Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilmi Musliu: 'Mëkat më i madh ishte të vjedhësh ushqim në një shitore, se sa ta vrasësh një shqiptar'

| E enjte, 29.11.2018, 07:43 PM |


Krimet serbe në Kosovë: “Mëkat më i madh ishte të vjedhësh ushqim në një shitore, se sa ta vrasësh një shqiptar”

Serbët i kanë mohuar gjithmonë krimet mbi popullsinë civile në Kosovë. Përgjithësisht, ata kanë heshtur për të bëmat e tyre dhe vetëm ndonjë i rrallë ka folur për “mëkatet” e serbëve, siç ishte ish-gjykatësi hetues Aleksandër Rajeviq, i cili në një gazetë të Beogradit, dy vjet pas luftës në Kosovë, kishte thënë: “Mëkat më i madh ishte të vjedhësh ushqim në një shitore se sa të vrasësh një shqiptar”.

NGA ILMI MUSLIU

Dy vite pas luftës së tmerrshme në Kosovë, ndonjëri nga serbët kishte filluar të rrëfejë për ngjarjet dhe skenat e llahtarshme të asaj kohe, që kishin bërë forcat e Beogradit ndaj shqiptarëve të Kosovës. Aleksandër Rajeviq, i cili në atë kohë ishte gjykatës hetues në Gjykatën Komunale të Gjakovës, deri më 11 qershor të vitit l999, kur largohet për në Beograd, në një intervistë për gazetën “Nedeljni telegraf” kishte shpalosur vetëm një pjesë të asaj drame, e cila është luajtur në Gjakovë dhe rrethinë, ku, sipas tij, “mëkat më i madh ka qenë që të vjedhësh në një shitore gjëra ushqimore, se sa ta vrasësh një shqiptar”.

Në Çabrat, në maj të atij viti, kam parë 90 kufoma të shqiptarëve, në mesin e të cilave kishte edhe persona shumë të rinj dhe pleq. Nëntë nga ta ishin të familjes Sharani. Rajeviq, i cili në vendin e krimit kishte shkuar në cilësinë e gjykatësit hetues, thotë se eksperti gjyqësor nuk e kishte bërë fotografimin, ashtu siç kërkojnë procedurat. Porse dokumentacionin për atë ngjarje, jam i sigurt se e kanë policia e njësive speciale të Serbisë. Them me përgjegjësi se gjyqësia ushtarake dhe liderët e policisë i njohin edhe kryesit e krimit në Çabrat, afër Gjakovës, thotë në rrëfimin e tij ish-gjykatësi Rajeviq.

Sipas tij, gjykatësit hetues janë njoftuar rrallë për masakrat. “Kufoma kishte në të gjitha anët, ndërsa ne kishim për detyrë të konstatojmë vdekjen. Eksperti ynë, me ndihmën e romëve nga ndërmarrja komunale i ngarkonin trupat në traktor dhe i dërgonin në morg. Më vonë i varrosen afër varrezave në Brekovc”.

Rajeviq thotë se luftimet në Çabrat kanë zgjatur dy ditë. Të parët hynë “frenkat”, ndërsa pas tyre edhe grupet tjera, ndërsa në fund edhe policia. Gjykatësi ka thënë për “N.T” se ka qenë i kërcënuar nga policia, përse kishte shkuar në vendin e ngjarjes, ku ka takuar edhe një shqiptar, që ishte zyrtar i sigurimit shtetëror. “Një 85-vjeçar kishte një vrimë të madhe në kraharor. Afër tij, në një podrum ku ishte kufoma, ndodhej një pushkë shumë e vjetër, që mund të ishte një trofe dhe me të, nuk besoj se mund të vrisje kënd”.

Kanë ndodhur edhe gjera të tjera. Ka ngjarë që policia ka marrë edhe nga 30 mijë DM (marka gjermane) për t`ia shpëtuar jetën dikujt dhe ato i kanë ndarë me kolegët, të cilët e kanë bërë likuidimin e atij personi. Pra, jeta “shitej” për 30 mijë DM, por këtë çmim nuk kanë mundur ta blejnë jetën e tyre shumë veta.

Gjykatësi 30-vjeçar nga Gjakova, megjithatë ka tentuar të vejë një baraspeshë të krimeve në Kosovë, duke i fajësuar edhe shqiptarët për akte të dhunës. Megjithatë, ai tregohej i vetëdijshëm se krimet nuk mund të fshihen përgjithmonë.

“Heshtja jonë nuk mund të zgjasë shumë. Është e domosdoshme që sa më parë të vërtetohet përgjegjësia e të gjithë atyre që kanë qenë dhe janë në funksione të larta shtetërore si dhe ekzekutuesve të krimeve. Emrat e këtyre njerëzve dihen dhe vendi i tyre është në burg”, kishte thënë asokohe Aleksandër Rajeviq, duke drejtuar gishtin për përgjegjësi edhe te ish-funksionarët e partisë socialiste. “Besoj se në ndonjërin nga gjykimet e mundshme, do të jem dëshmitar”, pohonte ai në një rrëfim për krimet në Kosovë, dy vjet pas luftës.

Nuk dihet nëse Rajeviq është ftuar të dëshmojë në ndonjë tribunal, apo jo për ato që i kishte parë me sytë e tij në Gjakovë, por dihet se Beogradi, përgjithësisht i ka mohuar krimet mbi popullsinë civile.