E enjte, 25.04.2024, 06:49 PM (GMT+1)

Mendime

Vangjush Saro: Shqipëria, Kursi i Plepave

E shtune, 24.11.2018, 08:24 PM


Shqipëria, Kursi i Plepave

Nga Vangjush Saro

Është e njohur për të gjithë historia e krijimit të ‘shkollës’ për gjyqtarë aty nga fillimi i viteve ‘90, domethënë Kursi 6-mujor i Plepave, siç u quajt më pas. Nuk mëtoj t’i fus të gjithë njerëzit e Drejtësisë në një thes; le t’i heqim kapelen kujt e ka karrierën të pastër. Por të tjerët, mendoj, shumica, le të rrinë atje në thes, me gjithë paratë e tyre; për hundësh do t’u dalin. Ani. Fjala ishte që ky term pushtoi për një kohë të gjatë, pushtuar e ka ende, jetën e përditshme të shqiptarëve, politikën, botën intelektuale, episode të historisë, letrat, etj.

Duke sjellë këtë detaj, dua të ndaj me lexuesit e nderuar të kësaj gazete opinionin tim për mendësinë amatoreske, hileqare dhe dritëshkurtër, me të cilën ende ‘ndërtohet’ tek ne çasti, ora, dita, jeta e tërë; falë përvojës së Kursit të Plepave. Ndryshe, si mund të shpjegohet kjo etje e papërballueshme për zhurmë e sherr, përplasjet e sajuara për të fituar terren apo për të mos humbur terren, por edhe përkohësia e shumë akteve zyrtare e vetiake, deliranca dhe patetizmi (pothuaj klasor), akte që vazhdojnë ta mbajnë të sëmurë jetën e vendit prej disa kohësh?

Kursi i Plepave e ka hedhur Shqipërinë në një luftë pa kuptim. Sapo që gjendet pak qetësi, ‘zgalemët’ e Kursit të Plepave ia fillojnë nga e para. Kursi i Plepave shpik ngjarje: Stadiumi. Teatri. Kampi i Tepelenës. Mitat Frashëri. Astiri. Është e vështirë të zhvillojmë plotësisht arsyet pse ende dikton në jetën tonë Kursi i Plepave dhe, po ashtu, pse kaq shumë qasje përkohësie, jo të besueshme e të qendrueshme, në një skenë, ku nuk merret vesh kur nis komedia e kur përfundon drama. Bie fjala, duhma e Kursit të Plepave ka kapur keq qeverinë shqiptare, i ka bërë të çuditshëm ushtruesit aktualë të pushtetit. (“Tepër e zorshme të fshehësh të metat e mbretërve.” J. V. Gëte) Ata, sikur të ishin politikanë të ndonjë Kursi 6-mujor, të habisin me pasiguritë dhe gafat e tyre: që nga ato bisedat e imëta në rrjete, deri te deklaratat në nivelet më të larta, vizitat hipokrite te Papa, por… ca më shumë, të habisin me delirin e ndërtimeve. Është fjala për ndërtime që duhen dhe nuk duhen e, këtu, kam parasysh një sërë HEC-e të kundërshtuara nga ambientalistët dhe nga vetë ajo pëllëmbë vend që quhet Shqipëri; por edhe të tjera aso, ku kostot kapërcejnë çdolloj imagjinate. Miliona euro për një copë rrugë… (“Shqipëria është një vend i vend i mrekullueshëm dhe tragjik.” Isadora Duncan)

Nga ana tjetër, në të njëjtin skenar, gjenden vetë themeluesit e Kursit të Plepave, krerët e çoroditur të opozitës, për të cilët në plan të parë nuk është as vendi, as populli, por interesat e ngushta familjare dhe partiake. Përndryshe nuk ka si shpjegohen: ‘Derexheja’ në të cilën kanë rënë, ndërsa situata është e mbarsur me shumë probleme; histeria me të cilën sulmojnë në çështje që duhej t’u kalonin organeve përkatëse; ligësia e paprecedentë teksa përpiqen të destabilizojnë vendin e të pengojnë përparimin e tij, në mënyrë të posaçme hapat e Shqipërisë drejt BE-së. (“Siguria që kanë rrjedh nga marrëzia e tyre.” F. Kafka)

Çfarë është Kursi i Plepave? Është prapambetja. Është niveli i ulët politik e qytetar, mjerimi kulturor dhe etik. Fillon në Parlament dhe përfundon te sherri në rrugë, te bisedat nëpër studio e spektaklet; (shumica bajate e banale, por që diktojnë mbi shijet dhe sjelljen e një publiku në jerm). Por ka edhe më. Bie fjala, nuk u lodhën me vërsulje e vrere që derdhen papushuar mbi të gjitha vlerat e së shkuarës, për t’i zeruar e helmuar ato, për t’i përmbysur e shkatërruar. Është një dalje mendsh e një pakice njerëzish pa parime, pa staturë, që mendojnë se duke përmbysur një tavolinë, nuk mbetet asnjë shenjë e asnjë shije… Është një epokë plot gënjeshtra dhe hipokrizi, sikur e tillë ishte edhe ajo që shkoi. Por prapë, më e mira duhet qëmtuar e vlerësuar: Problemi është të gjesh çfarë e vlente dhe çfarë ishte mediokritet, në mos më keq; çfarë e vlen dhe çfarë është mediokritet, në mos më keq… Dhe nuk ka mbetur puna që këtë të vërtetë ta zbulojmë dhe ta publikojmë ne. Kjo është historia e botës së përparuar.

Çfarë tjetër përveç Kursit të Plepave mund ta bëjë një ‘historian’ a ‘publicist’ të përpiqet t’i mbushë mendjen njerëzisë se Hitleri e kishte mirë dhe se anglezët, amerikanët dhe francezët ‘bënë gabim’ që ‘bashkëpunuan’ me komunistët gjatë Luftës së Dytë Botërore(?!) Shikoni se gjer ku shkon verbëria ideologjike dhe ndjenja e revanshit pa fre… Pse njerëzit duhet t’i falen ekstremizmit? Çfarë tjetër mund të themi kur një gazetar i një radioje perëndimore, pasi e vizaton Shqipërinë e kohës ‘tjetër’ si një kamp përqëndrimi njësoj me ato të nazizmit, madje përdor edhe terma dhe emërtime fyese, më në fund, pas shumë teprimeve të tilla, na tregon se si shqiptarët janë shpërndarë nëpër botë të turpëruar(?!) Po ku e paska vënë re këtë? Sigurisht, gjithnjë ka pasur e ka njerëz që duhet të turpërohen për jetën e tyre; por zgjidhjet dhe realitetet nuk i ka në dorë kushdo që shkruan, por ata vetë; shqiptarët emigrantë në këtë rast. Dhe shumica e tyre, me kokën lart, janë duke ndërtuar një jetë të mirë për vete dhe për familjet e tyre, duke ndihmuar kështu që edhe emri i vendit të tyre të mos fyhet.

Përballë kësaj ‘anësie’ të papërfytyrueshme të Shkollës së Plepave, përballë çdolloj teprimi, me fjalë a me dhunë konkrete, përballë akteve të përkohësisë politike, të luftës dhe konfliktualizmit të frymëzuar nga interesa të ulëta, të abuzimit me pushtetin, të përdorimit të sajesave për të ndalur zhvillimet në vend - çka fundja është një akt antikombëtar - gjendet, si përherë, një pjesë e pakët, e lodhur, e inteligjencës, si dhe shumica e qytetarisë shqiptare dhe ajo tej Shqipërisë zyrtare, pa lidhje varësie me politikën; edhe ndonjë medie a forum tek-tuk. Këta aktorë përpiqen të shikojnë e të lexojnë - përtej klithmave, kalambureve dhe sofizmave - mundësitë dhe parashikimet se si mund të shkohet ca hapa më tej, pa këtë luftë e ndjesi lufte, pa këtë personalizim të interesave familjare dhe klaneve, situatë që i ka lodhur të gjithë, edhe vetë luftuesit e mjerë.

Sekush e zgjedh vetë nëse do të shkojë te njëra palë apo te tjetra e nëse do të mbajë mendjen e vet; se të Kursit të Plepave janë të dyja. Por si intelektualë, si gazetarë, si shkrimtarë, më e pakta që mund të bëjmë, është të mos i hedhim benzinë zjarrit, të apelojmë për qetësi dhe stabilitet. E di, kjo shkon kundër mentalitetit të Kursit të Plepave; ai do sherrin, që të humbasë gjurmët e krimeve dhe vjedhjeve, të vjetra e të reja. Por, ju drejtohem gjithnjë lexuesve dhe kolegëve që nuk e kanë përlyer veten, përveç stabilitetit dhe demokracisë, nuk ka rrugë tjetër nëse e kemi ende mendjen për të shkuar në Perëndim, te BE-ja… (“Ndiqni të paktët, jo njerëzit vulgarë…” Petrarka)



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Rexhep Shahu: Trau ose kufiri i përbuzjes ndaj veriorëve dhe Kosovës Dedë Preqi: Zonja mogherini, gjuaje në ler, se është shtrenjtuar benzini! Adil Fetahu: Situata alarmante: shqiptarët po treten! Aurel Dasareti: Dobësia tërheq agresionin Luan Dibrani: Pas ndalimit të mallit serb do hapen me dhjetëra fabrika në Kosove dhe mijëra vende pune! Fritz Radovani: Xhon Kenedi ishte meteor Skënder Kapiti: Urime futbollit të Kosovës! -“Kosova është Shqipëri, por edhe Shqipëria duhet të jetë Kosovë” Dedë Preqi: Nuk dështoi Kosova, por dështoi edhe Interpoli Reshat Nurboja: Dëshirojnë të na injorojnë Hasan Selimi: Me Skënderbeun u rritëm... Islam Lauka: Pajtimi me Rusin? ose politika e rr?nimit t? Pavar?sis? s? Kosov?s Dedë Preqi: Presidenti Rugova nuk do vetëm lule te varri, por punët të vajnë për së mbari! Valon Jashari: Invazioni i shtetit serb ndaj asaj pak kulture shqiptare që ka mbetur në Preshevë Skënder Kapiti: Në Shqipëri duhet RI-VETTING- VETTING për VETTING-un Fritz Radovani: Don Simoni rrxoi murin ateist Murat Gecaj: Valltarja 'brilante' Xhevahire Gashi Skënder Jashari: Tentim-shantazhimet e Serbisë ndaj Faktorit Ndërkombëtar kundër Kosovës Dedë Preqi: Driblimet e Hashimit deri te këmbët e Putinit Reshat Nexhipi: Deputetë dhe analistë të nderuar, mos lejoni nëpërkëmbjen e historisë tonë të lavdishme dhe dinjitetin ynë kombëtar Reshat Nexhipi: Europën, e kanë krijuar njerëzit e racës tonë

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora