E enjte, 25.04.2024, 12:09 PM (GMT+1)

Kulturë

Mihal Grameno: Oxhaku (I)

E hene, 22.09.2008, 03:53 PM


Mihal Grameno
OXHAKU (I)

Nga Mihal Grameno

PJESA E PARË
Krye I

Më 1821, në kohën e Ali Pashës Shqipëria, dhe më shumë Toskëria gjendeshe në rrëmujë. Katunde edhe qytete shkretoheshin dhe njerëzia mërgoheshin në vende të huaj, duke lënë shtëpitë, plaçkat e gjithë ç’kishin edhe vështronin vetëm si e si të shpëtojnë nga rreziku shpirtin e tyre.
Asi kohe, qyteti Korça kishte zënë të lulëzonjë, duke qenë më parë një qyteti i vogël edhe i padëgjuar siç është sot, po njerëzia dridheshin nga frika se mos kenë gjithë atë fat që kishin edhe të tjerët të cilët ngryseshin të gjallë e gdhiheshin të vdekur. Andaj, me të perënduar dielli, mbylleshin nëpër shtëpitë edhe nuk dinin ç’bëhesh natën në qytet.
Nga ky shkak nuk kishin vërejtur që “shtëpia e zezë” prej ca kohe mbante njerëz brenda.
“Shtëpia e zezë”, siç e quanin qytetarët ishte një shtëpi e madhe, ndërtuar me gurë dhe rrethuar më gjithë anët ime avlli edhe fortesa edhe ishte mbanë qytetit pranë krojt të Abdi beut. Prej shumë kohe, kjo shtëpi ishte e pandënjur edhe e shkretuar, të gjithë sa kishin ndenjur, gjithë atë fat kishin pritur që të shuhen me gjithsej, edhe nga ky shkak kishte arritur të jetë folë e kukumjaçkave edhe e galave, se njerëzia jo vetëm që nuk guxon të ryjnë brënda, por edhe kur shkonin pranë asaj shtëpie do të faleshin me tmerr, duke iu lutur zotit t’i shpëtonjë edhe t’i mpronjë nga nonjë gjëmë e madhe.
Në të këtilla frikëra gjendeshin korçarët, kur një natë të marsit frynte një erë e marrë edhe dëgjojnë të zbrazura prej pushkësh. Të gjithë mbetnë të tmerruar, se pandeshnin që afrojti edhe për ata fundi i jetës. Andaj që të gjithë faleshin, duke kërkuar nga nonjë vent të fshehtë për shpëtimin e shpirtit, edhe asnjë nuk guxonte të dalë përjashta që të mësonjë shkakun e pushkëve.
Po sa vinte më shumë dëgjoheshin të zbrazura prej pushkësh, pastaj dëgjoheshin edhe zëra njerëzish, të cilët bërtisnin sa muntnin që të vraponin të shuanin zjarrin që diqte shtëpinë e zezë, se ishte shumë frikë mos përhapet zjarri mi gjithë qytet.
Vetëm atëhere njerëzia, si u siguruan që nuk është tjetër rezik përveç zjarrit, të cilin e pandehnin t’ja ketë vënë nonjë njeri mëndjeshkurtër, vraponin me ujë, dhiqelë e sëpata, edhe me çfarë muntnin për të shuar zjarrin.
Po, me t’u afruar pranë shtëpisë së zezë që digjesh, mbetnë të nemitur e të habitur kur vështronin sot krerë njerëzish në dritaret e shëpisë, të cilët u luteshin edhe u kërkonin ndihmë që t’i shpëtojnë mos digjen të gjallë.
Një grua e re edhe e bukur, që dukesh fare mirë në dritare të flagëvet me leshrat e lëshuar edhe të pakrehura, me sy të zgurdulluar, veshur me rrobën e natës si ç’ishte ngritur me tmerr nga gjumi, zgjate duar, duke lutur njerëzinë t’i shpëtojnë të vetmin djalë që kishte, i cili flinte në katin e dytë, meqënëqë ajo nuk munte nga flagët e zjarrit ta shpëtonjë!
Po njerëzia gjithë mbetnë të shurdhër në blegërimet e në lutjet e kësaj gruaje, mënjanë nga frika e zjarrit që nuk muntnin t’afroheshin, më tjatër anë nga tmerri që vështronin njerëz në atë shtëpi, të cilën e dinin të pandenjur edhe të shkretuar. Andaj vështronin vetëm që të mos zgjatet zjarri më tjatër shtëpi, duke lënë të brençmit në duart e Perëndisë!
Ah, sa keq është të veshtrosh shpirta që digjen edhe të mos mundësh t’i shpëtosh!
Zërat që brenda pushuan së bërtituri edhe së kërkuari ndihmë edhe nuk dëgjohesh përveç trak-trak! nga drurët edhe nga dhogat që digjeshin, se zjarri sa vinte po përhapte flagët më të gjitha anët, kur dëgjohet pas pakëzë, për të fundit herë, një buçim i math përzjerë me një zë të thellë edhe pastaj bëhet një heshtje e madhe, se çatia me dyshemetë e gjithë ç’kishte shtëpia, ranë të gremisura, edhe zjarri më s’kishte fuqi.
Qytetarët ndenjë të gjithë pranë zjarrit gjer më të gdhirë, për të ruajtur mos kërcenjë nonjë shkëndijë afër, edhe pyesnin njëri-tjatrin në dinte gjësendi që kur rronin njerës në këtë shtëpi po asnjë prej syresh nuk e dinte ç’njerës rronin, që kur kishin ardhur në atë shtëpi, edhe sa ishin. Andaj, me gjithë helmin që ndjenin për ata që u bën therorë të zjarrit, gëzoheshin më tjatër anë se zjarri i vuri funt asaj shtëpie së zezë, që kishte shuar kaqe njerës, edhe të cilën e nëmëronin si shkakun e gjithë të ligave që ngjisnin në qytet!

PJESA E PARË
Krye II

Pas këti zjarri të tmerruar, po të gjendeshe në krua të Abdi beut, do të vështronje dy njerës që shkonin me vrap të math, duke kthyer ngandonjëherë sytë prapa që të vështrojnë zjarre në digjet.
Siç ishin pshtjellë me gunat e gjata e të zeza, nuk muntnje t’u vëshronje fytyrën, edhe nuk nxirrnin asnjë kuvënt nga goja e tyre, kur me të kapërcyer kruan vërshëllejnë nga një herë.
Me të vërshëllyer, del nga prroi një njeri, i cili hiqte tre kuaj prej kapistalli edhe me të afruar i pyeti:
- A mbaruat punë, o djema?
- Ashtu besojmë që kurrë nuk jemi turpëruar, t’ungjatjeta, bej, — përgjigjen që të dy.
- Andaj edhe unë të zgjodha ty, Sulo, me Rushitin, - thotë beu siç e quanin, - se kurrë s’kam dyshuar për punën e besës tuaj, po thomëni a ini sigur në u doqnë bashkë me shtëpinë, të gjithë sa ishin brënda.
- Për këtë të jini të çkujdesur, — thotë Rushiti, — se neve nuk ikmë gjerë mos pamë me sytë tanë shtëpinë të gremisur edhe të bëhet hi me gjithë sa ishin brënda. Të gjitha lutjet e ulërimat që t’i shpëtojnë njerëzia mbetnë të kota, se asnjë nuk guxonte t’i afërohesh zjarrit, edhe të vinte veten e ti në rrezik që t’i shpëtonjë.
- Nuk më thoni si munt t’i vini zjarre shtëpisë e të mos u ndjejnë të brënçmit?
- O bej, - thotë Suloja, - për neve është mjaft që të na urdhërosh, pa dimë si të punojmë për të tilla punëra. Se si u ngrys, hymë ngadalë në avllitë e, si ranë të flenë e më s’dëgjohesh nonjë zë, forcuam një dritare të një dhome, që s’rronin njerës edhe, duke unjur kurrizë Rushiti, u ngjita edhe hyra brënda, pastaj si një mace ngadalë vajta gjer në katin e dytë; duke përhapur e duke derdhur barut më gjithë anët edhe, si u siguruash që më s’kanë shpëtim, u rëzova në dritare, ku më priste Rushiti edhe që atje i vura zjarre barutit. E neve duallmë përjashta dhe shikuam zjarrin gjersa u doq dhe u gremis shtëpia me gjith sa ishin.
- Bravo, ore Sulo, edhe Rushit, - u thotë beu; - tani e shoh edhe unë që jo pa të drejtë e hani bukën time, andaj për këtë punë që bëtë sonte dijeni që ju nam për të falur nga një pushkë të artë edhe nga një kalë.
- Të paçim sa malet bëj, - i thonë të dy.
- Tani u hipni kuajve edhe ejani të shkojmë që të arrijmë pa gdhirë në shtëpi, se tani jam i çkujdesur për atë bushtër të bukur që u bë hi bashkë me klyshin e saj, edhe më s’ka t’i prishnjë mëndjen djalit tim, i cili arriu të mos mendohet i kujt bir është! Fuqi kishte në i pëlqente ta marrë si robinjë të rronjë me të, jo të martohet fshehtazi e të ketë për grua një fshatarkë me të cilën anë çnderon Oxhakun. Po tani pa dyshim kur të kthehet nga lufta, edhe të mësonjë për të bukurën që iu doq në zjarr, ka për të ardhur në shtëpi duke kërkuar ndjesë se, po ta vrisnin, atë here do të besonte që ja vrava unë edhe kush e di ç’muntë të bënjë.
Si ndezi çibukun beu, që të tre u hipnë kuajve edhe, të gëzuar, për punën që bënë, muarrë udhën e Perëndimit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora