Monday, 10.12.2018, 04:21 AM (GMT)

Komente

Ilir Çumani: Kambanat e protestës në Francë po bien edhe për Ramën!

Tuesday, 04.12.2018, 07:55 PM


KAMBANAT E PROTESTAVE NË FRANCË, PO BIEN EDHE PËR RAMËN....!

NGA ILIR ÇUMANI

Kryeministër, i dëgjon kambanat e protestës në Francë....!? Prit edhe pak, sa ti dalë “mpirja” qytetarëve të këtij vendi, ajo “narkozë” e shpëlarjes së trurit që ua ke hedhë me shumicë nga mëngjesi deri në darkë, përmes propagandës tënde të shfrenuar, me anë të 95 % të mediave të blera prej teje bashkë me ERTV – në!

Më thuaj, cili homolog i juaj, kryeministër në detyrë, në rajon, evropë dhe në botë, hap dhe përdorë për qëllime propagandistike një arsenal të tillë mediatik propagandistik, me synimin e vetëm për të ruajtur sa më gjatë pushtetin, për të fituar imunitet nga zullumet e keqqeverisjes në dëm të vendit, në dëm të popullit...!?

Kaq i frikësuar dhe në panik ndodheni, aq sa i je qepur këmba këmbës të gjithë atyre qytetarëve dixhital, gazetarëve dhe mediave që nuk ju vijnë pas qejfit, duke i shantazhuar dhe i kërcënuar me të ashtuquajturën: “paketë antishpifje”...!?

Pa na thuaj, në cilin vend të botës demokratike, një kryeministër në detyrë, i cili administron përmes pushtetit pa kufi të gjitha paratë publike, del e bërtet ashtu siç di të bësh vetëm ti, nga mëngjesi deri në darkë; kapardisesh dhe fryhesh si gjel, shan, ironizon me cinizëm vanitoz, fyen e denigron njerëzit që nuk janë në një mendje me ty, kërcënon dhe denigron pushtetin e katërt, dhe në mënyrën më të paskrupull, guxon dhe bëhesh i pari inisiator që përmes të ashtuquajturës “paketë antishpifje”, kërkon të nxjerrësh me çdo kusht ligje represive, për të kufizuar të drejtën e fjalës, për të ngushtuar hapësirat e lirisë...!?

Nëse kjo është një nismë që duhet bërë, le të bëhet nga institucione të specializuara dhe të pavarura, por jo nga ju, sepse, le ta themi troç: ju jeni në konflikt të pastër dhe të hapur të interesit si kryeministër, ngase të gjitha zullumet e mbrapshta të vendit fillojnë nga ju, me korrupsionin administrativ! Ndaj, me këtë nismë, bëheni jo vetëm i pabesueshëm, por edhe qesharak, sepse në fakt, keni kohë që ndjeheni i frikësuar dhe jeni në panik...!

Tiranë, 04.12.2018



(Votes: 0)

Write Your Comment
Comment: