Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: Trashëgimi problemesh

| E premte, 23.11.2018, 08:16 PM |


Trashëgimi problemesh

Nga Blerim Rrecaj

Nga rrjedha e kësaj jete që ka burimin nga i Lartmadhërishmi, erdhëm, mbërritëm deri këtu, në këtë vit, këtë stinë, këtë ditë, këtë orë, këtë çast, këtë sekondë. Dhe sikur gjithçka që ndodhi, që shkoi deri tash ishte aq e shkurtë sa një hapje e mbyllje sysh. Ngandonjëherë kujtohemi për aktet, skenat, kapitujt, fragmentet që rrumbullaksojnë këtë tërësi jete. Herë-herë meditojmë për larmi lëvizjesh e qarkullimesh të nxitura nga dëshira, qejfi a zori, nga hallet, perspektiva, shtypjet, luftërat, terrorri. Për një mori largimesh, ikjesh, ndjekjesh, dëbimesh, zhvendosjesh e vendosjesh, peripecipshë, mirëpritjesh, nëpër kohë e hapësira të ndryshme. Pardje, dje dhe sot. Shtegtime nëpër histori, drama, tragjedi, episode... Plagë, dhembje, përpjekje. Në veri-jug-lindje-perëndim. Dhe hjeka e mundime, ideale e dëshira, zhgënjime e shpresa. Ëndrra gjumi e t'përgjumshme, ëndrrues syhapur duke parë e projektuar pamje tjera nga pamjet e hidhura t'realitetit të pakëndshëm, t'rrugëtimeve t'gjata maratonike. Nëpër kohë. Për të vijuar garën e filluar. Për t'u hedhur te Gjysëm-maratona ndërkombëtare e përvitshme e Prishtinës, te nisja dhe mbërritja para Teatrit Kombëtar, te ceremonia e ndarjes së kupave, medaljeve, mirënjohjeve, e fituesit duke i ngritur ato lart përpara të pranishmëve, kamerave e shtatores së Skënderbeut me shpatë mbi kalë. Në mes të objektit të ish-Gërmisë, dikur Shtëpisë së mallrave që na lidh ndonjë kujtim fëmijërie, tash në këtë objekt ku kryen punë Administrata Tatimore e Kosovës, e të nesërmen ky objekt është planifikuar të shndrrohet në Sallë Koncertale, dhe objektit tash të Qeverisë, dikur objektit të ish Bankës së Kosovës. Pra heroi qëndron mes dy objekteve me nga një "ish" përpara. E po, si janë përzier punët, e na u dhashtë e mbara! Për objektin e parë po vazhdon debati "për" dhe "kundër" të nesërmes së tij, të rrëzohet a jo për t'u ndërtuar një i ri. Na bije të dëgjojmë për papërgjegjshmëri, mungesë vizionesh, e duke shkelmuar trashëgiminë, vlerat kulturore materiale e shpirtërore. Për ankesa njerëzish e arkitektësh për ndërrime fytyrash e destinimesh të objekteve, si ai i "ish" Pallatit të Shtypit "Rilindja", për laramanimin e fytyrës së Hotelit Grand etj, etj. E po çka me ba, kjo ka ndodh e po ndodhë edhe me profesionet. Te kënga "Paradox" Naser Berisha këndon se si mjeku bëhet kamarier, kamarieri këshilltar, arkitekti shet gazeta e kasapi bëhet gazetar. Pastaj mësuesi shet cigare, artisti bëhet taksist, këtë këngë mund ta dëgjojmë në youtube por po duket se për të s'po ka liberalizim vize nga radiot e tv-të. Edhe pse fol, bërtit, këndo sa të duash organizimin e kaosit s'ka kush ta bëj siç porosit Branko Merxhani në një shkrim që fillon me një thënie të Niçes. E nga zemra e qendrës së qytetit kalojmë te gropa e hapur në fushatë zgjedhjesh, atje në atë periferi të qytetit ku fluturojnë, mblidhen e këndojnë sorrat e korbat sot e tash sa mot, dikur u pat thënë, u pat trumbetuar se obkekti madhështor do jetë sallë koncertale e operistike së shpejti e ndërtuar, por gropë e hapur ka mbetë, tash e sa vjet, fare pranë Fakultetit Teknik, ku studiohet edhe për projekte arkitektonike. Mund të dalim dhe të një gropë e madhe në pjesën tjetër periferike mes "Arbërisë" e "Kodrës së Trimave" ku rrëshqasin shtëpi e varre, sidomos pas reshjeve të shiut, te gropa mes lagjes e tjegullores, një gropë për të cilën me vite e dekada po premtohet se do të mbulohet. E dhe për këtë prit me net e prit me ditë. E për gropa rrugësh t'mos flasim. E gjithë kjo katrahurë ta kujton tregimin e Aziz Nesinit me titull: "Të gjithë kanë qenë ndërtues", ku drejtorët që i ndërrohen aq shpesh një shkolle e prishin atë që ka bërë paraardhësi i tyre koleg dhe secili nga ta ndërton atë që dëshiron, njëri pishinë, tjetri pistë vallëzimi, tjetri stadium për lojëra sportive, tjetri park, tjetri pistë patinazhi, i fundit xhami dhe kur ndërton gjysmën e minares bëhet transferimi i tij. Këta drejtorë lyejnë edhe klasët sipas ngjyrave që pëlqejnë, bibliotekave, mensave ua ndërrojnë vendet, etj, etj. E kur ftohen gjeneratat e ndryshme për nder të "Festës së diplomave" ata flasin se kjo ka qenë këtu, ajo aty, kjo kështu, ajo ashtu... Punë tregimi, e kush ka nge të mësojë nga pësimi. Kështu duke ecur një ditë sheshit të kryeqytetit pashë një ring boksi të vendosur para Teatrit Kombëtar, arrita të shihja vetëm ca çaste nga ndarja e shpërblimeve nga organizatorët e turneut. (Respekt për punën e angazhimin e gjithkujt po sa gjërat po bëhen sa për të thënë që po bëhet diçka, sa turneu, sa festivali, sa...) Sërish sytë nga Skënderbeu, plus është dhe viti i tij. 600 vjetori. E sytë edhe nga objekti ish-Gërmia që para pak ditësh kisha lexuar për të një shkrim në gazetë. M'u kujtua edhe diçka, mbasi ky objekt e ka emrin e Parkut të Gërmisë, a kish ba me u shndrru në farë institucioni shkencor për parqet, malet e natyrën shqiptare në përgjithësi, veç thashë sa për të thënë diçka. Mos ma zini për të madhe. E në gjysmë e i papërfunduar ka mbetur objekti i nisur kaherë në zemër të mushkrive të kryeqytetit, në qendër të Gërmisë, kushedi çdo bëhet me të, që u pat nisur si Rezidencë Qeveritare, tash, në këmbë, e harruar, e palyer, pa dyer, pa dritare duke thithur ajër të pastër. Kthehemi te ringu të cilin para se ta tërhiqnin e vendosa imagjinativisht debatin këtë herë për fatin e këtij objekti pra, ish-Gërmisë, me të ftuar analistë, politikanë, gazetarë, civilistë, arkitektë, t'varur e të pavarur, prokurorë, avokatë, e gjyqtarë, me ndonjë ish-punonjës e me spektatorë përreth litarëve të ringut. Të zhveshur e pa dorëza, këtë kështu e paramendova, në fakt këtë po paramendoj tash, të paramendojmë vëllezër, të paramendojmë, se ç'po ngjet e ç'do të ndodhë. Dhe pastaj ankohemi se nuk po ndodhin ndryshime, ndryshime të shumta po ka, po për të... hajt natën e mirë se po shkoj të fle, paçim gjumë të ëmbël e pritshim një ditë të re...