Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: Nëpër përvjetorë nëntorësh

| E enjte, 29.11.2018, 07:59 PM |


Nëpër përvjetorë nëntorësh

Nga Blerim Rrecaj

Koha kalon, e ky rrugëtim rrjedhe është i gjatë, i vështirë, me plot të pritura, shumë të papritura, lloj-lloj sfidash, gjurmë, gjak, djersë, përpjekje, veprime. Koha pret e s'pret, kushedi se sa realizohet e sa mbetet pa u bërë nga ajo që synohet. Dhe kështu nga Nëntori i Parë kalojmë te Nëntori i Dytë. Dhe kalojnë vjet e vjet, përvjetor pas përvjetori, përpjekjesh të vazhdueshme për të jetuar, për të luftuar, për të pasur dhe paqe të shkurtëra a të gjata mes luftërave siç thotë poeti Carl Sandburg, për të pasur marrëveshje, armëpushime të imponuara a detyruara, për të pasur çaste e ndodhi që zënë vend në kujtesën tonë personale a atë të përgjithshme. Dhe tash mbase do t'ishte jo keq që të zgjedhim a përmendim se si kaluam nëpër përvjetorët e themelet e pavarësisë kombëtare që ende pret të kurorëzohet, të përmbyllet, për të përfunduar frazat që transmetohen nga gjeneratat në gjeneratë si: "ka mbetë lufta në gjysmë, ka mbetë puna në gjysmë,shtëpia ende s'po përfundon, shtëpisë kur do t'i bëjmë çatinë" etj, etj. Pastaj dhe fjalë për pafuqinë, ndarjet e përçarjet, proceset, rrethanat, dëshirat, mundësitë, faktet, faktorët, aktorët, pengesat, vonesat, katalizatorët, ankesat,ngecjet,shkaqet, pasojat, nevojat...Sidoqoftë, festimet e 28 Nëntorit gjithmonë zgjojnë ndjenja, ngjallin ide e frymëzojnë për të ecur përpara. Si dje, si sot. Këtë herë mbase mirë është të përmendim dy nga përvjetorët. I pari është ai i vitit 1999, vitit pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, (pas robërisë, vuajtjeve, heroizmit, dëbimeve, rikthimit...) festimit pas kaq e kaq kohësh në mënyrë kaq të hapur e masive, deri në orët e vona, deri në mëngjes, të gëzuar, krenarë, të kënaqur, n'gjendje dëliri e deliri, ekzaltim i arsyeshëm në rrethana të reja lirie... Dhe kalon vit pas viti, përvjetor pas përvjetori, vijmë deri te festa e madhe e gjithëpërfshirëse e 100 vjetorit të 28 Nëntorit, që si asnjëherë më parë na bashkon, na mbledh. Një shekull ëndrra vazhdon, për pavarësi prej vërteti, pa mahi. Dhe vazhdojmë me përvjetorët e ndryshëm e të rëndësishëm që si lumenj derdhen në detin e madh, a në motin e madh të Dy Nëntorëve. Me zemër, me mendje e me tërë qenien urojmë për të sivjetmin, të cilin e nisën fëmijët me punime artistike me ngjyra kuq e zi, e edhe me ndonjë recitim humoristik të pasherr si erdh 28 Nëntori, na u ka prish traktori, a koftorri... Dhe Sikur të gjithë pajtohemi se jemi larg të asaj që mundemi e asaj që duam. Edhe sivjet festojmë duke dal në qytet. Ecejaket spontane mund të na shpiejnë te ndonjë koncert fëmijësh, te ndonjë shfaqje në teatër, të japim ndonjë deklaratë për këtë kryedatë kombëtare me tone shqetësimi e mallëngjimi. E të na kujtohet dhe gjëra e gjëra, si shkrimi i Skënder Laurasit: "Dita e flamurit", ku pos tjerash në të lexojmë :"Po sado i mirë, sado i bukur dhe i këndshëm të jetë ky flamur, bukuria e tij prishet, fishket, venitet, po të mos jemi dhe ne si flamuri. Le ta dijmë se ne e bëjmë flamurin dhe jo flamuri neve." Gëzuar edhe njëherë! Gëzofshim e festofshim me rezultate të dukshme e të prekshme përherë!