E merkure, 24.04.2024, 06:53 AM (GMT+1)

Kulturë

Engjëll Koliqi: Në logun e dritës

E diele, 21.09.2008, 06:35 PM


Engjëll Koliqi
Në logun e dritës

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Jorastësisht mbetëm vetëm unë e ti, në fazën përfundimtare të zgjedhjes së këngëve, për solemnitetin e kremtes sonë historike. Të tjerët, mbas një seleksionimi të përgjithësuar të këngëve, ende pa përfunduar këtë procedurë, pahetueshëm janë larguar dhe u janë futur procedurave të tjera të këtij procesi, që shpresojmë se do e ndërrojë këtë botë dhe do e orientojë drejt të së mirëfilltës dashuri.

Të gjetur para një detyre bukur të vështirë dhe me një përgjegjësi historike, ne – duke llogaritur në ndihmën e Zotit, filluam procedurën finale të seleksionimit të këngëve. Gjatë gjithë kësaj procedure, ishim të "detyruar" t'i respektonim disa rregulla, që dilnin nga Kushtetuta e Dashurisë. Dhe, pikërisht bazuar në ato rregulla, filluam me zgjedhjen konkrete të këngëve. Më të parat, që i caktuam, për të hapur solemnitetin e Ditës së Madhe, ishin këngët kushtuar dëshmorëve tanë dhe lirisë së shtrenjtë. Në këtë mënyrë edhe e plotësuam kushtin e parë, që vetëvetiu na e "impononte" atdhedashurinë. Me këtë zgjedhje, që në fillim ishim të sigurtë se po e bëjmë mirë punën tonë dhe se sukseset nuk do të na mungojnë.  Me këtë bindje dhe me energji të reja vazhduam me zgjedhjen e këngëve të tjera. Mbas disa këngëve epike, radhën ua lamë këngëve lirike, për të vazhduar – në fazën finale – me këngë dashurie. Në këtë zgjedhje nuk kemi harruar edhe kombinimin dhe harmoninë e zhanreve muzikore, që fillonin me folklorin burimor, vazhdonin me muzikën popullore tradicionale – që nga këngët e vjetra qytetare e deri te këngët e lehta bashkëkohëse, për të vazhduar me ritëm të shpejtë dhe shkundës të muzikër rock e pop, dhe krejtësisht në fund, duke mos harruar as muzikën klasike.

Në mbarim të kësaj procedure, që ishte edhe e ndërlikuar, në shenjë mirënjohjeje për suksesin e garantuar, zotërat e epokës së re na e ofruan regjimin, duke na dekoruar dhe kurorëzuar me titullin, simbas të gjithëve të merituar, mua – mbret dhe ty – mbretëreshë të Shekullit të Dashurisë. Jo vetëm kaq, por ishte marrë vendimi i njëzëshëm, që regjimi ynë të shtrihej anekënd botës – në mbarë gjithësinë.

Ashtu siç ishte paralajmëruar dhe siç pritej, filloi solemniteti i kremtes së madhe. Që në hapje të këtij manifestimi, na kurorëzuan, për të qenë që në solemnitetin e parë në epokën e re – komandantë dhe garantues të zbatimit të plotësishëm të Kushtetutës së Dashurisë. Vallen a hapën Dëshmorët e Lirisë dhe gjithçka po shkonte mbarë. Botës mbarë i dëshmuam se përkushtimi për liri dhe për barazi mund të realizohet vetëm nëse bazën dhe komandën e ka në dashuri. Me këtë bindje, të gjithë – njëzëri – jemi betuar për gatishmërinë e përgjithshme dhe për kontributin e përbashkët, që në mrekullitë e para në regjimin e dashurisë.

Gjithçka po bënim në logun e dritës, prandaj në çdo çast ishim mirë të pashëm nga zotërat dhe nga masat popullore. Gjithçka bëhej haptas dhe gjithçka shkonte drejt vlerave të mirëfillta të dashurisë. Ajo që të gjithëve – anekënd botës – u kërkohej, ishte: të harrohet urrejtja dhe në shpirtin njerëzoz kudo të mbillej e të kultivohej dashuria. Me këto rregulla dhe masa përkatëse, që në ditën e parë të regjimit tonë, krejt pashëm dhe me transparencë maksimale, në çdo pëllëmbë të botës, e kemi shtrirë regjimin tonë të dashurisë – kudo të pranuar dhe të përqafuar, nga të gjithë. Të tillë jemi sot dhe do të jemi edhe nesër e deri në amshim. Vetëm të tillë mund të qëndrojmë – gjithnjë të pashëm dhe të paepur – në logun e dritës, këtu ku të gjithë marrin shembull nga ne. Vetëm si të tillë, mund të jemi aktorë të përhershëm dhe protagonistë të mrekullive, që përfundimisht do e ndërrojnë këtë botë me dashuri. Të tillë do të mbetemi përgjithmonë, me garanci të përhershme të sukseseve – për ne dhe për njerëzimin mbarë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora