdhelur dhe hegjemoniste ka qenë, si në Jugosllavinë e Versajës, ashtu edhe në atë të AVNOJ-it (KAÇKJ-së).

BE-ja duhet të kërkojë nga Serbia që të heqë dorë nga politika e forcës. Ndryshe, nuk mund të integrohet në BE.

Një shtet me synime grabitqare, e zhvillon edhe makinerinë e propagandës. Në dy shekujt e fundit, makinerinë e gënjeshtrës, të mashtrimit dhe të shpifjes, diplomacia serbe e ngritur në art. Ka kohë që Beogradi zhvillon luftë speciale dhe luftë psikologjike. Në shërbim të luftës speciale dhe të luftës psikologjike të Beogradit është vënë edhe makineria serbe e propagandës që ka në shënjestër Kosovën dhe shqiptarët, kudo në Gadishullin Ballkanik. Propaganda serbe e luftës speciale është aq e përkryer saqë do t’i kishte zili edhe Jozef Gebelsi.

Nuk ka prononcim, deklaratë dhe paraqitje publike të kryetarit të Serbisë – Vuçiqit, ku ai të mos kanoset me luftë, me ushtri, me përdorim force, me ndërhyrje ushtarake. Kësaj dhelpre të Ballkanit, Uashingtoni dhe Brukseli nuk i besojnë fare.

Serbia është i vetmi shtet në Evropën Perëndimore që ka pretendime territoriale, madje jo vetëm ndaj Kosovës por edhe ndaj fqinjëve të tjerë të saj. Në vitin 1991 zhvilloi luftë kundër Sllovenisë; Për territore, ajo është në konflikt të përjetshëm me Kroacinë; Pa asnjë dyshim, synon ta shkëpus Republikën Serbe nga BH-ja; Malin e Zi e konsideron krahinë të veten dhe nxit segmentet proserbe në të; Kishës maqedonase nuk ia njeh autoqefalinë; Me Bullgarinë, në historinë politike të kohës më të re, për qëllime ekspansioniste ka luftuar pesë herë.

Një Serbi e tillë është e keqja e Ballkanit, është murtajë e zezë e gadishullit. Një Serbi e tillë s’e ka vendin në BE. Ajo duhet izoluar. Dyert e kancelarive të BE-së, për politikanët e sotëm serbë, duhet të jenë të mbyllura.

*   *   *

Gjatë dialogut në Bruksel midis Prishtinës dhe Beogradit, s’ka për se të bisedohet, përpos që Serbia:

të njohë pavarësinë e Kosovës;

të heqë dorë nga pretendimet territoriale ndaj Kosovës;

të heqë dorë nga synimi për të krijuar në Kosovë një republikë serbe, si ajo fantomikja në Bosnjë dhe Hercegovinë;

të mos e pengojë Kosovën në anëtarësimin e saj në organizmat ndërkombëtarë;

të mos veprojë në vende të caktuara të Paqësorit për t’i bindur ata që ta tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës;

të mos e shndërrojë pakicën serbe në Kolonë të Pestë të Beogradit;

t’i paguajë Kosovës dëmshpërblim për politikën kolonialiste dhe të aparteidit që ka ndjekur që nga viti 1912 deri në vitin 1999;

të përgjigjet për krimet e luftës të kryera në Kosovë në vitet 1998-1999;

Kuvendi i Serbisë të miratojë rezolutë me të cilën t’u kërkojë falje shqiptarëve, përkatësisht qytetarëve të Kosovës, për gjenocidin të kryer që nga viti 1912 deri në ditën e çlirimit  si dhe për krimet e luftës të kryera në vitet 1998-199;

Të respektojë të drejtat e shqiptarëve në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë), sipas standardeve të BE-së dhe jo t’i margjinalizojë e t’i getoizojë me qëllim shpërnguljeje të heshtur.

Serbia duhet të çmilitarizohet apo të ketë potencial ushtarak në përputhje me përmasat e veta reale, territoriale, demografike dhe ekonomike. Vuçiqi vazhdimisht flet për pajisjen e ushtrisë serbe me aeroplanë dhe me helikopterë luftarakë të marra falas apo të blera nga Rusia. Përse i duhet Serbisë së vogël dhe të varfër armatosja me aeroplanë luftarakë në kohë paqeje dhe në një kohë kur askush nga fqinjët e saj nuk ndërmend ta sulmojë?!

Serbia është e vogël për të gëlltitur kafshatë të madhe, është e vogël për të pasur koloni. Të mendosh për koloni në Evropë në shekullin XXI, është marrëzi.

*   *   *

Ushtria e Kosovës është ushtri mbrojtëse, ushtri e paqes. Shqiptarët janë populli më proamerikan i planetit.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT