E enjte, 18.04.2024, 06:22 PM (GMT+1)

Faleminderit

Mark Bregu: Mihal Grameno patriot dhe publicist i shquar

E hene, 22.09.2008, 03:55 PM


Mihal Grameno
Mihal Grameno dhe Masakra e 30 korrikut te 1830 ndaj shqiptareve 

Mihal Grameno patriot dhe publicist i shquar

Nga Mark Bregu

Në "Panteonin" e rilindësve tanë të shquar, Mihal Grameno zë një vend nderi plotësisht të merituar. Si rrallë ndonjë tjetër ai shquhet: si burrë i pushkës dhe i pendës, me një aktivitet të dendur në shërbim të Atdheut.
M. Grameno u lind në Korçë në vitin 1871 në familjen e një zanatçiu e tregtari të vogël. Ai kreu vitin e parë të gjysmëgjimnazit dy vjeçare të qytetit (në gjuhën greke). Për nevoja ekonomike, më 1886 u mërgua në Rumani, ku do të aktivizohej nëpër shoqëritë patriotike, kryesisht përkrah Nikolla Naços. Atje iu dha mundësia të zgjeronte kulturën. Në vitet e para të shek. XX, Gramenoja nisi të bëhej shpejt i njohur në shtypin kombëtar me artikuj e vjersha patriotike. Akoma më i njohur u bë emri i tij si pjestar aktiv i çetës së Çerçiz Topullit. Pas vitit 1908 Xhonturqit e ndoqën dhe e burgosën disa herë, deri sa më në fund mërgoi në SHBA.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, Gramenoja bëri një punë të madhe për lëvizjen patriotike të të mërguarve shqiptarë, të cilët e dërguan delegat në Konferencën e Paqes të Parisit, për të mbrojtur interesat e Shqipërisë. Gjatë viteve 1900-1926, veç botimit të vjershave, dramave dhe novelave, ai bashkëpunoi gjerësisht me organet e shtypit shqiptar, si me gazetën "Drita" të Sofjes, "Perlindja e Shqipërisë" e Vlorës etj., duke subvencionuar dhe vetë gazetat shumë të njohura - "Lidhja ortodokse" (1909-1910, Korçë) e sidomos "Koha" (1911-14, 1920-26, po atje dhe 1915-1919 në Amerikë). Me artikujt, korrespondencat, reportazhet, fejtonet, pamfletet etj., Gramenoja u njoh si një nga publicistët më energjikë e më përparimtarë të kohës gjatë një periudhe prej dy dekadash. Pas shpalljes së Hyrrjetit, kur lëvizja për çlirim kishte hyrë në fazën e saj përfundimtare dhe publicistika shqiptare mori një zhvillim të gjerë, Mihal Grameno qe nga të parët që ndezi luftën patriotike brenda vendit me gazetën e tij "Lidhja orthodhokëse" dhe pse jetëshkurtër, i goditi ashpër pushtuesit osmanë duke iu kushtuar posaçërisht punës me shqiptarët ortodoksë, të cilët bënte çmos që t'i mashtronte propaganda e Partikanës fanariote në shërbim të megalidesë. "Koha", një nga organet e shtypit shqiptar që jetoi më gjatë, ishte ndër ato gazeta që përpunuan vijën politike themelore të Lëvizjes Kombëtare.
Drejtori i saj Grameno, shfrytëzoi liritë e kufizuara të Kushtetutës Xhonturke për të ngritur në një shkallë më të lartë përpjekjen për autonominë dhe pavarësinë e vendit. Shkrimet e fuqishme të Gramenos luajtën një rol mjaft të ndjeshëm kundër demagogjisë së turqve të rinj dhe kundër rrymës reformiste të aristokracisë dhe të asaj pjese të borgjezisë së pasur shqiptare (kolaboracioniste) të cilën interesat e lidhën me pushtuesin. Grameno propagandonte luftën e armatosur si rrugën më të sigurtë për të arritur ditën e lirisë, me një program të saktë e të qartë, që të mos ta shuante asnjë demagogji dhe as forca e armëve.
Pas shpalljes së Pavarësisë, Gramenoja u shqua nga të parët, për mbrojtjen e sovranitetit të vendit dhe të integritetit të tokave shqiptare. Që nga fillimi i veprimtarisë së tij publicistike, Grameno i kushtoi vëmendje të veçantë mbështetjes së lëvizjes kombëtare në masat e gjera të popullit dhe hapi një fushat demaskuese kundër "oxhakërisë", me qëllim që të krijoheshin kushte më të favorshme për një shtet demokratik. Në fillim të viteve '20, Gramenoja zhvilloi në gazetën "Koha" në propagandë të flakët për të mbrojtur kryengritjen e Vlorës, dhe për të përjetësuar veprën thellësisht patriotike të Selam Musait, të qershorit 1920.
Tipari kryesor në stilin e tij të gazetarit, ka qenë ai i një temperamenti thellësisht polemist, që flet e godet hapur e pa "dorashka".
Që në ndeshjet e para thikë më thikë me demagogjinë xhonturke e atë grekomadhe, shkrimtari i dha pamfletit (llojit që kultivoi më shumë) disa nga vetitë goditëse më të forta të publicistikës sonë të Rilindjes (le të kujtojmë Shahin Kolonjën e Fan S. Nolin ndër të tjerë). Ironia dhe sarkazma therëse viheshin në shërbim të një logjike të mprehtë demaskuese dhe shembuj të tillë kemi mjaft. Zakonisht ai shpërthente si me rastin e goditjes që i bëri qeverisë reaksionare të feudalit demagog Iliaz Be Vrionit (1920): "Rroftë Kabineti!, bërtita kur mësova programin e tyre. Nga njëra anë, ata zotërinj flasin për lirinë, të drejtën, lumturinë e popullit, kurse nga ana tjetër, menjëherë pas ardhjes në fuqi, filluan të mbyllin gazetat dhe të arrestojnë patriotët". Me shkrimet e tij te rubrika "Shtylla letrare" që hapi për "Koha", Gramenoja u njoh si një nga lëvruesit e talentuar të llojeve letrare të publicistikës. Gazeta çoi më tej lëvrimin e "Portretit" filluar që nga viti 1909 me shkrime mbi bashkëluftëtarët e çetës ku bëri pjesë. Nga njëra anë ai ngrinte lart figurat si: Çerçiz Topulli, Kajo Babjeni, Idriz Guri, Themistokli Gërmenji, Sali Butka, Shahin Kolonja, Nikolla Naço etj, duke zbuluar thelbin e personalitetit të tyre, si njerëz të një ideali të lartë, që s'kursyen asgjë për Shqipërinë, përfaqësues popullorë që ishin shpresa e vërtetë për sigurimin e pavarësisë, nga ana tjetër me detajet dhe ngjyrat më demaskuese, Gramenoja demaskonte pa mëshirë figurat negative të "parësisë" ose të "onxho-bonxhove", siç ua kishte vënë nofkën kolaboracionistëve, (shërbëtorë të pushtuesit).
Në "fejtonet" e viteve 1915-1916, publicisti i shquar Gërmenji vizatoi figurën e bejlurçinës si ministër a funksionar i lartë në qeveritë e Vlorës e të Durrësit. Këto shkrime marrin shpesh formën e skeçit, me dialogë vetëdemaskues midis personazhit kryesor që vihet në shënjestër dhe atyre që u sillen rrotull. Autori përshkruan, sado shkurt, sjelljet, zakonet, huqet; ai zbulon açik jetën e përçmuar shoqërore dhe veprimtarinë politike të personazheve që sulmon. Satira e tij e dërmon kundërshtarin. Ajo tipizon, duke karikaturuar feudalin xhahil, borgjezin ksenofil e kozmopolit, arkondin e fukosur. Ç'janë antishqiptarët dhe antidemokratët bëhen lëvere përmes shpotisë dhe komicitetit, duke kaluar autori nga patetika në ironi, nda indinjata në sarkazëm.
Përdorimi i hiperbolës e i groteskut, (karakteristik për stilin e këtyre shkrimeve), i ka dhënë dorë publicistit të skicojë syfetet e "pilafxhinjve", përfaqësuesit e klasave parazitare, shushunja mbi shtetin e ri shqiptar.
"Tepër aktuale për kohën që po kalojmë, ku shoqëria shqiptare po shkon drejt një polarizimi të skajshëm, me një borgjezi vulgare dhe një varfëri të tejskajshme" - autori (M.B.). Vlen të theksojmë në këtë rast se borgjezët e sotëm, janë "anti borgjezët" e djeshëm dhe pikërisht ata që i kanë mësuar në shkencën e tyre marksiste, rreziqet që sjell polarizimi i një shoqërie - "Revolucionin"!...
Në këtë mënyrë me pamflete e fejtone si "Mëmëdheu i Vjetër", "Kopsaxhijtë", "Honxho-bonxhot", "Kafe-oxhakët", "Akademia", "Aligolltura" etj. Gramenoja tregoi domosdoshmërinë historike për të mënjanuar bejlerët e çifligarët nga çdo lloj pushteti, si përfaqësues të një klase në kalbëzim të plotë. Shumica e këtyre lloj shkrimeve nga përshtypjet e drejtpërdrejta që autori kishte pasur gjatë takimeve, bisedimeve e mbledhjeve me ministra e zyrtarë, në Vlorë e në Durrës apo edhe jashtë Atdheut, si njeri politik e gazetar symprehtë. Duke shfrytëzuar, sipas rastit, frazeologjinë popullore, gjer te zhargonet e mpleksura me truqizma e greçizma, në portretet e fejtonet e tij, shkrimtari krijoi tipa të larmishëm, veçanërisht figurën e fodullit me shpirt anadollak, që përpiqet ta katandisë Shqipërinë në "Turqi të vogël", fenomen që po përsëritet edhe në ditët tona nga disa pseudoshqiptarë me mentalitet anadollak-mesjetar, ku mund të vendosim në vendin e "nderit" të "përndriturin" - efendi Abdi Baletën, (shënimi është i imi - M.B.). Mihal Gramenoja njohu dhe shkroi vjersha dhe këngë patriotike dhe erotike, një pjesë të të cilave i përmblodhi më 1912 në vëllimin "Këngëtpre Shqipe - Plagët". Disa prej këtyre poezive, si "Për mëmëdhenë", "Uratë për Liri" e "Lamtumirë" u bënë shumë të njohura si këngë që në vitet e Rilindjes. Krahas vjershave patriotike Gramenoja e ndjeu nevojën e lëvrimit edhe të poezisë erotike, që të ndihmonte për emancipimin shpirtëror të lexuesit shqiptar dhe për t'u vënë fre këngëve erotike osmane, greke etj., që kishin vërshuar tek ne asokohe. Edhe disa prej atyre poezive erotike u muzikuan që atëherë u përhapën si këngë, midis tyre "Muaji i Majit", që u përhap mbi të tjera.
Veprat e para që botoi Gramenoja janë dy pjesë dramatike: komedia "Mallkimi i Gjuhës Shqipe" (1905) dhe drama "Vdekja e Pirros" (1906), të dyja në vargje. Mihal Gramenoja ishte nga që parët që lëvroi prozën e gjatë shqiptare, me tri novelat "Oxhaku" (shtypur si nënfletë në gazetën "Drita") (1904-1905), "E puthura" (1909) dhe "Varri i Pagëzimit" (1909). Duhet të nënvizojmë se Mihal Gramenoja është edhe një nga nismëtarët e prozës tonë të re dokumentare: Vepra e tij "Kryengritja Shqiptare" (1925) është një ditar e kronikë historike. Ajo ka një pjesë të parë plot përshtypje të drejtpërdrejta, hedhur në letër gjatë veprimtarisë luftarake të çetës së Çerçiz Topullit (1907-1908), dhe një pjesë të dytë pa shumë interes për ngjarjet pas vitit 1909 të shkruar më 1925, kur Gramenoja u shmang nga rruga revolucionare. Përshkrimi i zbritjes së çetës në tokën amëtare, i Luftës së Mashkullorës, portretizimi i kapedan Çerçizit e i nënave të komitëve, janë bërë me plot frymëzim dhe zgjojnë ndjenjat e patriotizmit tek çdo lexues.
Siç mund të konstatojmë, Rilindja jonë solli një zhvillim të vrullshëm në letërsinë shqipe. Këta "korifej", si në Veri me Titanin Atë Gjergj Fishta, ashtu edhe në zonat e tjera të Atdheut, ku mund të shquajmë Korçën e Gramenos dhe shumë të tjerë (nga Jugu e Veriu) të cilët në qendër të krijimtarisë së tyre letrare patën rezistencën e popullit tonë gjatë pushtimit pesë shekullor osman.
Në ditët tona, kur cilido mund të shkruajë apo të interpretojë autorë të ndryshëm, ndjehet një lloj sentimentalizmi dhe preferencash të paargumentuara historikisht, sidomos në rastin më flagrant, kur pushtuesin pesë shekullor osman e quajmë vëlla!
Kam lexuar diku shkrimin e një autori i cili citon Frashërin të ketë thënë: "Shqiptarët gjetën tek turqit njerëzit e besës", (ky është përfundimi logjik i thënies së Sami Frashërit) meqë aty ishte dhënë në mënyrë të zgjeruar. Mendoj se edhe nëse ky citim është i vërtetë, kjo duhet kuptuar si thënie (konjukturale), dhe në asnjë mënyrë si një mendim që i qëndron realitetit, pavarësisht se sa i madh dhe i ditur ishte Samiu.
Shembuj që provojnë të kundërtën e kësaj thënieje kemi me dhjetra, por unë do të citoj diçka nga pabesia e Portës së Lartë që ka të bëjë me Jugun e Shqipërisë, meqë edhe Samiu ishte nga Jugu: "Serasqeri i Rumelisë, Mehmet Reshit Pasha, për të zhdukur gjurmët e lëvizjes shqiptare kundër sundimit turk në jug organizoi një masakër çnjerëzore më dt. 30 korrik 1830. Ai thirri në Manastir krerët e Toskërisë kinse për t'ju dhënë rrogat e prapambetura nga lufta greke, ose për t'i nderuar me nishana për shërbimet që i kishin sjellë sulltanit. Në çastin kur po zhvilloheshin ceremonitë ushtarake, një batare pushkësh shtriu përdhe më se 500 vetë nga të ftuarit. Kokat e tyre i dërguan në Stamboll si një fitore e madhe e armëve turke. Cilido mund të pyesë, vallë e ka njohur këtë fakt Sami bej Frashëri, kur komenton besën turke ndaj shqiptarëve dhe kur e quan për mburrje mercenarizmin e disa pashallarëve shqiptarë, të cilët "shkëlqenin" në krye të ekspeditave turke, në grabitjen e arit e të argjendit në vendet që padrejtësisht i sulmonin dhe i pushtonin?! Kush i shërbeu Turqisë më shumë se Ali Pashë Tepelena... Si përfundim Mihal Gramenoja mbetet në historinë e Letërsisë Shqiptare, në radhë të parë me vlerat e llojeve të publicistikës, si portretet, fejtonet, pamfletet e tij, ku gjejmë prototipa e figura, skica e aspekte realiste të shoqërisë sonë gjatë përpjekjeve të ashpra të çerekut të parë të shek. XX kundër forcave të huaja dhe atyre reaksionare të vendit, për fitoren e Pavarësisë e për demokraci. Me veprat e tij të veçanta letrare, autori ka meritën që hapi ndër të parët udhën e dramës e të novelës, ku trajtohen përgjithësisht problemet e Lëvizjes sonë Kombëtare për lirinë e Shqipërisë. Ai mbetet një ndër më të mëdhenjtë e kohës së tij, dhe objekt për studiuesit e letërsisë. 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora