Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Do ta laj gojën me sapun!

| E merkure, 28.11.2018, 08:24 PM |


DO TA LAJ GOJËN ME SAPUN!

Nga Frank Shkreli

Kështu na kërcënonte nëna kur dëgjonte të kishim përdorur ndonjë fjalë të pa vend kur ishim fëmijë, në komunikim me shokët tanë të shkollës ose me këdo tjetër.

Duke dëgjuar sot diskurset në radhët e politikanëve shqiptarë nga të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, por jo vetëm midis politikanëve, shpesh më kujtohen fjalët e nanës, megjithse si të mitur që ishim as nuk mund të mbaheshin përgjegjës për fjalët dhe veprimet tona.  Por prindërit tanë kishin përgjegjësi që të na korigjonin, por edhe të na ndëshkonin kur përdornim fjalë të fëlliqta në publik ose në rrethin familjar, me qëllim për të turpëruar dike ose për të cenuar emrin e mirë të dikujt.  Në botën ku jam rritur unë dikur, fjalë të tilla që dëgjojmë sot të dalin nga gojët e politikanëve dhe të shumë figurave të tjera publike shqiptare – fjalë të ulëta, të pa ndershme dhe të turpshme – ishin të pa pranueshme.  Turpëroheshim se duke përdorur fjalë të tilla të ndyra kundër dikujt me qëllim për të dëmtuar personin e tyre, do të na dilte emri i keq në fshat dhe në shoqërinë ku jetonim.

Sidomos kohët e fundit, duket se gjuha e përdorur në publik, nga ata që duhet të dinë më mirë se kaq, është ashpërsuar keqas.  Vulgariteti i shprehur me fjalë e qëndrime, nga njerëzit publikë e sidomos përfaqsuesit e politikës të medies shqiptare, më bën të pyes veten se çfarë përgjegjësie mbajnë këta njerëz, pikëspari ndaj vetvetes, si përfaqsues të popullit, por edhe ndaj të miturve, rinisë shqiptare, brezit të ardhëshëm dhe shoqërisë në përgjithësi -- me shprehje dhe sjellje të tilla në ekranet e televizioneve dhe në media të tjera.  Si përballen këta njerëz me fëmijtë dhe familjet e tyre kur këthehen në mbrëmje në shtëpi dhe dëgjojnë lajmet e ditës para ekranit.  Vulgariteti i fjalëve që përdorin udhëheqsit e sotëm shqiptarë në komunikim me njëri tjetrin dhe me të tjerët, në të vërtetë, ka kaluar kufijtë njerzor dhe të sjelljes së mire, ndërkohë që e gjithë situate është këthyer në një politikë urrejtjeje me të gjithë ata të cilët prej tyre konsiderohen, jo si kundërshtarë politikë, por si armiq të përbetuar.

Fjalët janë plumba, zotërinjë të ndershëm!  Duhet kujdes në shqiptimin e tyre, sidomos nga udhëheqsit dhe përfaqsuesit më të lartë të kombit, nga një platformë e caktuar publike, fjalë që dëgjohen nga qindra mijëra ndoshta miliona veta. Gjuha e urrejtjes, sipas ekspertëve, jo vetëm i paraprin shpesh dhunës, por edhe e frymëzon dhe e legjitimon atë.  Atëherë lind pyetja se pse politikanët përdorin një gjuhë të tillë urrejtjeje.  Prapë, sipas eskpertëve, sepse politikanët kudo, besojnë se me gjuhën që përdorin, qoftë edhe gjuhën e urrjejtjes, e përdorin me qëllim për të influencuar vendimet që marrin, për të kontrolluar burimet natyrore dhe buxhetore, madje edhe për të influencuar dhe kontrolluar edhe sjelljet dhe vlerat e njerëzve.

Është e tepërt të them, se urrejtja në radhët e politikanëve, minon edhe zhvillimet demokratike dhe përçanë shoqërinë, në “ne” dhe në “ata” -- cilëtdo qofshin ata, të brendshëm ose të jashtëm, politikanë ose gazetarë, njerëz të thjeshtë që vetëm duan të qajnë hallet e veta, e madje edhe ndërkombëtarët, tashti janë bërë subjekt i kësaj gjuhe të ndyrë.  Gojëndyrët dhe urrejtësit e botës shqiptare, sidomos ata në detyra udhëheqjeje, por edhe disa të tjerë në fushën e gazetarisë dhe publicistikës, i kanë kaluar kufijtë e një diskursi politik normal, që për botën dhe kulturën shqiptare duhej të konsiderohej si diçka e papranueshme në shekullin 21.

Urrejtësit dhe gojëndyrët, me fjalët e tyre të flliqta, me idetë dhe me veprimtaritë e tyre që pasojnë fjalët e përdorura poshtëruese, e konsiderojnë veten tani si pjesë normale e jetës politike dhe shoqërore, madje sjellja e tyre është këthyer në një prirje dominuese tashti të opinionit dhe komunikimit publik brenda shoqërisë shqiptare, në përgjithësi. Anything goes, është një thënjë në anglisht.  Çdo gjë është e pranueshme.  Nuk ka asnjë rregullë, as kufij për gjuhën që përdoret ndaj kundërshtarëve.  Politikani kundër politikanit, gazetari dhe publicisti kundër kolegëve, historiani kundër historianit, e ashtu me rradhë.  Duket sikurë shoqëria shqiptare është në një gjëndje permamente grindjesh dhe urrejtjesh, pjellë e regjimit komunist pothuaj 50-vjeçar.  Për mbarë botën Lufta e dytë Botërore ka marrë fund 70-e ca vjet më parë, por jo për shqiptarët.  Lufta dhe interpretimet e saja, e sidomos debatet mbi regjimin komunist që pasoi luftën – ndryshe nga çdo vend tjetër në Evropë -- vazhdon edhe sot në Shqipëri e deri diku edhe në Kosovë, midis nostalgjikëve të komunizmit, të përndjekurve të regjimit dhe atyre që ata gjithnjë konsiderojnë si “kolaboracionistë” të fashizmit dhe nacizmit, ndërkohë që shqiptarët sot konsiderojnë Gjermaninë dhe Italinë si ndër vendet më mike të shqiptarëve.  Do ishte mirë që me këto çështje të merreshin historianët e mirëfilltë dhe jo mbarë shoqëria.

A nuk e shohin, sidomos udhëheqsit shqiptarë, se kur urrejtja ndaj njëri tjetrit – e shqiptarit kundër shqiptarit pra -- konsiderohet tani si diçka normale dhe e zakonshme në diskurset politike.  Si rrjedhim, çdo gjë e mirë dhe pozitive e arritur deri më tani, kërcënohet në shoqërinë e sotëme shqiptare. Në rend të parë demokracia, zbatimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe pluralizmi, ndër të tjera -- por mbi të gjitha kërcënohet dinjiteti i individit, të çdo shqiptari, pa marrë parasyshë bindjet e tija politike, 75 vjetë më parë a po sot.   Kjo është një politikë që po bëhet për të dëmtuar të tjerët, ata që mund të mendojnë ndryshe, me qëllim për të përçarë Kombin. Në interes të kujt shkon kjo gjë?  Ne, si shqiptarë, me të drejtë mburremi para botës me tolerancën dhe bashkjetesën fetare, por të jemi të sinqertë, shqiptarët kanë dështuar plotësisht duke mos mundur të gjejnë një bashkjetesë politike midis tyre.  Është ky një dështim me pasoja tragjike për të sotmen dhe për të ardhmen e Kombit shqiptar.  Sa poshtë ka rënë diskursi politik në trojet shqiptare, pothuaj 30-vjetë pas shembjes së komunizmit!

A jeni të vetdijshëm se bashkimi bën fuqinë, se bashkimi bën beslidhjen e madhe, sidomos në këtë vit kushtuar Kryebashkuesit të Arbërit, Gjergj Kastriotit -Skenderbeut.  Sot më shumë se kurrë, kemi nevojë për më shumë udhëheqës, që me fjalë e me vepra, promovojnë bashkimin dhe jo përçarjet ndërmjet shqiptarëve. Kemi nevojë për udhëheqës që mbështesin dhe promovojnë ato që shqiptarët kanë të përbashkëat dhe jo të theksojnë ato që i ndajnë.  Përhapja e urrejtjes, frikës dhe paragjykimet – me fjalë dhe me vepra -- ndaj disa grupeve të popullësisë, sidomos nga udhëheqsit e vendit, nuk kanë të bëjnë aspak me udhëheqje të mirë qeverisëse dhe aq më pak me një debat të përgjegjëshëm dhe të ndershëm për zgjidhjen e problemeve dhe të sfidave serioze me të cilat përballen sot shqiptarët anë e mbanë trojeve të veta.  Mbi të gjithë të tjerët, përfaqsuesit qeveritarë duhet të marrin seriozisht përgjegjësinë e tyre në këtë fushë.

Disave duhet t’u lahet goja me sapun!