E enjte, 28.03.2024, 11:11 AM (GMT)

Mendime

Agron Tufa: Ish-hetuesi

E hene, 22.09.2008, 11:28 AM


Agron Tufa
Agron Tufa
Ish-hetuesi

Nga Agron Tufa

Një paradite të zakonshme shtatori, unë dhe bashkëshortja ime, po kërkonim përgjatë “Rrugës së Kavajës” një noter për të noterizuar disa dokumente rutinë. Dhe pamë një shigjetë të kuqe me mbishkrimin “Noter” përsipër, e cila udhëzonte të ndiqnim drejtimin.

Shigjeta pas dhjetë hapash përsëritej, mandej prapë përsëritej duke i bërë bërryl drejtimit, sa na u krijua ideja se, kështu do të përshkonim gjithë Tiranën duke ndjekur “fillin e kuq të Arianës”. Midis dy tre pallatesh, në një rrugicë të ngushtë, mu pranë një porte që të shpinte në oborrin e brendshëm, fjala “Notër” shënohej për herë të fundit.

Shtymë derën dhe brenda oborrit, në të djathtë, në një ndërtesë të vogël si kutizë katërkëndëshe gjendej (kësaj here me të vërtetë), noteria e, madje, nga dera e hapur kanatesh, mu në kreun e tavolinës përballë, gjendej dhe vetë noteri, një burrë barmadh te të gjashtëdhjetë e pestat, fytyrëkuq e kokëshogët, veshur me një këmishë klasike ngjyrë civeje dhe me një kravatë anormalisht të gjatë, që varej poshtë e xixëllonte nga shkëndijimet e një të kuqeje intensive.

Burri i kuq kokëshogët asokohe ishte i zënë me klientin përballë tavolinës dhe të cilit ne i shihnim vetëm shpinën dhe i dëgjonim më të rrallë zërin e lartë në dialekt.

Unë dhe ime shoqe e ndiqnim qëndruam ndanë derës, pa vendosur të hyjmë brenda, gjithë në pritje kur të mbaronte punë klienti. Gjatë asaj kohe pata rastin ta kundroj disa herë me vërejtje fytyrën e kuqërreme, rrumbullake e të mirëmbajtur të noterit, e cila të sugjeronte mendime hipotetike mbi “punët dhe ditët” e ra të këtij arketipi burokratik.

I thashë time shoqje me të pëshpëritur se ky farë noteri, e vëmë me bast, ka qenë me siguri një ndër hetuesit e ndonjë Dege të Punëve të Brendshme dhe, gjykuar nga nuanca dialektore me të cilën fliste me klientin – në nga qytetet e Shqipërisë Veriore.

Kështu, me të mbaruar punë klienti para nesh, filluam edhe ne procedurat tona, e ndërkohë që noteri merrej me shqyrtimin e tyre, pata rastin t’i hedh një sy faqes së murit përballë, ku ishin reklamuar të gjitha dokumentet legalë të zyrës noteriale, si fjala vjen, kërkesa e noterit, vendimi i gjykatës së rrethit, shqyrtimi i saj deri tek dhënia e licencës për ushtrimin e veprimtarisë private nga Ministria e Drejtësisë, me datën, nr protokolli, emrin e Ministrit, firmën dhe vulën.

E gjithë kjo paradë dokumentesh qe vendosur sipas parimit kronologjik, qysh me kërkesën e aplikuesit Faik T nga nëntori i vitit 1996, deri tek miratimi i saj dhe lëshimi i licencës nga MD në tetor të vitit 1998. Pra gjithsej në harkun e dy vjetëve, duhet theksuar, përplot stabilitet në Shqipëri!

U ula dhe zura ta kundroj më me përqendrim fytyrën e kuqe e të mirëmbajtur të noterit, i cili gëzonte një shëndet të freskët djaloshar për moshën. Si duket edhe ai nga ana e vet e ndjeu vështrimin tim, gjykuar nga dy-tre vështrime të shkurtra me bisht të syrit.

Në fakt nuk ishte një kuriozitet momental ai që më shtyu ta studioj si arketip noterin tonë. Më saktë isha në njëfarë kërkimi, me nuhatje, instinkt apo tahmin, të një ligjësie që me dilte rregullisht, të një kërkimi që e kisha bërë pjesërisht edhe më parë dhe, prisja që, nëse edhe ky rast vërtetohej, përforcohej ajo ligjësi që hamendësoja. Prandaj është me vend, që, në këtë pikë të rrëfimit tonë, të bëjë një digresion të vogël.

Prej tre vitesh kurioziteti, pasioni apo përkushtimi ndaj fatit të të burgosurve politikë, moskokëçarjes, mungesës së ndjeshmërisë politike, shtetërore e qytetare ndaj tyre – të gjitha këto - më patën shtyrë të zbuloj të ashtuquajturën “letërsi burgu”, më sak memuaret, epistolaret dhe ditaret e tyre.

Kështu, së paku, zbardhej një pjesë antropologjike e dëshmive dhe përjetimit individual të terrorit dhe gjenocidit komunist mbi ta. Tashmë dihet se me një pjesë e vogël e kësaj letërsie përbën kolanën “Ad memorandum”, e specifikuar posaçërisht për këtë narrativë.

Por gjatë leximit të këtyre shënimeve në dorëshkrim apo në botime të humbura mizerabël, përjetuesit e katakombeve komuniste shkruanin për persekutorët e tyre; për hetuesit, gjykatësit, prokurorët, torturuesit, për gjithë mekanizmin shtetëror të torturës, duke shënuar në faqet e memuareve emrat e xhelatëve realë.

Edhe unë, edhe ime shoqe na lindi kureshtja për të ditur nëse janë gjallë këta lloj bishash monstruoze dhe, nëse po, atëherë ku janë, ku banojnë, si janë brendashkruar në realitetin postkomunist, çfarë bëjnë e me se merren. Me durim filluam të shënojmë në një listë bajagi të gjatë emrat e veglave të ddhunës dhe, me raste, herë pas herë pyesnim se ku gjenden.

Ajo që mundëm të vjelim nga pyetjet tona tashmë nuk është sekret: një pjesë jo e vogël e tyre kanë emigruar midis viteve 1191-1195 në Amerikë, një pjesë tjetër më e vogël – në shtetet e Evropës – kryesisht në Francë, Zvicër dhe Belgjikë. Ndërsa pjesën tjetër mund t’i gjeni, sikundër i kemi identifikuar tashmë, të gjithë nëpër zyra noteriale – në Tiranë, e më rrallë, nëpër qytetet e tjera të Shqipërisë.

Por le t’i rikthehemi rrëfimit tonë ku e lamë.
Pasi kishte mbaruar punë me dokumentet, noteri ynë Faik T., ktheu fytyrën nga unë dhe pata përshtypjen se më njeh, ose ndoshta i kujtohem si fytyrë e parë nga ndonjë emision në TV. Pasi shliva pagesën dhe matesha të dal, ktheva befas dhe e pyeta drejtpërdrejtë, madje duke shkërbyer lehtë dialektin e tij:

- Mos keni punuar zotrote mësues?
- Jo... jo, - përforcoi ai. – kam shërbyer në drejtësi, - shtoi ai.
- Sigurisht, - ia ktheva. – Pyeta kot... si i thonë, i rashë nga Kina. Sepse e di mirë që keni qenë hetues.
- Ashtu... Po ku e dini ju?
- A nuk më njihni a?
Noteri vuri gjyzlykët që kishte mbi tavolinë.
- Nuk e di... nuk më kujtoheni, - tha duke ngritur supet.
- Si nuk të kujtohem, - thashë me të rreptë. Ju më keni torturuar net të tëra me pyetje. Kaq shpejt harruat ju?
Noteri kishte ngrirë, pa m’i shqitur sytë.
- Zotni, - tha, - njerëzit janë të fyer me mua... njerëzit janë të prekshëm, por ju duhet ta dini se unë kam kryer një detyrë në përputhje me ligjet e atëhershme... unë jam gati t’ju kërkoj të falur, nëse e kam tepruar me ju... por, sinqerisht, nuk ju mbaj mend... a ma kujtoni pak? Në... në çfarë rrethanash...?
- Aha, dashke rrethanat! Do t’i dëgjosh rrethanat kur të t’i them unë, por jo këtu – në Hagë, bashkë me shokët e tu!
Pastaj duke ulur zërin, me një përqendrim të madh në fytyrën e tij, bëra një hap farë pranë tij dhe i thashë, gati si në mirëbesim:
- Mos kujton ti se kisha farë punë me këto dokumente? Jooo zotëri, qëllimi im ishte të të gjeja në vrimën ku je futur. Tani emrat tuaja, zyrat tuaja, punët tuaja i dimë mirë: nuk keni punë më me komunistët shqiptarë të majtë apo të djathtë. Dora e Evropës do t’ju mbledhë dhe – drejt e në Hagë! Për krimet komuniste mbi njerëzimin...! Kujtove zotrote se gjithmonë do të punoni me dosje? Dosje dje, dosje sot! Të gjithë ju prapë me dosjet? As më thua, sa herë ia çon qendrës informacionet? Kush shiti, kush bleu, kush u martua, kush iku jashtë shtetit, kush hyri në dallavere, kush falsifikoi... etj, etj., - sa herë ia raporton Qendrës ilegale këto të dhëna?
- Po kush jeni more zotni...? Uluni, uluni, - bëri me dorë i hutuar në karrigen përballë.
- Do kemi kohë më ngeshëm, - i thashë. Dhe mandej me një ton paksa mistik: - ju ishit ndër cironkat e fundit; të tjerët janë brenda koordinatave. Dhe a e di pse po ta them këtë informacion të palejueshëm? Sepse dua t’jua bëj me dije se ka edhe një ballafaqim tjetër me dosjen tonë. Gjyqi i tmerrshëm nuk do të jetë vetëm ai atje Lart, por këtu dhe tani, në Tokë.

Ndjeva krahun që ma tërhoqi ime shoqe. E ndërpreva blefimin tim patetik dhe dola qetësisht me të. Pas pak, sërish në “Rrugën e Kavajës”, përpiqesha të shquaj në turbullirën time ndjesinë e turpit nga patetizmi i panevojshëm i blefimit, apo dhimbjen prej atij hiper-realiteti të sajuar, i cili duhej të kishte qenë i vërtetë, por, ajmë! Ja që nuk është i tillë...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora