E enjte, 18.07.2019, 08:29 PM (GMT+1)

Editorial » Radovani

Fritz Radovani: Grupi 'Ora e Maleve' dhe demokracia

E marte, 27.11.2018, 08:28 PM


Nga Fritz RADOVANI: Pjesa II.

GRUPI “ORA E MALEVE” DHE  DEMOKRACIA

DHJETOR 1924:“PARTIT’ E RRYMËT SHKOJNË E VIJNË, POR DON ME THANË SHUMË, SE ME KAQ SHQIPNIA E HUMBI PAMVARSINË E VET.”

At Anton Harapi O.F.M., nder shkrimet e veta ka lanë edhe një bashkbisedim të shkurtë po me shumë vlerë per demokratin e Shkodres, atdhetarin Luigj Gurakuqi, në pragun e largimit Tij të fundit nga Shqipnia, në fundin e Dhjetorit të vitit 1924.

Shpesh nder bisedat e Tyne njerzit e mëdhaj fillojnë me thanë dishka me pak fjalë, dhe mbas sa vitesh aty ku asht këputë biseda e Tyne, mbetet dishka e pakjartë, që ndoshta, edhe mbas 100 vjetësh (si në rastin tonë), pak kush e di perfundimin e saktë. Sigurisht, këtu nuk asht rasti as vendi me komentue unë këta Figura të Mëdha dhe të lavdishme të Historisë së pashkrueme ende të Popullit Shqiptar dhe Qeverisë Demokratike të 1924.

Në zgjedhjet e Dhjetorit 1923, Shqipnia ishte nda pergjysëm: Në Veri kishte fitue me shumë vota “Grupi Ora e Maleve”, ku kryesonte Luigj Gurakuqi. Ndersa në Jug, kishte fitue Partia Popullore e kryesueme nga Ahmet Zogu me grupin e zogistëve.

Luigj Gurakuqi kishte zgjedhë rrugen demokratike, me të cilen mendoi perfundimisht me evitue gjakderdhjen dhe, me pranue rezultatin e “fitores së zogistave” deri në një datë të afert ku, në zgjedhjet tjera do të dominonte fitoria e “Orës së Maleve”...

Ato ditë Luigj Gurakuqi merr një telegram nga Peshkopi Fan Noli, i cili edhe ky ishte antizogist dhe i kerkon Veriut “Dergoni ndihmë!”, per me perballue “rebelimin e Zogut,

bashkohuni me ne se këtu nisi rebelimi dhe Zogu, këtu mund të na dergojë ushtri dhe të na shfarosë.” Luigj Gurakuqi mbledhë Grupin “Ora e Maleve”, dhe vendosë me shkue per me shpetue Fan Nolin, dhe me paqtue gjendjen në kryengritjen antizogiste në Vlonë, ku evitohej njëkohsisht edhe gjakderdhja e popullit atje.

Kjo veper e Gurakuqit asht kenë “nenshkrimi i vetvrasjes së Luigjit, nga Ahmet Zogolli, që ishte bash nipi i Esad Pashë Toptanit!”

Krejt e sfokueme asht nder dokumentat e asaj periudhe historike edhe figura e njëtjeter atdhetari: Kapiten Ndok Gjeloshi, i cili marrshoi drejtë kryeqytetit të ri Tirana... E cila u sulmue nga Veriu dhe Jugu. Ndonse u vendos Qeveria demokratike, ajo kje e brishtë!..

***

Po vazhdoj dhe po citoj nga kujtimi i lanun nga At Anton Harapi: “Ashtu si ishim të përveshun tue shkrue, ai në njênën anë të tryezës e unë në tjetrën, vjen postari e i dorëzon nji telegram. Porsa e çeli, ngeli me tê në dorë...

Përdîhet e përmblidhet në vetvehte. Si e shoh ashtu të prém, e pyes: – Shka âsht, Luigj?

– Na kanë fikë, Pater Anton; ja, e kanë shpallë revolucjonin atje në Vlonë deputetët t’anë, por âsht e kotë të qajmë; duhet të jemi solidarë me shokë; çou të fillojmë edhe na. – Larg-pamës e i kujtueshëm, syperjoriteti i Shpirtit të tij kapërcente sferën e njij karakteri të zakonshëm; ai, për besë e burrní, qe i zoti të veprojë edhe kundra bindjes së vet. Ishte emnue Ministër i Financavet e nuk kishte të holla as sa me shkue në Tiranë.

– Pater Anton, më thotë, m’i jep dhetë napoljona uhá, se për fjalë të nderit po më vjen turp me i a lypë kujt, mbasi nuk m’a zên besë kush. Edhe vonë m’i pagoi, jo pse nuk donte a pse harronte, por pse nuk i tepronte gjâ në xhep prej rrogës si ministër. Shpirtin plot e xhepin thatë, rroi pernjimend i vorfën, pse vërtè idealist i pastër.

Kishte nji mamendje të çuditëshme. Nuk mbante ‹notes› me vehte, as nuk merrte ndonjiherë shënime për mos me harrue.

Njiditë e nguca fort në ketë pike dhe ju vûna tepër të merrte shënim për nji punë.

– Më provò, tha, Pater Anton, a shkruej gjâ për mos me harrue, dhe a harroj gjâ, kur thom ‹po›. E provova dhe më duel ashtu.

Si u thye Opozita, shkova dhe e ndesha. Me lirín e zakonshme turrshem i bâj dý pyetje të thata, por të forta: Si me falimentue kështu, Luigj? Si me dalë e me hikë Ju tash prej Shqipnije? – Kishte vdekë në kambë burri i dheut; me e pasë pré gjak s’kishte qitë.

U kuq, i u muer goja, shtërngoi buzët e i dha vehtes: Pater Anton, tha, na kanë skreditue tepër keqas, na kanë deklarue komunista n’opinjonin publik t’ Europës! Për Zotin, nuk due të hiki, por po ndêja unë këtu, e dij se derdhet gjak, e derdhet kot. Të kishte pse, nuk po shikjojshem fort për gjak qi derdhet, se mâ për vehte jo se jo, por po më vjen si trathtí t’a marr në qafë popullin e shkretë.”

***

Ngjarjet e Shqipnisë mbas 24 Dhjetorit 1924 i njeh pak kush e ndoshta aspak!

Veriu nuk u pajtue kurr me nenshkrimin e Ahmet Zogut per terheqjen nga Vermoshi, Kelmendi dhe per sovratitetin e Jugosllavisë mbi Manastirin e Shen Naumin, nga miku i tij Pashiqi i Serbisë. Dokumenti nuk dij a asht i njohun nga Akademija e Shkencave!?

Bashkë me “errsimin e tyne”, nuk zehen me gojë as vrasjet e bame nga Zogu në Veri, në Dukagjin, Mirditë e Pukë... Madje, as arrestimet e pushkatimet apo vajet e bame nder Malësi dhe në Shkoder, apo dergimet e të burgosunve në burgun e Gjinokastres. Shumë oficera u vranë, u var Don Gjon Gazulli, u arrestue i vllai Don Nikolli, At Anton Harapi, Don Lazer Shantoja, etj... U pergatit per vrasje At Mati Prennushi dhe At Çiprian Nika...

Politika e Fan Nolit u ngjyros me “pikpamjet komuniste dhe kompromisin sovjetik”.

Ardhja e ambasades në Tiranë, ngjyrosi mjekrren e Ortodoksisë perjetsisht, aqsa edhe Popat nacionalistë që ma vonë u zhduken nga komunizmi, u njollosen si filosovjetikë... Këte kompromis u munduen me ua veshë edhe Klerikëve Katolik...

Franca e Anglia u lidhne me Zogun dhe urdhnuen qeverinë jugosllave ti jepte rrugë kalimi Ahmet Zogut per me hy në Shqipni me 24 Dhjetor 1924. Shumë atdhetarë u larguen nga Shqipnia. Rezistenca e Maleve të Veriut nuk dij a asht shkrue kund...

Lidhjet dhe traktatet e Zogut edhe sot justifikohen nga bashkpuntoret e tij, tue ua veshë tradhtinë dhe vjedhjet e tij ngjarjeve kaotike të kohës, edhe pse u bane diten perdiell...

Kush ishte Ahmet Zogu e tregon rruga që ai bani kur iku nga Shqipnia me okupacionin e Italisë fashiste me 7 Prill 1939 dhe, qendrat ku qendroi derisa u varros në Paris pranë dajës së vet në vorrezat e miqve të vjeter serb, që e patne zevendsue në Shqipni në 1941.

Gjithshka sot asht e kjartë dhe e saktë per të gjithë Shqiptarët në të kater anët e Globit, në saje të Kolë Bibë Mirakaj, tek libri i pakundershtueshem “Vetvrasja e një kombi”...

***

Këte material po e mbylli me Fjalët e At Anton Harapit O.F.M., per L.Gurakuqin:

“...Doli dhe e la Shqipnín, për të mbramen herë. Në Brindisi nji fletorár del t’a ndeshë dhe i kërkon nji intervistë. E mbaj mend, se n’atë rasë tha nji fjalë, qi qe testamendi i tij:

“Partít’ e rrymët shkojnë e vijnë, por don me thanë shumë, se me kaq Shqipnija e humbi Pamvarsínë e vet.”

Luigj, përmallshëm të falem! Me të gjitha ndjesít e zemrës të kujtoj!

Në kujtimin t’êm, për pa vdekë nuk të lëshoj! Ti njimend qé, por edhe jé. Njimend nuk lae as bír as bijë; nuk shkrove shumë, as nuk u ndjeve aq fort: e po me ketë modestí t’anden lae trashigim të pavdekshëm nji ideal të mishnuem, nji jetë të dêjë për shqiptarë; madhnín e Shpirtit Shqiptár ti e shprehe në të tanë vlerën, sinqeritetin e vërtetsín e vet. Ti vdiqe Luigj! Kjo âsht kunora, qi në ketë përkujtim due të vê mbi vorrin t’ and:

I njêjtë, i padangë si në jetë si në vdekje! Pastë kush të ndjektë!”

Melbourne, Nandor 2018.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT