Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fatmire Duraku: Tatuazh i shpirtit

| E marte, 04.12.2018, 08:53 PM |


Fatmire Duraku

Tatuazh i shpirtit

Retushoj frymën e shpirtit

E pabesueshme si ngel tatuazhi

Në lëkurën e paprekur të vetes

Një hartë shtatë udhë e kroi bri pyllit

Një portret atdheu dhe një zog në qiell

Ia përcaktoj gjakut rrjedhat

Mbi gur i përcaktoj kufijtë

Bëj tatuazh në lëkurën e shpirtit

Ja gjeografia e dhembjes me flamur

Ja ngjyrat e ndezura gjaku

Shtatë ngjyra e ylber s` është

Mbi plagët dëgjohet himni

Mbi fjalët rrëshqet gjarpri i rrënjës

E tingëllima e rrjedhës së ujit në gur

Ja dhe pika e gjakut tim në drunjtë

Në lulet në fluturat në barin e kallinjtë

E dridhjet e natyrës së vjetër

Në ndërlidhje me udhët që ikin

E gjithnjë kthehen aty nga  nisen

Nuk mund të ikësh askund shpirti im

Pa e marrë me vete gjithë atdheun

Agu në liri

Dal në çardak ende e përgjumur

Të mësohem më në fund me lirinë

Ajo ja shëtit ndër flokë të mia

Në duart buzëqeshjet dhe sytë

Që kapin atje krahët e zogut në flatrim

Qiellit të ngrohtë të agut të purpurt

Mbi shelgjishten dhe ujin e lumit

Valët lehtas puthin bregun

Ja një herë e përgjithmonë

Kanë rënë zinxhirët e me ta  robëria

Aty ku është flutura dhe gjaku yt

Nuk mund të hyjë dot më

Ai zë mbi çati nuk është i qyqes

Druri i jetës

Në bisht të qiellit mbi shelgjishtet

Çel gjuhë e verdhë e vetëtimës

Ata që mbyllin sytë të ikur nga hiri

S`e kanë përjetuar flakën e lirisë

Ende e bartin ndjenjën e robit

Frikën që nuk shërohet pa vdekur

E të vdesësh është e vetmja bukuri

Syri i bukur i zogut në fluturim

Ja pse kaq e gjallë është pika e dritës

Në këtë  natë  të akullt mbi atdhe

Pse perit të shpirtit mbi horizont

Ende vjen ti bashkë me mëngjesin

Shkel rëndë udhën ëndrrës së vjetër

I afrohesh drurit të jetës

Me degën e zgjatur mbi varre

Vetëm ti

Ja çdo gjë që vjen është e këputur

Nga gjaku yt i cili ende pikon

Është tingëllimë e ujit nga rrjedh larg

Përtej vetmisë e dhembjes

Me ag do të çel tjetër qiell

Me ylberin nga kroi në krua

Do të kërcejnë kecat

Do të zbresin në krua vashat

T`i lajnë faqet, sytë, të dashuruara në yje

Është e këputur nga ti çdo gjë

Të bëhet prapë  vetëm  ti

Natë me shi

Natë me erë e shi në mua

Grimcoj thonjtë e humbur

Zigzag diku në botë tek je ti

Eci e eci e nuk arrij

Ç`të bëj më shumë për ty

Krejt çfarë mund është të të kujtoj

Të qaj e të qaj për mua e ty

Kurrë të mos ta kthej shpinën

Ja vetëm kaq kam mundësi

Të bëj për ty

II

Natë me erë e shi në mua

Çdo çast je ti

I tëri ti

Asgjë tjetër s` është gjallë

Asgjë tjetër nuk është me mua

Asgjë tjetër s` dua

Vetëm mbi ty të bjerë ylli

Të digjem e tëra nga syri yt

Nga flaka e gjakut

Natë është dhe heshtje

Muret e ftohta më ndrydhin

Fjalë s` nxjerr nga goja

Kotem mbi një shkrim të thjeshtë

E bërë një me frymën e fundit të shpirtit

Po të vdes sonte në këtë natë të gjatë

Të ma lëshoni kokën mbi gur

Aty të më kujtojë vargu për ty

Asgjë tjetër s` dua