E shtune, 20.04.2024, 02:09 AM (GMT+1)

Mendime

Agron Tufa: Anekdota negative të së djathtës shqiptare

E diele, 21.09.2008, 04:12 PM


Agron Tufa
Anekdota negative të së djathtës shqiptare

Nga Agron TUFA

Disa nga problemet më të mprehta e më thelbësore, që përbëjnë statusin e identitetit, dhe prej këndej - vetërealizimin dhe vazhdimësinë e individit në shoqërinë shqiptare të postkomunizmit, mbeten ende të pazgjidhura. Zgjatja, stanjacioni dhe mungesa e perspektivës në zgjidhjen e këtyre problemeve lidhet më së pari me paaftësinë dhe krizën e përgjithshme, në radhë të parë, të klasës tonë intelektuale, e cila, fill pas rënies së komunizmit u kap gafil, e papërvojë, me një bankrot kulturor, e topitur nga ndikimi i propagandës dhe me një shkallë të ulët reflektimi për të rikuptimësuar të kaluarën komuniste. Por akoma më negativisht në konstruktin intelektual ka ndikuar shkalla e ulët, apo më saktë, mungesa e refleksit për të kundërshtuar format tipike të sjelljes dhe drejtimit ultramajtist të pushteteve politike. Ne nuk e kishim një klasë intelektuale, e cila të ishte e aftë të përpunonte ide, të kishte ndjenjën e perspektivës dhe të shihte se si pas çdo kryqëzate elektorale mënjanoheshin problemet e mëdha dhe mbetej e pandryshuar vetëm babëzia për pushtet. Raste e qëndrime tepër të veçuara kanë patur rol të papërfillshëm dhe kanë humbur në angazhimin propagandist të medias pro pushteteve, ose ndryshe, të mercenarizmit tipik që ka shoqëruar gjenealogjinë shekullore të inteligjencies sonë.
Përse e theksoj këtu dështimin e klasës intelektuale dhe pse mendoj se ajo ka më shumë faj se klasa politike? Sepse, e para, duke patur rolin parësor të sensibilizimit të shoqërisë, duke qenë se ajo duhet ta mbajë të esëllt dhe aktive vetëdijen qytetare (jo vetëm për mungesën e ujit dhe dritave), duke qenë e vetmja gjeneruese e ideve dhe diskurseve të nxehta publike, klasa intelektuale duhej të kishte provokuar një situatë zgjimi në rikuptimësimin e të kaluarës sonë, të ballafaqonte shoqërinë me gjenocidin që kishte kaluar dhe me ata që i kishin shkaktuar aq shumë fatkeqësi. Është inteligjencia ajo që provokon horizontin e vetëdijshëm për një klasë më të përgjegjshme politike, që evidenton problemet e mëdha morale, shpirtërore e materiale dhe jo e kundërta. Politika nuk mund të emancipojë politikën. Së paku tek ne. Mjafton t’i hedhësh një sy përbërjes së Parlamentit tonë në aq legjislatura sa kanë kaluar, që kjo pyetje të mos ngrihet më. Por duke e lënë të palëvizshme dhe inerte kënetën e shoqërisë shqiptare, duke e braktisur atë në gjendje natyrore, në tërë këto vite të gjata të postkomunizmit, statusi individual dhe shoqëror degradoi në një garë arbitrariteti, fyerje, abuzimi dhe nëpërkëmbje të interesave, lirive dhe dinjitetit.
Në një vend të inkriminuar për gjysmë shekulli si Shqipëria, askush nuk kërkoi llogari, askush nuk dha llogari, askush nuk mundi të rifitojë çka kishte humbur, përveç shpresave të rrejshme që janë përsëritur në forma të pamoralshme në prag zgjedhjesh.
Në Gjermaninë e shkatërruar nga tragjedia naziste dhe Lufta e Dytë, inteligjencia gjermane apeloi fuqishëm për ndjenjën e fajësisë dhe dhënies llogari (kujtojmë ciklet e leksioneve dhe mandej librin e Karl Jaspersit “Mbi ndjenjën e fajësisë”); përkundrazi, në Shqipërinë e dalë nga ploja staliniste u bë krejtësisht e kundërta dhe rezultati nuk vonoi me sjelljet harbute e agresive të persekutorëve e censorëve të djeshëm, me ringritjen e recidiveve komuniste, me rikthimin e tyre apo të bijve të tyre në pushtetet politike e administrative, në institute, të arsimit, shkencës dhe kulturës, tashmë të sigurt e fuqishëm ekonomikisht. Restaurim i neokuminizmit në demokraci! - ja një përkufizim që i shkon përshtat gjendjes sonë! E habitshme është se edhe ndonjë modernizim i vagullt i politikës shqiptare nuk ka ardhur organikisht, së brendshmi, si meritë e rolit aktiv të inteligjencies tonë, por vetëm me kushtet, detyrimet dhe presionet nga jashtë, të institucioneve europiane.
Por tjetër gjë është roli i papërmbushur i inteligjencies tonë, dhe krejt tjetër – roli i programeve dhe praktikave të politikës shqiptare. Kur flasim për programet dhe qëndrimet e klasës sonë politike, të bie në sy çorientimi, konfuzioni, kontradiksioni në orientimin e tyre ideologjik. Është gënjeshtër e trashë ajo që thonë se, me rënien e sistemeve komuniste jetojmë epokën e rënies së ideologjive; ato nuk janë zhdukur asfare, përkundrazi janë më të gjalla se kurrë. Pema e ideologjive, siç thotë Norberto Bobbio, mbetet kurdoherë e bleruar dhe se vetë pohimi i krizës së ideologjive është më se ideologjik. Mirëpo tek ne edhe ndarja e madhe ideologjike “e majtë” dhe “e djathtë” ka humbur orientimin, anipse e djathta dhe e majta nuk kanë të bëjnë vetëm me ideologjitë, pasi kështu i hyjmë një thjeshtimi të papërligjur. Ky orientim është më së pari, çështje e botëvështrimit individual, e formimit, ideve dhe ndjesive, edhe pse për triumfin e tyre shoqëror lypset aksioni politik. Tek ne “e majta” dhe “e “djathta” në përkatësinë e vet janë shndërruar në fjalor të paverifikueshëm politik.
Ajo që sipas meje përbën tragjiken e dështimit të idealeve shoqërore shqiptare, ka të bëjë me dështimin e të djathtës shqiptare: një dështim i ngadaltë e i sigurt, i zgjatur tejskajshëm e torturueshëm, si një anekdotë banale dhe ja ku jemi tani: me plagë të pambyllura, të cilët vetëm se acarohen nga ata që i kanë shkaktuar, pa pronë, pa traditë, pa rehabilitim, pa respektin e të martirizuarit, të braktisur në shkallën më të fundit sociale, të tëhuajësuar nga idealet për të cilat luftuam. Ja pra çfarë bilanci kemi pas tetëmbëdhjetë vjetësh nga rënia e komunizmit: karikaturën e së djathtës!
Pse e vë theksin pikërisht mbi fatin e së djathtës? Sepse për mbarësinë e një shoqërie të shëndoshë është po kaq e rëndësishme dhe e majta. Dhe sigurisht! Këtë pjesë dialektike të dikotomisë apo diadës populli ynë e ka dhënë figurativisht në një shprehje idiomatike: “E majta lan të djathtën dhe të dyja së bashku – fytyrën”. Porse tek ne ato lajnë diç shumë më prozaike se fytyra!
Fati i së djathtës duhet të na shqetësojë pak më posaçëm, për disa arsye që do t’i shtjelloj shkurt.
E para, sepse pas një diktature gjysmëshekullore, ekstremisht të majtë, njeriu shqiptar kaloi disa stade të zombizimit, duke u shndërruar në një robot dhe duke krijuar raporte të thella tëhuajësuese me rolin e tij në shoqëri, me traditën, historinë, kulturën, religjionin, pronën, atdheun - me një fjalë -, raportet e vetëdijes së tij qenë përfundimisht të shkatërruara lidhur me nocionin themelor të së Mirës dhe së Keqes. E dyta, sepse shoqëria shqiptare, vetëdija individuale dhe ajo masive, kishin humbur ekuilibrin për gjysmë shekulli paranojë të majtë dhe, kësodore, do ta humbitnin pakthyeshëm rivendosjen e këtij ekuilibri, pa u ballafaquar me sistemin e vlerave të së djathtës. E treta, sepse, pas gjysmë shekulli stalinizëm shqiptar, vetëm një e djathtë e shëndoshë mund dhe duhej të përmbushte një mision historik e shoqëror, për ta nxjerrë atë nga katastrofa morale, shpirtërore e materiale dhe, e katërta, sepse vetëm një e djathtë e shëndoshë mund të krijonte premisat e pajtimit, rinjohjes dhe rivlerësimit të njeriut tonë me qenien e tij të fragmentarizuar, të gjymtuar, të ndërprerë e të izoluar nga koha, historia, tradita, religjioni, ideali iluminist dhe interesi nacional.
Por për fat të keq, kjo nuk ndodhi, pasi spektri i së djathtës shqiptare, i strukturuar me elementin tradicional të paraluftës së Dytë, i pasuruar fuqishëm gjatë gjysmë shekulli persekucion e gjenocid komunist (diktatura ka meritë për këtë), dhe e mbështetur nga rinia studentore dhe inteligjencia e re e paskomunizmit, dështoi fill pas fitores së bujshme në mars 1992. Gjithë periudha tjetër flet për denatyrimin e saj, largimin nga idealet, sabotimin e shpeshtë të misionit të saj, aq sa sot nuk mund të quhet më e djathtë, as nga përbërja, as nga prejardhja, as nga filozofia, as nga utopia. Ngelet vetëm se premtimi dhe riciklimi i rrethit vicioz, që vërtitet dhe kthehet në pikënisjen fillestare. Të persekutuarit, të pushkatuarit, të internuarit, të privuarit nuk e gjetën drejtësinë, nuk e zunë vendin e tyre që u takon, nuk iu kërkua falje, edhe pse për këtë, përsëri, nuk ushtron presion klasa jonë intelektuale, por sërish presioni vjen nga Europa; prokurorët, hetuesit, torturuesit, xhelatët dhe spiunët e djeshëm janë në majë të pushtetit politik e administrativ, në Parlament e në institucione drejtuese publike; ata sërish e kanë pushtetin e dosjeve dhe informacionin për gjithçka ngjet (këqyrni gjithë rrjetin e avokatëve – pjesën dërrmuese të emrave do t’i gjeni si torturues në librat e memuareve të ish-të burgosurve politikë!), madje, në kulmin e pushtetit kinse të djathtë, ky establishment – dekorohet, shpallet heroi ynë i vetëdijes qytetare! Prona nuk u rikthye, trashëgimia komuniste në shkencë, arsim, kulturë e politikë vazhdon restaurimin dhe e mban të pacenuar monopolin. Në majë të pushtetit janë bijtë, të cilëve, pak t’u kruash koren, janë aq të kuq, sa në të mund të ndezësh cigaren - skuq e kaluara e tyre familjare - kupola e djeshme komuniste.
Po unë nuk ju ftoj të shihni me lupë kaq të imtësishme.
Thjeshtë merreni këtë tablo si një anekdotë të zgjatur e bajate, si një anekdotë negative për moralin e punës. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora