E marte, 21.05.2019, 06:39 PM (GMT+1)

Kulturë

Hazir Mehmeti: Promovim festiv në Ambasadën e Republikës së Kosovës

E enjte, 29.11.2018, 08:33 PM


Promovim festiv në Ambasadën e Republikës së Kosovës

Vepra e Prof. Dr. Eqrem Zenelaj, “ Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë

28 nëntor 2018, Vjenë   Albumi Historik Kombëtar   “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, vepra e dhjetë e Prof. Dr. Eqrem Zenalaj promovohet në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Vjenë, organizuar nga të dy ambasadat; e Shqipërisë dhe Kosovës. Ishte një promovimi festiv i mrekullueshëm për të mos u harruar. E pranishme ishte familja Zenelaj.  Në një ambient festiv ku fliste ngjyra kuq e zi, në hapësirën këndshme të ambasadës e mbushur me mërgimtarë nga disa qytete të Austrisë. Moderimi u bë nga  Faruk Ajeti, sekretar i dytë i Ambasadës. “Nuk ka ndonjë datë tjetër në historinë tonë kombëtare me të cilën ne kaq për zemër e kemi pasur dhe me të cilën jemi rritë, sesa 28 Nëntori, për faktin shumë më të thjeshtë: Kjo datë është padyshim emëruesi i përbashkët e përpjekjeve tona për çlirim dhe për të qenë Zot të shtëpisë tonë, aty ku na ka takuar gjithmonë të jemi të tillë. 28 Nëntori është i shenjtë për historinë tonë kombëtare sepse disa nga ngjarjet më madhore të historisë sonë kanë ndodhur pikërisht në këtë datë.  Më 28 nëntor 1443, rikthehet në Krujë Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, ku ngriti Flamurin Kombëtar.  Me 28 nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti Flamurin Kombëtar në qytetin e Vlorës dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë.  28 Nëntori i vitit 1955 është ditëlindja e Komandantit legjendar, Adem Jasharit, dhe 28 Nëntori i vitit 1997 shënon daljen e parë në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Para nesh është Prof. Eqrem Zenelaj, i cili sikurse sot, ashtu edhe fiks para një viti, arriti të na mbledh po në këtë datë, po në këtë sallë” Të pranishmit i uroj Sami Ukelli, Ambasador:  “Jam i nderuar të ju drejtohem sonte me urimin tim më të mirë me rastin e 28 Nëntorit –Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. E falënderoj mikun tim, z.Roland Bimo, Ambasador i Shqipërisë për mbështetjen në bashkë organizim dhe pranin e tij. Ne qëllimisht e kemi zgjedhur këtë mbrëmje për takim me Prof. Eqrem Zenelaj dhe promovimin e veprës së tij të radhës Albumin Historik Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Prof. Zenelaj është tani më i njohur prej të gjithëve për veprat e tij të promovuar në Vjenë. Dhe, qëllimisht është ruajtur promovimi i parë i veprës së tij të fundit në këtë datë festive e cila përkon  me Vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeu”

Roland Bimo, Ambasador, uroj të pranishmit dhe përgëzoj Prof. Zenelaj. “Ju jeni një shembull i këmbëngulësisë dhe përkushtimi i një hulumtuesi të guximshëm në punën tuaj”, tha mes tjerash ai.

Fjalë rasti prezantuese rreth veprës “Gjergj Kastrioti – Skënderbu mbajti Hazir Mehmeti, publicist në Vjenë.  “Pikërisht, këtu në Vjenën e mburrjes sonë me figura madhore kombëtare që studiuan e vepruan këtu, si: Eqrem Çabej, Lasgush Poradeci, Asdreni, Hil Mosi, Sokrat Dodbibaj, Dr.Gjergj Pekmezi, Aleks Buda, e shumë tjerë, sot si shembullin më të mirë të vazhdimit të rrugës së tyre dhe trasimit të saj brezave,  pa dyshim është,  Prof. Eqrem Zenelaj.

Pas nëntë veprave voluminoze dhe me rëndësi të madhe për historinë e diplomacinë jo vetëm në rrafshin kombëtar por edhe atë ndërkombëtar, sonte para nesh kemi një vepër të re, Albumin Historik Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Vepër që botohet në shënimin  e  “Vitit Mbarëkombëtar Gjegj Kastrioti Skënderbeu”, të shpallur nga të dy shtetet tona: Shqipëria dhe Kosova në 550 vjetorin e vdekjes së tij. Është një sihariq i radhës nga Prof. Zenelaj pas veprës “Pellazgët - Ilirët –Shqiptarët” e cila ishte vepra më e kërkuara nga të gjitha botimet e vitit 2017.

Vetëm ata që kanë lexuar prej  Prof. Dr. Eqrem Zenelajt, mund të kanë afërsisht të njohur një figurë kaq me vlera në fushën e historisë e diplomacisë kombëtare dhe më shumë. Jeta e tij, lirisht mund të thuhet, është jetë e terë arkivave, bibliotekave me emër në botë: Vjenë, Vatikan, Romë, Frankfurt, Berlin, Paris, Londër etj.  Ai nuk kurseu asgjë nga vetja e tij, familja e tij, shoqëria e farefisi i tij në rrugën e realizimit të misionit tij me rëndësi kombëtare. Gjurmëve të jetës së tij,  frymëzimi i tij ka burim të thellë kombëtar që nga baladat dhe këngët kreshnike të recituara dhe kënduara nga vet ai që në moshë të re.

Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeu,  ishte një inspirim shtesë në realizimin e një rruge të gjatë hulumtuese shumëvjeçare arkivore mbi fakte të pakontestueshme rreth jetës dhe veprës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Prof. Dr. Eqrem Zenelaj zbuloi dokumente të shkruara, gravura e portrete, partitura të punuara nga mjeshtrit më të njohur të kohës duke ua ofruar publikut dhe shkencës si fakte të reja rreth jetës dhe veprës së heroit kombëtar të cilat nuk ishin të ditura më parë.

Figura e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, nuk është vetëm figurë e një luftëtari, por shumë më komplekse, para së gjithash ai ishte një burrështetasi, ishte themelues i shtetit shqiptar, shtetit të Arbrit. Skënderbeu ishte një intelektual i kohës së vet, ishte një poliglot që njihte shqipen, italishten sllavishten, turqishten, persishten, e merita kryesori ishte formimin i shtetit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në rrethanat e luftës. Pjesa e gjenealogjisë është shumë faktike dhe vërteton origjinë e pastër shqiptare të Skënderbeut bazuar në burimet e shumta arkivore. Qindra vepra arti, kulture dhe mijëra dokumente arkivore në mbarë globin të shkruara kushtuar Gjegj Kastriotit-Skënderbeut, vërtetojnë se ai ishte figura më e spikatur e mesjetës. U cilësua si:  trimi më i famshëm në botë, Atleti i Krishtit, Duka i Epirit, trashëgimtar i Mbretit Pirro...

Nga shfletimet e shkrimeve të figurave të njohura botërore rreth kombit shqiptar, nuk mund të mos përmendim këtu thënien e Lamartinit,  dy shekuj më parë: “Ky komb e ky popull nuk merret nëpër këmbë. Kjo është toka e heronjve të të gjitha kohëve. Homeri aty gjeti Akilin, grekët Aleksandërin e Madh, turqit Skënderbeun, njerëz këta të së njëjtës racë, të të njëjtit gjak”.

Në fjalën e tij autori i librit Prof.Dr .Eqrem Zenelaj, falënderoj të dy ambasadorët, z. Roland Bimo dhe z.Sami Ukelli, sekretarin e dytë z.Faruk Ajeti për organizimin aq me përkushtim të promovimit të veprës së tij. Ai falënderoj të pranishmit dhe uroj festën e madhe –28 Nëntorin – Dita e Pavarësisë. Prof. Zenelaj  mbajti fjalë rasti rreth veçorive të veprës duke prezantuar fotografi e dokumente të reja faktike nga hulumtimi i tij. Disa nga të veçantat e kësaj vepre mes tyre është gravura, pikturë e punuar 450 vjet më parë e Skënderbeut e cila ruhet në Muzeun Historik të Arteve në Vjenë. Pastaj, data e lindjes së Gjergj Kastriotit Skëndebeu e cila sipas shumë fakteve nga dokumentet e shkruara del se ai ka lindur në vitin 1414 e jo në vitin 1405, kurse data e vdekjes  dihet e saktë, 17 janar 1468. Me kureshtje u përcjell shpjegimi nga Prof. Eqrem  Zenelaj rreth  simboleve të shqiponjës sipas legjendave  që nga kryezoti pellazg, Zeusi,  duke e lidhur me trashëgimin e emrit shqiptar. “Shqiptarët quhen kështu sipas shpendit më të fuqishëm të qiellit dhe është i vetmi popull në glob me një emër të tillë dallues.” Pastaj ai dha argumente interesante rreth historisë së simbolit të kokës së dhisë që nga koha pellazge, e Ilirisë dhe koha e Shtetit të Arbrit, të Skënderbeut i cili e mbante në përkrenare, origjinalja që ruhet në Muzeun e Arteve të Popujve në Vjenë. Salla e veçantë në lokalet e ambasadës së Kosovës ishte e mbushur përplot bashkatdhetar që tregonte për interesimin e madh rreth veprës. Për fund Ambasada kishte organizuar koktej festiv ku ngritën dolli me urimin për Ditën e Flamurit, Ditëlindjes së Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë. Dolli e përgëzime për veprën madhore të Prof. Eqrem Zenelajt me dëshirën e takimeve të tjera.

Pak fjalë nga biografia

Prof. Dr. Eqrem Zenelaj, lindi në Gejkoc të Therandës. Shkollimin fillor e mbaroi ë Graikoc, të mesëm, gjimnazin, në Therandë. Në Universitetin e Prishtinë mbari Fakultetin  Filozofik dhe Fakultetin Juridik. Në filozofik merr titullin Profesor i Sociologjisë dhe Filozofisë. Në Fakultetin  Juridik titulli Magjistër i Shkencave Juridike. Studime i vazhdon në UN Qendror të Vjenës, në Fakultetin Juridik drejtimin e të drejtave ndërkombëtare ku e përfundon me sukses shembullor doktoratën  Dr. iur. Pas mbarimit të doktoratës nis studimet për specializimin “Ekspert i së Drejtës Evropiane” të cilin e mbaron në Nicë të Francës, kurse specializimin tjetër për “Ekspert të së Drejtës Gjermane” e përfundon në qytetin Passau të Gjermanisë. Doktoratën e dytë  në Universitetin  Qendror të Vjenës, në drejtimin e Historisë së Mesjetës. Mbi dy dekada është hulumtues i pasionuar aktiv në 20 arkiva të njohur të Evropës i cili ka tubuar rreth 6 mijë dokumente me rëndësi historike kombëtare e ndërkombëtare. Është bashkëpunëtor i dhjetëra institucioneve  dhe revistave shkencore, anëtar i Institutit të Evropës së Mesme me seli në Vjenë, i Institutin Albanologjik në Prishtinë, i Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë. Gjithashtu është pjesë e shumë simpoziumeve shkencore me karakter kombëtar e ndërkombëtar.

Vepra e tij cilësohet si Akademi në Vete nga disa studiues të njohur duke parë vëllimin dhe rendësin faktike të tyre. Është Autor i 10 veprave, 5 prej të cilave me recensentë të njohur ndërkombëtar.  Tri libra: E drejta diplomatike e konsullore , Historia e diplomacisë dhe Historia e Shtetit Shqiptar janë literaturë në universitetet shqipfolëse.  Prof. Dr. Eqrem Zenelaj punoi një vit në Gjykatën Supreme të Austrisë. Aktualisht  punon në Universitetin publik “ Ukshin Hoti” në Prizren dhe në  “Fama” në Prishtinë. Jeton në Prishtinë dhe Vjenë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT