E enjte, 25.04.2024, 05:13 AM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: N'presion e n'tension

E enjte, 06.12.2018, 09:37 PM


N'presion e n'tension

Nga Blerim Rrecaj

Jemi në gjendje të jashtëzakonshme, ndonëse jo e shpallur si e tillë. Me një fjalë, me atë që e përdorim shpesh e jo rrallë, tash e sa kohë: "katastrofë, o vëlla, katastrofë, o..." Më pas do ta kemi lehtë ose vështirë për të gjetur, fjalë tjera, fjali, fraza, shembuj e çka jo tjetër për ta shpjeguar situatën aktuale në të cilën gjendemi e gjallërojmë. Mund të gjurmojmë dhe në arkivat e të djeshmes për të parë se ku e si ishim, për të bërë ndonjë krahasim, për të marrë e për të lënë të mirat e të këqijat, a për t'i përgjigjur shpërfytyrimit tonë të tashëm. Sërish ujku, sërish ne me mjegullën në mes. Apo ne ujqër të vetvetes? Çka u ba bre kështu me ne pyet dikush, le bre se gjithmonë kishim qenë kështu merr përgjigjen dhe bashkëbiseduesit mund të qëndrojnë a të largohen të hutuar. Sido që të jetë e sotmja hesht, flet e bërtet, këlthet ani kur dëgjon fjalët tona ngushëlluese a veshshpuese se ishim mirë kur ishim keq ose jemi keq kur jemi të lirë...Më mirë ta lëmë me kaq më mirë, se kush ka thënë kushedi se "Shkruaje ti një fjali dhe nga ajo fjali unë të bëj me të var në litar"... Gjatë një ndeje na pat rënë me dëgju dhe një fjalë që s'mundemi lehtë me e harru, veç pritni sa ta zëvendësoj një fjalë me një tjetër, për të shmangur banalitetin, duke ia ruajtur origjinalitetin, po thuaje a po bëhet më zi a, jo, jo... Sidoqoftë e gjeta: Kosova ishte një mollë e kalbur me shkije dhe është mollë e kalbur pa ta, dikur ai këtë e tha, s'di a është thënie e tij a e transmetuar por kjo ka pak rëndësi. E rrugës një ditë duke ecur ndalemi e përshëndetemi me një të njohur, dhe një i njohur i këtij që njohim që po punonte në një bazë ushtarake në Irak a Afganistan i kishte thënë se robëri për robëri ma mirë robni me pare. Pasi që papunësinë ka kohë qe e kemi plagë kryesore, ndoshta mund të përmendim dialogun e një të papuni me një të punësuar. -Ai: Çka po kërkon ti më shumë prej kësaj Kosove, ti në punë, gruaja në punë. -Ky: Edhe unë edhe gruaja në kredi, pak po mbetet për ne e për fëmijë. Nuk e dijmë se ky dialog këtu a mbaron, po nëse zgjat na bëhet vonë...Plaçkitjet a armatosura janë shtuar në pikë të ditës, dikush me telefon po i incizon e portaleve po ua dërgon. Françesk Radi te kënga "Ky fat na ra", pos tjerash thotë se jetojmë të gëzuar me derë të blinduar. Kthetrat e krizës na e kujtojnë edhe një artikull të një gazete amerikane për shqiptarët të hedhur e shpërndarë kohë më parë në internet me 20 fjali nga të cilat dy po i shkoqis: "Ekziston një vend në Ballkan i cili kufizohet me vetveten. Ku konsiderojnë se vendi do të përparojë më shumë nëse stagnon gjithnjë e më tepër". Përsëri dëgjojmë edhe vet themi se kështu, kushedi derisa do të shkoj, koha këtë do ta tregoj. Mund të ndodhemi me këso e aso situatash, çkado që të ndodh, drojë e madhe për ndryshime formale e jo thelbësore për të cilat kemi kaq nevojë. A thua do marrim të mbarën të mos t'na sundojë anarkia në bashkëpunim me fasadën e kozmetikën ta kenë rolin kryesor. Tashpërtash vazhdojmë të jemi n'presion e n'tension (të brendshëm e të jashtëm, konkurset për punë zakonisht fort u bijnë borive ku duhet të jemi të gatshëm për të përballuar presione e tensione) që na u ka bë zakon...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora