Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hajro Limaj: Haradinaj, kryeministri që i duhet Kosovës

| E shtune, 08.12.2018, 12:16 PM |


Haradinaj, kryeministri që i duhet Kosovës

Nga Hajro Limaj*

Ditët e fundit qeveria e Kosovës me në krye kryeministrin Haradinaj ka marrë vendime shumë të rëndësishme për t’i treguar Botës se Kosova është realisht një shtet i pavarur, sovran dhe që kërkon reciprocitet të plotë ndërshtetëror dhe ndërkombëtar. Qëndrimet agresive dhe të pandërprera të Serbisë për të penguar njohjen e pavarësisë së shtetit të Kosovës nga 5 shtete të Bashkimit Europian dhe të shteteve të tjera jashtë kësaj hapësire, të qëndrimeve antikosovare për lëvizjen e lirë të qytetarëve kosovarë në hapësirën e Shengenit, në krijimin e lobingjeve kundër anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në institucionet e tjera ndërkombëtare, pa folur këtu për veprimtarinë antishtetërore të saj brenda shtetit të Kosovës, e detyruan që më në fund Kosova të marrë vendimin e vendosjes se taksës 100 % për të gjitha mallrat që hyjnë nga Serbia.

Reagimet nga qeveria e Serbisë ishin të ashpra, sepse deri më tani Beogradi kishte vetëm mësymje të përditshme kundër Kosovës dhe nuk kishte marrë asnjë kundërmësymje të prekshme dhe të dukshme. Vazhdimi i bisedimeve dypalëshe midis dy presidentëve nuk kishte dhënë asnjë rezultat të prekshëm. Beogradi çdo ditë vazhdon të deklarojë që “ne nuk do ta njohim asnjë herë shtet të pavarur Kosovën”. Vendosja e kësaj takse në masën 100 % e tronditi dhe e befasoi atë, sepse ishte mësuar vetëm të vazhdonte intensivisht veprimtarinë e gjithanshme politike, ekonomike dhe ushtarake kundër Kosovës. Mos tërheqja nga vendimi i marrë nga kryeministri Haradinaj edhe pas ndërhyrjeve të Komunitetit Europian është domosdoshmëri për të vendosur reciprocitet dhe barazi në trajtimin e këtyre dy shteteve të pavarura. Sot Beogradi me taksën bashkoi edhe shqetësimin e krijimit të Forcave të Armatosura të Kosovës, të cilat mund ta çojnë deri në shpalljen e luftës. Pra, megjithëse kanë kaluar gjithë këto vjet nga çlirimi i Kosovës nga pushtimi barbar i Milosheviçit dhe gjakderdhja e gjenocidi i vitit 1999, pavarësimi dhe krijimi i shtetit të pavarur të Kosovës, Beogradi në vend të kërkonte falje, vazhdon revanshin politik dhe kërcënues ushtarak ndaj saj.

Prandaj Zoti Haradinaj, edhe pse nuk është në të njëjtin qëndrim me presidentin Thaçi, ka marrë një vendim të detyruar për t’i tregojë Serbisë se Kosova nuk është si dikur, krahinë e Serbisë, por shtet i pavarur me të drejta të plota. Njëkohësisht ky vendim është një thirrje për Europën që të kuptojë se edhe durimi ka një kufi dhe trajtimi me dy standarde të ndryshme që i bëhet Serbisë dhe Kosovës nuk mund të vazhdojë më. Në vend që e penalizuar të ishte Serbia qe i solli ato pasoja tragjike popullit shqiptar të Kosovës, aktualisht ato penalizime po i vuajnë shqiptarët e Kosovës. Bashkimi Europian, përveç liberalizimit të vizave, i ka hapur Serbisë negociatat për anëtarësim të plotë, ndërsa Kosovës nuk i ka miratuar akoma lëvizjen e lirë. Përse ky qëndrim krejtësisht i padrejtë dhe me dy standarde?! Ka ardhur koha që Europa të ndryshojë qëndrimet dhe vendimet që merr ndaj Kosovës dhe gjithë Botës Shqiptare, pasi vendimet e saj janë shumë të dëshirueshme.

Kryeministri Haradinaj kërkon liri, pavarësi dhe dinjitet shtetëror. Vetëm kështu do të njihet dhe do të trajtohet me dinjitet shteti i Kosovës dhe do të mposhten qëndrimet dhe deklarimet e ndonjë lideri, duke e shikuar Kosovën si koloni apo provincë të tij. Deklarata e ditëve të fundit e Z. Haradinaj kundër një vizite të mundshme të presidentit të Turqisë në Kosovë ishte e prerë, dinjitoze dhe burrërore. Ai e kundërshtoi një vizitë të tillë duke u mbështetur në deklaratat dhe kërcënimet direkte që i bëri Erdogani nga Turqia kryeministrit te Kosovës, kur ai shkarkoi ministrin e Brendshëm dhe kryetarin e SHIK-ut për shkeljen e ligjshmërisë për dorëzimin e 6 mësuesve turq spiunazhit turk që kishte organizuar operacionin në Prishtinë. Erdogani e kërcënoi “se do ta kesh të shkurtër këtë detyrë“, sikur Kryeministrin e shtetit të pavarur të Kosovës na e emëroka dhe shkarkoka kryeministri apo presidenti i Turqisë. Prandaj deklarimi i zotit Haradinaj për të mos pranuar për vizitë në Kosovë një kërcënues të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës është burrëror, shtetëror dhe një kthesë e madhe në politikën e Kosovës për të konsoliduar shtetin ligjor, demokratik, te pavarur dhe sovran. Është e natyrshme që këto janë përballje të detyruara dhe asnjëherë të dëshiruara, por nuk ka rrugë tjetër. Krah Kosovës duhet të ngrihet shteti dhe qeveria e Shqipërisë dhe e gjithë politika e Botës Shqiptare. Nuk mund të vazhdohet më me këtë plogështi dhe dhunim të shteteve dhe të popullit shqiptar në të gjitha hapësirat e tij.

*Drejtor i Institutit te Politikave te Sigurisë Kombëtare. Ish-atashe ushtarak në Republikën e Turqisë