E marte, 19.03.2024, 06:42 AM (GMT)

Editorial » Entela

Entela Binjaku: Varësia nga lojrat e fatit... përgjigje në mungesë të disa pyetjeve

E marte, 04.12.2018, 08:33 PM


Varësia nga lojrat e fatit... përgjigje në mungesë të disa pyetjeve

Nga Entela Binjaku

Për lojrat e fatit kohët e fundit është folur shpesh. Kryesisht për mbylljen e këtij aktiviteti si aksion qeveritar, për pasojat e të punësuarve në këtë sektor etj.

Më pak flitet për aspektet psiko-shoqërore të këtyre lojrave edhe pse në opinion ka një mirëpranim për dëmet që kanë sjellë në jetën e lojtarit shqiptar.

Njerëzit që kanë zakonin e lojës zakonisht nuk i pranojnë pasojat e tjera,  përveçse se i quajnë thjesht personale. Shumë prej tyre janë të mendimit se njeriu në një shoqëri të lirë mund të bëjë atë që dëshiron dhe nëse dëmton, ata janë vetë përgjegjës dhe askush nuk ka pse ndërhyn në këtë zakon.  Të tjerë që luajnë nuk e pranojnë se janë të varur dhe shprehen se mund ta ndalin kur të dëshirojnë, gjë që vështirë ta shohësh, ose nuk e sheh aspak. Të tjerë janë të mendimit se në kushtet kur nuk kanë me se të merren, kjo është një mënyrë për të kaluar kohën, ndryshe me se do ta mbushin kohën. Këto lojra shndërrohen në të  rrezikshme kur krijojnë varësi, kjo për shkak se argëtimi nga varësia është  vetëm një hap larg.

OBSH ka përcaktuar se varësia nga lojrat e fatit është një patologji, është një çrregullim mendor që lidhet me humbjen e kontrollit të impulseve. Pra dikush që ka një varësi të tillë nuk arrin dot të mbajë nën kontroll  impulsin e lojës,  është i paaftë t’i rezistuar impulsit për të luajtur, pavarësisht efekteve negative që ka mbi të dhe mbi të tjerët. Individi provon një ndjesi në rritje tensioni, adrenaline thonë ata që luajnë, apo eksitimi para se të hyjnë në lojë dhe më pas ndjejnë kënaqësi, apo lehtësim. Kur lojtari përpiqet të ndalë lojën dhe nuk ja arrin, ka vështirësi në raportimin social  me të tjerë si pasojë e izolimit të shkaktuar nga loja e zgjatur, ai shoqërohet nga ndjenjat e  fajit dhe izolimit.

Tek një individ i varur nga lojrat e fatit, është thyer sistemi i vetë-kontrollit, ndaj dhe kjo është arsyeja pse ka nevojë për një ndihmë nga jashtë. Një zakon bëhet varësi, në çastin kur ai ndikon jetën në tërësinë e saj: qoftë jetën familjare, shoqërore, akademike apo profesionale, madje edhe funksionimin shëndetësor të individit. Në individ është i varur kur edhe pse e di që loja ka pasoja negative mbi të, mbi njerëzit afër tij, mbi paratë, apo punën, sërish luan. Varësi quhet edhe kur individi e di mjaft mirë se mundësitë për fitim i ka plotësisht kundër, apo edhe kur e di se nuk i lejohet më asnjë humbje për shkak të detyrimeve ku ka hyrë, sërish nuk ndalet. Si model psikologjik, i varuri nga lojrat është i pasigurtë emocionalisht, i parritur nga pikëpamja afektive, përjeton shpesht gjendje negative dhe që beson se një mrekulli  herët a vonë do të ndodhë në jetën e tij. Ka njerëz tek të cilët prirja e zhvillimit të një patologjie prej lojrave të fatit është e lartë, ndaj për ta këto lojra janë të rrezikshme, sic ka edhe  të tjerë për të cilët janë thjesht argëtuese.

Lojrat e fatit edhe pse duken si një vullnet individual, ndikojnë mjaft aftësitë e individit për të punuar, për të përgjigjur përgjegjësive në familje apo në punë, në raportimin shoqëror me të tjerët. Nëse do të  pyesësh familjet e atyre që kanë të paktën një pjestar që vuan nga ky çregullim i kontrollit të impulseve, ata me siguri e dinë që loja ka prekur ashpër jo vetëm jetën e atij që vuan, por edhe të atyre vetë.

Truri i njeriut është në proces formimi deri në moshën 25 vjeç. Thuajse në atë moshë një i ri apo e re mendon për pasojat e veprimeve të veta. Por  ka njerëz që në vend që të mendojnë për përpjekje të përsëritura,  afatgjata,  që krijojnë endorfinë, që japin shëndet psikik dhe gjëndje lumturie, shkojnë drejt zonës së shpërblimit të mënjëhershëm. Në këto raste thjesht me një veprim në tru çlirohet dopamina. Veprimi është loja. Këto lojra krijojnë  botë paralele. Kur jotja shkatërrohet apo nuk të përmbush, është e zbrazët, njeriu ka nevojë për këtë botën tjetër.  Edhe nëse ajo nuk është bota kryesore, sërish ndihmon shumë. Sipas atyre që luajnë,  nëse një lojë krijon varësi, dmth ajo është një lojë vërtetë e mirë. Jo të gjithë ata që luajnë shumë,  fitojnë. Disa e bëjnë thjesht për t’u ikur problemeve të realitetit. Edhe nëse flasim për pokerin, black jack, bastet sportive, në kazino apo online, varësia nga lojrat e fatit ka pasoja me rëndësi për jetën e atij që luan dhe për marrëdhëniet e tij me të tjerët. Sipas Dr Carlo Strenger profesor në Universitetin e Tel Avivit “Nëse ke arritur t’i japësh vlerë asaj që ke bërë në gjysmën e parë të jetës, gjysma e dytë ka për të qenë pjesa më e frytshme jotja”. Ka njerëz që nuk arrijnë asnjëherë të përshtaten me rrethanat shoqërore dhe gjejnë mënyra të ndryshme për t’u ndjerë në zonën e konfortit, për të jetuar atë botë që ju mungon.

Simptomalogjia:

Loja patologjike e fatit shihet si një sëmundje e fshehur, për shkak të mungesës së simptomave fizike. Manuali i Diagnostikimit të Çrregullimeve Mendore – IV - TR (American Psychiatric Association, 2000)  ka përcaktuar këto kritere për diagnostikimin e lojrave të fatit patologjike:

1. Është i shqetësuar për lojën - si të përjetojë edhe një herë adrenalinën e provuar në lojrat e mëparshme, mendon si të sigurojë paratë.

2. Ka nevojë të luajë shuma në rritje për të përjetuar eksitimin e dëshiruar.

3. Bën përpjekje të dështuara për të kontrolluar, reduktuar apo ndalur lojën.

4. Është i paqetë apo i shqetësuar kur përpiqet të reduktojë apo ndalë lojën.

5. Luan për të shpëtuar nga problemet apo për të lehtësuar një pozitë jo të mira ndjenja të brishtësisë, të fajit, ankth apo depresion.

6. Pasi humbet, rikthehet ditën tjetër për të rikuperuar paratë.

7. Gënjen pjestarët e shtëpisë për të fshehur shkallën e vërtetë të përfshirjes në lojrat e fatit

8. Ka vënë në rrezik apo dhe ka humbur një marrëdhënie të rëndësishme apo një mundësi studimi apo karriere për shkak të lojës.

9. Mbështetet tek të tjerët për të dalë nga një situatë e vështirë financiare ku ka hyrë për shkak të lojrave,  bën veprime të paligjshme, për të financuar lojrat e fatit.

Duke njohur këto simptoma lind edhe nevoja për një trajtim të kombinuar të varësive, por që kërkon në radhë të parë trajtim psikologjik dhe social. Nuk ështe  e lehtë të shërohesh nga varësia. Si rregull varësia trajtohet me psikoterapi ndërthurur me mjekim, terapi sportive etj.

Trajtimi psikologjik dhe social ka në qendër tre përbërës:

Varësinë psikike dhe të sjelljes së lojës

Menaxhimin e detyrimeve apo borxheve

Menaxhimin e burimit nga ku vijnë paratë

Ky trajtim ngjan shumë me trajtimin që u bëhet varësive nga substancat. Në këtë trajtim zhvillohen  teknikat që masin oreksin për të luajtur, i njohur si craving. Craving quhet dukuria që karakterizon çdo varësi dhe që ka një bazë neuro-fiziologjike. Për shembull nese një lojtar ulet në karrige dhe i skanohet truri,  do të shihen se cilat zona të trurit aktivizohen nëse i shfaqet para syve një foto e një kazinoje apo rulete. Edhe tek individi që vuan nga varësia ndaj substancave apo alkoolit po e njëjta zonë ndizet. E çuditshme është se po ato zona ndizen edhe tek nje individ që nuk është i varur të cilit i tregohet një foto e një ushqimi të shijshëm apo një imazh që ndez oreksin seksual.

Ka shumë njerez që mendojnë se trajtimi nënkupton zhdukjen e oreksit dhe kjo është e gabuar. Trajtimi nënkupton çarmatosjen e pacientit kur shfaqet oreksi.

2. Menaxhimi i borxheve është një përbërëse me rëndësi për trajtimin e lojrave të fatit sepse shumica e atyre që luajnë e vazhdojnë lojën pikërisht për të paguar borxhet që kanë krijuar.  Kjo sjell një spirale që çon në rritjen e borxheve, theksimin e varësisë dhe humbjen e stabilitetit në jetën e personit. Shqetësimet e lidhura me borxhet, frika se mos i ndodh diçka nëse nuk i shlyen në kohë, zhduken në çastin kur luan, ndërsa varësia ashpërsohet dhe humbjeve të vjetra u shtohen të reja.

Menaxhimi i borxheve nënkupton formulimin e një plani që të përfshijë:

Të gjitha borxhet në çastin që nis trajtimi (shuma dhe detyrimi)

Vendosja e nje rregulli apo një radhe për shlyerjen e tyre

Përcaktimi i burimeve nga do të shlyhen borxhet

Afati kohor deri kur do të shlyhen këto borxhe (data të sakta, kalendari)

Është e shumë e rëndësishme që në këtë plan të vendoset një kontratë e prerë që çdo borxh pas nisjes së trajtimit NUK do të merret përsipër nga të afërmit. Në të kundër,  nis një tjetër spirale e rrezikshme,  pasi ai që luan e di që do te jetë dikush që i shlyen.

Menaxhimi i parave është krijimi i një sistemi me anë të të cilit për një fare kohe  personi që ka probleme të varësisë nuk duhet të ketë akses në para qoftë ato në cash, qoftë në kard apo në llogari bankare. Në fazat e para të trajtimit të pasurit akses tek paratë,  është e ngjashme me atë të një të varuri prej heroinës që ka në xhep një zarf me drogë. Kjo është situata kur presioni për të luajtur është më  i madh se ai për të rezistuar.

Për këtë mund të negociohet si psh rroga t’i kalojë në një kard ku individi që ka zakonin e lojës të mos ketë akses ose merr vetëm shuma të vogla ditore, çdo shpenzim i madh të monitorohet apo të bëhet nga dikush tjetër.

Varësitë nga këto lojra mund të mposhten me një ambicie shumë të fortë por motivimi duhet të gjendet tek prioritetet e mëdha të jetës.

Shtetet që kujdesen për jetën e popullatës së tyre  kanë krijuar edhe mundësi terapish për njerëzit që vuajnë nga varësitë në mënyrë që të rinisin apo të rimarrin në dorë jetën.  Nëse duam të tregojmë se jemi një shtet i tillë, duhet të ngrihen edhe tek ne qëndra të trajtimit të varësive. Në mungesë, mbetemi thjesht në nivel të përgjigjeve ndaj pyetjeve edhe të munguara.



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora