Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pierre-Pandeli Simsia: Vendi ynë i shenjtë, është Toka

| E shtune, 01.12.2018, 10:24 AM |


Vendi ynë i shenjtë, është Toka

Të besuarit në Zot nuk do të thotë vetëm të predikosh dhe të flasësh në emër të Zotit, por edhe ti zbatosh në jetë mësimet e librave të shenjtë, fjalët e Zotit.

Besoj në Zot!

E dua Zotin!

Nga Pierre-Pandeli Simsia

Toka, vendi ku ne jetojmë, ku vetë i lavdishmi Zot e ka krijuar me të gjitha të mirat e saja.

Nëpërmjet librave të shenjtë, ne mësojmë fjalët, mësimet e të madhit Zot, për t'i zbatuar në jetën tonë të përditshme;

Ato mësime të ndritura, të shenjta, që ne i gjejmë, i lexojmë dhe i mësojmë në librat e shenjtë, atë dashuri, duhet ta reflektojmë me njëri tjetrin në jetën tonë të përditshme.

Duke lexuar dhe duke iu përmbajtur asaj çarë është shkruar në librat e shenjtë, domethënë, Fjala e Zotit, njerëzit që në kohët e hershme kanë krijuar edhe kultet e ndryshme fetare, që më pas janë shenjtëruar nëpërmjet shërbëtorëve që shërbejnë në ato kulte fetare, duke predikuar fjalën e Zotit. Pra, janë quajtur kulte të shenjta.

Edhe vetë kultet fetare janë të shenjta, ashtu siç është e shenjtë edhe vetë Toka ku ne jetojmë dhe ku janë ndërtuar ato kulte fetare.

Nëse ne i lexojmë, i studjojmë, i zbatojmë në jetën tonë të përditshme mësimet e të madhërishmit Zotit nëpërmjet librave të shenjtë, atëherë edhe nëse nuk shkojmë në kultet fetare, mendoj, se, nuk bëjmë ndonjë mëkat.

Që ti falesh Zotit në kultet e shenjta fetare, madje edhe të predikosh në to në emër të Zotit, duhet të jesh i ndërgjegjshëm, i vetëdijshëm për atë që bën.

T'i falemi Zotit edhe për mëkatet tona, nëse jemi të ndërgjegjshëm që kemi bërë mëkate në familjet tona, në pjesëtarët e tjerë të familjeve tona, në vëllezër, në motra, në miq e shokë, duhet të jemi të ndërgjegjshëm, të vetëdijshëm për ato mëkate.

Nuk mund të pastrohet shpirti ynë mëkatar, ndërgjegjja jonë, kur, nga njëra anë shkojmë në kultet e shenjta, falemi, predikojmë fjalën e të gjithëpushtetshmit Zot dhe, nga ana tjetër, me vetëdije, në jetën tonë të përditshme veprojmë të kundërtën e atyre që ne vetë i bëjmë me ndërgjegje të plotë, që në gjuhën fetare, madje edhe në gjuhën popullore, quhen: Mëkate!

"Falna o Zot, mëkatet tona..." janë pjesë të ripërsëritura e lutjeve tona në kultet fetare.

Dhe, me shpresën e madhe që ne kemi tek i lavdishmi Zot, nëpërmjet atyre lutjeve, mendojmë se  Zoti po na çmëkaton, po na e pastron shpirtin tonë të fëlliqur mëkatar.

Po vallë, më pas, a jemi ne të ndërgjegjshëm të vazhdojmë të mbajmë shpirtin tonë të pastër pa mëkatuar me ndërgjegje të plotë ndaj njëri tjetrit, ndaj prindërve, ndaj vëllait, ndaj motrës, ndaj miqve dhe shokëve?!

Sigurisht! Dhe, për t'u çmëkatuar, do t'i drejtohemi përsëri kulteve të shenjta fetare, predikuesve fetarë, që edhe ata njerëz si gjithë ne të tjerët janë dhe, sigurisht janë edhe mëkatarë në këtë jetë, t'i falemi e ti lutemi të madhit Zot.

Të besuarit në Zot nuk do të thotë vetëm të predikosh dhe të flasësh në emër të Zotit, por edhe ti zbatosh në jetë mësimet e librave të shenjtë, fjalët e Zotit.

Zoti ynë i lavdishëm, i gjithpushtetshëm, është kudo dhe ngado mes nesh; Zoti na sheh, na i dëgjon lutjet tona, na gjykon...

LAVDI NË JETË TË JETËVE, TË LAVDISHMIT, TË GJITHPUSHTETSHMIT, ZOT.