Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Çumani: Dr. Edmond Çeliku, kirurgu që 'qëndis' me bisturi

| E enjte, 29.11.2018, 07:40 PM |


DR. EDMOND ÇELIKU, KIRURGU QË “QËNDIS” ME BISTURI...

Nga ILIR ÇUMANI

Prof. Dr. Edmond Çeliku, është ndër të rrallët mjekë kirurg të talentuar e duarartë që nuk operon, por “qëndis” me bisturi...Ai, me përvojën 30 vjeçare dhe skrupulozitetin e tij profesional, tashmë është kthyer në një histori suksesi dhe model frymëzimi për shumë kolegë të tij, veçanërisht për kirurgët e rinj me bluza të bardha. Që nga ndërhyrjet e thjeshta dhe deri tek ato më të komplikuara, kirurgu i njohur shqiptar, nuk zgjedh, por në çdo rast është u gatshëm dhe i kudondodhur, në emër të një misioni të madh, në themel të të cilit qëndrojnë parimet e humanizmit, duke u  kthyer në një shpëtimtar absolut i  shumë jetëve të kërcënuara nga kthetrat e vdekjes.Të gjithë ata që e njohin nga afër kirurgun e njohur, e kanë ndjerë nga afër përkushtimin dhe humanizmin e tij, vlerësojnë cilësitë më të mira të këtij misionari të bluzave të bardha, jo vetëm si mjek i aftë dhe mjaft i zoti, por në radhë të parë edhe si NJERI.Tashmë,  kirurgu i mirënjohur Edmond Çeliku është kthyer në simbolin  e dashurisë, shpresës dhe kurajos për qindra e mijëra pacientë, të cilët, për një çast janë ndjerë të pashpresë, duke i’u dorëzuar fatit nga kërcënimi i sëmundjeve të rënda. Por,  këmbëngulja, fjala e ngrohtë, talenti, vendosmëria, kurajua dhe guximi profesional i mjeshtërit të bisturisë, bënë që të rikthejë mijëra buzëqeshje në fytyrat dhe sytë e njerëzve. Një miku im, gjatë një bisede, me rrëfeu për Dr. Mondin këtë episod. Kur isha për vizitë mjekësore në një nga Klinikat e njohura të Londrës për një rikontroll pas një ndërhyrje kirurgjikale të bashkëshortes, gjatë konsultës me mjekët atje, ata më pyetën gjithë habi: “... ku e ka bërë ndërhyrjen zonja juaj....!? Unë i’u përgjigja se operacioni ishte realizuar në Shqipëri... Ata, shtangën për një moment duke parë njëri tjetrin në sy, pastaj njëri prej tyre, që ishte edhe shef i klinikës i atij spitali, vijoi: “.... Pse, ka edhe në Shqipëri mjek të këtij niveli kaq të lartë.....!?. Po si jo, i’u përgjigja, vijoi miku im... Kjo punë e shkëlqyer e atij kirurgu në këtë rast kaq të komplikuar, vijoi mjeku londinez, ka shpëtuar njëherë e përgjithmonë jetën e bashkëshortes tuaj.... I lumtë! Dhe ky kirurg, është Dr. Edmond Çeliku, një mjek që rrallë mund të gjesh ndonjëherë edhe nëpër botë... Është fat që Shqipëria, vendi ynë i vogël ka edhe personalitete të mëdha të mjekësisë intervente, të cilët, duhet ti çmojmë dhe ti promovojnë për vlerat që kanë! Mirënjohje këtyre herojnve të heshtur dhe pa bujë, për punën dhe sakrificat e tyre Njerëzore e sublime në betejat për JETËN! Ndaj, duke përjashtuar edhe ndonjë rast të pakëndshëm, që shfaqet në mënyrë sporadike dhe që s’ka asnjë lidhje me misionin e bluzave të bardha, ka ardhur koha që të evidentojmë edhe këto histori frymëzuese e suksesi, duke pohuar me plotë gojën: Faleminderit doktor Edmond Çeliku, që di  jo vetëm të shërosh dhe të shpëtosh jetë njerëzore, por me pasion dhe dashuri, me përkushtim përtej njerëzores, Ti i shëron plagët e të sëmurëve duke “qëndisur” me bisturi...

21 Nëntor, 2018