Monday, 10.12.2018, 04:21 AM (GMT)

Kulturë

Xhevahir Cirongu: Poetja emigrante Xhemile Aliu fluturon bashkë me vargun poetik nëpër krahët e erës

Sunday, 02.12.2018, 11:00 AM


Poetja emigrante Xhemile Aliu fluturon bashkë me vargun poetik nëpër krahët e erës....!

Nga Xhevahir Cirongu

Të them të vërtetën, u ndjeva pak i ndrojtur para se të shkruaja këto rreshta vlerësuese rreth këtij vëllimi të ri poetik të autores kosovare, tashmë të mirëpritur dhe e mirënjohur nga lexuesi ynë, Xhemile Aliu. E nisa kështu , sepse duhet t’i them lexuesve dhe lexuesit që e do letërsinë, fjalën e shkruar shqipe, por dhe poezinë në veçanti, sepse poetesha Xhemile Aliu e ka qëndisur bukur atë gjerdan vargjesh të derdhura në ‘’hojen e bletës’’ mjaltin shpirtëror tek vëllimi më i ri  me poezi të titulluar ’’ Në krahët e erës fluturoj’’. Ky libër është i 6 vëllim me poezi që ka botuar poetja emigrante, që tashmë lexuesi do e ketë së shpejti në dorë për ta lexuar e vlerësuar atë. Mesazhet që jepen nëpërmjet vargut janë të qarta: i ngjajnë dritës së diellit, ndjenja reflekton bashkë me vargun për te shpirti i lexuesit, aty do gjesh  plot muzikalitet, dëgjon cicërimën e zogjve me këngën e tyre nëpër lisa të vendlindjes së poetes, gurgullimën e burimeve, por edhe ngjyrat e e ylberit diellor,bashkë me notat e pentagramit  të tharmit krijues të cilat ato bëjnë atë ngacmim të botës së brendshme shpirtëror; të zgjojnë mendimet duke i ngritur ato në fluturim deri tek yjet në kozmosin tonë të paanë. Duke  lexuar hap pas hapi të gjitha poezitë, do vëresh se autorja shkruan në vetën e parë me një varg sa të thjesht, por edhe  aq  domethënës ku rrezaton me ngrohtësi mesazhi i jetës,dashuria për njerëzit, e mbi të gjitha dashuria për vendlindjen e atdheun. Poetja i rri pranë me vargun e saj si një kurorë buçet lulesh fshatit të lindjes Korroticë e Epërme,sepse aty ‘’fle’’ bashkë me ëndrrat, pavarësisht se ndodhet shumë larg tij. Ajo udhëton çdo ditë nëpër rrugët, rrugicat, kopshtet, krojeve,apo livadheve nëpër lëndinat e fshatit, duke derdhur shiun e lotëve, kurse për’’ jastëk e jorgan’’ Xhemilja ka vendosur t’i lërë përjetësisht vargun poetik të shkruar me aq fines e mall shpirti që i djeg si një prush vullkanik deri në asht. Vargu i poetes në këtë vëllim shtegton kudo, merr me vete atë dashuri të zjarrtë nga shpirti dhe e çon atë deri në çdo qelizë të trupit të atdheut. Impulsiteti i poetes ndihet dhe ngrihet fuqishëm duke kapur edhe yjet e qiellit, saqë fluturon bashkë me erën duke marrë me vete ëndrrat e jetës, dhe u jep dritë nga shpirti saj të derdhura me mjeshtëri artistike tek ku vëllim poetik ‘’ Në krahët e erës fluturoj’’. Poezia e kësaj krijuese është ngrohtë si vetë dielli. Këtë e shpreh me vargjet tek poezia me të njëjtin titull qysh në fillim të këtij libri. Vargu të rrëmben pas vetes e nuk të lë të ikësh prej tij. Ai të fton për ta lexuar deri në fund poezinë, dhe si i tillë të befason me atë forcë shpërthyese e të jep forcën e shqiponjës së malit për t’u bërë ballë rrebesheve të stuhisë së jetës. Një sprovë e gjallë e këtij realiteti është edhe vetë poetja Xhemile. Prandaj, mendoj se, lexuesi do gjejë me shfletimin e fletëve e poezive të këtij libri poetik: dashuri, mall e nostalgji,shtigjet e vështira të jetës, të vërtetën e gënjeshtrën, por  e Diellin e Jetës! Konkretisht :

‘’ Dielli lind çdo ditë,një shpresë e re,

Një ditë hyjnore që pret ndryshimin,

Mendo të ardhmen,mos hezito

Diellin e jetës, kërko jetësimin’’.

Tingulli i fjalës është mjeti me të cilin ne lidhemi me njëri –tjetrin, por fjala e shkruar mbetet në themel të asaj që ne e quajmë’’ fjala magjike’’, e cila shpreh ndjenjat tona të botës që na rrethon, atë ndjenjë shpirtërore prej drite hëne të grisur që ndriçon në errësirën e natës, pra ajo zgjon ëndrrat e shpresave e të së nesërmes. Por, për poeten fjala udhëton deri atje në qiell e bisedon edhe me yjet, rrugëve të jetës nga shëtisim….  Te poezia me titull ‘’Bisedoj me hënën dhe yje’’ ajo na jep edhe këto vargje :

‘’ Bisedoj me hënën dhe yje,

Që m‘përkdhelin timin shpirt,

Dritëzim sjellin në memorie

Rrugëve të jetës nga shëtisë’’.

Autorja e do natyrën e gjithë mjedisin që e rrethon, ndaj e shikon me syrin e një dashurie nëne e si poete nga ku edhe i kushton varg poetik. Pa një dashuri ndaj mjedisit s’ka jetë, - thotë ajo te mesazhet e poezisë ‘’Natyra’’. Këtë thirrje që i buron nga shpirti e shpreh në gjithë gamën e poezive të këtij vëllimi. E gjejmë te poezitë ‘’Sot’’, ‘’Imazhi kohë’’, ‘’Rrebesh ndjenjash’’ ‘’Natyra’’ , ‘’Sodisja rrugët të qytetit tim’’ etj.

‘’ Sodisja rrugët e qytetit tim të lashtë

Ecja kalldrëmeve të gurta si biluri;

Dukeshin aq shumë të ngurtësuar

Sikur të ishin rrënjë lisash shekullor…..

……………………………………………………………………..

Tregojnë çart’ lashtësinë e këtyre trojeve biblike

Atëherë ku Pellazgët mahnitnin me kulturën e tyre;

Atëherë kur sykaltri mbretëronin qiell dhe tokë

Eh, sa të pashëm ishin,raca Dardane ,racë biblike!’’…

Ashti si cekëm edhe më lart në vështrimin e optikës rreth këtyre poezive, ( e para ): ka edhe disa nën nënndarje të tjera.                                                                                         E dyta: është përfshirë dhe  poezia politikoshoqërore  e sociale. ku fenomenet negative të politikëbërjes së qeverive nuk janë në ato nivele të duhura për t’u përgjigjur  në kohë  rritjes së mirëqenies së gjithë shoqërisë njerëzore. Drejtësia e barazia rrit besimin e zhvillimin e shoqërisë  atëherë kur zbatohen drejt  ligjet. Stili i të shkruarit nga kjo poete është e dallueshme nga të tjerët, sepse kjo e shpreh drejt për drejt  atë që e ndjen, godet fenomenet negative ,dhe  kërkon drejtësi, por edhe dashuri e respekt ndaj ligjit. Metaforat e përdorura me mjeshtëri artistike në gjerësinë e gjithë poezive të këtij libri i rrit vlerat letrare e mesazhet e tyre që përcjellin te lexuesi. Psh. Te  poezia ‘’Ligjet’’, ‘’Jam unë poeti’’, ‘’Çast’’, ‘’Rrugë, rrugë e vetëm rrugëtim…’’ , ‘’E vërteta plagë e rëndë me dhimbje’’, ‘’E ëmbël qenka karrigia e pushtetit’’, ‘’Zinxhirët’’etj.                                               E treta: një vend të rëndësishëm  zënë poezitë me temë të mërgimit. Poezitë me vargun e tyre i dalin nga shpirti i ngurtësuar duke thyer akujt shpirtëror që kërkojnë ngrohtësinë diellore, por edhe puhizën pranverore bashkë me krahët e fluturës  e cila merr aromën e luleve e ngjitet lartë në kozmos të takojë  ëndrrat e shpresave të jetës! Këto lexuesi do i gjejë me tërë forcën e dhimbjes në shumë poezi të shkruara nga kjo poete, e cila vetë ajo është pjesë intergrale e jetës si emigrante prej shumë vitesh në Gjermani. Ajo  e shpreh me zemër të çiltër brengën e shpirtit të copëtuar e të grisur  nga plaga e emigracionit te poezia ‘’Iku dhe kjo ditë’’, Ah ,kjo botë’’,’’Ju lutem ‘’ ’’Meditim’’ , ‘’Testamenti’’etj. Për  ilustrim ne shkëputëm dy strofa nga poezia ‘’Testamenti’’, ku poetja bën thirrjen e saj prej nëne, zemërmadhe  e të dashur, por me një merak të madh që ia ciflos shpirtin atje në emigrim e kërkon ilaçin shërues të asaj plage mërgimtare për t’u kthyer atje një ditë në vendlindje, në vatrën e të stërgjyshërve e gjyshërve  tanë. Shpiti i poetes  vetëm atëherë do gjejë paqe e qetësi, kur biri saj do plotësojë këtë amanet bashkë me nipa e mbesa, që kënga e jetës të këndohet në atdhe. Dhe ja si shkruan poetja  Xhemile  Hoxha –Aliu, mesazhin thirrës  plot dritë :

‘’ Këto vargje që i shkrova

Testament ti mbash or bir,

Pemën e rrënjës së familjes

Ta vaditësh si është ma mirë….,

……………………………………………

‘’ Kur fëmijët tuaj të lindin

Mi ktheni me fytyrë nga atdheu!

Të kujtoni nga keni ardhur

Mos harroni vatrën e dashur’’…..

Së katërti: Poetja ka shumë ëndrra….dhe më e bukura e kësaj ëndrre tek ajo  qëndron si një shkëmb  bjeshke  Liria e fjalës,simboli  Kombit, Flamuri  kuq e Zi me shqiponjën në mes, ATDHEU!  Ky trinom  është mbjellë në çdo poezi të këtij libri,, saqë marrin udhën bashkë me mendimet , ndjenjat, shpresat dritë jete,për tek vendlindja. Është ndjenja e  atdhedashurisë, shpirti i gatuar me baltën  e tokës mëmë, gjaku arbëror i derdhur në shekuj që zgjon dashurinë e zjarrtë tek çdo shqiptar,të cilët ngado që shkojnë nëpër botë, Atdheun e Flamurin e kombit e ruajnë  brenda trupit tyre, duke i dhënë  frymëmarrje e oksigjen fjalës shqipe.

Poetja Xhemile e fakton këtë, duke lënë të shkruar fjalën e bukur shqipe, bashkë me trinomin domethënës, sa patriotik aq edhe artstikisht letrar. Ajo e lartëson dhe e përjetëson me vargjet poetike në këtë libër , por edhe e ndërgjegjshme për çka shkruan në gjithë ‘’Detin’’ shpirtëror letrar tek ky vëllim poetik ‘’Në krahët të erës fluturoj’’. Për poeten s’ka e s’do ketë furtunë  oqeanike  të ndali  shpresat e shqiptarëve  për të jetuar të lirë e sovran në trojet e vatrat e tyre shekullore. Ndaj edhe ëndrrat  shpresëjete i fluturojnë  bashkë me erën fluturuese dhe ndalin atje tek vendlindja e saj e dashur  Karrotec i Epërm, në Kosovën martire, e çdo ditë kur zgjohet nga gjumi  atje në emigracion i thotë: mirë mëngjes  ATDHE! Por, poetja  syrin e përlotur  e mban gjithmonë zgjuar, kur thotë  Atdhe, Flamur, NËNË ! Sigurisht, , ndjenjat e saj fluturojnë  e s’kanë të ndalur nëpër kozmosin , bashkë me ëndrrat e ditës së re! Me plot metafora e krahasime letrare, vargu shpërthyes te poezia ‘’Në krahët e erës fluturoj’’ nga ku ka marrë edhe titullin libri, ndalet të pushojë  e të flas shqip  aty në vendlindje, te  Atdheu ynë i shtrenjtë, me emrin më të bukur në botë SHQIPËRI !

Dhe vargjet  e poezisë të rrëmbejnë  pas tyre për t’i lexuar, ndjen madhështi e krenari ,sepse aty flet shpirti i vet poetes që përcjell  imazhe jete tek të gjithë ne.

‘’ Zgjuar më ka kjo puhizë pranverore

Më mori në krahët e saj porsi një flutur,

Më mbërthen  me aromën e këndshme,

Më bëri sikur fluturoj lartë nëpër kozmos.

Më zgjoi këndshëm zëri i bilbilit

Cicërimat e ëmbla të zogjve në kor,

Por si simfoni e shpirtit në netët e vona

Më rrëmbeu ky mëngjes pasionant.

Ndërsa një dallëndyshe në një degë qershie

Çukitë ma të vegjlit e saj në një fole,

Më kujtoi ditën më të bukur në jetën time

Kur epitetin e nënës me madhështi ndjeva’’.

Thjeshtësia në të shkruar, gjetjet e tematikave dhe ato letrare, krahasimet bashkë me gjuhën e fjalën e vargut të thjesht stilistik , e përshkonin gjithë librin nga fillim deri në fund. Kjo të bën edhe më tërheqës  që t’i shkosh deri në fund së lexuar librit me poezi të autores Xhemile Aliu. Mesazhet  gdhendin muret e shpirtit tonë të trazuar, ato ngjallin shpresat e ëndrrave tona të jetës. Poezia është  lirikë që del nga  skutat e shpirti tonë, e cila ka përmasa dimensional dhe universale që na jep mundësinë për njohjen e matjen  e botës që na rrethon. Pikërisht , këto ndjenja universale i ka edhe poetja jonë  Xhemile Aliu,. Ajo këtij qëllimi i mbart vetes, kërkon me ngulëm  shpresat e jetës  te vargu poetik , për ta transmetuar këtë  të fundit  për tek lexuesi. Bashkë me erën lozonjare fluturon  që nga larg si mërgimtare drejt  qytetit të ëndrrave  rinore  për  tek  qyteti që i dha armën më të bukur : PJEKURINË E  DITURISË!  Konkretisht shkruan vargjet:

‘’ Ai ishte qyteti im ku erën e jetës përsëri ndjeva

Prishtina ime, qyteti i ëndrrave të mija të rilindura;

I brumosur thellë në zemrën time të rinuar

Është dhe mbeti idhulli ku me dije për jetën u armatosa’’.

Dhe….vërtet  poetja  ka  të drejtë, sepse dija shpalos  JETË !

Na mbetet për t’i thënë autores : Suksese  librit, e nesërmja me një tjetër libër ku të flas shqip!

Durrës më 21 .11. 2018



(Votes: 0)

Write Your Comment
Comment: