E merkure, 24.04.2024, 02:15 AM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Pëshpëritje për paqe

E marte, 11.12.2018, 09:00 PM


Pëshpëritje për paqe

Nga Blerim Rrecaj

Fjalët tona të përditshme, vetmevete a me të tjerë pak a shumë kanë këtë rrjedhë: Si je? Lodhshëm e më lodhshëm, duke u ngritur a zbritur shkallëve të lodhshmërisë, mërzisë, melankolisë...Mos u dorëzo! Të mos ngrisim duart lart a dorën me flamurin e bardhë. Po mundohemi, do përpiqemi, do bëjmë gjithçka që varet nga ne dhe do presim rezultatin. Dhe vazhdojmë me baraspeshë të humbur o të lëkundur, me kokat të mbushura tym e me zemrat plot me mjegull. Do flasim pa rend e pa rregulla për futboll a për filma, për taksa a për libra, për viza e për fate, për protesta, ultimatume, afate, për pështjellime e ngatërresa, për ndërlikueshmëritë e proceseve duke filluar nga ato shtëpiake e të lagjes, duke vazhduar te ato komunale, shtetërore, rajonale, ballkanike, europiane, (ndër)kontinentale e globale. Dhe kështu mblidhen një mori fijesh me makthe e shqetësime sa për të na u kujtuar zëri i Aurela Gaçes kur kumbon: "Ku po shkon kjo botë?..." Nëse duam ende mund të gërmojmë me lopata a me thonj për të kërkuar ndonjë gjë që mund të na duket me mend a me vend për të bërë ndonjë ilustrim të asaj që duam ta themi. Duke marrë ndonjë shembull, duke u përpjekur për të qëlluar në shenjë. Si thotë kënga e (S)shkurt-e-shqip-es(Fejzës): "Mora fjalë...". E një fjalë që e del përpara, që po thonë që është aforizëm i Kamysë po thotë: "Në lidhjen e njeriut me jetën gjendet diçka shumë më e fortë se të gjitha pakënaqësitë e botës". E në tregimin e Dino Buxatit "Mësimi i vitit 1980" bëhet fjalë për nja 40 infarkte që shkaktojnë vdekjen e njerëzve më të fuqishëm të botës, si kryetarë shtetesh, financierë, e të tjerë, e të tjerë. Dhe kjo fillon në mesnatën e ndrrimit të motmoteve, për t'u përsëritur pas një jave, çdo të martë deri kah mesi i muajit tetor. Gjatë kësaj periudhe ka dhe ndonjë që e pret me krenari vdekjen e pashmangshme të martën në mesnatë duke qenë i kënaqur që gjendet në mesin e njerëzve të famshëm, të fuqishëm e me ndikim, por pa i pa(në fakt duke lexuar, duke i parë e imagjinuar...)shumicën duke ikur, duke lëshuar postet komanduese, duke shpikur skandale për veten për t'i humbur zgjedhjet, a duke u vetinjektuar për t'u dobësuar për t'i ikur dënimit. Pastaj pa e pa botën pa mërira e inate, n'harmoni e n'paqe, mirëkuptim maksimal në mes të punëtorëve e udhëheqësve të firmave, kompanive, ndërrmarrjeve. Ngutia për të shpërndarë miliardat e grumbulluara etj. Dhe ky mbet një mësim nga Zoti për këdo që ngre krye, përfundon ky tregim këndellës, kritik, tragjikomik e realmagjik. Ndërkohë duke parë botën kaq të turbulluar, kaq të zhytur në luftëra, duke notuar nga kriza në krizë, nga kaosi në kaos, nga rrëmuja në rrëmujë e kaq udhëhumbur ngushëllohemi me porosinë e tregimit dhe sigurisht urojmë për më të mirën, udhët e mirësisë e vetëdijësimit... Mendjen e vërtisim te mendjemadhësia, te rrahagjokësia, te vetëreklamimet, te kokëfortësia, tek shantazhet, kërcënimet, intrigat e te vërshimi i të këqijave dhe e të ligave. E jemi në hall me hallet tona. Si të vendosim për ato të ashtuquajturat "prioritete", kë të marrim e kë të lëmë, e cila mund të presë në radhë. Ndërkohë vërtitemi, s'dijmë as kah t'ia mësyejmë, as kah të hidhemi. Pas ca hapave të hedhur mund të zëmë vend te te ndonjë ulëse publike e drunjtë bojëkafe dhe të vëmë këmbën mbi këmbë, të na përzihet ndonjë temë e lehtë me ndonjë temë të rëndë, duke vështruar qiellin e përzieshëm me re, një diell që mes tyre dritë hedh dhe si oriz a sheqer ca fluturëza bore bien mbi plagët e vragët e botës, vendit tonë llum-llokum...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora