E premte, 19.04.2024, 03:07 AM (GMT+1)

Kulturë

Shyqyri Fejzo: Konkurse dhe hidparade

E hene, 03.12.2018, 09:09 PM


Konkurse dhe hitparade

Nga Shyqyri Fejzo

Ata ishin tre persona. Në një studio të thjeshtë, sajuar për këtë punë. Riprodhonin kasta, disketa, mbushnin me këngë USB e çfarë u kërkohej për median elektronike. Në punë e sipër, një sy e mbanin vigjilent, se mos vinte ndonjë nga ata që “të bëjnë gjëmën” dhe syrin tjetër, se mos  u ikte ndonjë klient. Këtu merrte kuptimin e vërtetë ajo thënia se “vigjilenca është çmimi i epërsisë”. Njëri, rreth të tridhjetave, u fliste dy të tjerëve gjithë sy e vetulla. Pastaj, sa rreh qerpiku, u sillte më të rinjve atë që kërkonin. Këtë ai e kishte punë të dytë, se punonte si ekspert i muzikës në një local. Më i riu ishte shitës i prodhimeve elektronike të sajuara dhe ai me moshë të ndërmjeme, mësues i violinës në shkollën e muzikës të qytetit.

Ishin të kënaqur nga veprimtaria e tyre dhe dukej se në studion modeste punët i kishin vënë në katër rrota. Kur menduan se i morën komplet bashkën hit-paradës së fundit, të tre e bënë mendjen okë të dilnin për të pirë një kafe. Pikërisht, në atë moment, u hap dera me forcë si vetëtima e beharit. Para tyre u dha një burrë me trup të bëshëm, rreth të shtatëdhjetave, në kokën e të cilit bora e pleqërisë e kishte bërë punën e vet.

-Urdhëro, xhaxha!-ftoi të porsaardhurin më i riu. Mësuesi i violinës uli zërin e mikrofonit, ndërsa eksperti i muzikës po shkundëte disa fije të holla letre të ngjitura në pantallona.

-Mos ja ul zërin, moooos-bërtiti me aq sa mundi i porsa ardhuri.

-Pse?-I u drejtua qetë-qetë mësuesi i violinës.

-Unë vdes për Celin Dion dhe kollonën zanore të Titanikut- vazhdoi gjithë sy e veshë mysafiri.

-Nga cili fshat është kjo Selimja, xhaje?-ngacmoi i riu

-Hë! Nga Bregasi me siguri. Atje, më duket se ka nja pesë a gjashtë gra me emrin Selime- ia shpejtoi ekspert i muzikës.

-Jo, jo, i dashur! Nga Bregasi me siguri mund të jetë Shakira-vazhdoi më tej mësuesi i violinës duke ndërruar disk dhe zëri i këngëtares të madhe kolumbiane mbushi si ai, gjithë ritëm e melodi studion modeste.

-Ngrije dhe pak zërin. “Underneath you clothes” e Shakirës është fantastike,-ndërhyri xhaja.Të tre shikuan me habi njeri-tjetrin. U duk sikur po u thahej pështyma në gojë nga habija.

-Po kjo, si e ka emrin?-pyeti përsëri mësuesi i violinës kur ritmin e këngës së amerikano-latines e zevendësoi një këngë tjetër.

-Si talleni me mua, more çuna! Po ky është zëri i Madonës në brilantin e saj”Another Day”- ia priti aty për aty xhaja.

Sytë e të treve gati kishin dalë jashtë qeskave dhe tani dukeshin afërsisht si ato të brumbullit. Eksperti i muzikës kërkoi një disketë tjetër dhe tingujt e muzikës metal kumbuan rishtaz, pas ndërrimit të diskut të Madonës.

-Po këtë, xhaxha, ta mban ta gjesh se cila është? Si titullohet kënga dhe kush e këndon?-Ngriti zërin dhe shkeli syrin e majtë eksperti i muzikës.

-Ha,ha,ha,ha! Po Xhon Bon Xhovi me këngën e tij “Bad medicin”, a ilaç i keq, më duket se përkthehet në shqip.-pergjigjet sakaq xhaxhai misterioz. Të tre shikuan njeri-tjetrin drejt në sy, dhe pastaj shikimin e drejtuan përdhe.

-Unë do ta ndërroj edhe njëherë diskun. Na çmendi fare, qerratai!-tha mësuesi i violinës, duke kërkuar një disk tjetër. Sapo filloi muzika, pa pritur ende refrenin, xhaja ia krisi përsëri të qeshurës me gurgullimë.

-Kjo është  kënga “Snop dogy dog” e interpretuar nga Gangsters Rap, more qafira- i u shkreh rishtaz të rinjve i moshuari.

-Bo,bo,bo! Për besë, ky qënka për konkurse ndërkombëtare, se ato konkurse që bëhen tek në këtë fushë, i paska si buka e ngrohtë me djathë e presh.-foli mësuesi i violinës.

-Nuk më kujtohet të ketë marrë pjesë në konkurset që kemi bërë ne në TV  për nuzikën-ndërhyri ekspert i muzikës.

-Vërtet,qënka fenomen qafiri. As unë që i shes nuk i di kaq mirë emrat e tyre.-tha më i riu, i cili në pazar në më të shumtën e herëve e shiste shkumbën për ajkë. Vizitori i rrallë për atë studio, tani lëvizte sipas ritmit të pjesës “Gangsters Rap”.

-Unë do ta provoj edhe njëherë- duket se i shkrepi një xixë pa pritur ekspertit të muzikës. Sa rreh qerpiku, ai e ndërroi diskun.

-Tani, urdhëro, zotrote! Gjeje në ta mban cila është kjo!- ftoi pa pritur vizitorin e rrallë ekspert i muzikës. U bë një pauzë e shkurtër. Ata shikuan njeri-tjetrin, pastaj tre palë sy u drejtuan nga mysafiri çudibërës.

-Pse, me “Dilema” të Kelly Rouoland e Nelly të këngës “Dilema” do më bukosni mua? Ajo ishte edhe fituesja e nëntorit të vitit të kaluar, more bylmezë- foli me zë të lartë shoqëruar me lëvizje të këmbëve dhe duarve xhaja.

Të tre ustallarët e mjeteve elektronike të muzikës, kishin mbetur me gojë hapur. Eksperti i muzikës po ngrysej si mali i Ivanit kur e rrethojnë retë. Mësuesi i violinës  një këmbë e ngrinte e tjetrën e ulte dhe ngjante me atë që nuk i pritej për diçka të rëndësishme. Ndërsa i riu, që gjithnjë në të folur korrte mbi kallinj, si shitës që ish, e zbrazi me të dyja grykat.

-         O xhaje!- e nisi ai, kur tashmë e panë se tjetri për muzikën e kishte mendjen fije peri.

-         Urdhëro, tu bëftë xhaja.Folë e qesh.-përgjigjet çak-fak vizitori.

-         A ke dëgjuar ti për një farë Demir Zyko, Irini Qirjako apo Nexhmije Pagarusha e Laver Bariu?

-Oji, oji, oji! Mbeçë more shokë mbeçë,,Baresha,.. Do marr çiften..Ojiii-vargoste zërin gati dy oktava më lart i moshuari.

Me sy të zgurdulluar jashtë mase, flokë të ngritura lart, që nuk i bindeshin as krëhërit as kapeles, tiparet e fytyrës të shtrembëruara, si i u turr një aparati, ai e kapi dhe e ngriti lart dhe sa rreh qerpiku, deshi ta përplasë pas murit.

-Mos,mo mos! Të urdhëroj, ndalo! Tani ule poshtë ngadalë.-çau mbi zhurmën e madhe një zë i ri. Në derë u dhanë dy vetë. Njëri ishte mjeku psihiatër i spitalit të qytetit dhe tjetri djali i xhajes.

-Ç’ na bëre, more, ç”na bëre!-nisi të flaës mjeku. Ai ka disa ditë që është shtruar në spitalin tonë. Ka ikur fshehurazi i revoltuar se i hoqëm radion nga dhoma.-

-E çmendën nipat e mbesat  me muzikën moderne. Në fillim nuk e honepste dot, por të rinjtë nuk hoqën dorë. Tani ai e harroi fare muzikën popullore dhe mban mend saktë, si një kompjuter, hit-parade dhe shoë-biset.Nuk lajthit sikur njëherë për sejcilën prej tyre. Ama, i kujtove muzikë popullore, bëhet për hekura-tha i biri i pezmatuar nga gjendja.

…Deshën të ma hedhin, qafirat! Dhe kujt? Mua!...Mbeçë more shokë, mbeçë…oji, oji ojiii!-vazhdonte të këndonte.

-Ta  marrë djalli! Jemi kthyer dy javë prapa në mjekimin e tij. Ç’na bëtë, more ç’na bëtë!-vazhdonte të fliste doktori. Të dy i futën krahët nën sqetulla të sëmurit dhe po dilnin nga porta.

-Deshën të ma hidhnin! Ato që më pyetën këta zorzopë i dinte dhe gjyshja ime.-bërtiste me një zë të çjerrë xhaja.- …Gjyshja ime kërcente bukur rrep kur shkulte qepët..xhaxhai im ja thoshte me zë të lartë kur kish ngarkuar gomarin me dru. Zakja këndonte si bilbil gjyzar kur rrumbullohej me raki. Oji, oji oji…Mbeçë more shokë, mbeçë, eeee!

Tingujt e çjerrë që dilnin nga goja e mysafirit të rrallë tani shpërndaheshin jashtë portës së studios.Valë, valë, ato tani përhapeshin në gjithë  lagjen e qytetit atë buzë nbrëmje vjeshte.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora