E hene, 20.05.2019, 03:50 AM (GMT+1)

Komente » Fetahu

Adil Fetahu: Situata alarmante: shqiptarët po treten!

E enjte, 22.11.2018, 09:11 PM


SITUATA ALARMANTE: SHQIPTARËT PO TRETEN!

• A po vetëzhdukemi si komb (shqiptar)?

• Indiferencë idiotike ndaj shuarjes së kombit!

Nga Adil FETAHU

Politikani e shkrimtari Ben Blushi, në romanin e tij “Hëna e Shqipërisë”(botuar më 2014), pas një analize të faktorëve dhe parametrave realë, po në stilin letrar, kishte paraparë se në vitin 2100 Shqipëria do të ketë një million banorë më pak se që ka sot (2014).

Unë, nga një analizë  e të dhënave nga statistikat zyrtare, të Kosovës dhe të Shqipërisë, me shifra e fakte kam vërtetuar rënien drastike të numrit të popullsisë në dy shtetet shqiptare. Atë analizë e botova në disa media (5 janar 2015, me titull: A po vetëzhdukemi si komb dhe si popull?, dhe e ribotova, të zgjëruar në 9 prill 2018, me titull: Indiferencë idiotike ndaj rënies demografike).

Sipas projeksioneve dhjetëvjeçare që ka botuar Agjensioni i Statistikave të Kosovës, në variantin e mesëm, sipas trendit të rënies së numrit të popullsisë, Kosova në vitin 2061 do të ketë 36543 banorë më pak se që kishte në vitin 2011 ! Sipas analizës së  të dhënave të statistikës zyrtare, në vitin shkollor 2006/2007, në Kosovë ishin regjistruar 38187 nxënës në klasën e parë, ndërsa në vitin shkollor 2011/2012 ishin 28481, apo 9706 fillestarë më pak. Nëse marrim një mesatare nga 300 nxënës për një shkollë, del se për 5 vjet, janë zhdukur 32 shkolla! A s’është kjo për t’u brengosur dhe alarmuar?!

Në Republikën e Shqipërisë të dhënat i e statistikës zyrtare ishin edhe më alarmante.  Derisa në vitin shkollor 2004/2005 në klasën e parë ishin regjistruar 54542 nxënës, në vitin shkollor 2011/2012 ishin regjistruar 38425, apo  16117 nxënës më pak se shtatë vjetë më parë!

“Shqipëria po shuhet”!

Kështu tingllon një ogur i zi që jepet në një raport të Divizionit të Popullsisë pranë Kombeve të Bashkuara, nga analiza e tij e vitit 2017, me titull: “Plakja e Popullsisë në Botë”. Sipas atij raporti, Shqipëria renditet e teta, në mesin e 10 vendeve (kombeve) të botës që po shkon drejt shuarjes, si pasojë e dinamikës së plakjes së popullsisë që ka pasur në periudhën e viteve 2000-2011. Faktorë kryesorë të këtij fenomeni janë emigrimi dhe rënia e lindjeve, por një faktor tjetër shtesë është indiferenca e shtetit për t’u marrë me këtë problem. Gjithnjë sipas të dhënave që jepen në raportin e KB, del se në Shqipëri numri i të moshurëve mbi 60 vjeç, në periudhën 2000-2011, është shtuar për 7,3%. Në vitin 2017 në Shqipëri ishin 93000 qytetarë mbi 60 vjeç, më shumë se sa kanë qenë në vitin 2011. Kjo grupmoshë e popullsisë mbi 60 vjeçe, në vitin 2011 ishte 15,4%, ndërsa në vitin 2017 arriti në 19%. Shkenca e demografisë thotë se një popull do të zhduket popqese numri i banorëve të moshuar mbi 60 vjeç arrinë të jetë 2,5 herë më i madh se numri i banorëve të grupmoshës deri 19 vjeçe. Në Shqipëri numrat e këtyre dy grpmoshave gati janë barazuar dhe me dinamikën e emigrimit të të rinjëve dhe me tendencyën e rënies së natalitetit,  shumë shpejtë do të arrijë pragun e fillimit të zhdukjes.   Ky trend vazhdon të përkeqësohet, dhe sipas projeksionit të KB, parashihet se në vitin 2030 popullsia e Shqipërisë me moshë mbi 60 vjeçe do të arrijë 26,6%, bile dhe kjo me kusht që në ndërkohë të mos ketë ndonjë valë të fortë të emigracionit.  Alarmante, apo jo?!

Raporti jep të dhëna krahasuese për dinamikën e plakjes së popullsive në botë, dhe thotë se shkallën 7,3% të plakjes së popullsisë, të cilën Shqipëria e ka arritur brënda 11 vjetëve, Franca e ka arritur për 115 vjet, Suedia për 85 vjet, Australia për 73 vjet, e kështu me radhë. (Bile, në diçka të jemi të parët, për fatin tonë të keq!)

Të dhënat e publikuara nga Kombet e Bashkuara në vitin 2015, kishin shënuar se 1,12 milion shqiptarë, të lindur në Shqipëri, jetojnë jashtë vendit të tyre, nëpër botë: 450 mijë në Itali, 440 mijë në Greqi, 80 mijë në ShBA, e kështu me radhë nëpër shtetet e Europës. Ky numër paraqet 40% të popullsisë rezidente që kishte Shqipëria në vitin 2011 (2,86 milionë banorë).

Sipas një studimi të Fondit Monetar Ndërkombëtar për periudhën 1995-2012, emigrimi i të rinjëve, si fuqi e kualifikuar e kontigjentit punues, ka pasur efekt negativ në brutoprodhmin e vendit 18%, që është humbja më e lartë në vendet e rajonit.

Dhe së fundi, sipas një varianti (variant më pesimist se ai nga romani i Ben Blushit) që paraqet raporti i Divizionit të Popullsisë i Kombeve të Bashkuara, në vitin 2100 Shqipëria do ketë (vetëm) 860 mijë banorë, ndërsa sipas variantit më optimist, me kusht që emigracioni të jetë = 0, mund të ketë 1,6 milion banorë!

***

Dhe, qeveritë tona, në Shqipëri e në Kosovë, as që duan të dëgjojnë  për këtë problem, e lere më të ndërmarrin masa adekuate për ndaljen e këtij trendi të rrezikshëm, të vetëzhdukjes së kombit.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT