E merkure, 24.04.2024, 06:25 AM (GMT+1)

Kulturë

Ben Stiller: "Do të vdisni" nga të qeshurat

E diele, 21.09.2008, 07:53 PM


Ben Stiller
Karagjoz lind, apo bëhesh? Mbi këtë dilemë filozofike asgjë nuk do të ishte më bindëse se sa Benjamin Stiller, ose ndryshe Ben, babai i filmave komikë. Ben Stiller ka provuar për të katërtën herë të jetë në rolin e regjisorit dhe duket se i ka të gjitha gjasat për t‘ia dalë mbanë. "Jam rritur mes dykuptimësisë, parodisë dhe të qeshurave. Por ju betohem për gjënë time më të shtrenjtë se dëshiroja të bëhesha një aktor serioz", tregon ai. Përveç të qenit aktor, Stiller ka shkruar, prodhuar, interpretuar dhe drejtuar filmin "Tropic thunder", të cilin e ka quajtur si një nga arritjet e tij më të mëdha. Filmi "Tropic thunder" do të shfaqet në kinematë evropiane më datë 23 tetor. Ky është filmi i katërt ku Beni shfaqet në pozicionin e regjisorit. Sipas tij, "Tropic thunder" është një nga filmat më impenjativë dhe më të shtrenjtë që ka realizuar më parë. Kostoja e tij ka arritur 150 milionë dollarë. Ja si shprehet aktori për karrierën e tij: "Në 1987-ën, në fillim të karrierës sime, në Hollivud shfaqeshin vetëm filma me luftë, sidomos me luftën e Vietnamit. Në filmin e regjisorit të famshëm, Steven Spielberg, ‘Mbretëria e diellit‘, unë interpretoja rolin e një të burgosuri. Ndërkohë kisha marrë pjesë edhe në provimin për filmin ‘Platoon‘ të Oliver Stone. Sa herë që takoja ndonjë koleg të ri, nuk më fliste për gjë tjetër veçse për eksperiencën e tij misterioze në një film me luftë që i kishte ndryshuar jetën: kurse paraushtarake, xhirime në xhungël, era e eksplozivëve, ngjyra e gjakut. Të gjithëve u dukej sikur kishin luftuar vërtet, jo sikur po luanin një film. Në atë moment mendova: nuk do të ishte zbavitëse të tregosh për një trupë aktorësh, të cilët janë vërtet në luftë, ushtarë të rremë të cilët janë të detyruar të bëjnë vërtet ‘profesionin‘ e ushtarit? Por, siç e përsërita edhe pak më parë, në atë kohë dëshiroja ende të bëhesha aktor serioz".

Filmi tregon prapaskenën e një pune kolosale mbi Vietnamin, pikërisht "Tropic thunder", në të cilin asgjë nuk shkon ashtu siç duhet. Regjisori është një njeri i paaftë, aktorët janë mendjemëdhenj, ndërsa producenti një maskara i vërtetë.

Sulmi i një bande trafikantësh droge që mendohet se janë agjentët e skuadrës së narkotikëve cilësohet si e vetmja mundësi për të shpëtuar filmin. Tre aktorët kryesorë janë: Tugg Speedman (Ben Stiller), specialist në një film aksion të cilit i duhet të rindërtojë karrierën për të xhiruar një film dramatik; Simple Jack, në rolin e një djaloshi të lodhur nga jeta që flet vetëm me kafshët. Jeff Portnoy (Jack Black), komiku dembel e trupmadh dhe Kirk Lazarus (Robert Downwy), aktori i famshëm australian, fituesi i pesë çmimeve "Oskar", i cili i ndjen aq shumë personazhet, saqë i është nënshtruar një operacioni plastik duke u shndërruar në një zezak. Qëllimi? Për ta interpretuar më mirë një ushtar me ngjyrë. Kjo parodi e cirkut hollivudian ka ndezur edhe një lojë mediatike, duke u bazuar te modelet e vërteta. Stiller tregon se janë frymëzuar te filmat "Platoon", "Rambo" dhe "Apocalypse Now".

"I dërgova skenarin Tom Cruise, për të krijuar një ide dhe më bëri vetëm një vërejtje: Pse tallesh vetëm me aktorët, ndërkohë që për producentët as nuk të bie ndërmend? Më pas më bëri një ofertë që ta interpretonte ai pjesën e regjisorit", tregon Stiller.

Në film Cruise nuk njihet absolutisht: është qethur tullac, vishet si çunakët amerikanë dhe kërcen vetëm hip-hop. Përveç të qeshurave, filmi ka ngjallur edhe shumë protesta, sepse përdoren vetëm dy fjalë tabu: "nigger", zezak dhe "retarded", i vonuar.

"Në film duhet të japësh vetëm gjysmën tënde, jo gjithë veten, ashtu si Dustin Hoffman në filmin "Rainman" dhe Tom Hanks në "Forrest Gump". Nuk duhet të ndjekim shembullin e Sean Penn në filmin "I am Sam". Loja ime lidhet me ne aktorët, që jemi të gatshëm për çdo gjë. Nuk kam menduar të vë në lojë zezakët apo të paaftët. Edhe satira tallet me luftëtarët e Hollivudit, jo ata të vërtetët", thotë Stiller.

Edhe pse është një fanatik i palestrës, për realizimin e filmit "Tropic thunder" Stiller i është drejtuar trajnerit të yjeve, francezit Sebastian Lagree. Duke qenë se pjesën më të madhe të karrierës së tij e zënë filmat komikë, këtë herë Stiller është lideri i aktorëve të mëdhenj si: Jack Black, Will Ferrel, Owen Wilson, Luke Wilson, Vincent Vaughn e Steve Carell.

Si një qytetar amerikan i ka mbështetur të tre kandidatët për presidentë: John McCain, Hillary Clinton dhe Barack Obama. Duke qenë se tashmë është një personazh shumë i njohur, ka vendosur të publikojë një libër fotografik, me qëllim që të gjithë fansat e tij ta njohin më nga afër. "Ndërtesa e tij e preferuar është ‘Chateau Marmont‘. Për të parën herë në pishinën e saj kam parë ‘topless‘-in e parë të jetës sime".

Zakonisht kur thotë një batutë, gjithmonë sigurohet që të tjerët ta kuptojnë. Vazhdon ende të paguajë dëmet e atij momenti, kur po përpiqej të bënte karagjozin, dhe i tregoi një gazetari se vuante nga dypolarizmi dhe krizat maniako-depresive. "Po bëja shaka, më dukej diçka zbavitëse. Por sot ndiej sikur jam i përfshirë nga ajo që kam thënë".

Stiller mendon se çelësi i suksesit qëndron pikërisht te "normaliteti dhe shakatë". Shpesh i ndodh të takojë miq e të afërm, të cilët habiten që është martuar. Në fakt, në jetën e tij ka pasur shumë të dashura, që përveçse bukuroshe, kanë qenë edhe të famshme. Ja disa prej tyre: Calista Flockhart, Jeanne Tripplehorn, Janeane Garofalo, Amanda Peet. Sot Ben është i martuar me aktoren Christine Taylor, ka dy fëmijë dhe dy qen.

"Gjithmonë më kanë pëlqyer filmat me luftë dhe besoj se 30 vitet e fundit prodhimet amerikane që lidhen me Vietnamin kanë qenë të gjitha të rëndësishme. Ndoshta kjo është edhe një nga arsyet që e kam shkuar, prodhuar, drejtuar dhe interpretuar filmin ‘Tropic Thunder‘. Ky film më duket mjaft zbavitës. Në fakt, të gjithë aktorët e filmave me luftë tregojnë se e jetojnë me të njëjtin intensitet këtë lloj eksperience. U duket sikur kanë luftuar vetë, duke harruar se cilat janë problemet reale që ushtarët e vërtetë janë të detyruar të përballojnë gjatë luftërave të vërteta. Kjo është dëshira që mbaj brenda që nga viti 1987, pak kohë pasi interpretova pjesën e një të burgosuri. Me këtë film u them të gjithë aktorëve hollivudianë se nuk duhet ta merrni kaq seriozisht. Fundja, jemi aktorë, apo jo".


Aktori

"Sarah Palin mund të luajë rolin negativ në një nga filmat e mi"

"Pse jo, Sarah Palin mund të aktrojë në një film timin, ndoshta do t‘i shkonte më shumë një rol negativ". Më pas shton: "Unë mbështes Obamën, sepse ka ardhur momenti i ndryshimit. Për sa i përket Sarah Palin, nuk e kam idenë se si do të ishte në rolin e aktores, por mendoj se është interesante". Ndërsa për "Tropic Thunder" regjisori thotë: "Është një film humoristik, gjithsesi qëllimi im kryesor nuk ishte ky. Dëshiroja të përqendrohesha te një grup aktorësh të cilët përballen me realitetin. Gjithmonë më ka tunduar ideja për të bërë një film luftarak. Nuk mund ta mohoj që ky lloj zhanri më pëlqen shumë, madje edhe kinemaja amerikane është e mbushur me filma që flasin për luftën në Vietnam". Shumë skena dhe situata të filmit janë politikisht jo korrekte (termi "i vonuar" përdoret 15 herë). Për këtë arsye, disa shoqata të tilla kanë protestuar kundër filmit.

"Në fakt, nuk kam pasur probleme as me veteranët e luftës e as me shoqatat e të paaftëve. Kanë protestuar vetëm disa grupe të vogla, por kjo ka ndodhur sepse nuk e kanë parë filmin. Por nëse do ta kishin parë me kujdes që komedia bazohet tek aktorët dhe jo te kategoria e personave, të jeni të sigurt se kjo nuk kishte për të ndodhur. Kush e ka parë filmin, e ka kuptuar se bëhet fjalë për një komedi. Gjithsesi, ndonjëherë lindin keqkuptime dhe vëmendja spostohet nga problemet reale".

Si vendosët të bënit një parodi me pjesë nga filmat "Platoon", "Rambo" ed "Apocalypse Now"?

Është një fushë të cilën e kam shumë për zemër, por këtë herë jam nisur nga një tjetër pikëpamje: njerëz që mbajnë në duar armë të rreme, të cilët përballen me armiq të vërtetë. Ishte bukur të recitoje skenat e luftës, veçanërisht në pjesën e dytë, ku filmi merr pamjen e një aksioni të vërtetë.

Mes trupës së zgjedhur është edhe Tom Cruise, në rolin e një producenti të shëmtuar, trashaluq, cinik dhe pa eksperiencë...

Ishte bukur të punoje me Tomin, unë e adhuroj. Ai ka punuar shumë për këtë rol kaq të veçantë. Tregoi një anë të tijën të pazbuluar: një sens humori të jashtëzakonshëm.

Si regjisor dhe skenarist, ç‘lloj humori u përpoqët të sillnit në skenë?

Tentova t‘i jepja jetë një humori me nivel të lartë dhe jo vetëm kaq: një film mund të jetë zbavitës po aq sa aktorët, por pas 15-20 minutash publiku ka nevojë për një histori, për një motivim që të vazhdojë ta ndjekë.

Në film personazhi juaj bën gjithçka për të pasur një rol dramatik, dëshiron patjetër të fitojë një "Oskar".

Është një aktor që kërkon të merret seriozisht, që të vlerësohet. Le ta themi hapur se ky është realiteti i botës sonë.

Po ju a do t‘u pëlqente të kishit më shumë role dramatike, pse jo ndoshta edhe të fitonit ndonjë statujë?

Po, do më pëlqente, por si trupa, ashtu dhe rolet duhet të jenë të zgjedhur. Nuk i kam refuzuar filmat seriozë, kamë interpretuar shumë personazhe. Ndërsa, për sa i përket statujës së artë, ashtu siç tregon dhe filmi, mund të ndodhë që të mos e fitojmë.

Cilët janë aktorët komikë që ju frymëzojnë?

Kam parë shumë filma të Steve Martin dhe Bill Murray, ndaj mundohem të ndjek sadopak shembullin e tyre.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora